Nga Fernada Cenko
Ashtu siç ishte paralajmëruar, Partia Demokratike ka shërndarë drejt bazës formularin që duhet të plotësojnë për të bërë analizën se përse humbën në zgjedhjet e 25 prillit. Përveç informacionit që Basha ka kërkuar në lidhje me influencat që kanë punuar për Partinë Demokratike dhe kundër saj, bie në sy edhe një tabelë që duhet të plotësohet nga degët e partive në çdo cep të Shqipërisë. Në formular, duhen plotësuar rezultatet në zgjedhjet parlamentare duke nisur nga përballja elektorale e vitit 2009, e deri në zgjedhjet e fundit të 25 Prillit. Dhe çuditërisht ajo që kërkohet është aq shumë e rëndësishme për të parë trendin e viteve, sa selia blu në qendër nuk e ka, por ja kërkon bazës. Është pak e çuditshme që në partinë e madhe të opozitës por edhe në vend mos merret dikush se çfarë është bërë me votat e shqiptarëve që prej vitit 2009. Edhe pse në Partinë Demokratike ka persona që merren më çështjet zgjedhore, dhe që ulen për të kalkuluar votat apo të bëjnë krahasimi, duket se Basha i ka rënë shkurt duke i kërkuar krahas informacioneve edhe votat që ka marrë Partia Demokratike, PS, LSI dhe partitë e tjera në katër zgjedhjet e fundit parlamentare. Me siguri PD i gjente mjaft shpejt, mjafton që pak orë punë të futen në faqen zyrtare të KQZ-së, por duket se asgjë nuk merret seriozisht dhe këtë informacion mjaft të lehtë për ta pasur ua kërkon drejtuesve të PD në seksione dhe grup seksionesh.
Formulari
Partia Demokratike ka kërkuar nga degët e saj në të gjitha qarqet që të plotësojnë një formular në lidhje me analizimin e asaj që e cilësojnë masakrën zgjedhore. Në pikën 5 të formularit, demokratëve u kërkohet të identifikojnë të gjitha fenomenet negative të përdorura nga kundërshtari politik, personat influent që kanë punuar kundër PD, niveli i angazhimit të tyre dhe format e përballjes. Kjo do ti lehtësojë kupolës së PD vlerësimin e punës së secilit prej drejtuesve lokale të partisë, kontributi i të cilëve gjithashtu do të kalojë në filtrin e fazës së parë të analizës analitike, gjatë fazës së parë.
Emrat e personave influentë që kanë kontribuar për PD-në, ndarja e zonave mes ekipit të kandidatëve, organizimi elektoral i fushatës, por edhe gjendja e strukturës së partisë do të jenë gjithashtu në fokus të analizës së detajuar të demokratëve. Filtrit nuk do ti shpëtojnë as aleatët, pasi formulari i kërkon drejtuesve lokalë të përcaktojnë se cila ka qenë vlera e shtuar e koalicionit për secilën zonë. Analiza analitike do të dorëzohet brenda datës 5 korrik, ndërsa faza e parë do të mbyllet 5 ditë më pas, kur të dhënat për çdo qark do ti dorëzohen kryesisë së Partisë Demokratike. Ky vendim u mor ditën e premte në Kryesinë e PD-së. Në udhëzimin që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, e firmosur dje, kërkohet një analizë e cila do të shërbejë për të treguar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në rezultatin zgjedhor. Sipas udhëzimit, formati për hartimin e raportit përmbledhës analitik, ka si karakter orientues dhe që përmban të dhënat minimale që duhet të raportohen. Udhëzimi vjen pas mbledhjes së fundit të kryesisë së PD-së ku është vendosur nisja e analizës së zgjedhjeve. Ndërkohë u vendos edhe mbajtja e Kuvendit Kombëtar më 17 korrik 2021.