Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të dërguar për interpretim çështjen e zgjedhjeve vendore 2019 në Komisionin e Venecias, shton dyshimin se edhe institucionet e reja të drejtësisë “tremben” nga politika. Çfarë pritet të ndodhë dhe a mund të kthehet “udhëtimi ligjor” Venecia-Tiranë në precedent absurd? Flasin për gazetën “Fjala” analistët Frrok Çupi, Plator Nesturi dhe Leonard Karaj.
Nga Fernada Cenko
Godina e hirtë dhe e rëndë, që plotëson trekëndëshin fizik kryeministri-presidencë, ka nisur të funksionojë, por ende jo që të “flasë” për të heshtur të tjerët. Gjykata Kushtetuese mori një vendim për të “mos marrë vendim” në lidhje me ligjshmërinë ose jo të zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Pas shqyrtimit të çështjes dhe pretendimeve të palëve pro dhe kundër, shtatë anëtarët e kushtetueses duket se nuk ishin në gjendje që të mbanin një peshë, të cilën e quajnë të rëndë, ndonëse janë elita e sistemit të drejtësisë. Ajo vendosi që dosjen e hirtw ta çojë për interpretim në Komisionin e Venecias, e cila edhe një herë si shumë herë është e detyruar të merret e rimerret sërish me Shqipërinë, që nuk është në gjendje që të zgjidhë problemet e saj, edhe kur institucionet e reja të drejtësisë janë ngritur. Pikëpyetjet janë të mëdha dhe nisin që nga aludimet mbi “aftësitë profesionale” të anëtarëve të kushtetueses dhe deri në dyshimin se po bëjnë “politikë” duke e mbajtur mirë me të gjithë dhe shmangur sulmet që do i vinin nga palët. Por pikërisht për këto problematika duhet edhe Gjykata Kushtetuese që të mos bëjë politikë, por tregojë ligjin dhe mbrojë “librin e shenjtë” juridik e cila quhet: Kushtetutë. Mbi këtë situatë të paqartë, e cila minimalisht mban zvarrë edhe për disa muaj një vendim për zgjedhjet lokale të vitit 2019, flasin për gazetën “Fjala” analistët Frrok Çupi, Plator Nesturi dhe Leonard Karaj.