“Ju tregoj takimin e fundit në Divizionin e Elbasanit me Kadri Hazbiun”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Fonogrami urgjent i Enverit “Ai që ndodhet aty, të niset urgjent për Tiranë”

Nga  ARTUR  AJAZI

Ish-Komandanti Garnizonit të Elbasanit ish-ushtaraku Bajram  Luarasi  sot 88 vjeç, duke treguar historinë e jetuar, ka treguar fillimin e karierës ushtarake, minutat e takimeve me Enver Hoxhën, Nikita Hrushovin dhe momentet e fundit të takimit dhe bisedimeve mes tij, oficerëve madhorë të Shtabit të Divizionit të Elbasanit me ministrin e Mbrojtjes Kadri Hazbiun në 1982, minutat e frikshme, fonogrami urgjent  i Enver Hoxhës, zëri kumbues i tij, dhe djersitja e Hazbiut, ndarja dhe largimi kokëvarur i tij drejt Krrabës, ku e priste Komandanti.

Ju keni qenë për afro 35 vjet ushtarak me një karierë  të pasur, e cila ka nisur qysh në vitin 1956, duke veshur uniformën me grada, nga nëntoger, toger, kapiten, dhe pastaj atë pa grada  pas vitit 1967. Keni ndërruar shumë ministra, zv/ministra, por deshëm të dinim konkretisht  momentet e fundit me ish-ministrin e fundit të Mbrojtjes, me Kadri Hazbiun, një prej figurave të rëndësishme të asaj kohe ?

Po e vërtetë është, e kam nisur karrierën ushtarake qysh në  adoleshencë, e kam veshur uniformën ushtarake qysh 14 vjeç, qysh në shkollën “Skenderbej”, e nisa karierën me grada dhe e bitisa me uniformën tipike kineze. Kam ndërruar mjaft ministra, komandantë, komisarë, zv/ministra, drejtorë politikë dhe ushtarakë, kam takuar shumicën e tyre, madje kam takuar edhe Enver Hoxhën  nja tre herë, dhe kam qenë roje nderi tek KQPPSH ditët kur erdhi Nikita Hrushovi, i cili edhe na përshëndeti. Kam marrë pjesë edhe në tre parada ushtarake. Ndërsa duke u ndalur paksa tek gradat në ushtri, mbaj mend se atë ditë që më kishte ardhur  grada Major, unë e gëzova vetëm 2 orë, sepse erdhi njoftimi urgjent  nga Ministria mbi heqjen e tyre. Në mëngjes ika nga shtëpia me uniformën  me grada, dhe jam kthyer në shtëpi pasdite me uniformën e re kineze. Por le të kthehemi tek pyetja juaj. Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, i cili ishte Kryeministër dhe kreu ministrisë së  Mbrojtjes për shumë vite, Enver Hoxha emëroi me urgjencë Kadri Hazbiun në vendin e tij. Njeriun më të afërt  të Mehmetit të cilin e prisnin të gjithë të bëhej ai minister për ushtrinë, pasi kudo i shikoje bashkë. Kadriu ishte njeri sa serioz, aq edhe me humor, sillej shumë korrekt dhe shumë miqësor me ushtarakët, vartësit dhe ushtarët, por edhe shumë autoritar. E kisha takuar nja 2-3 herë edhe Kadriun, por kur u bë ministër i Mbrojtjes, kishim kontakte të tjera pune. Pas ngjarjes me Mehmetin , kur ndodhi vetëvrasja e tij në Dhjetorin e 1981, situata në vend, dhe veçanarisht në ushtri ishte tepër serioze, ishte e rrezikshme, ishte delikate, sepse mund të prisje të papritura, mund të shkarkoheshe, arrestoheshe, qarkulloheshe, ose edhe ngriheshe në detyrë. Kjo për faktin , sepse vetëm 10 ditë pas varrimit  të zakonshëm të Mehmet Shehut, nisi rraprezalja edhe në ushtri.  U arrestuan ushtarakë e civilë edhe në Divizionet e vendit, ish-miqtë e Mehmetit, ashtu siç do të veprohej edhe me ish-miqtë e Kadriut 1 vit më vonë. Edhe në repartet ushtarake të Divizionit të Elbasanit ngjau  kjo gjë, u shkarkuan dhjetra ushtarakë, u arrestuan, qarkulluan, etj.

Kadri Hazbiu me detyrën e ministrit të Mbrojtjes , ka patur një takim të fundit me ushtarakët e Divizionit të Elbasanit, mund të na thoni çfarë mbani mend atë ditë tetori 1982 ?

Po e mbaj mend shumë mirë, ishte 10 apo 11 Tetori i vitit 1982, komandanti Divizionit  Mikado Shakohoxha ka mblodhi qysh në 06.00 dhe na tha “sot vjen shoku Kadri në Elbasan, dhe mbledhja urgjente do të mbahet tek salla qëndrore e Shtëpisë Oficerave, kujdes çdo gjë të jetë në rregull”. Ai na caktoi ne të mbanim edhe nga një fjalim të shkurtër dhe do të raportonim mbi problemet dhe zbatimin e detyrave. Ishte ora 10.00 kur njoftohemi se makina e Kadri Hazbiut sapo  kaloi Bradasheshin, ndërkohë që në gatishnmëri  ishte gjithë efektivi reparteve tona, gjithë Shtabi Divizionit. U rreshtuam tek oborri Shtëpisë Oficerave sipas  shkallëve  dhe posteve, detyrave përkatëse, efektivi Shtabit të Divizionit, dhe komandantët e brigadave të rrethit. Elbasani  ishte rreth i madh, dhe kishte shumë brigade ushtarake. Sapo mbërriti në oborrin e Shtëpisë së Oficerave,  ministri Mbrotjes Kadri Hazbiu, ashtu energjik siç ishte,  na takoi të gjithëve, dhe u drejtua drejt sallës ku do të mbahej mbledhja e paracaktuar. Të gjithëve, na ra në sy një farë ndryshimi, nuk ishte ai Kadriu me humor kur takohej me efektivat, ishte çehre prishur, sikur e mundonte diçka, ose priste të ndodhte diçka. Mbledhja nisi dhe fjalën e parë e mbajti komandanti Divizionit, pastaj komisari , pastaj fola edhe unë mbi masat e marra në shkallë rrethi nga repartet e Garnizonit. Pas 2-3 ndërhyrjeve nga salla, fjala pritej  të merrej nga ministri Hazbiu, kur kishte kaluar afro  25-30  minuta. E mbaj mend , ai kishte hequr xhaketën e kostumit , e kishte varur  në shpinën e karriges tij, dhe mbante veshur një këmishë të bardhë, madje me mëngët përveshur. Gjatë gjithë kohë shikonte majtas-djathtas, lart e poshtë, rrinte mendueshëm, kurse ne në rreshtat e para dhe të dyta të sallës, pyesnim vehten tonë me shikime “ore sikur nuk duket mirë Kadriu”. Ndoshta kjo vinte edhe nga situata e rënduar psikologjike tek shumica e ushtarakëve, mos harroni se sapo kishte vrarë veten kryeministri, ministri Mbrojtjes, numri dy i shtetit, dhe ndaj familjes së tij kishte ndodhur rraprezalja, por kishte patur edhe arrestime. Kur pa mbaruar akoma mirë këto mendime  vjen me urgjencë shefi ndërlidhjes Divizionit.

Lexo edhe :  Historitë sekrete/ Zbulohet pas 80 vitesh ditari i të dashurës angleze të Hitlerit

Kishte ndodhur gjë  ?

Pra siç ju thashë, gjithë salla po priste të fliste Kadriu, ministri Mbrojtjes, anëtari Byrosë Politike, njeriu me peshë goxha të madhe në atë kohë. E ndërsa një oficer po afronte mikrofonin pranë vendit ku ishte ulur Kadri Hazbiu, shefi ndërlidhjes vjen me vrap , dhe i drejtohet komandantit të Divizionit  Mikado Shakohoxha “shoku komandant, fonogram  urgjent  nga shoku Enver Hoxha, është për ju”. Të gjithë ngrinë, as miza nuk pipëtinte, pasi fonogrami  duhej të ishte për Kadriun . Pamë se Kadriut i shkuan djersë mbi ballë dhe po i mbulonin fytyrën. Dëgjuam  zërin e Enver Hoxhës, sikur të ishte pas dere , kumbues dhe foli vetëm kaq “ Ay që ndodhet në Elbasan, të niset urgjent për Tiranë”. Kaq ishte dhe e mbylli. Për afro 10 minuta nuk dëgjohej as frymëmarrja e ushtarakëve në sallë. I pari ishte Kadriu që ashtu siç ishte, kishte varur edhe kokën, dhe u mundua të mbahej në sytë tanë, u takua ftohtë me ne të gjithë, ishte si një takim lamtumire, të gjithë ne e kuptuam por nuk folëm, e kuptuam se atij i kishte ardhur rradha. Dhe ashtu ndodhi , pas 2-3 ditësh Kadri Hazbiu u arrestua, dhe pas afro 1 viti  hetuesi, u pushkatua. Kisha dëgjuar ato kohë se Kadriut i kishin kërkuar llogari për ngjarje të ndodhura 40 vjet më parë, por edhe për ato që kishin ndodhur 10 vitet e fundit, kur ai ishte ministër i Brëndshëm, por edhe për ato muaj që qëndroi  si ministër i Mbrojtjes, duke kërkuar prej tij se “Përse nuk e spastrove ushtrinë nga këlyshët e Mehmetit”. Unë nuk e gjykoj politikisht Kadri Hazbiun, por e vlerësoj si ministër aq sa kemi patur takime dhe marrëdhënie  epror-vartës. Ishte shumë njerëzor, komunikues, dhe mbi të gjitha autoritar, kaq. Deri tek km 29, Kadriun e shoqëruan edhe dy makinat e Divizionit dhe truprojet e Garnizonit Elbasanit, kurse atje ku ndahej Elbasani dhe Tirana në Krrabë, kishin dalë edhe makina policie. Ai ishte takimi i fundit me njeriun e dytë pas Mehmet Shehut për nga rëndësia, ishin minutat e fundit me njeriun që kishte mbajtur mbi supet e tij Sigurimin e Shtetit dhe forcat e policisë për afro 40 vjet.

Çfarë ndodhi  në rradhët e ushtrisë pas arrestimit të Kadri Hazbiut  ?

Ndodhi ajo që kishte ndodhur me Beqir Ballukun, Petrit Dumen, apo Mehmet Shehun. U shkarkuan, qarkulluan dhe arrestuan dhjetra ushtarakë , u qarkulluan drejt qyteteve dhe pikave të hapjes (kështu quheshin atëhere) dhjetra ushtarakë, pasi kishin marrë detyrë në ngritje kur Kadri Hazbiu u bë ministër Mbrojtje. Këto ishin gjëra të zakonshme që ndodhnin në ushtri në atë kohë, fjala vjen edhe unë për një fije kam shpëtuar nga arrestimi kur u arrestua Petrit Dume në 1974, sepse ishte patrioti im, dhe unë kisha edhe një farë miqësie me atë, sepse edhe më kishte përkrahur, por jo ama të kisha bashkëpunuar. Por  në atë kohë, e keqja të vinte shpesh jo nga lart, por nga poshtë, sepse ishin ata poshtë që nisnin letra dhe denoncime të sajuara , dhe të merrnin në qafë, për të marrë një post, apo për të zgjidhur një problem të tyre familjar. Por ushtarakët, kanë qenë dhe do të mbeten , njerëzit më të përkushtuar, më punëtorë, më besnikë të idealeve  dhe fateve të vendit, që kanë kontribute të padiskutueshme në ngritjen e armatës së bashkuar të asaj që quhej Ushtria Popullore. Më vjen keq, shumë keq, tek shoh se sot nuk ka as ushtri dhe as logjistikë siç kishim asokohe. Ne mendojmë se ndihma në rast rreziku do të na vijë nga NATO ?  Dakort, por ne çfarë kemi tonën, asgjë. Ndaj ushtria duhet forcuar urgjent.

 

Të fundit

Rama ndan pamjet nga kantieri i Spitalit të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Spitalit të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare në QSUT. Kreu i qeverisë shprehet...

Trump mban tubimin e fitores në Uashington përpara inaugurimit

Në kryeqytetin amerikan Uashington siguria është rritur ndërsa përgatitjet për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, po shkojnë drejt fundit. Të shtunën në...

Melania Trump rikthehet si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara

Melania Trump, modelja e suksesshme sllovene që rikthehet si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, u vendos në qendër të vëmendjes që në...

Lufta dhe pasojat/ 10 miliardë dollarë për të rindërtuar sistemin shëndetësor të Gazës

Përllogaritja për rindërtimin e sektorit shëndetësor vetëm në Gaza brenda shtatë viteve të ardhshme arrin në 10 miliardë dollarë. Kjo është raportuar nga Organizata Botërore...

Shtëpia e Bardhë, si realizohet zhvendosja e presidentëve brenda vetëm gjashtë orëve

Kur Donald Trump të betohet si presidenti i 47-të i vendit, në Shtëpinë e Bardhë do të ndodhin një seri gjërash në prapaskenë. Për rreth gjashtë...

Lajme të tjera

Web TV