Vaksina për burrat

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Fati mund ta dojë që të vritesh me nder në luftë e pas të lësh emrin e mirë, të cilin ta gdhendin mbi një pllakë mermeri. Por fati është qerrata i madh, mund të të rezervojë dhe surpriza të tjera. Fjala vjen: shpëton nga plumbi i luftës dhe vdes pasi ke marrë një gjilpërë e të ka bërë reaksion medikamenti i shishes. Kjo është akoma më keq. Se lë armët varur dhe nuk merr as titullin e dëshmorit. Dhe po s’e more titullin, ata të familjes nuk marrin as pensionin. Shkurt: shkon për dhjamë qeni. Dhe me shumë gjasa, gojët e liga që nuk rrinë dot pa folur do thonë: Ishte luan në luftë, por iku si lepur në paqe.

Hej, bela. Ne na ha meraku se ç’do të thuhet edhe pas vdekjes.

E që thoni ju, mua, personalisht, më doli emri të bëja vaksinën kineze. Nuk pata fat për të marrë Pfizer-in që të mbron 95 përqind, as AstraZeneca-n, madje as Sputnik V, por pikërisht Sinovac. Sherri po kishte plasur prej kohësh. Ca të sugjeronin me bindje të thellë: “Bëjeni se është ultra”, ca të tjerë ishin fort skeptikë sa e përfytyronin vaksinën kineze me po aq dëme sa dhe bomba atomike e Hiroshimës. Akoma më tej, ca të tjerë nuk besojnë fare te vaksinat, as te kinezja, as te rusja, por as tek amerikania. Ata të thonë se po bëre një vaksinë, e hëngre… o do bëhesh impotent ose homoseksual.

Na mbro o Allah!

Pro dhe kundër vaksinës. Por kë të besosh? Se të dyja palët kanë argumente që të mbërthejnë e të lënë pa tekst.

Epo secili ka qejfin e vet, tek e fundit. Fjalë janë. Nga fjalët nuk vjen gjë e keqe. Nga ajo që ndodhet brenda injeksionit po.

Gazetarët e thyen të parët akullin dhe i bënë vaksinat live në televizor. Thua të kishin marrë ndonjë urdhër partie? Se këtej nga anët tona, partia prin, si gjithmonë. Pritëm se mos ndonjërit i futej llapa brenda, por aha… vazhduan lajmet.

Ju bëftë shëndet!

Se ne shohim ngjyrat e politikës dhe harrojmë që mjekësia kineze ka qenë e famshme prej lashtësisë. Pastaj jemi mësuar këto vitet e fundit me mbeturinat që shiten tek tregu afër Medresesë dhe kemi krijuar konceptin: “mall kinez mo”. Demek, të mbetet në dorë. Sipas këtij arsyetimi duhet të na ishte futur frika në palcë. Sidomos po të ndjekësh këmbë pas këmbe ca mjekë që të çorodisin fare kur flasin në televizor.

Mirëpo thonë se burrave nuk u ka hije të qarraviten e jargaviten. Se ku ndryshojmë ne nga gratë, tek e fundit, përveçse të mbajmë mustaqe?! Kështu që i dhashë drejtim. Përvesha mëngën dhe “cak”, një e pickuar kaq e lehtë sa nuk u kuptua fare. “Me shëndet!”. Rrofsh moj motër! Fundja një herë vdes njeriu. Se edhe vdekja ka dinjitet. Duhet ta mbledhësh veten kur e sheh se nuk ka rrugë shpëtimi. Në botën tjetër herët a vonë do shkosh se nuk ke nga ia mban. Unë po provoj këtë kinezen. Mbase shtyj ca. Në qafë paça veten, tek e fundit.

Por mos mendoni se po bëj avokatin e djallit. “Rroftë qeveria!”. Tani, dhe një autolavazh, ku të bindem se përfundimisht bëra zgjedhjen e duhur, duhet t’ia bëj vetes. Gjithsesi, unë në fakt, bëj punën time si gazetar. Atë që kam 30 vjet që e bëj. Sepse menjëherë, – pasi bëra vaksinën në kushte të adaptuara mirë, me punonjës policie që mbanin rregullin, punonjës socialë që të orientonin e punonjës mjekësie fort të kujdesshëm, – unë do të marr sërish rolin e oponentit. “Poshtë qeveria!”. Dhe pas kësaj do të nis të kritikoj sërish sistemet, atë të mjekësisë e të policisë. Sepse kjo është detyra e një gazetari. Të ngrejë probleme, madje dhe aty ku nuk ka.

Lexo edhe :  “Feminicid”... si e shpjegojnë ekspertët e shëndetit mendor vrasjen e një nëne

Vaksina kineze është shtruar këmbëkryq tek sheshi “Skënderbej”. Në vitet ’70 të shekullit XX po tek ky shesh gjeje pafund specialistë kinezë, me kostume doku e kasketa në kokë, që Kina motër na i kishte dërguar për të na ndihmuar të ngrinim rrjetin industrial të uzinave tej e tej vendit. Pamja po përsëritet në vitet ‘20 të shekullit XXI. Vaksinat kineze kanë ardhur të na japin një dorë në malore.

Epo… miqësia e vjetër si vera e vjetër, nuk harrohet kollaj.

Tani ne, që e kemi braktisur Lindjen dhe jemi shtrënguar pas këmbëve të Perëndimit, do kishim qejf të bënim atë amerikanen, Pfizer-in, ose Modernën të paktën. Por… ja që: “kisha na e mbylli derën…”. “Pfizer” nuk po merr dot Gjermania, lokomotiva e kontinentit, ajo që e ka bërë Evropën të flasë me vete në dy luftërat botërore dhe që është shteti më i disiplinuar mbi këtë dhè.

Po jo ore, ku mbahen shqiptarët. Ne mendojmë se amerikanët na adhurojnë, meqenëse rrjedhim nga arbrit, ata nga ilirët, dhe këta të fundit nga ca më tej akoma, nga pellazgët. Epo gjaku nuk bëhet ujë de. E kështu, meqenëse mendohet se amerikanët na kanë me sy të mirë, do shkarkonin dhe ndonjë kamion riportabël me vaksina, e do kishte “Pfizer” nëpër magazinat tona sa të lozte dhe qeni i kallajxhiut. Mizëri vaksinash, demek. Por akoma nuk e kuptojmë se në fakt jemi andej nga fundi i rreshtit aq sa herë-herë na trajtojnë dhe si lagje periferike.

Në këto kushte, ku s’ta fërshëllen njeri, e ku secili nuk sheh jashtë pragut të shtëpisë së vet, do t’i thuash “derrit-dajë” e të ulësh kokën. Ose po të jesh vërtet burrë, po burrë ama, mund të rrish e të presësh me dinjitet.

Mirëpo dinjiteti na ka vajtur si brekët, në fund të këmbëve. Kush bën shaka me jetën sot? Eh sa të dhimbset koka, aq sa po të të thërrasë Atdheu “nën armë”, e hedh pushkën në ndonjë hendek dhe as që nuk të plas cipa se cilësohesh dezertor.

Kokën shëndoshë pa të tjerat rregullohen!

Frika shtohet sidomos kur në listën e viktimave nga Covidi sheh emra miqsh që deri dje kishe ndarë kafenë e mëngjesit. Dhe kështu te radha për të bërë vaksinën ndesha me ca djem që ishin betuar se do merrnin vetëm vaksinë të prodhuar nga Perëndimi i largët. Mirëpo çfarë nuk të bën halli. Dhe kishin ardhur me vrap e pa fjalë të bënin vaksinën e “Lindjes së kuqe”.

Hë… Burra muti. Po ku kanë mbetur më burra. Inshallah nuk e kanë nga vaksina të paktën.

Jeta është e shtrenjtë vëlla. Ja aty, tek kinezi do përfundojmë të gjithë… Madje edhe “Stefan Bardhi këtu do të vijë…”

“Shqipëria buzëqesh”, këtij i them slogan unë.

Njerëzit duket sikur janë skeptikë ndaj vaksinave. Sepse në tregun mediatik qarkullojnë dhe plot teori konspiracioni ku ca e ca thonë se vaksinat e kanë një hile brenda. Po or vëlla, patjetër që e kanë. Se kimikate janë. Por çuditërisht edhe pse marrim tërë ditën e ditës kimikate, që ta shkurtojnë jetën, njeriu po jeton më gjatë se para 100 vitesh kur gjithçka ishte bio.

Si ka mundësi kjo?

Si ka mundësi të marrësh farmak me grushte dhe të jetosh për bukuri?

Si ka mundësi që të bombardohesh me kimioterapi, e cila vret e pret qelizat, të këqijat, por dhe të mirat i merr mbarë, dhe të mbijetosh e ta mundësh kancerin?

A duhet besuar shkenca apo tek teoritë e konspiracionit?

Nuk po zgjatem më shumë, sepse të gjitha këto do të mund t’i trajtojmë në një edicion tjetër. Ndryshe ç’u pa puna?!


Të fundit

U ekzekutua në mënyrë mafioze në Vlorë/ Gazetari zbulon: Bledar Birçaj ka qenë edhe drejtor banke, u pushua se…

Biznesmeni Bledar Birçaj u vra në Vlorë dy ditë më parë në lagjen “Hajro Çakëri” në një atentat të...

Vrau shokun e tij, prokuroria kërkon burg për Marjus Demën

Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Gjykatës që të caktojë masën ‘arrest me burg’ për Marjus Demën me akuzën e vrasjes me dashje të...

Burri humbi unazën e martesës, e gjen 5 muaj më vonë të ngecur në trupin e një peshku

Një zhytëse arriti të gjente një unazë martese me vlerë një mijë dollarë në trupin e një peshku, të cilën pronari i unazës e...

Fiter Bajrami, Ambasadat e SHBA dhe BE: Urojmë që ky vit të sjellë shëndet të mirë dhe gëzim në familjet e të gjithëve!

Ambasada e SHBA në Tiranë uron të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fiter Bajramit. Ambasada shkruan në një mesazh në “Facebook” se kjo festë...

Manastirliu uron besimtarët myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin, shëndet dhe mbarësi

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka uruar te gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit. Përmes një postimi në rrjetin e saj...

Lajme të tjera

Web TV