Nga Alfred Lela
Ditën e hënë, tre partitë e mëdha në vend dërguan në KQZ listën e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit. Si i lexoni emrat e përfshirë për herë të parë dhe renditjen në fund të listës fituese emrat emblematik të PS?
Listat janë, si zakonisht, taktitë e strategji bashkë. Por janë edhe gurë në murin e përballjeve dhe përplasjeve të brendshme. Kryetarët e partive, që i marrin të gjitha vendimet, konfigurojnë edhe shijet, pëlqimet apo mospëlqimet e veta në lista. Emrat e përfshirë, nga Rama për shembull, për herë të parë synojnë pikërisht të krijojnë dukjen apo perceptimin e herës së parë. Kryeministri e di se është duke kërkuar mandatin e tretë dhe nuk e ka iluzionin se nuk po kërkon diçka që është pak si shumë, duke ditur edhe traditën e dy mandateve që kanë këmbyer palët politike. Kështuqë ai investohet me emra dhe fytyra të reja për të zbukuruar të shkuarën tetë vjeçare dhe emrat e fytyrat e stërfolura.
Partia Demokratike nuk përfshiu në listë e 2021, vetëm 11 nga deputetët që dolën nga zgjedhjet 25 qershor të 2017. Megjithatë përveç 2-3 emrave që vijnë nga pjesa akedemike të tjerët duket se plotësojnë atë që konsiderohet “listë normale”. Si e komentoni?
Basha ‘u dogj’ nga eksperimenti i listës së 2017. Kam përshtypjen, më shumë se prej listës, prej fushatës që zgjodhi të bënte, prej zbythjes nga partia pa bërë minipakte me disa prej ‘senatorëve’, por edhe prej deal-it disi abstrakt që bëri me Ramën, duke marrë qeveri, por jo kompetenca dhe aq më pak autoritet. Atë guxim të 2017-ës e ktheu në ‘normalitet’ në 2021-in. Unë mendoj se e kundërta do të kishte qenë nevoja e tij: guximi edhe më i madh. Lista është ‘normale’ edhe për faktin se pavendosmëria është një huq normal i Bashës.
Zgjedhjet e 25 prillit do jenë edhe përballje emrash në listë respektive apo përzgjedhje subjektesh?
Të dyja bashkë. Strukturat partiake do t’i mëshojnë siglës më shumë se emrave, sepse sigla i bën ata të duken më mirë në përllogaritjet e pas 25 prillit dhe në riskën që mund të kërkojnë në pushtet, apo kreditet në opozitë. Ndërkohë lufta do të bëhet e egër mes kandidatëve që kanë diçka për t’i provuar vetes, liderit, partisë dhe të tjerëve. Nuk ka pra, lista të hapura, sa kohë që partia, sigla dhe kryetari peshojnë më shumë se individi.
Ambasadorja Amerikane Yuri Kim në një takim në Elbasan tha se do të ketë ndryshime në listën e dorëzuar nga forcat politike në KQZ, ku saktësoi se janë tre individë të shpallur “non grata” nga SHBA. Si e lexoni qëndrimin e saj dhe cilën forcë politike mund të prekë dekriminalizimi?
Si pozicionim të vazhdueshëm dhe këmbëngulës të Ambasadës Amerikane dhe Departamentit të Shtetit. Si sinjal për KQZ, por edhe për organet e drejtësisë tashmë të vetuar shqiptare. Si provë se amerikanët po e vrojtojnë skenën e zgjedhjeve. Gjasat janë që ‘parregullsitë’ të anojnë nga listat e PS dhe nga ndonjë parti e vogël. PD e ka hapur vetë e para fushatën e dekriminalizimit dhe ka qenë vazhdimisht më e kujdesshme në këtë plan. Në listën e PS ende gjenden ‘bishta’ të së shkuarës problematike.