Më 22 qershor merret vendimi nga vendet anëtare të BE-së për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Holanda ka qenë një nga shtetet më skeptike për ta parë Shqipërinë brenda “kufinjve” politike të BE-së, por në vlerësimet e fundit ka arritur në përfundimin se vendi ynë ka ecur në çështjen e reformave dhe plotësimit të kushteve.
Nga Fernada Cenko
Shqipëria mund ta kalojë testin e “provave” për të çelur negociatat për tu antarësuar në Bashkimin Europian. Më 22 qershor vendi ynë mund të jetë afër pragut të integrimit, duke marrë negociatat. Të paktën Hollanda ka ‘lëshuar dorën’ duke pranuar se Shqipëria i ka plotësuar kushtet e vendosura. Sot në orën 09.30 do të mblidhet Komisioni për Çështjet Europiane i Dhomës së dytë të Parlamentit Hollandez. Mbledhja në Groen van Prinstererzaal është parashikuar të jetë dy orë dhe do të debatohet për këshillin e datës 22 qershor në Bruksel. E pranishme do të jetë ministrja e Punëve të Jashtme të Hollandës, Sam Kaag ndërsa komisioni do të marrë vendimin dhe për qendrimin që do mbajë për Shqipërinë në datë 22 qershor, lidhur me konferencën e parë ndërqeveritare, për t’i hapur rrugë integrimit në BE. Tema për Shqipërinë është vendosur në fund të axhendës së Komisionit. Sinjalet janë pozitive dhe shpresat për një dritë jeshile nga ana e Holandës janë të mëdha. Kujtojmë që më datë 5 qershor qeveria Holandeze i dërgoi një letër raport Komisionit ku del në konkluzionin se shumë prej kushteve që ka pasur Hollanda ndaj Shqipërisë janë plotësuar. Duhet theksuar fakti se vitet e fundit Hollanda ka qenë shumë skeptike sa i takon ardhmërisë se vendit tonë në familjen e madhe europiane, pasi duheshin plotësuar shumë kushte që kishin lidhje me ligjin, shtetin e së drejtës, korrupsionin, etj.
Konkluzionet e Holandës
Qeveria e Holandës në 5 Qershor dërgoi një letër Komisonit ku ka vlerësuar si fillim zgjedhjet e 25 prillit si të qeta dhe transparente. Ajo ka parë si të rëndësishme kthimin e opozitës në parlament. Qeveria e Holandës konsideron se është e rëndësishme që për çështjet e krimeve zgjedhore të investigohen nga SPAK. Ndërkohë duhet të monitorohet edhe dalja e të dhënave personale të zgjedhësve përpara zgjedhjeve. Në letër raportin që Holanda i dërgon komisionit thuhet se: “Kryeministri Rama ka deklaruar se do të jetë kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe ka kërkuar bashkëpunim dhe integrim në BE. Ndihma e BE për Shqipërinë është më e larta në rajon, sipas raportimeve të Komisionit”, thuhet në letër raportin. Sipas Holandës, kusht mbetet reforma elektorale në linjë me rekomandimet e ODIHR dhe sigurim të transparencës për partitë politike dhe manifestet elektorale. “Qeveria mbështet konkluzionet e Komisionit se Shqipëria e ka përmbushur këtë kusht. Zgjedhjet e fundit u mbajtën sipas amendimeve elektorale dhe shkuan mirë. Qeveria konsideron se është e rëndësishme të ketë rregullime të qarta për financimin e partive politike dhe fushatave. Eshtë e rëndësishme që të mbahet një reform e gjerë për financimin e partive politike nga parlamenti i ri”, thuhet në letër. Sipas Holandës, kushti i dytë i rëndësishëm mbetet vazhdimi i implementimit të reformës në drejtësi, duke përfshirë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë në konsideratë ekspertizën ndërkombëtare si dhe duke përfshirë edhe opionionet e Komisionit të Venecias. “Qeveria ndan mendimin e Komisionit se Shqipëria e ka përmbushur këtë kusht. Të dy edhe Gjykata Kushtetuese edhe Gjykata e Lartë e kanë kuorumin për të marrë në shqyrtim cështjet. Duhet të bëhet akoma punë në plotësimin e këtyre institucioneve. Opinioni i Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese është marrë në konsideratë”, thuhet në raportin e Holandës për Shqipërinë. Holanda si kusht të tretë kërkon vendosjes e strukturave speciale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Qeveria mbështet vendimin e Komisionit se ky kusht është plotësuar. SPAK dhe gjykatat e lidhura me të janë operacionale” shkruhet në raport. Sa i takon kushtit tjetër Holanda vë theksin tek masat konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke përfshirë bashkëpunimin me vendet e BE dhe nëpërmjet Planit të Veprimit me rekomandimet e Task Forcës. “Qeveria është e kënaqur me hapat e ndërmarra nga Shqipëria për bashkëpunimin me policinë ndërkombëtare. Qeveria konfirmon se koperimi me qeverinë hollandeze është përmirësuar. Korrupsioni mbetet një problem i madh dhe i shpërndarë dhe do të kërkojë vëmendje në vitet në vazhdim. Në këtë kontekst, është pozitive që SPAK është plotësisht në punë. Në raportin e fundit të GRECO thuhet se Shqipëria ka implementuar 9 nga 10 rekomandimet dhe Shqipëria është duke punuar me rekomandimin e fundit. Kjo tregon se Shqipëria po ecën në luftën kundër korrupsionit. Në të njëjtën kohë, Shqipëria duhet të marrë hapa të mëtejshëm në ndërtimin e rekordeve investigative, të hetimit dhe dënimit të krimeve në të gjitha nivelet”, thuhet në letrën drejtuar komisionit. Si kusht të pestë por të rëndësishëm, Holanda ka renditur adresimin e fenomenit të aplikimeve për azil dhe sigurimi i riatdhesimit. “Qeveria konfirmon se konkluzioni i Komisionit për rastet e riatdhesimit është përmirësuar. Policia shqiptare dhe lidhjet me policitë e vendeve të BE kanë luajtur një rol pozitiv. Gjithsesi qeveria mbetet e shqetësuar për migracionin e parregullt nga Shqipëria dhe në mënyrë të vecantë atyre që përpiqen të shkojnë në Britani përmes porteve hollandeze”, thuhet në letër. I fundit kush që Holanda rendit janë amendamentet për ligjin e medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias. “Si shumë partner ndërkombëtare, qeveria hollandeze ka qenë e shqetësuar për amendamentet e propozuara për ligjin e medias sa i përket shpifjes. Një opinion i Komisionit të Venecias njeh shqetësimet dhe ka bërë rekomandime. Ligji i prezantuar në parlament është jashtë tavolinës tashmë. Qeveria mendon se cdo amendim i legjislacionit në këtë fushë duhet të jetë në linjë me rekomandimet ndërkombëtare”, përfundon letër raporti që Holanda i ka dërguar Komisionit Europian për tu përgatitur për vendimin e 22 qershorit në Bruksel.