Ekskluzive
Çfarë ndodhi në gjashtë ditë protestë pas vrasjes nga policia të 25-vjeçarit Klodjan Rasha dhe mënyra e sjelljes së mazhorancës dhe opozitës. Taktika e Ramës për t’i djegur në duar Presidentit kartat e dekretimit të ministrit të ri dhe pasojat e protestës që dorëhoqën një ministër dhe dhanë disa mësime për precedentë në të ardhmen. Flet për gazetën “Fjala”, analisti Lorenc Vangjeli.
Vrasja e 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga një punonjës policie solli reagime dhe protesta në vend, një protestë që zgjati gjashtë ditë, ku aktet e dhunës nuk munguan. Përse ndali kjo protestë, iu “sos durimi” të rinjve, apo policia mori masa të forta që ndaloi grumbullimet?
Nuk është as njëra dhe as tjetra arsye. Së paku ato nuk qëndrojnë veç e veç. Ajo çfarë u pa në Tiranë dhe gjetkë, në harkun e një jave ishte një protestë e cila refuzoi deri në fund të shfaqte thelbin e saj politik. Ju tremb politikës. Në një vend si Shqipëria ku është i politizuar edhe ajri që thithet, ajo protestë tentoi t’i shmanget politikës deri në fund, kurse vetë politika kërkoi gjithashtu deri në fund distancë me të. Ta duartrokasë nga syri i opozitës ose së paku të mos e mallkojë direkt atë nga zyrat e maxhorancës.
Si e tillë ajo nuk pati sinqeritet në thelbin e saj, kusht i domosdoshëm për vijimësi, dinjitet dhe masivitet të zemëratës së qytetarëve. Protesta, si gjithçka tjetër, detyrimisht kërkonte një sistem krahasimi. Dhe i vetmi krahasim vinte nga 21 Janari i 2011-ës, çka e nxirrte në një dritë të ligë sfondin e protestës së re. Diferenca në veprime dhe qëndrime dhe tipologjia tërësisht e ndryshme e krimeve, nuk justifikonin kohëzgjatjen e saj. Në rastin e parë kishte ekzekutim pa gjyq të katër qytetarëve, një krim tërësisht shtetëror i kryer në dritën e kamerave, pak përpara muzgut.
Kurse e dyta ishte një vrasje kriminale me armën e shtetit. Herën e parë, kishte një përfshirje kapilare të të gjitha strukturave të kontrolluara nga maxhoranca për mbulimin dhe mosndëshkimin e tij dhe herën e dytë ndodhi edhe largimi i ministrit të brendshëm. E po kështu edhe një mori detajesh tragjike që e bëjnë shumë më të hidhur këtë krahasim. Për t’u kuptuar më qartë, nëse ish-ministri i brendshëm i asaj kohe do të kishte dhënë dorëheqjen mbas vrasjeve në Bulevard, lideri i opozitës së sotme do të kishte arsye morale për të qenë në bulevard këtë javë dhe për të udhëhequr protestën.
Për fat të keq të të gjithëve, për fatin e keq të demokracisë deri edhe për fatin e keq të vetë të Lulzim Bashës, ish-ministri i brendshëm i asaj kohe jo vetëm që nuk u largua atëherë nga detyra, por është rritur në përgjegjësi: është drejtues i opozitës. Ky lloj arsyetimi nuk justifikon kurrsesi çfarë ndodhi, por është një nga shpjegimet e thjeshta se pse protesta u shua.
Ngjarja solli edhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, e cila u pranua nga Rama, ndërsa për kreun e Policisë së Shtetit Ardi Veliun kryeministri tregoi këmbëngulje për të mos e “lëshuar”. A mund të konsiderohet gjykim me dy standarte nga ana e Ramës ku politikisht Lleshajt ia pranoi dorëheqjen, ndërsa për kreun e policisë që gjithsesi indirekt mund të ketë përgjegjësi për ngjarjen pasi ndodhi në strukturën që drejton direkt, vendosi të mos e prekë?
Kryeministri Rama ju përgjigj politikisht një proteste që refuzoi të marrë portretin e duhur politik mbi vete. Në mënyrë totalisht paradoksale, çfarë ishte ngritur dhe sendërtuar pikërisht kundër Ramës, në llogari të fundit, i shërbeu vetë atij si një mjet për të bërë një dalje të butë nga një “bashkëjetesë” problematike me ministrin e tij të brendshëm Lleshaj.
Së paku kështu e quajnë shumë burime pranë tyre marrëdhënien e vështirë të muajve të fundit mes eprorit me probleme dhe dyshimit për problemet që mund të krijonte vartësi. Kaq i mjaftonte Ramës në këtë pikë dhe nuk kishte asnjë arsye për të bërë një koncesion tjetër për opozitën që hidhte gurin duke e fshehur dorën mbas protestuesish të mitur. Të vazhdosh të kërkosh kokën e Ardi Veliut nuk ka më kuptim mbasi është larguar ministri i tij.
Kjo protestë ishte me prapavijë politike që në fillim siç ka ngritur pretendimin qeveria, apo politika filloi ta përdorte në vazhdim?
Në Shqipëri ka vetëm politikë dhe bëhet politikë për gjithçka. Natyrisht që protesta ishte e tillë dhe është e pakuptueshme se pse opozita refuzoi të marrë kontrollin edhe formal të saj, njëlloj siç kishte kontrollin real. Kjo shpjegohet vetëm me komplekset që vijnë nga e shkuara e errët e saj në marrëdhëniet e krijuara mes plumbit dhe qytetarit. Ishte një qasje hipokrite që herët a vonë, do të kuptohej si e tillë.
Sepse opozitës edhe i interesonte dhuna që ushtrohej, edhe donte të dukej e distancuar prej saj. Donte frut politik nga një duf e shfrim urban, por nuk pranonte të ishte pjesë e një beteje urbane e të pakuptimtë. Në fakt, dhe ky është paradoksi tjetër i kësaj jave me tension, dhuna e ushtruar në Tiranë dhe gjetkë, zjarret, shkatërrimet dhe lufta e semaforëve, i shërbeu sërish Edi Ramës. Që nuk e tha, por u ngazëllua nga frika që ndjente një shumicë e heshtur e qytetarëve për rikthimin e vandalizmave në Shqipëri. Kishte shumë mënyra që opozita të kapitalizonte vëmendje dhe simpati nga publiku duke u sjellë totalisht ndryshe.
Në errësirë, një qiri ndrin më shumë se një mijë diej, thotë një këngë e njohur. Një qiri përshpirtje për jetën e ndërprerë brutalisht të Klodianit do të bënte më shumë zjarr se zjarri mbi Tiranë i protestuesve. Opozita nuk e kuptoi këtë të vërtetë të thjeshtë, edhe morale, edhe njerëzore. Ajo zgjodhi mënyrën më të gabuar të mundshme.
Nga dje kemi një emër si Ministër të Brendshëm, ku Bledi Çuçi është propozuar nga kryeministri në atë post. A ishte kjo gjetja më e mirë e Ramës?
Në situatën që ka ardhur vendi, por dhe në resurset politike dhe njerëzore që ka Rama në dispozicion, Blendi Çuçi është ndoshta nga zgjedhjet më të mira të tij. Ai plotëson identikitin e njeriut tek dera e të cilit nuk ka arsye për të trokitur me gurë apo me molotov.
Kaq e vërtetë është një gjë e tillë sa vetë zoti Berisha që është i aftë të dalloje edhe seksin e mizave në fluturim, nuk gjeti gjë më të ligë për t’i përfolur Çuçit, sesa jetën e tij private. Të mos ketë motiv për të protestuar përpara derës së zyrës që në fillim të marrjes së portofolit, nuk është pak për pjesëtarët e një maxhorance e cila po shfaq shenja lodhjeje dhe qëndron fort në garë jo thjesht për shkak të aftësisë ripërtëritëse të saj, por sidomos për shkak të një opozite që rri në dilemën e atij që as të shtrëngon dhe as të lëshon!
Maxhoranca po hyn në Vitin e Ri të fundit të këtij mandati, njëlloj si ata të sëmurët asimptomatikë që e kanë kaluar Covid-in në këmbë. Nuk kanë pasur shumë shenja të dukshme, nuk kanë më dëshira, por kanë ende shije e nuhatje. Ndjejnë vetëm këputje e dobësi të përgjithshme dhe duan vetëm të flenë. Të flenë gjatë, të flenë thellë, por me ëndrrën që askush mos t’u trokasë në derë. Qoftë dhe në emër të popullit.