Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence u vaksinua për COVID-19 drejtpërdrejt në televizion të premten.
Zoti Pence, bashkëshortja e tij Karen Pence dhe Këshilltari i Përgjithshëm i Shtëpisë së Bardhë për Shëndetësinë Jerome Adams u vaksinuan nga stafi mjekësor, duke u bërë personalitetet më të larta deri tani që injektohen kundër koronavirusit.
Atyre iu injektua vaksina e prodhuar nga kompania Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech, që Administrata e Ushqimit dhe e Ilaçeve autorizoi për përdorim emergjent një javë më parë.
Nënpresidenti Pence është drejtuesi i Ekipit të Posaçëm për Koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë.
Pasi iu përgjigjën pyetjeve të zakonshme nga mjekët, të tre ata e bënë vaksinën në ndërtesën e krahut ekzekutiv të Shtëpisë së Bardhë, të ulur përpara një perdeje blu dhe ekraneve ku ishin shfaqur fjalët, “E sigurt dhe efektive” dhe “Operacioni Warp Speed.”
Pritet që personalitete të tjera politike të veprojnë si ata. Kjo është pjesë e një fushate për të kapërcyer skepticizmin e publikut në lidhje me sigurinë e vaksinave, të cilat u janë nënshtruar provave klinike në shkallë të gjerë dhe analizave shkencore.
Ish-presidentët Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama gjithashtu kanë dalë vullnetarë për ta bërë vaksinimin në publik. Presidenti i zgjedhur Joe Biden, i cili pritet të marrë detyrën më 20 janar, do të vaksinohet javën e ardhshme, thanë ndihmësit e tij.
Eksperti amerikan i sëmundjeve infektive Anthony Fauci, i cili do të jetë këshilltari kryesor i zotit Biden për çështjet shëndetësore, tha se ai do të vaksinohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe se po priste që dozat të mbërrinin në Institutin Kombëtar të Shëndetit, ku ai punon.
“Shpresoj se kjo do të ndodhë brenda ditëve të ardhshme,” tha zoti Fauci të premten për televizionin NBC.
Ndërkohë, Presidenti në largim Donald Trump, ka inkurajuar njerëzit që të vaksinohen dhe të mbështesin programin e administratës së tij të quajtur “Operacioni Warp Speed” për të nxitur prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave. Por ai ende nuk ka njoftuar nëse do të vaksinohet./voa/