Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku gjatë një konference për shtyp u shpreh se do të shtyhet afati i kolaudimit të automjeteve për qytetarët që e kanë për ta kryer brenda janarit.
“Procesi i kolaudimit, koncesioni përfundon më 31 janar. DPSHTR ka kapacitetet e mundshme për të mbuluar këtë shërbim duke marrë në dorëzim të gjitha asetet që koncesionari e ka detyrim ligjor për të dorëzuar. Megjithatë ky do jetë proces që do marrë kohë. Për arsye të pandemisë, do të ketë shtyrje afati që do të bëhet publik shumë shpejt. Duke e përfunduar në 2-3 ditët në vazhdim. Do të bëhet e ditur më 1 janar se kur do të shtyhet kjo datë” – tha Balluku.
Gjithashtu ajo tha se punimet vijojnë në aeroportin e Kukësit dhe se do të jetë i gatshëm për fluturimet në pranverë. Ndërsa për aeroportin e Vlorës ajo u shpreh se synon zhvillimin e turizmit.
“Tuneli i Llogarasë dhe hidrocentrali i Skavicës janë futur në një proces pa kthim pas në ndërtimin e tyre. Janë kollonat kryesore të zhvillimit të infrastrukturës dhe energjisë në Shqipëri. Jemi në hapat final të realizimit të tyre. Edhe përsa i përket transportit ajror është një nga sektorët më të prekur nga koronavirusi. Jemi në finalizimin e garimit për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Aeroporti i Kukësit do të përfundojë në pranverë. Këto aeroporte po ndërtohen pas një studimi në fushën e aviacionit si një mjet për të zhvilluar këtë industri.
Aeroporti i Tiranës është i vetmi që kemi me problematika të mëdha. Kam pasur fatin ti njoh përpara se të vija në këtë pozicion. I kam kërkuar koncesionarit për të plotësuar kushte brenda kontratës. Me zhvillimet e fundit, shpresojmë që një erë e re. Shpresojmë që aeroporti i Vlorës të bëhet një nga më të mëdhenjt në Shqipëri. Synimi i aeroportit është zhvillimi i turizmit. Plani për aeroportin e Sarandës është plani për mbështetjen e turizmit duke garantuar akses të drejtëpërdrejtë të turistëve në zonën e Sarandës” – tha Balluku.
Ajo bëri dhe një bilanc të vitit 2020 mbi projektet rrugore që janë realizuar brenda këtij viti ku më të rëndësishmit ka renditur segmentin Milot-Fier, bypass-in e Vlorës si dhe Unazën e Madhe në kryeqytet.
“Përsa i përket infrastrukturës rrugore, disa prej projekteve po vijon në mënyrë të shëndetshme. Kemi bypass-in e Vlorës që shpresojmë ta përfundojmë në pranverë. Kemi bërë publik një studim i cili sapo ka nisur të rrugës Berat-Ballaban që synon rritjen e fuqizimin e turizmit në këtë zonë. Jemi gati për segmentin e dytë të rrugës Milot-Fier. Kemi në studim bypassin e Gjirokastrës që është pjesa e tretë për këtë korridor.
Një pjesë e unazës së madhe është përfunduar. Një kantier kompleks përsa i përket nëntokës. Kantier 2.3 km dhe gjejmë një kompleksitet të jashtëzakonshëm. Edhe në atë kantier puna vijon pa problem. Segmenti më i rëndësishëm dhe që ka vëmendje nga mediat është rrethrrotullimi i Shqiponjës. Po ecim mirë në atë kantier. Trafiku do menaxhohet përmes tuneleve. Kemi ecur me shpronësimet në ato zona. Nuk kemi vonesa në segmentin e pallatit me shigjeta” – tha Balluku./Bl.Ba/Fjala.al