Nis fushata, partitë politike ende pa program

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 Nga Fernada Cenko

Gati 80 ditë para zgjedhjeve, dy forcat më të mëdha politike në vend ende nuk kanë shpalosur një platformë qeverisëse për të bindur qytetarët e lëkundur apo të pakënaqur nga pushteti. Edhe pse ka mbetur shumë pak kohë, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste nuk i kanë detajuar akoma programet qeverisëse në katër vitet e ardhshme për t’ia bërë më të lehtë elektoratit se kë duhet të votojë në zgjedhjet e 25 prillit. Qeveria aktuale vazhdon të merret me dy “fatkeqësitë” që goditën vendin, rindërtimi i shtëpive pas tërmeti të 26 nëntorit 2019, rimëkëmbjen pas pandemisë si edhe sigurimin e vaksinës antiCovid, ndërsa Partia Demokratike ka shpalosur deri tani vetëm një pikë të programit, taksën 9%. Kryedemokrati Lulëzim Basha ende nuk po u tregon shqiptarëve një program të plotë me pika konkrete që të bëjë diferencën nga zgjedhjet e tjera në Shqipëri. E vetmja parti politike që ka shpalosur programin qeverisës për 5 muajt e parë, është Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka detajuar në 5 pika rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare. Për të shpjeguar më gjerë se çfarë pasojash sjell e gjithë kjo panoramë shumë pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, për gazetën “Fjala” kanë folur tre analistët tanë: Plator Nesturi, Lorenc Vangjeli dhe Leonard Karaj.

Plator Nesturi: Opozita pa program konkret

Jemi dy muaj para zgjedhjeve dhe ende partitë politike nuk kanë një program qeverisës! Si e shihni këtë mungesë serioziteti?

Nuk është hera e parë që partitë politike, flasim këtu për ato kryesore dhe që kanë aspirata për të drejtuar vendin, të mos kenë një program qeverisës. Nuk është hera e parë që këtë boshllëk serioziteti ndaj qytetarëve ta mbushin me fraza demagogjike dhe akrobacira fjalësh. Sidoqoftë ka një ndryshim. Nëse maxhoranca ka miratuar një buxhet të sajin për këtë vit që tashmë jemi në zgjedhje, kjo ka të ravijëzuar dhe projektin aktual qeverisës, i cili mund të ndërthuret dhe me një plan veprimi për vitet në vijim. E thënë ndryshe, maxhoranca duke qenë në qeverisje, duke patur në funksion dhe të gjitha institucionet ekonomikë të statistikave apo të plan projekteve, e ka më të natyrshme dhe më të lexueshëm programin qeverisës pas zgjedhjeve. Pasi kemi të bëjmë me një kontinuitet të së njëjtës qeveri dhe kryesisht me të njëjtët figura që drejtojnë ministritë përkatëse.

Ndryshe është kjo çështje tek opozita. Është ajo që synon të vijë në pushtet dhe për t’u bërë joshëse në sytë e elektoratit duhet të shpalosë një program me ndryshime të caktuara në fushën e ekonomisë, të taksave, të arsimit shëndetësisë apo bujqësisë, duke dhënë vizionin e saj se si do të mund t’i përmirësojë gjërat. Në këto zgjedhje kjo mungon. Opozita nuk ka paraqitur asnjë gjë konkrete, përveç disa deklaratave se do rikthejë taksën e sheshtë dhe do të luftojë korrupsionin. E parë në këtë prizëm, kjo mbetet ende frazeologji. Në çdo parti moderne evropiane programet apo dhe nismat të caktuara për ndryshime ligjesh të veçanta, shpalosen në faqen zyrtare të tyre, dhe kjo nëpërmjet një studimi të plotë. Në shembullin evropian nuk mjafton të deklarosh se do të ndryshosh një taksë apo do kryesh një reform në mënyrë të thatë, porse ajo do jet e studiuar dhe e hollësishme. Si do të veprohet, sa do të jetë impakti në ekonomi dhe të ardhura, si do alokohen fondet për të kryer një reform e caktuar, nga do përthithen këto fonde dhe si do të jenë raportet e financimit në buxhet sipas sektorëve. Të gjitha këto, duke qenë të shprehur e zeza mbi të bardhë, mund shihen e të kontrollohen nga institutet ekonomike e shkencore që t’i bëjnë kritikën mbi baza profesionale.

Këtë nuk po e shohim tek opozita, madje nuk po shohim as ndonjë program empirik, përveç një formulimi prej 5 pikash të shprehur në një konferencë shtypi nga kreu i PD Basha. Por formulimi i tyre mbetet shumë larg një folmulimi ekspertësh e aq më pak të përbëjë program ekonomik elektoral. Në këto kushte mbetet vetëm që PD të deklarojë se kërkon të vijë në pushtet e të qeverisë me të njëjtin program që tashmë ka maxhoranca socialiste.

Qeveria mbahet me premtimin: do të përfundojmë punët e nisura për rindërtimin dhe vaksinimin, ndërsa opozita deri tani ka premtuar vetëm taksën 9% dhe asnjë gjë tjetër. A mjafton kjo për gjithë qytetarët që do votojnë?

Në të njëjtën logjikë me pyetjen e parë. Është e pamjaftueshme por duke bërë dhe dallimet përkatëse se kush synon të ndryshojë e kush kërkon të vijojë rrugën që ka nisur dhe projektet që po ndërmerr. Mbi këtë baze do të thoja se qytetari tashmë në votime nuk do të shkojë të përzgjedhë mbi bazë të programeve ekonomike që paraqisin kundërshtarët, por mbi bazë të opinionit se si kanë luajtur palët në jetën politike gjatë këtij mandate. Pra, kush prej tyre ka një konsekuencë dhe kush përcjell më besueshmëri se tjetri. E në kët rast mendoj se më e favorizuar mbetet maxhoranca, pasi opozita duket më e amullt dhe e paqartë se cfarë rruge duhet të ndjekë.

Përse nuk ka përballje për çdo sektor ku të vihen në balancë idetë mazhorancë-opozitë? Debati kryesisht imponohet nga opozita. Është ajo që zakonisht ushtron trysni dhe e detyron maxhorancën që të japë përgjigje mbi mënyrën se si ka qeverisur. Është e vërtetë që nuk ka një përballje reale dhe kjo shkon sërish në favor të tezës se opozita ndihet e papërgatitur për të marrë përgjegjësi mbi vete. Deri më tani kemi vetëm një përballje declarative së largu por që asnjëherë nuk janë ngritur çështje të vërteta. Fakti që në këto pragzgjedhje nuk do të lejohen as mitingjet për shkak të pandemisë, nuk ka mundësi që përballja të bëhet dhe me tregimin e muskujve se sa janë në gjendje forcat politike të mbledhin njërëz në mitingje elektorale. Ndaj beteja është përqëndruar vetëm me deklarata nga seli partish, që cilësisht kanë qenë të dobëta në qëndrime apo në zgjdhje politike. Deri më tani deklaratat kanë qenë veç konstatime, por pa zgjidhje.

 

Mungesa e programeve, çfarë ndikimi ka tek elektorati? Kujtojmë që në zgjedhjet lokale nuk kishim program nga Partia Socialiste.

Mungesa e programeve do të sjellë vetëm një votë pëlqyeshmërie. E këtu do të marrë rol kryesisht dhe imazhi i dy liderëve kryesorë, Ramës dhe Bashës. Pra kush prej tyre jep më shumë besueshmëri se mund të kryejë punë, dhe kush mund të rezultojë një eksperiment i dështuar. Në këtë aspekt do të marrë vlerë dhe performance e secilit në qeverisje. Pra si kanë drejtuar si ministra apo si kryetarë bashkie e më tej, dhe kjo besoj do të jetë dhe vula që do të përcjellë dekretine votave se kush do të jetë kryeministër pas 25 prillit.

Lorenc Vangjeli: Taksa 9 % e opozitës nuk mund ta rrëzojë dot Ramën, gjysma e elektoratit shqiptar voton për traditë dhe bindje

 Jemi dy muaj para zgjedhjeve dhe ende partitë politike nuk kanë një program qeverisës! Si e shihni këtë mungesë serioziteti?

Mungesa e programit qeverisës nga partitë politike nuk është mungesë serioziteti, siç thoni ju, por është shenjë normaliteti të anormalitetit politik në vend, sepse partitë politike nuk propozojnë një alternativë qeverisëse, por një ofertë për pushtet. E majta e ka më të thjeshtë sepse është në vijim të dy mandateve dhe gjithçka e saj është më e qartë dhe pa pikëpyetje në këtë drejtim. Kurse habi bën e djathta, e cila, me gjithë “kohën e pafundme” që ka pasur në opozitë, nuk ka qenë në gjendje të afrojë dy gjëra që janë thelbësisht të rëndësishme për çdo opozitë: një program që fton dhe një ftesë programore që të mbërrijë me kohë tek publiku. Në vend të tyre, opozita e bashkuar ka, të paktën deri më tani, vetëm dy teza themelore: denoncimin e korrupsionit të pretenduar të qeverisë në nivel kapilar dhe taksën e sheshtë nëntë për qind. Kujtoni atë përmbytje elektorale që bënë të majtët e bashkuar, PS e LSI në 2013-ën me programin e tyre, të cilit ende i referohen, qoftë kritikët, qoftë ata vetë, për të kuptuar diferencën me opozitën e sotme. Zgjedhjet e bëra në mes, ato të vitit 2017 sollën dhe thyerjen e madhe dhe e gjithë fushata u zhvillua në fushën që kryeministri njeh më mirë. Jo llogaridhënie për qeverisjen, por batutë për opozitën, jo premtim për të ardhmen, por qortim i të shkuarës, jo krahasim me çfarë kishte thënë, por kontrast me kundërshtarin. Në 2017-ën, në mënyrën më naive të mundshme edhe opozita e vjetër, edhe opozita e re e ish-aleatit LSI, shihte më të rëndësishme garën e elokuencës me kryeministrin sesa të shënjonte diferencën mes fjalës dhe veprës së tij. Dhe nëse kjo gjë ishte e mirëkuptueshme nga LSI për shkak të dyzimit të saj deri në fund mes Edit si mik e Ramës si armik dhe tentativës për të qenë aksionere në suksese dhe duarjashtë në dështime, për PD-në ishte fushata më e dobët nga pikëpamja politike, morale dhe etike. Ajo do të mbahet mend si moment, kur në mënyrën më të gabuar të mundshme, e vetmja gjë pa çmim në Tiranë, posti i kryeministrit, mori një etiketë çmimi.

 

Qeveria mbahet me premtimin: do të përfundojmë punët e nisura për rindërtimin dhe vaksinimin, ndërsa opozita deri tani ka premtuar vetëm taksën 9% dhe asnjëgjë tjetër. A mjafton kjo për gjithë qytetarët që do votojnë?

Natyrisht nuk është e mjaft. Natyrisht që as nuk është e ndershme. Dhe natyrisht nuk është as politike. Në kohën e një komunikimi gjithmonë e më agresiv, të një lumi të jashtëzakonshëm informacioni që derdhet tek publiku, do të bëhet gjithmonë e më vështirë të “lexohen romane”, në vend të tyre, do të tregtohen vetëm tituj. Nuk do të ketë fjalime që shpjegojnë, por batuta që tallin, nuk do të ketë fjalë që bindin, por foto që do të shiten më shumë se një mijë fjalë. Nuk do të ketë më “Unë”, por do të ketë shumë më shumë “Ai”. Në fakt dy momentet më dramatike që i ndodhën vendit, tërmeti dhe vaksina, sikundër është paralajmëruar jo pak herë edhe në gazetën Fjala, janë në rrugën e shndërrimit të plotë të kryefjalës së fushatës së kryeministrit. Po të shihen me vëmendje lëvizjet e tij në harkun e një jave së paku, kjo gjë është tërësisht e dukshme. Rindërtimi dhe pandemia janë dy sfida, që në mënyrë të çuditshme, një vend si Shqipëria i ka përballuar shumë herë më mirë sesa pritej nga një vend që mezi vërtitet në normalitet, por reagon mirë ndaj hallit të atypëratyshëm. Shoqëria shqiptare ka gjithmonë nevojë për një armik. Është serioze në luftë, por e humb tërësisht toruan në paqe kur fillon të shpikë armiq dhe t’i dorëzohet paranojave nga më të pabesueshmet. Mund të ketë edhe shpjegime të tjera që kritikët e Ramës do t’i nënvizonin, por është fakt se si për mirë, si për keq, Shqipëria nuk është as më mirë dhe as më keq se vende të rajonit me të cilat mund të krahasohet. Ndoshta sepse tërmeti zakonisht dëmton grataçelat dhe kursen qerpiçin, ndoshta sepse e liga e sëmundjes gjunjëzon shpesh atë që duket imun dhe kursen të varfërin! Përballë këtij bilanci qeverisës që nuk është bilanc, propozimi i opozitës për taksën e sheshtë nëntë përqind tingëllon shumë i vogël dhe jo në raportin e Davidit të mirë që do të mundë Goliadhin e keq. Mjafton të shihet intervista e ministres së financave Anila Denaj në emisionin Java në RTSH të premten e shkuar apo të dëgjohet një ekspert politik si Ilir Beqja, për të kuptuar si e shpjegojnë dhe si e kontrastojnë me taksën e tyre progresive, për t’u bindur se propozimi për nëntë përqindshin e taksës, nuk është trimëria e dhjetë e Herkulit që do të mundë Ramën e Tretë.

Lexo edhe :  Greqia shton presionin: Integrimi i Shqipërisë sipas kushteve tona

Përse nuk ka përballje për çdo sektor ku të vihen në balancë idetë mazhorancë-opozitë?

Nuk ka përballje mes pozitës dhe opozitës sepse nuk ka, në kuptimin e plotë të fjalës një pozitë dhe një opozitë përballë. Nëse qeverisja është e dukshme një dhe e unifikuar në portretin e Ramës, opozita është e dyzuar. Është opozita reale dhe morale e vendit e cila është në rrugë dhe e papërfaqësuar politikisht që nga djegia e mandateve dhe opozita qesharake e parlamentit, e cila në shumicë dërmuese ka qenë apendisiti i qeverisjes. Prej më shumë se dy vjetësh nuk ka as përballje në studio televizive, të cilat mirë apo keq krijonin balanca dhe qortonin ekuilibra. Nuk do të ketë as nesër. Ka shumë arsye, ka më shumë se një mijë e një arsye se pse do të ndodhë kështu, por, njëlloj si në historinë e fshatit që ankohej pse nuk dëgjoheshin kambanat dhe arsyeja ishte se mungonin kambanat, edhe në mungesën e dialogun mes palëve, arsyeja kryesore është që mungojnë palët që të debatojnë. Në Tiranë shpesh ajo që duket, nuk është ajo që ekziston vërtet. Dhe askush nuk ka për t’u befasuar nëse nesër, Lulzim Basha do të zbulojë se Edi Rama nuk është dhe aq burrë i keq sa e bëjnë të tjerët, ndërsa Edi Rama të shkruajë se ai e kishte thënë gjithmonë që Luli është djalë i mirë.

Mungesa e programeve, çfarë ndikimi ka tek elektorati? Kujtojmë që në zgjedhjet lokale nuk kishim program nga Partia Socialiste.

Pothuaj gjysma e elektoratit shqiptar voton për traditë dhe bindje. Është pothuaj e pamundur që një socialist të votojë për PD-në edhe nëse programin e saj do ta shkruante një grua si Margaret Theçeri, kurse një demokrat nuk do të votonte për PS-në edhe sikur e majta t’ua propozonte Bill Klintonin me program. Në këtë 50 për qindësh të elektoratit, në të cilin PS ka shumicën e ngulitur, ka pak vend se çfarë thuhet dhe çfarë ndodh dhe vota është e ngulitur, me të vetmin rast përjashtimor vitin e largët 1992. Në pjesën e mbetur të elektoratit, ka gjithmonë e më pak hapësirë për debat serioz dhe për orientim të votës mbi baza programore. Sërish për një mijë e një arsye. Duke nisur me të fundit: Aty ku krushk i parë është daullja dhe muzikant është shkopi, mos kërko të gjesh dhëndër që i bie pianos: dëgjohet kush bërtet më tepër.

Leonard Karaj: Rama dështoi, nuk fitohet më me “timon dhe tepsi”

Jemi dy muaj para zgjedhjeve dhe ende partitë politike nuk kanë një program qeverisës! Si e shihni këtë mungesë serioziteti?

Mungesën e një programi serioz e shikoj më së shumti tek qeveria, sesa tek opozita. Kjo e fundit, të paktën teorikisht dhe mediatikisht, ka dhënë një panoramë të asaj që mund të jetë Shqipëria nëse ky grupim politik vjen në pushtet pas 25 prillit. Teksa nga ana tjetër, tek mazhoranca, ka vetëm propagandë dhe demagogji. Madje, nën frikën e një humbje të mundshme të pushtetit, makineria qeveritare propaganduese ka vënë në dispozicion çdo burim të mundshëm mediatik dhe jo vetëm, duke u bërë gati-gati qesharakë përkundrejt një realiteti që nuk ekziston as në ëndërrat më të bukura për qytetarët e këtij vendi. Më shumë sesa për një program social të prekshëm dhe ndikues në jetën e qytetarëve, qeveria, e cila ka edhe “barrën e provës”, tashmë të konsumuar, po llogarit më shumë sesi të prishë bazën e kundërshtarit politik (më së shumti të LSI-së), duke joshur gjoja të ashtuquajturit “njerëz me peshë” me vende pune totalisht të përkohëshme. Mjafton vetëm të shikosh sesa është fryrë administrata qendrore dhe ajo vendore gjatë këtij viti për të kuptuar më së miri se “rilindasve”, më shumë se çdo gjë tjetër, u intereson vetëm pushteti. Mjaton të vëresh në arsim, shëndetësi, shërbime, mjedis, bujqësi dhe deri institucione të konsideruara gjoja të pavarura, shtimin e frikëshëm të organikës, kjo me pretendimin: “zëvendësues të atyre me COVID-19”. Në pak fjalë, Rama është fiks në të njëjtat kushte sikundër në pranverën e 2017-ës, kur me slloganin “tenxhere dhe tepsi”, “harroi” të dilte përpara shqiptare për të dhënë llogari për premtimet e shumta të pambajtura dhe për ato që do të bënte në vijim. Katër vjet më parë, edhe për shkak të gafës së opozitës, por edhe të parasë lumë që u hodh nga mbështetësit e qeverisë gjatë atyre zgjedhjeve, shqiptarët u gënjyen duke i dhënë një mandat të dytë. Por ka thuajse zero shanse që të ndodhë e njëjta gjë edhe këtë herë…

 

Qeveria mbahet me premtimin: do të përfundojmë punët e nisura për rindërtimin dhe vaksinimin, ndërsa opozita deri tani ka premtuar vetëm taksën 9% dhe asgjë tjetër. A mjafton kjo për gjithë qytetarët që do votojnë?

Propagandë dhe vetëm propagandë. Kthehemi vetëm pak muaj më parë: ishte Edi Rama dhe ministri i tij “i preferuar”, Arben Ahmetaj që deklarauan me zë dhe figurë përpara shqiptarëve se brenda 31 dhjetorit 2020 nuk do të kishte asnjë qytetar të dëmtuar nga tërmeti që do të flinte në çadra. Fakt është se jo vetëm që kjo gjë sot e kësaj dite, por ka gjasa që as deri më 25 prill, pra ditën e zgjedhjeve, nuk do të mund të dalë para shqiptarëve dhe të thotë, se ndonëse me vonesë, e realizoi të paktën një premtim. Dhe të mendosh që paratë për ndërtimin e shtëpive të rrënuara nga tërmeti janë dhënë në një masë të konsiderushme si nga Bashkimi Europian por edhe nga donatorë të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj. Pra, as paratë që i dhurohen, por me destinacion të përcaktuar, nuk mundet t’i menaxhojë kjo qeveri. Ndërsa jemi akoma edhe më keq kur vjen puna tek vaksina. Sipas të dhënave statistikore të OBSH-së, Shqipëria është vendi i fundit në Europë dhe ndër të fundit në botë, që ka barë më pak vaksina, rreth 500 të tilla. Ndonëse Rama deklaroi gjithë pompozitet, në fund të vitit se në javën e tretë të janarit do të niste vaksinimi i të gjithë mjekëve dhe infermierëve, fakt është se sot, nuk janë vaksinuar as 20% e këtyre të fundit dhe jo më të flasësh për vaksinim të gjithë popullatës që e ka të nevojshme. Madje dje, u bë edhe më qesharak, teksa “fajësoi” kompaninë “Pfaizer”, që gjoja kishte ndaluar prodhimin e vaksinës. Pra, faji është gjithmonë, i dikujt tjetër. Hipokrizi totale…

Sa i përket opozitës, taksa e sheshtë është një premtim tejet i rëndësishëm, për ekonominë e një vendi, dhe uroj që të mos mbetet jo vetëm një premtim, dhe as premtimi i vetëm. Në të kundërt do të flisnim për “vëllezërit siamezë”, ku mes Ramës dhe Bashës nuk do shihnim ndryshim. Unë besoj fort se ndryshimi mes tyre është mëse i dukshëm: i pari ka marrë 7 refuzimi nga Europa në 6 vjet, i dyti bëri të mundur lëvizjen e lirshme të qeytetarëve shqiptarë në Europë.

 

Përse nuk ka përballje për çdo sektor ku të vihen në balancë idetë mazhorancë-opozitë?

Vetë fjala “përballje” konsiston në minimalisht dy persona, dy ide, dy qasje që ballafaqohen mes tyre. Në rastin konkret, kemi arrogancën e një qeverie që nuk ka as minimalen e llogaridhënies dhe nga ana tjetër një opozitë që përtej “vetëvrasjes politike” që bëri me largimin nga parlamenti dhe mosmarrjen pjesë në zgjedhjet vendore, ka edhe brrylat e shumtë mes vedit. Nga njëra anë kemi një mazhorancë e cila erdhi në pushtet në 2013-ën me një seri premtimesh si: ulja e taksave për 95%; krijimi i 300 mijë vendeve të reja të punës; heqja e TVSH-së për produktet bazë të shportës; ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe ujit; heqja e taksës së naftës; anulimi i koncesioneve të qeverisë “Berisha” dhe deri shëndetësia falas, nga të cilat nuk ka mbajtur thuajse asnjë, dhe nga ana tjetër një opozitë që akoma pa ardhur në pushtet (dhe nuk i dihet as nëse do mund të vijë në pushtet), ka nisur të ndajë postet. Në një klimë të tillë është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur që të shikojmë sikundër në SHBA apo edhe Europë, një përplasje idesh dhe elitash që vënë në mëdyshje edhe më militanin partiak. Nuk ndodh kjo gjë në Shqipëri, kjo edhe për shkak të një mentaliteti arkaik dhe një mendjeshkurtësie të liderve që drejtojnë forcat më të mëdha politike. I vetmi debat publik politik ka qenë ai mes Berishës dhe Nanos në 2002-in, por edhe në atë rast, më shumë sesa për programet, vëmendja u përqendrua tek protagonizmi i dy liderve. Dy dekada më pas, paçka se do duhej të ishte edhe më normale dhe absolutisht qytetare, zor të mendosh se Rama do të pranonte një debat të drejtpërdrejtë me Bashën. Pasi kryeministri ka një defiçencë të madhe përkundrejt liderit të opozitës, kur do duhet që të japë llogari për 8 vite keqqeverisje për “guinness”.

Mungesa e programeve, çfarë ndikimi ka tek elektorati? Kujtojmë që në zgjedhjet lokale nuk kishim program nga Partia Socialiste…

Partia Socialiste nuk kishte program as në 2017 dhe jo më në votimet njëpartiake të 2019-ës. Por, duket se votuesit të këtij vendi nuk po i bën më përshtypje, kjo edhe për faktin se zhgënjimi nga klasa poltike është aq i madh sa çdo gjë që mund të shpaloset si një ide apo program ambicioz, shihet si një tjetër shashkë propagandistike. Në fund, më shumë sesa pro një rrotacioni politik, i cili do të ishte më i prekshëm nëse opozita do të dilte tërësisht e bashkuar, parashikoj një votë kundër “rilindjes” së Ramës, pasi dyshoj fort që votuesi shqiptar, pas 30 vitesh do të vijojë të bëjë militantit pavarësisht kostos të jashtëzokonshme social-ekonomik që i ka vënë në shpinë kjo qeveri. Mjafton vetëm 1 fakt: çdo shqiptar rezident në këtë vend do të duhet të paguajë 3.5 miliardë lekë (sa ¾ e buxhetit vjetor të Shqipërisë), PPP-të mega-korruptive të Edi Ramës deri në 2047-ën.

Të fundit

“Do të kenë sukses financiar në 2025″/ Ja cilat shenja do të marrin rrogën e ëndrrave

Astrologu Evan Nathaniel Grim deklaroi se disa shenja të zodiakut do të kenë një sukses financiar në vitin 2025. 1. Binjakët Lidhja...

Ja cilat fruta të thata duhet të konsumoni, nëqoftëse keni mungesë hekuri

Nëse keni marramendje të shpeshta apo ndiheni të lodhur e të dobët, atëherë trupi juaj mund të jetë i mangët në hekur. Hekuri është një nga...

Vigjilje Krishtlindjesh, Pastori Akil Pano: Ngjarja më e madhe në besimin e krishterë!

Krishtlindja është një nga festat më të vyera për të gjithë besimtarët ortodoks dhe katolikë. E teksa jemi në vigjilje të Krishtlindjeve pastori Akil Pano në...

Kleri katolik dhe ortodoks uron besimtarët në prag të Krishtlindjeve

Në Shqipëri, ndërsa besimtarët katolikë dhe ortodoksë janë përgatitur të festojnë lindjen e Jezu Krishtit, udhëheqësit e tyre shpirtëror u përcollën sot mesazhin tradicional...

Udhëtarët shqiptarë tejkalojnë vizitorët e huaj! Europa, burimi i flukseve

Instat ka publikuar të dhënat e flukseve hyrëse-dalëse të shtetasve shqiptarë dhe të huaj përgjatë muajit nëntor. Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar...

Lajme të tjera

Web TV