Nga Leonard Karaj
Kryesocialisti Edi Rama po ruan disa nga deputetët e mëparshëm, por po afron të rinj, përse kjo zgjedhje dhe nga emrat e deritanishëm që janë afruar, a e tërheq disi elektoratin gri?
Rifreskimi i listës së deputetëve është diçka normale, që do duhej ta bëjë çdo parti, qoftë kjo në opozitë apo qeverisje. Por ti konsiderosh këto lëvizje si mundësi për të tërhequr elektoratin gri, është pak të të thuash utopike. Pas 8 vitesh në pushtet dhe me një bilanc tejet negativ, nuk ka asnjë shans që “Rilindja” e Ramës të zgjojë atë pjesë të votuesit, i cili jo vetëm që ndihet i lodhur nga kjo klasë politike, por në veçanti nënçmon këtë lloj qeverisje, në shërbim kryesisht të vetëm një kaste të vogël oligarkësh. Jo pa qëllim, nëse vërejmë me kujdes zgjedhjet në dy dekadat e fundit, elektorati gri është gjithnjë edhe më i madh në numër. Ky tip votuesi asesi nuk yshtet drejt një partie, e cila është mbyllur aq shumë nga lidershipi i Ramës, sa edhe zgjedhja e kryetarit është hequr me statut. Pra, mjafton të vish në pushtet, se më pas nuk ke fare nevojë të bësh zgjedhje në parti. Aty çdo gjë vendoset sipas tekave të kryetarit (është thuajse e njëjta gjë edhe te partitë e tjera, për të qenë korrekt), dhe për të pasur një jetë partiake, duhet më patjetër që ti pëlqesh këtij të fundit. Në pak fjalë duhet të “spiropalizohesh” në çdo detaj, për të ecur përpara. Në këtë këndvështrim, është jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht e pamundur që “të joshës” sadopak elektoratin gri, i cili edhe për kontravers është i yshtur më së shumti drejt partive më të vogla, më të reja ose drejt opozitës.
Rama ka konfirmuar dy emra në prag të finalizimit të listës për kandidatët që do të garojnë në 25 prill nën siglën e PS: Najada Çomo dhe Luljeta Bozo. Si ju duket zgjedhja e tyre?
Me gjithë respektin për karrierën e znj.Luljeta Bozo, pasi për znj.Çomo nuk e ndaj fare këtë gjë, gjykoj se “dy blerjet” e Ramës tregojnë qartazi batakun në të cilin ka rënë lidershimi i “Rilindjes”. Të largosh nga parlamenti personalitete si znj.Vasilika Hysi, apo z.Besnik Bare, dhe ti zëvendësosh me një stërgjyshe (znj.Bozo është vërtet stërgjyshe në kuptimin njerëzor) apo me një figurë tejet të kontestuar, madje edhe nga vetë kolegët mjekë, si Najada Çomo, mua më duket si një autogol i minutës së fundit, për të mos thënë, gafë e paparë. Nëse gjatë fjalës së vet znj.Hysi theksoi faktin se po largohej që ti linte vend një brezi të ri, këtë nuk mund të gjejmë asesi tek dy personazhet e mësipërme, dhe kjo jo thjesht, marrë në kontekstin e moshës që ato kanë. As znj.Bozo dhe ca më pak znj.Çomo nuk mund ti japin asgjë, Partisë Socialiste. Nëse PS-ja mendon se ky është rifreskim i listës së saj për zgjedhjet e 25 prillit, atëherë, garën e ka të humbur që në nisje, dhe jo thjesht për shkak të keqqeverisjes për rekord, sidomos gjatë mandatit të dytë, porse ky është testamenti i dështimit të kësaj mazhorance.
Vasilika Hysi dhe Besnik Baraj njoftuan tërheqjen nga kandidimi, gjithashtu edhe disa emra të tjerë që kanë dy ose tre mandate pritet të mos jenë në listë. Megjithatë askush prej tyre nuk ka shprehur pakënaqësi ndaj Ramës, a është ky një tregues që e majta “respekton udhëheqësin” apo çdo zë alternativ është sfumuar nga lideri?
PS-ja e Ramës nuk e njeh respektin për askënd si nocion, pasi në të kundërt do të kishte treguar më përpara ndaj emrave që kanë bërë historinë e kësaj partie, si Fatos Nano, Rexhep Mejdani, etj. Fakti që as Vasilika Hysi dhe as Besnik Bare nuk kanë shprehur ndonjë pakënaqësi haptazi kundër lënies jashtë liste, nuk do të thotë se ata janë të lumtur që zëvendësohen nga dy persona që nuk kanë pikë lidhje dhe asnjë kontribut në këtë parti. Ah, po. Rama ka një meritë që do duhet t’ia vëmë në dukje, se ka mësuar nga e shkuara e afërt, kur largoi me shumë bujë ish-kryetarin Nano apo edhe personazhe të tjerë si znj. Arta Dade. Si mjeshtra propagande, shpura mediatike e kryeministrit është interesuar fort që jo vetëm ti largojë nga parlamenti apo edhe nga partia, por edhe tu ofrojë mjaftueshëm “pushtet akademiko-qytetar” këtyre të fundit, aq sa të mos marrë nga pas “lumin e ofendimeve”. Në të njëjtën kohë, të gjithë në PS e kanë mësuar tashmë se në rast se del kundër Ramës, je i destinuar që jo vetëm të mbetesh jashtë liste dhe jashtë partie, por me gjasa të kesh edhe probleme të mëtejshme si qytetar. Rasti më brilant për këtë shembull është Koço Kokëdhima, i cili nga “mentori” i Ramës që prej vitit 2000 dhe deri në 2016, u kthye në armikun nr.1 të këtij të funidt. Në këtë këndvështrim, çdo i larguar goja “me pëlqimin e tij”, mes të vërtetës dhe një qoke nga pushteti, zgjedh të dytën.
Ndërsa në kupolën drejtuese duket se nuk do ketë reagime nga ata që do largohen, po në bazën socialiste a mund të ketë firo votash, me afrimin e të rinjve pa kontribut të mëparshëm në PS dhe me afrimin e ish-deputetëve të LSI-së?
Socialistët në përgjithësi kanë veti se dinë të fshehin emocionet e tyre. Nuk ndodh shpesh që ata të tregojnë irritim ndaj lëvizjeve të qendrës sipas tekave të Njëshit, sikundër kemi parë për shembull tek Partia Demokratike. Por ama nuk është aspak çudi që më pas ta ndëshkojnë vetë partinë e tyre me votë kundër. Rasti më tipik janë zgjedhjet e 2005-ës, ku vetë socialistët ndëshkuan Nanon për mënyrën sesi po drejtonte partinë në vitet 2003-2005. Sakaq, edhe afrimi i disa personazheve të LSI ka sjellë një lloj irritimi, që në pamje të parë është i padukshëm. Rast konkret janë hatërmbetjet e shumta të bazës së PS-së në qarkun e Beratit, pas afrimit të Nasip Naços dhe ish-deputetit Gledion Rehovica. Edhe pse në publik këto afrime janë shitur si “blerje me vlerë”, baza e PS-së, sidomos lidershipi i drejteusve të bashkisë, nuk i ka fshehur rezervat, duke parë afrimin e dy ish-zyratrëve të LSI-së si një konkurrencë apo qokë e Ramës për drejtimin e bashkisë në zgjedhjet e ardhshme. Pra, pikërisht këto lëvizje, nga njëra anë mund të sjellin vota të ish-kundërshtarëve politikë (LSI), por nga ana tjetër vetë PS-ja mund të humbasë vota safi të sajat.
Duket se po bëhet kujdes që të rinjtë që afrohen për kandidim si kriter kryesor të kenë të shkuar të pastër në raport me ligjin. A është ky momenti për PS që të ndahet nga personat me rekorde kriminale, të shfaqur në kuvend gjatë legjisturës 2013-2017 dhe më pas edhe në pushtetin lokal, përfshi edhe zgjedhjet e 2019-ës?
Më shumë sesa PS-ja, ka qenë presioni i vazhdueshëm i komunitetit ndërkombëtar që ka detyruar Ramën që të afrojë, të paktën personazhe pa të shkuar të dyshimtë. Afrimet e reja në PS mund të mos jenë të goditura, apo që ti japin peshë në elektorat kësaj force, por të paktën nuk i përkasin botës së errët si shumë ish-deputetë apo kryetarë bashkish që pat në gjiri e vet kjo parti, gjatë “mbretërimit” të Ramës. Sigurisht, të pretendosh në 2021-in nga një parti, aset kombëtar, si PS-ja që të dekriminalizojë vetveten është tejet deprimuese, por nisur nga e shkuara e afërt, të paktën lista reale (pasi në terren askënd nuk e ndalon Ramën që të përdorë po të njëtët njerëz të cilët i pati deputetë apo kryetar bashkish) është më e denjë sesa ajo që Rama i pat ofruar socialistëve dhe vendit gjatë 10 viteve të fundit.