Nga Sebi Alla
Nëse nuk do të bësh asnjë punë, ngri një “grup pune, apo “Task Forcë”; nëse nuk do që një çështje të hetohet seriozisht, atëherë ngri një “komision hetimor Parlamentar”. Të dyja këto forma deri më tani kanë ecur në qeverisjet shqiptare apo parlamentarizmin tonë të 30 viteve të fundit. Megjithatë një nismë është ende pezull, sapo ka nisur, por fundi i saj dihet përgjysmë, por nuk mund të verë kush “bast” se do të përfundojë…
Kështu duket edhe nisma për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, ende pa u tharë boja e rezultatit final të zgjedhjeve që u mbajtën më 25 prill.
Pësedhjetë deputetë të mazhorancës firmosën nismën për shkarkimin e Metës. Duket se do të jetë një votim formal, pasi numrat janë aty dhe 94 vota që duhen për shkarkimin e Metës mazhoranca aktuale i ka, madje edhe i teprojnë ca… Tashmë me interes do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pasi nisma e Parlamentit merr verdiktin përfundimtar vetëm atëherë kur të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Po përse ky nxitim për shkarkimin e Metës?
Presidenti, dukshëm ndryshe nga çdo paraardhës i tij, u përfshi në fushatë, madje duke përdorur një fjalor shumë të ashpër, në kapërcim të çdo etike institucionale dhe në “konflikt me të gjithë”, përfshi edhe veten, pasi Ilir Meta si person, po “sulmonte” edhe Ilir Metën si president. Në atë kuptim që vetë e kuptonte qartësisht se kishte dalë nga shinat kushtetuese. Por shkarkimi i Metës tani mund t’i lërë një fije “shprese” kreut të shtetit për t’u bërë faktor, edhe atëherë kur nuk është. Në rast shkarkimi, Meta do të ketë dy bonuse në duar. Së pari do të anatemojë qeverinë, duke u mbajtur me argumentin e kapjes prej saj të çdo pushteti dhe se presidenca kishte mbetur oazi i vogël pa u “rrethuar” në vathën qeveri, dhe së dyti, do anatemojë drejtësinë e re, duke përfshirë në këtë rast Gjykatën Kushtetuese që mund të kthehet në “notere” të vendimeve të mazhorancës. Dhe sot kjo logjikë politike nuk është krejt pa gjë. Të tjerë mund të mendojnë se Meta e meriton shkarkimin, madje mund të hedhin edhe hapa të mëtejshme me argumentin se i duhet “dorëzuar” drejtësisë, por nëse kjo ndodh brenda moçalit politik, ku pak ose fare pak kanë të veshur mantelin si “të pastër”, duket se nisma mund të jetë kundër rrjedhës normale. Këtu jemi në politikën tonë, ku bëhet tym edhe atje ku nuk ka fare zjarr!