Gjergj Kastrioti sintetizon një epokë të tërë historike që mori emrin e tij: luftën njëshekullore kundër pushtimit osman e cila fillon nga fundi i shek. XIV deri në fundin e shek. XV. Ai u lind më 6 maj të vitit 1405 dhe vdiq më 17 janar të vitit 1468. Është Heroi Kombëtar dhe figura më e shquar në historinë e shqiptarëve.
Nisja
Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit mes 4 djemve dhe 5 vajzave. Në moshën 9-vjeçare u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. Zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan në shkollën e icogllanëve që përgatiste komandantë e nëpunës. Atje mori emrin “Iskënder” i barasvlefshëm me emrin Aleksandër. Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli “bej”. Emri “Skënderbej” në turqisht do të thoshte “Princi Aleksandër”. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t’i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare. Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t’u kthyer në Shqipëri.
Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën ushtria osmane dhe ajo hungareze e drejtuar nga Janush Huniadi. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu nisi planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër. Populli e priti si çlirimtar. Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare. Fjalimi i Skënderbeut nxiti frymën atdhedashëse. Kryengritja çlirimtare u bë e përgjithshme. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane. Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ai u martua me te bijen e Gjergj Arianitit për të forcuar lidhjet e tij me principatat e tjera.
Vazhdimi
Nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë. Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse, dhe për 25 vjet, mes viteve 1443 -1468, ushtria 10,000 anëtarëshe e tij luftoi e fitoi kundër forcave osmane, me një ushtri disa herë më e madhe se ajo shqiptare. Në vitin 1451, nënshkroi një traktat me Alfonsin e Napolit për të siguruar një aleancë mbrojtëse, edhe pse ai mbeti një sundimtar de facto i pavarur. Në vitet 1460–61, ai mori pjesë në luftërat civile të Italisë në mbështetje të Ferdinandit I të Napolit. Në vitin 1463, ai u bë komandanti kryesor i forcave kryqtare të papa Piut II, por papa vdiq ndërsa ushtritë ende po mblidheshin. Së bashku me venedikasit ai luftoi kundër osmanëve gjatë Luftës osmano–venedikase të viteve 1463–79. Aftësitë ushtarake të Skënderbeut përbënin një pengesë të madhe për zgjerimin osman. Ai u konsiderua nga shumë njerëz në Evropën Perëndimore si një model i rezistencës.
Gjergj Kastrioti ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptarë që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai realizoi të parin bashkim të shqiptarëve, Lidhjen Shqipetare të Lezhës, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, themeluesi i të cilit u bë ai vetë. Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, tek të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug, ai i dha mundësi banorëve të viseve të lira të zhvillonin një veprimtari ekonomike deri diku normale. Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu i kushtoi vëmendje çlirimit të viseve të pushtuara që ndikoi në formimin e mëtejshëm të lidhjeve më banorët e këtyre viseve dhe në forcimin e bashkimin e të gjithë popullit shqiptar.
Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Duke pasur të qartë së rrezikut osman mund t’i bëhej ballë vetëm më sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu kërkoi pareshtur pjesëmarrjen e vendeve evropiane në luftë kundër armikut të përbashkët. Në kushtet e pabarazisë së theksuar ndërmjet forcave osmane dhe atyre shqiptare, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij luftarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Ai mbante armikun në alarm të përhershëm, i priste rrugën e fuqizimet dhe, pasi e kishte futur në kurth, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme.
Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi, duke mbetur një figurë e dashur për shqiptarët edhe pas vdekjes së tij. Kujtimi i tij mbeti i gjallë nëpër këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore që i dhanë atij tiparet e një figure legjendare. Vepra dhe figura e Skënderbeut kishte përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai u vlerësua lart nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti së për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, kudo në botë.
Epilogu
Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, u varros në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë, po në atë vend ku u mbajt Kuvendi i Lezhës. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht. E shoqja me të birin emigruan në Itali, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare.
Historiografia
Epoka e Skënderbeut në veprat e autorëve shqiptarë
Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan ato në vepra historike, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare. Ishte Dhimiter Frangu që shkroi i pari jetën e Skënderbeut, realisht si u zhvillua, sepse Frangu ishte bashkëshoqeruës i gjithë jetës dhe luftrave të Skënderbeut, arketar e shoqërues në udhëtimet e Princit Shqiptar. Shkrime latinisht i Frangut i 1480, 12 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, mjerisht u përvetësua nga të tjerë, dhe perkthimi dhe botimi i saj italisht u bë më vonë, pas vdekjes se Frangut. Të gjithë shkrimatët pasardhës, u mbështeten mbi veprën e Frangut, edhe vetë Barleti, por që i shtoi tregime fantastike të paqena. Patjetër se vepra e Barletit që u botua latinisht në fillim të shek të XVI (1504) Marin Barleti kushtuar luftës heroike të shqiptarëve për mbrojtjen e Shkodrës, (rrethimi i Shkodrës)pati jehone te madhe. Por vepra që e lartësoi figurën e tij si historian humanist është “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, të cilën e botoi italisht në Romë rreth viteve 1508-1510. Kjo vepër voluminoze njohu shumë ribotime në gjuhë e në vende të ndryshme të Evropës. Veprat e M. Barletit u bënë burimi më i rëndësishëm ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e epopesë legjendare të shk. XV, kur nuk ishte zbuluar e njohur vepra e Dhimiter Frangut. Një vepër tjetër e rëndësishme për të njohur shoqërinë shqiptarë të shek. XV është “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, shkruar në italisht më 1510 nga bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka.