Taulant (Roland) Luli, i konsideruar si i “forti i Maliqit”, i cili në muajin prill 2019, ka qenë i dyshuar dhe mbahej në vëzhgim nga agjentët e policisë së Shtetit, si pjesë e grupit të Gramoz Murataj, që grabitën 6 milion euro në aeroportin e Rinasit, rezulton i dënuar me tre burgime të përjetshme nga Prokuroria e Larisës në Greqi. Këto tre burgime të përjetshme, janë njohur nga gjykata e Korçës, duke bërë që Luli, të dënohet përfundimisht në një vendim të vetëm me burgim të përjetshëm.
Vendimi është marë nga treshja e gjyqtarëve, Besnik Shehu, Seladin Pysqyli dhe Sonjela Voskopi, të cilët kanë pranuar kërkesën e prokurorit Julian Kristo, për njohjen e vendimin penal të gjykatës së Larisës, e cila dënonte Roland Lulin me burgim të përjetshëm për akuzën e “Vrasjes” dhe “Grabitjes me armë”. Në 22 mars 2013, Luli është arratisur nga burgu i Trikallasë në Greqi. Ai i ka shpëtuar ndjekjes së policisë helene duke mundur të hyjë në territorin shqiptar, për të krijuar më pas një bazë qëndrimi nga ku drejtonte dhe aktivitetin kriminal të kultivimit të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit në Greqi. Në dosjen e prokurorisë së Larisës, tregohen të gjitha krimet e bëra në Greqi nga Roland Luli. Dosja penale është administruar dhe përfaqësuar në gjykatë nga prokurori Julian Kristo.
Sipas dosjes së prokurorisë së Larisës, bëhet fjalë për 26 grabitje, ku në tre raste këto grabitje kanë sjellë jo vetëm vjedhjen e pasurisë, por edhe humbjen e jetës së tre shtetasve grekë. Njerëzit që janë grabitur dhe më pas vrarë nga Roland Luli dhe bashkëpunëtori i tij Altin Ndreka dhe shtetasja greke Aikaterini Kalfadopoulou, quhen Astra Vasileiou, Evdokias Anagnostopoulou dhe Aristeas Katergari. Sipas dosjes greke kjo e fundit është lidhur dhe më pas therur me thikë, vetëm për faktin se dy grabitësit shqiptarë Roland Luli dhe Altin Ndreka, nuk kishin çfarë të vidhnin në banesën e saj në Volos, ku në këtë rast kanë vjedhur vetëm 50 euro dhe një palë vathë floriri.
Egërsia e Lulit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, ka vijuar të shfaqet edhe në raste të tjera, ku përgjithësisht viktimat e tyre dhunoheshin barbarisht ose priteshin me thika. Në pjesën më të madhe të rasteve banda e Lulit vepronte duke lidhur personat që ndodheshin vetë në banesë, ku në largim e sipër i mbyllnin dhe gojën me natriban, duke sjellë dhe vdekjen e ngadaltë të personave. Policia e Larisës, ka mundur të lokalizojë dhe arrestojë Lulin duke e dënuar me tre burgime të përjetshme dhe më pas izoluar në burgun e Trikalasë.
Por dënimin me burg përjetë Luli, nuk e ka kryer për shkak se në mars të 2013, Luli ka mundur të arratiset nga burgu dhe të gjejë strehim në qytetin e Korçës. Ku nga këtej të drejtojë një rrjet të shfrytëzimit të prostitutave në Greqi dhe kultivimit dhe tregtisë së drogës në zonën e Maliqit.