Të fortin e bën makina

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Frrok Çupi

 

… Të fortin nuk e bën nëna, por e bën makina- mund të ishte ky një variant i gjetjes se si formohen ata që kanë marrë përcaktimin ‘të fortët’. Por nuk besoj se duhet ngatërruar ‘nëna’ në këtë mes. Shumëkush i mbledh këto ngjarje në zarfin me nënë e fëmijë, me lot e mallkime… Nuk është e dobishme

Kjo prapë, sapo jemi vënë në udhë, do të na e humbte fillin për të gjetur se si lindin e rriten të fortët. Si u rrit i forti që ngiste makinën me 200 km në orë dhe vrau një familje të tërë?…, si u zmadhuan vëllezërit pronarë në Velipojë derisa vranë njëri tjetrin dhe një punëtor 20 vjeç?!. Keni parë që të shfaqet nëna e ndonjë të forti pasi ky ka kryer tmerrin? Jo, nëna e ka kryer punën me aq sa bëri; makina- kjo e bën të fortin. Nuk është fjala thjesht vetëm për një veturë ‘Audi’, luks e tëra, që u kap në vdekjen drejt Vlorës. Të gjithë të fortët kanë prapa makinë; makinë është arma, makinë është paraja, makinë është fisi, makinë është shteti dhe posti, makinë është korrupsioni, makinë është edhe ideja e të gjithë- pushtetshmit.

Nga nëna te makina është rruga e shtruar e një karriere të tërë. Karriera e të fortit nuk matet përmes shkallëve nga poshtë- lart.

Nëse i sillni ndërmend sa tmerre kanë kryer të fortët në vendin tonë tre dekadat e fundit- kjo dëshmon se tërë fryma ‘e të keqes’ vjen nga lart:

A vijnë katër vetë për të ‘folur ndër veti’, ulen dhe në vend të duhanit- venë armët mbi tavolinë?! Kush i solli armët?… Ishte një ditë e keqe e marsit të vitit 1997 kur dikush nga shumë lart dha urdhër ‘të hapen depot e armëve!’ të shtetit. Armët erdhën nga lart; mund të shkojnë edhe më poshtë- në shkollë, edhe në spitale, edhe në dasma…, ku ta dish. Në vitin e luftës ’97, prej tyre u vranë 3000 vetë, sot 4; edhe shifra nga lart- poshtë.

Po të mos kishte shtetin, as ai ‘i forti’ në majë të piramidës nuk do të ishte i zoti që të hapte depot. Edhe ai, pa makinën, do të ishte si njëri prej nesh; ndoshta sot do të ishte një burrë në lezet që do të kërkonte punë te shezlongjet në plazh. A e përfytyroni doktor Berishën duke kërkuar punë në një plazh të vendit? Vetëm atëherë do të ishim në liri e demokraci, vetëm atëherë do të ishim të qetë.

Mirëpo ai kishte me vete makinën shtet. Për dreq edhe vetë filozofët e shtetit, që nga John Lock, e kanë quajtur shtetin ‘një makinë’. Këta tanët e kanë marrë filozofin si shitës makinash dhe i kanë hipur makinës së ferrit. Presidenti dhe kryeministri i vendit- dy poste të stërlarta, janë kapur tek rrezikojnë paqen e vendit. Janë kapur në korrupsion të rrezikshëm, në minimin e demokracisë që është shpirti i kohës. Presidenti i tanishëm është kapur me sfurqe e me kosore duke u bërë thirrje ‘vikingëve’ shqiptarë që të vrasin kë të kapin. Një djalosh në Sarandë u betua se kishte dëgjuar Ilir Metën dhe prandaj mori sëpatën e i preu gishtat kolegut… Por e gjitha erdhi nga lart: Sëpata, presidenti, kryeministri, modeli, makina, forca, tërbimi…

Lexo edhe :  Media e pashpirt, si një hijenë!

Nuk keni dëgjuar çfarë fati do të kishe sikur të të vinte në shënjestër ‘ai lart’?, dmth., ai që ngiste makinën e shtetit? Të pinte e zeza… Askush nga këta ‘të fortë’ nuk është aty për hir të nënës, por për fat të makinës.

Kam frikë se ka ardhur një moment kur shoqëria bën sikur ka rënë në dashuri me ata që e shtypin me makinë ose e rrahin. Kjo do të ishte tmerrshme. Pa mendoni sikur në fshat t’u vijë një makinë luksoze ose dikush që qet me kallashnikov? Deri para pak kohe, edhe në rrugët e Tiranës këta ndiqeshin me ‘përulësi’ prej tifozëve. Kam shumë frikë se ndodh prapë kështu. Ndryshe nuk kishte arsye që të vinte Amerika të na dëshmonte ‘cili është më i forti’ e cili është ‘më i korruptuari’.

Këta ‘të fortët’ mund të ishin njerëz normalë; mund të ishin si një nga personazhet e Tolstoit. Personazhi kërkonte sa më shumë tokë dhe vrapoi gjithë ditën që të rrethonte sa më shumë hektarë. Vrapo e dihat… Në fund të ditës vdiq dhe mori vetëm aq sa zuri trupi i tij i shtrirë përdhè  Nëse do të ishin si ‘ai personazhi’, të gjithë këta ‘feudalët’ tanë do të ishin si ditën e parë kur mbërritën në qytet, me valixhe druri dhe me një shkop fshese që e bënin si mikrofon kronisti televiziv…, nëse nuk do të kishin makinën.

… Por kjo është çështja:

Çështja e parë është se shteti e ka shumë të thjeshtë që të mundë ‘të fortin’ dhe të na lërë të lirë ne- të vdekshmit e zakonshëm; shteti e ka të lehtë sepse atij i merr makinën dhe kaq është puna. Makina quhet toka a prona e pa ligjshme ose e vjedhur direkt, pushteti i okupuar, arma pa leje, etj. Të fortët prej këtej marrin forcë

Çështja e dytë është po kaq me peshë. Nëse shteti nuk ia zotëron makinën e të fortit, atëherë ky është rrezik i madh. Në këtë epokë të teknologjive të larta dhe mundësive pa fund, individi mund të bëhet më i fuqishëm se vetë qeveria dhe shteti; atëherë vjen një katastrofë për të urtët dhe të vegjlit.

Po përderisa është makina- mjeti që i rrit, atëherë është e thjeshtë që edhe të mos rriten; thjesht u merret makina. Siç ndodhi me atë që bëri Amerika: Për pesë minuta- sa u hoqi korrupsionin, u shfrynë më të tmerrshmit në makinën e shtetit tonë këtu në Tiranë.

Të fundit

Përpjekjet për të justifikuar ‘marrëveshjen’ që shuajti revolucionin

Nga Mero Baze Për të identifikuar personat të cilët donin të fitonin besimin tek Berisha kur ai po përpiqej të...

Ledjona tregon për të atin pas daljes nga “BBV3”: Ka pasur probleme shëndetësore

Në një intervistë të dhënë në “Ftesë në 5”, Ledjona ka folur për herë të parë për familjen e saj dhe mënyrën sesi ata...

EMRAT/ Kush janë të arrestuarit nga SPAK në Bashkinë e Tiranës

Emrat e dejtorëve të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës të arrestuar ditën e sotme nga SPAK janë bërë publike. Mësohet se në pranga kanë...

Rryma e oqeanit përshpejtohet me nxehtësinë. Problem për akullin e Antarktidës

Shkenca Rryma Rrethore e Antarktikut intensifikohet me rritjen e temperaturave: është e destinuar të rritet në shpejtësi dhe të hajë akullin.   Elisabetta Intini   Çfarë mbart më...

I lumtur deri në… budallallëk

Nga Leonard Veizi Të lumtur në jetë të jetëve... Epo kjo është sentencë krejt folklorike. Sepse realiteti nuk do shumë mund për t’u kuptuar se është...

Lajme të tjera

Web TV