Nga Zamira Ҫavo
Unë nuk di kush e këshillon z Basha. Ama dita ditës po shikoj një diskurs elektoral teper problematik. E ndjek me kureshtje për të kuptuar jo vetëm sensin elektoral por edhe atë çka duhet të përfaqësojë një lider që synon të qeverisë vendin në vitet e ardhshme. Por fatkeqësisht vërej një diskurs të dobët dhe një fushatë spotesh edhe më të dobët e që na bën të dyshojmë në thelb përmbajtjen e vërtetë të z Basha. Ndoshta ky model mund ti sjellë fitoren, por zhgënjimi popullor do të jetë i paparashikuar, që në vitin e parë të qeverisjes. Ndaj sa nuk është vonë ky diskurs duhet të ndryshojë, nëse vërtetë z Basha ka për qëllim të sigurojë fitoren e të qeverisë vendin. Nëse nuk ka këtë qëllim, justifikohet ky model i të bërit fushatë elektorale. Por le ta analizojmë.
1-Takimi me qytetarët me makina shoqëruese e me bori e flamuj është tashmë e vjetëruar dhe flet për një vizion banal të z. Basha.
2-Takimi me banorët, duke iu premtuar çdo grupi që takon “qiellin e 7-të”, e bën jo vetëm qesharak por edhe dëshmon për vizionin primitiv që ka për qeverisjen. Kjo me bën të dyshojë që Ai nuk e ka seriozisht dëshirën për te qeverisur, sepse ndryshe do të ndalej një moment e do llogariste çfarë thotë e çfarë premton.
3- Gjuha e tij politike e ndërthurur me impostimin e tij fizik, më bën të dyshoj se ndoshta z Basha i beson sinqerisht ato që thotë. E nëse kjo do bëhet e dukshme edhe më tej gjatë fushatës them me bindje që mendësia e tij është Feudale e ndërthurur me një narcizizëm naiv. Pra me fjalë të tjera z Basha duket se po arrin në një pikë që i duket se tashmë Ai qeveris dhe ai ka çelësin e mrekullive në këtë vend. Zakonisht në historinë e demokracisë individë të tillë kanë përfunduar në koshin e harresës.
4- Spoti elektoral “ 5 gjërat që duhet të dini për Luzim Bashën’ dëshmon pikërisht atë që thashë më sipër; Ai vërtetë mendon se është Ai i cili futoi vendin ne NATO, apo siguroi Heqjen e Vizave etj. Sërish dyshoj në këshilltarët e tij, por nëse do bëhej një spot negativ palët kundërshtare mesiguri do gjenin “7 gjërat që duhet t’i dini për Lulzim Bashën” e ku me siguri do rendisnin gjëra tronditëse. Nga ana tjetër një spot i tillë nuk mund të mos lëndojë lidershipin e Partisë Demokratike i cili realisht ka meritën për këto ngjarje historike.
5- Spoti elektoral se “Ka kohë që në Shqipëri nuk ka ndodhur ndonjë gjë e madhe… dhe se UNË e di se si mund të hyhet në Bashkimin Europian”… por ama këtë do t’jua tregojë pasi t’ja japim votën, më bën të dyshoj se Integrimi në BE që z Basha ka zgjedhur si kalë beteje, deri tani është penguar edhe nga vetë z Basha, përderisa e ditka se si hyhet por… nuk ka dashur ta tregojë. Tamam një qasje foshnjarake ndaj një problemi madhor.
6- Diskursi i z. Basha është shoqëruar në shumicë me lapsuse, gjë që dëshmon për një mungesë llogjike në të folurin e tij publik. Një lider që bën lapsuse më shumë se tri herë në dalje publike, ka problem të theksuar me të folurën në publik. Dhe kjo të kthehet në të kundërtën pra në shndërrim të mesazhit në arsenal barcaletash.
7- Ditët e fundit z Basha po i jep një qasje tjetër diskursit të tij duke filluar të pretendojë se “po blihen vota”. Kjo qasje e re në këtë diskurs është një paralajmërim për të justifikuar në të ardhmen humbjen elektorale. Ndaj kjo gjuhë duhet ndryshuar nëse kërkon vërtetë fitore e qeverisje.
8-Ka zgjedhur të mohojë gjithçka që kundërshtari i tij politik ka bërë në 8 vite qeverisje. Zakonisht mohimet absolute janë pjesë e diskurseve politike të shqiptarëve sepse historia fillon më “mua”. Por për një lider që ka një background jo fort të suksesshëm, një zgjedhje e tillë tërësisht mohuese e akuzuese çon në një reagim negative.
9- Vendi ka nevojë vërtetë për ndryshim. Por duke pretenduar se “Vetëm unë do e sjellë ndryshimin”, e duke e përqëndruar të gjithë diskursin në “unin” politik, z Basha ka lënë në hije ekipin e tij duke e përqëndruar të gjithë fushatën rreth vetes. Kjo nuk e bën autoritar si lider pasi nuk shquhet për veprime autoritare. Kjo ngjan më shumë me një fëmijë të llastuar që pasi I kanë dhënë në dorë një lidër të bukur e tërheqëse për të tjerët, nuk le askënd ta preki! Kështu krijon shmangie nga shokët e lojës.
10- I gjithë diskursi politik z Basha e çon detyrimisht në votën kundër .Por çdo votë që do të marrë z Basha është në fakt votë kundër atyre që kanë qeverisur në këta 8 vite. Pra jo një meritë e diskursit të tij politik. Ka ende kohë që ky diskurs të ndryshojë, sepse politika është çështje besimi dhe nëse duam të gjithë ndryshimin më së pari duhet të ndryshojë diskursi politik dhe vizioni i vetë z Basha.