Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Elbasanin, Taulant Balla zhvilloi një takim në Krastë të Elbasanit, ku të pranishëm ishin edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi si dhe kryebashkiaku Gledian Llatja.
Në fjalën e tij, Balla renditi 12 arsye pse Partia Socialiste meriton një mandate të tretë.
Fjala e plotë e Taulant Ballës:
“Ne nuk duam që takimet tona elektorale të jenë aleatë të Covidit, por ne duam që ta mbyllim këtë luftë me ballin lartë. Doja t’ju lutesha kushdo që është vetë ose ka prindërit mbi 70 vjeç, duhet një orë e më parë të vijë në qendrat e vaksinimit. Kemi një qendër vaksinimi në qendër të Elbasanit, një çadër falë mbështjetjes së Bashkisë dhe Ministrise së Shëndetësisë ku çdo qytetar mbi 70 vjeç mund të vijë dhe t’i nënshtrohet vaksinimit.
Brenda shtatorit unë pres që ne ta përmbyllim gjithë investimin shumë të madh që po bëjmë, rreth 3,5 miliardë lekë, falë bashkëpunimit të Bashkisë dhe Agjencisë Kombëtarë të Ujësjellësit, e cila ka garantuar këtë investim, është bërë vepra e marrjes dhe unë i kam ndjekur vetë punimet në lagjet sipër, me tubacionin që është shtrirë një tubacion shumë i mirë dhe shumë cilësor.
E treta, se kam 12 për t’i thënë që t’i dini, 12 arsye dhe 12 punë për t’ju treguar. E treta lidhet me procesin e legalizimeve. Më dëgjoni mirë dhe nguliteni mirë. Nëse ka një Parti që do ta çojë në përfundim procesin e legalizimeve, ajo është vetëm PS. Gjithë procesi i legalizimeve në zonën e Krastës, deri në maj të vitit 2020 kush e ka ndërtuar shtëpinë sipas ligjit që e kemi ndryshuar unë dhe Evisi në Kuvendin e Shqipërisë, deri në 31 dhjetor 2021, asnjë shtëpi në zonën e Krastës nuk do të jetë pa legalizuar dhe secili prej jush do të ketë certifikatën e legalizimit. Këtu në këtë zonë pjesa më e madhe e ka përfunduar legalizimin.
E katërta ka të bëjë me transformimin urban të kësaj zone. Kjo është një zonë që u shtua si një lagje plotë qyteti, pas viteve ’90. Si e tillë, jo çdo gjë është sipas standardeve që ka një qytet. Nuk është kanalizimi i ujërave të zeza, nuk ishte uji i pijshëm , nuk janë rrugët dhe për t’i çuar deri në fund këto procese, që quhen procese të urbanizimit ne na është dashur të presim procesin e legalizimeve. Unë dua të garantoj që Krasta do të jetë një lagje siç i ka hije qytetit.
E pesta ka të bëjë me punësimin. Për mua ky është i pari në fakt. Ne po mundohemi të rrisim sa më shumë magnetet që të thithin investime dhe të thithin shpenzime në Elbasan. Për pjesën tjetër të qytetit është rivitalizimi i Kalasë, për Krastën është diçka që do ta njohi Krastën në gjithë Shqipërnë. Në Tiranë në fundjavë do jetë shprehja ‘Ku je tu shku? Po shkoj në Krastë të Elbasanit. Po pse në Krastë? Se aty është Automotoparku shqiptar tek i cili do të punësohen rreth 400-500 djem e vajza të kësaj zone, gjatë fundjavës, por jo vetëm. Jo vetëm do të jetë një park çlodhës, por do të jetë një qendër më restorante, me bare që do të sjellin para për Elbasanin dhe Krastën.
E gjashta ka të bëjë me pensionistët. Dua t’i them çdo prindi që ka dalë në pension: E vetmja parti që shpëtoi sistemin e pensioneve në Shqipëri është PS. Në 2013 e gjetëm sistemin e pensioneve në një raport falimentues 1 me 1.4, pra 1 pensionist me 1.4 të punësuar që është e pamundur që ky sistem mund të vazhdonte.
E shtata ka të bëjë me Reformën në Drejtësi. Reforma në drejtësi është një domosdoshmëri, është sot në momentin më historic të mundshëm. Sali Berisha dhe Ilir Meta janë aty sot, për ta prishur, për ta dëmtuar, për ta penguar dhe për ta çbërë atq që ne kemi bërë. Prandaj thirrja ime është që ne të jemi në 25 prill për ta ndihmuar Edi Ramën, SHBA dhe BE-në ta çojnë përpara këtë reformë.
E teta ka të bëjë më të rinjtë. Unë e di që të rinjtë janë ata që presin më shumë, e drejtë. Jam shumë dakort. Protesta në dhjetor te 2018-ës ishte një shuplakë e mirëpritur për të shtuar më shumë investime. Por më duket si rrenë e vjetër ajo historia që do bëjmë një kampus universitar në Krastë. E ka thene dhe në 2009-ën i njëjti gënjeshtar. Ndërkohë që ne falë mbështetjes së Evisit, falëe Ministrisë së Shëndëtësisë, i kemi dhënë Universitetit të Elbasanit brenda atij korpusi që ka, edhe një pjesë tjetër toke ku është bërë projekti dhe tenderimi dhe pritet të nisë një object tjetër i Universitetit të Elbasanit.
E nënta ka të bëjë me rrugën europiane të Shqipërisë. Të dashur motra dhe vëllezër, Shqipëria është në një moment shumë historik që ne na duhet të jemi të gjithë bashkë dhe nuk besoj se ka shqiptarë dhe shqiptare që mendojnë se Shqipërinë e përfaqëson më mirë Edi Rama sesa Lulzim Basha. Unë kam pasur mundësinë të punoj edhe me kryeministrin Nano, por dua tu them që nuk ka pasur Shqipëria në këto 30 vite një kryeministër që të konkurrojë për nga cilësia e të bërit diplomaci, sikurse ka arritur të bëjë sot Edi Rama.
E dhjeta edhe pse nuk ka të bëjë shumë me zonën tonë, procesi i rindërtimit është një shprehje kuptimplotë e një beteje që duhet të shkojë në fund.
E 11-ta ka të bëjë me Shëndetësinë e cila sot është më kryesorja. Arsyeja pse Desantila Tahiraj është sot në listën tonnë të Elbasanit, është sepse si drejtoreshe e spitalit, bashkë me Edi Ramën, me Ogerta Manastirliun, me mua, me Evisin, me Gledin, kemi arritur sot të kemi një spital Rajonal të pakrahasueshëm.
Dhe e 12-ta ka të bëjë me listën e PS. Lista e PS është një listë, e cila përfaqëson Elbasanin. Secilin prej kandidatëve i njihni dhe janë njerëz që kanë jetuar, jetojnë, kanë lindur në Elbasan. Gjeni pak në listën e PD, kush do ta përfaqësojë Partinë Demokratike në listën e propozuar prej tyre, në Parlament. I pesti është nga Elbasani, një kandidat, i cili në CV-në e tij shquhet vetëm se para dy vitesh ka vrarë 37 thëllëza a 27 thëllëza brenda një dite. E për turp dalin e promovojnë që kur te vijë PD në pushtet, do heqin moratoriumin e gjahut.”, përfundoi Balla.