Ndarja e parakohshme nga jeta e ish-kryeministrit dhe politikanit të njohur Bashkim Fino tronditi politikën shqiptare dhe jo vetëm.
Pas zhvillimit të homazheve, i ndjeri u përcoll për në banesën e fundit ku përveç familjarëve dhe të afërmve, të pranishëm ishin edhe kolegë e miq të Finos.
Sekretari i Përgjithsëm i PS, Taulant Balla mbajti dhe një fjalim prekës gjatë ceremonisë mortore.
“Bashkimi i fitoi të gjitha betejat në jetë, por, fatkeqësisht, humbi betejen me jetën”, u shpreh Balla ndër të tjera.
Fjala e plotë e Ballës:
“Të dashur Diana, Megi dhe Redi,
Të dashur të afërm e miq të vëllait dhe kolegut tonë Bashkimit,
Sot është një ditë e rëndë për të gjithë ne. Humbën Bashkimin, bashkëshortin, prindin, mikun, kolegun dhe një nga pjestarët më të mirë të familjes së madhe të socialistëve shqiptarë, një nga njerëzit më të mirë të shqiptarisë.
Bashkimi i fitoi të gjitha betejat në jetë, por, fatkeqësisht, humbi betejen me jetën.
Sot të gjithëve na dhemb shpirti për këtë ndarje të parakohshme.
Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe kishim akoma rrugë të gjatë për të bërë bashkarisht, i dashur Baçi.
Historinë e kemi të përbashkët, tani të ardhmen do ta kemi pa ty, o Baç i dashur.
Do të na mungojë buzëqeshja jote, fjala jote e matur dhe e mençur, këshillat e tua të dobishme për të gjithë, fuqia jote që si rrallëkush ke përballuar sfida të mëdha e të vështira.
Deputet i Partisë Socialiste në gjashtë legjislatura, anëtar i forumeve drejtuese prej vitit 1993, katër herë ministër, zëvëndëskryeministër i Shqipërisë.
Shërbimin më të madh dhe të pakrahasueshëm, Bashkim Fino ia bëri vendin në kohët më të rënda e të rrezikshme, gjatë vitit 1997.
Si Kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Bashkim Fino kontribuoi në vetë të parë dhe si askush tjetër për shpëtimin e Shqipërisë nga gremina ku po e gremiste qeverisja e papërgjegjshme.
Ky pajtues i madh, u bë një shpëtimtar i madh, një shtetar i madh dhe i vendosur, i adhuruar prej të gjithë shqiptarëve.
Me këtë devocion e përkushtim, Bashkim Fino shërbeu në të gjitha detyrat politike, shtetërore, legjislative dhe publike.
Por tani që mbetëm pa Bashkimin, kemi filluar të ndjejmë se sa i madh ishte investimi dhe kontributi i tij politik, kombëtar e njerëzor, po aq e madhe është boshësia që ai la, me largimin e tij të parakohshëm.
Legjislaturën e tanishme Bashkimi ishte deputet i qarkut Fier. Të gjithë banorët e qarkut Fier, por në veçanti ata të Lushnjes, kidhin gjetur te Bashkimi shokun, mikun dhe deputetin që u delte zot për çdo nevojë.
Na ke mësuar keq edhe ne, i dashur Baç. Sepse të kishim kolegun e urtë, të mënçur, të gjendur, të matur dhe kurajoz, që na bëje të mos e humbisnim kurrë shpresën.
Sëmundja e mallkuar na e rrëmbeu Bashkimin në mes të garës, në të cilën socialistët fierakë e kishin dashur e vendosur në krye.
Tani kemi një shok më pak. Por kemi një testament politik, kombëtar e njerëzor më shumë, nga i cili ne, socialistët, duhet të frymëzohemi e nxitemi për t’i shërbyer më shumë Shqipërisë dhe qytetarëve.
Lamtumirë, shoku dhe vëllai ynë, Bashkim Fino.
Për të nderuar kujtimin e Baçit tonë, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.
U prehsh në paqe.”