Franca, vendi ku u formua elita politike shqiptare: Ja 50 drejtuesit, ministrat, mbretëreshat dhe princat e Shqipërisë dhe Kosovës të arsimuar në Francë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mentor Hoxha

Sistemi arsimor francez është ndër sistemet më të përparuara në botë. Mijra studentë nga e gjithë bota ëndërrojnë të studiojnë në Francë. Franca shquhet jo vetëm për arsimin cilësor, por dhe për koston e lirë të studimeve. Universitetet në Francë kushtojnë më pak se universitetet në Shqipëri. Studentët në Francë ndihmohen nga shteti në strehim e transport dhe kanë të drejtë pune. Universiteti më i famshëm në Francë është Universiteti i Sorbonës, i klasifikuar si ndër universitetet më të mira në botë. Universitete të njohura ka edhe në Paris, Lion, Montpellier, Marsejë etj. Në shkollat franceze janë formuar personalitete të shquara brenda dhe jashtë Francës, përfshirë disa presidentë, kryeministra, mbretër, mbretëresha, princër, princesha, gjeneralë, nobelistë, shkencëtarë, akademikë, juristë, avokatë të famshëm etj. Franca dhe shkollat franceze kanë luajtur një rol të madh edhe në formimin e elitës politike shqiptare. Pothuaj të gjithë drejtuesit kryesorë dhe më jetëgjatë të Shqipërisë nga viti 1912 kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë janë diplomuar apo specializuar në Francë. Nga shkollat franceze kanë dalë 3 presidentë, 4 kryetarë kuvendi, 10 zv/kryeministra, një mbret, një mbretëreshë, një princeshë, 80 ministra dhe mbi 100 deputetë. Shumica e tyre janë formuar në Paris, Lion, Montpellier, Tuluzë. Edhe dy presidentët e parë të Republikës së Kosovës dhe disa presidentë, mbretër dhe mbretëresha me origjinë shqiptare janë arsimuar në Francë. Një rol të madh ka luajtur edhe Liceu Francez i Korçës (1917-1939) ku u formua elita politike, akademike, shkencore, kulturore, letrare dhe intelektuale e shtetit shqiptar në periudhën midis dy Luftrave Botërore dhe më pas. Në listën e mëposhtme nuk janë përfshirë kryeministrat, kryeparlamentarët dhe ministrat e diplomuar në Liceun Francez të Korçës.

Edi Rama (1964). Kryeministër i Shqipërisë nga 13 shtatori i vitit 2013. I zgjedhur për tre mandate radhazi (2013; 2016 dhe 2021). Më 1993 u vendos në Francë për studiuar në “Cité des Arts” dhe për të krijuar një karrierë artistike. por që gjeti edhe lirinë që i kishte munguar në vendlindje. Në një intervistë për radion “France Inter” përballë gazetarit të njohur francez Frederik Miterran, Rama thotë: “Unë e kam mësuar frëngjishten pa mësues, por thjesht duke lexuar librat e ndaluar mbi impresionizmin, post-impresionizmin e kështu me radhë. Doja të shijoja lirinë dhe liria më solli për tre vjet në Francë, në Cité des Arts”. Edi Rama është nderuar nga Franca me Urdhërin e lartë “Komandant i Legjionit të Nderit” (30.03.2017) nga ish Presidenti francez, Francois Hollande për forcimin e marrëdhënieve Francë -Shqipëri.

Sali Berisha (1944). Politikani më jetëgjatë pas rrëzimit të regjimit komunist. Ka qenë dy herë kryeministër (11 shtator 2005 -8 shtator 2013), dy herë president (8.04.1992 -korrik 1997) dhe kryetar i PD-së për shumë vite. U specializua për kardiologji në Paris (1978). Specializmi në Francë, mendimi i lirë dhe demokracia franceze i mundësuar atij një karrierë të shkëlqyer si mjek, si kërkues shkencor dhe si politikan.

Enver Hoxha (1916-1985). Shqiptari më i fuqishëm pas Luftës së Dytë Botërore. Nga nëntori i 1944-ës e deri kur vdiq më 11 prill 1985 udhëhoqi Shqipërinë me dorë të hekurt për rreth 50 vite. Në 10 vitet e para të pasluftës, mori në duar të gjitha pushtetet. Ishte njëkohësisht edhe Sekretar i parë i Partisë Komuniste, edhe i Ekzekutivit, duke u kthyer në një diktator. Kreu Liceun Francez të Korçës (1927-1930) dhe ndoqi studimet e larta për biologji në Faculte des sciences naturelles në Montpellier (tetor 1931-1934). Në vit të tretë i ndërpritet bursa pasi nuk shkonte në universitet.

Ismail Qemali (1844-1919). Ndryshe Ismail bej Vlora. Babai i Pavarësisë dhe Kryeministri i parë i Shqipërisë (28.11. 1912-22.01. 1914). Pas largimit nga Stambolli u vendos në Nicë të Francës dhe po në Nicë u largua pas dorëheqjes si kryeministër më 22 janar 1914. Franca i ofroi azil politik, por ai nuk e pranoi, sepse donte të ishte pranë bashkëatdhetarëve në atë periudhë kur varej ekzistenca e shtetit shqiptar. Në moshën 16 vjeçare punoi si përkthyes i frëngjishtes në Ministrinë e Jashtme të Perandorisë Osmane. Më pas atashe kulturor në Ambasadën Osmane në Paris ku kreu studimet për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Kur sulltani e emëroi Vali në Libi, ai nuk shkoi Tripoli, por në Paris nga ku nisi punën për Pavarësinë e Shqipërisë.

 

Rexhep Meidani (1944). President i Shqipërisë (24.07.1997 -24.07. 2002), Sekretar i Përgjithshëm i PS-së (1996-1997), anëtar i Këshillit Presidencial (1991) dhe Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (1991). Ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin e Kanës (1974).

Skënder Gjinushi (1949). Zv/Kryeministër dhe ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale (korrik 2002 -shtator 2005), Kryetar i Parlamentit (1997-2001), ministër i Arsimit (1987-shkurt 1991) dhe kryetar i Akademisë së Shkencave (24.05.2019 -vazhdim). Ka kryer studimet pasuniversitare në Paris, në Universitetin “Pjer Mari Kyri” (1973-1977).

Kastriot Islami (1952). Kryetar i Parlamentit (1991-1992), Zv/Kryeministër (1998-1998), ministër Arsimi (1991-1991), ministër i Shtetit (1997-1998), i Financave (korrik 2002-2004) dhe i Punëve të Jashtme (29.12. 2003 -12.09. 2005). Ka titullin “Doktor Shkencash” nga Universiteti Paris XI, ku ka kryer studimet e thelluara për Fizikë Atomike dhe Molekulare (1981-1985).

Koço Theodhosi (1913-1977). Zv/Kryeministër (1955; 16.07. 1962 -18.03.1966), ministër i Industrisë (1954-1955; 1.01.1965-30.10. 1974) dhe i Minierave (30.10.1974 -1.09.1975), ndër themeluesit e PKSH-së dhe anëtar i Byrosë Politike të saj. Kreu Liceun Francez të Korçës (1934) dhe studimet për Kimi në Universitetin e Lionit.

Myfid bej Libohova (1876-1927). Zv/Kryeministër (22 mars 191-29 janar 1920), ministër i Financave (30 maj -10.06. 1924), i Drejtësisë (3 mars -27 maj 1924) dhe i Kultit (14 mars-3.09. 1914), zv/Kryeministër dhe ministër i Jashtën (korrik 1913-14 mars 1914) dhe ministër i Brendshëm (4.12. 1912 -korrik 1913). U diplomua për frëngjisht në Liceun francez perandorak “Galata Saraj” dhe në Shkenca Politike në Stamboll e Paris.

Ymer Dishnica (1912-1998). Kryetar Kuvendi (1946 -1947) dhe ministër i Shëndetësisë (22 tetor 1944- 21 mars 1947), ndër themeluesit dhe drejtuesit e PKSH-së dhe ndër udhëheqësit kryesorë të Luftës Antifashiste. U diplomua në Liceun Francez të Korçës (1932) dhe studioi për 8 vite për mjekësi në Universitetin e Lionit dhe të Parisit (1932-1941).

Medar Shtylla (1904-1963). Kryetar Kuvendi (1958- 1963), ministër i Shëndetësisë (2 tetor -22 nëntor 1948 -1955), i Ekonomisë (23 tetor 1944-21 mars 1946) dhe ambasador në Francë (1950-1952). U diplomua në Liceun Francez të Korçës (1925) dhe në Fakultetin e Veterinarisë në Tuluzë (1949).

Kolë Paparisto (1914 -1980). Nën/kryetar i Kuvendit dhe deputet (1950-1970). U diplomua në Liceun francez të Korçës dhe në Universitetin e Sorbonës (1941), dega biologji.

Sami Baholli. Sekretar i Presidiumit të Kuvendi Popullor (1945-1962). U diplomua në Lion të Francës.

Ridvan Bode (1959). Ministër i Financave (1997-1998, shtator 2005-2013). Ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin e Montpelie (1992-1995).

Et’hem Ruka (1947). Ministër i Mjedisit (6.09. 2001-2002, 2003-2005), i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit (2002-2003) dhe i Arsimit dhe Shkencës (25 korrik 1997-3 maj 2001). Kreu studimet pasuniversitare për biologji në Universitetin “Pierre et Marie Cyrie” në Paris (1978-1983).

Maksim Cikuli (1952-2020). Ministër i Shëndetësisë (2005-2007) dhe i Mbrojtjes së Mjedisit (1994-1997). U specializua në Universitetin Paris V (1981-1984).

Milena Harito (1966). Ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike (11. 09.2013 -shtator 20017). Ka dy diploma nga Parisi: Diplôme d’études supérieures spécialisées, 1993) dhe Diplomë në studime doktorale në Teknologji informacioni dhe Komunikimi nga Universiteti Pierre dhe Marie Curie (1997).

Mirela Kumbaro (1966). Ministre e Kulturës për dy mandate radhazi (14 shtator 2013-17 janar 2019). Ka kryer studimet Master në Përkthim dhe Komunikim Ndërkulturor nga Universiteti Sor-bonne-Nouvelle, Paris (1994).

Sabit Brokaj (1942-2020). Ministër i Shëndetësisë (shkurt 1991 -dhjetor 1991) dhe i Mbrojtjes (25 korrik 1997-1999) dhe një nga themeluesit dhe drejtuesit e PS-së. Kreu dy specializime në Paris (për Cardiology, 1979 dhe për Echocardiology, 1982).

Kahreman Ylli (1917-1975). Ministër i Arsimit (1949-1952), ambasador në Francë (1946-1948) dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor në 6 legjislatura. U diplomua në Akademinë Pedagogjike të Lionit (1936-1940).

Lexo edhe :  Unë jam Zoti juaj më i lartë!

Hasan Dosti (1895-1991). Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” (03.10. 1949) që u formua në Paris me mbështetjen e SHBA-së, ministër i Drejtësisë (janar 1942- maj 1942) dhe një nga themeluesit e drejtuesit “Ballit Kombëtar”. U diplomua në Universitetin e Parisit (1922-1927) ku merr gradën “Doktor i Shkencave në Drejtësi”.

Bilbil Klosi (1915-1978). Ministër i Drejtësisë (1951-1966) dhe Sekretar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1966-1973). Kreu Liceun francez të Korçës dhe studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Grenoble.

Gjergj Kokoshi (1904-1960). Ministër Arsimi (23 tetor 1944 -13 janar 1946) dhe Kryetar i opozitës në zgjedhjet e para parlamentare të pas çlirimit (1945). U laurua për letërsi në Universitetit të Parisit (1931).

Manol Konomi (1919-2002).Ministër i Drejtësisë (1944-1951). U diplomua për Drejtësi në Universitetin e Tuluzës.

Kudret Çela (1945). Dy herë ministër i Drejtësisë (dhjetor 1991-prill 1992 dhe prill 1992 -dhjetor 1994). Ka kryer 4 specializime në Francë (Paris 1999, 1991, 2002, Bordo, 2004).

Thoma Orollogaj (1891 -1947). Ministër i Drejtësisë (1936-1939). Kreu një specializim dy vjeçar në Francë.

Llambi Peçini. Ish ministër i Shëndetësisë. U specializua në Paris.

Mihal Turtulli (1856-1935). Ministër i Arsimit dhe Shëndetësisë (20 maj 3 shtator 1914) dhe ministër pa portofol (dhjetor 1918, 25.12. 1918 -29 janar 1920). Kreu Kolegjin Francez të Aleksandrisë (1876) dhe studimet e larta për mjekësi në Greqi dhe Francë (31 janar-25.12.1921).

Farudin Hoxha (1936-2017). Ministër i Ndërtimit (nëntor 1982-maj 1988). U specializua në Francë (1971) për ndërtimin e digave të larta.

Anila Godo (1956). Ministre e Shëndetësisë (2008-2009). Ka kryer një specializim për mësimdhënien në Paris në Universitetin “Lariboisiere” (1997).

Ajli Alushani. Ministër i Shëndetësisë (1982-1987). U specializua në Francë.

Ylli Çabiri. Ish ministër. I doktoruar në fushën e Transformimeve Strukturore të Çeliqeve me pak nikel dhe krom në Universitetin Paris XI, PhD (1981).

Mimoza Hafizi (1962). Zv/ministre e Arsimit dhe e Shkencës (2013-2016). Ka dy diploma nga Universiteti Paris 7: Diplomë e thelluar në Fizikën Teorike dhe gradën “Doktor i Shkencave” në Fizikën Teorike.

Etjen Xhafaj (1982). Zv/ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë (2020 -vazhdim) dhe zv/ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme (7 tetor 2017- 3 shtator 2020). Ka kryer studimet Bachelor në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Schiller International University) në Kampusin e Parisit.

Sadedin Çeliku (1951). Ish zv/ministër i Transportit dhe Punëve Publike. I specializuar në Marseille (1989).

Geraldina De Nagy Appony (1915-2002). Mbretëreshë e Shqiptarëve (1939). Ndonëse mbretëroi vetëm një vit (27 prill 1938- 6 prill 1939) është një nga mbretëreshat më të dashura për shqiptarët për shkak se e deshi shumë Shqipërinë dhe Mbretin shqiptar. Emrin e saj e mban Materniteti i vjetër publik në Tiranë dhe disa rrugë, shkolla dhe institucione. Historia e saj është pasqyruar në disa libra biografikë dhe dokumentarë në Francë duke ngjallur interes te publiku francez po aq sa historia e familjeve të mëdha mbretërore të Europës. Veçohet libri i biografes së njohur franceze, Josephine Dedet dhe dokumentari në kanalin televiziv franko-gjerman ARTE nga ish ministri i Kulturës në Francë Frederic Miterrand, i cili thotë: “Mbretëresha Geraldinë ishte e bukur si një yll kinemaje”. Geraldina fliste shkëlqyeshëm frëngjisht. Ajo ka studiuar në Liceun e Nisës dhe në Menton të Francës në një shkollë angleze. Ajo dhe Mbreti Zog ishin të marrosur pas modës franceze. Unaza e fejesës dhe fustani që veshi natën e parë në cermoninë e fejesës më 31 janar 1938 u blenë në Francë. Josephine Dedet thotë: “Pjesa më e madhe e plaçkave për fejesën dhe martesën e saj u soll nga Parisi prej vetë Mbretit. Ai kishte porositur një rrobaqepës të vinte nga Franca për të marrë masat e Geraldinës, ndërsa dy shtëpitë e modës Channel dhe Worth, të zgjedhura nga Mbreti, bënë një kallëp me përmasat e saj. Nga Maison de Blanc në Paris, ai porositi fustane shumë të bukura për në shtëpi dhe dhjetëra komplete të brendshmesh prej mëndafshi, të stolisura me dantella elegante”. Me Parisin, Geraldina kishte lidhje të thella dhe të hershme. Babai i saj ishte martuar në Paris dhe kishte prona në kryeqytetin francez. Vitet e fëmijërisë dhe të vajzërisë, Geraldina i ndau mes vendlindjes së saj Hungarisë dhe Parisit, ku jetonin prindërit dhe të afërmit e saj. Fati tragjik e deshi që edhe 7 vitet e martesës t’i kalonte me Mbretin dhe djalin e saj, Lekën në Paris (1954-1961).

Leka Zogu (1939-2011). Mbret i Shqiptarëve (1961-2011). E trashëgoi këtë post nga babai i tij, Ahmet Zogu, i cili qe Mbret i Shqipërisë nga 1 shtatori i vitit 1928 deri më 9 prill 1961 kur ai vdiq në spitalin Foch të Parisit nga sëmundja. Leka u kurorëzua Mbret i Shqiptarëve më 15 prill 1961 në ceremoninë speciale të organizuar në hotelin “Bristol” të Parisit. Titullin e trashëgimtarit e kishte marrë po në Paris më 5 prill 1957 në moshën 18 vjeçare. Nga gushti i vitit 1945 e deri më 1961 jetoi në Paris dhe Kanë ku ndoqi studimet e larta për Shkenca Politike dhe Ekonomike në Universite De Sorbone.

Suzanë Zogu -Cullen-Ward (1941- 2004). Mbretëreshë e Shqiptarëve (1961-2004). E mori këtë titull më 15 prill 1961 në Paris. Po në Paris u martua më 1975 me Princin shqiptar, Leka Zogu I. Universiteti i Sorbonës në Francë kërkoi nga ajo që të thellonte dijet dhe të jepte kontributin e saj pranë këtij institucioni.

Elia Zogu -Zaharia (1983). Princeshë e Shqiptarëve (2016 e në vazhdim). E mori këtë titull më 8 tetor 2016, kur u martua me trashëgimtarin e Oborrit Mbretëror, Princ Leka. Për rreth 10 vite Elia ka jetuar në Paris ku ka studiuar për art dramatik në Conservatoire National de la Région de Bordeaux (2003-2005) , në Cours Florent (shkollë private aktrimi, 2005-2007) dhe për studime teatrale në Université Paris 8 (2007-2010).

Ibrahim Rugova (1944-2006). Politikani më popullor në Kosovë, Presidenti i parë i Republikës së Kosovës (i zgjedhur dy herë, 1992-2000; 2002-2006), themelues dhe Kryetar i LDK-së (23 dhjetor 1989-2006) dhe Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë (1996). Pas vdekjes u shpall “Hero i Kosovës. I nderuar me tituj, urdhra dhe medalje të shumta kombëtare e ndërkombëtare. Shumë rrugë, sheshe, trotuare dhe institucione publike në Kosovë mbajnë emrin e tij. Kreu një vit akademik në Paris (1976-1977) në École Prati¬que des Hautes Études, në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. nën mbikëqyrjen e prof. Roland Barthes-it.

Fatmir Sejdiu (1951). Dy herë president i Kosovës (10.02 2006 -17.02. 2008 dhe 09.01.2008- 27.09. 2010). Është presidenti i dytë i Republikës së Kosovës. Studimet e thelluara i kreu në Universitetin Paris 2 dhe në SHBA.

Ymer Jaka (1937-2009). Ka qenë Sekretar Krahinor i Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë. Kreu studimet pasuniversitare për dy vite në Paris si bursist i Qeverisë Franceze (1968-1970).

Zekeria Rexha (1910-1972). Ish ministër Arsimi dhe nën/kryeministër i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit në periudhën e Jugosllavisë. Kreu Liceun Francez të Korçës dhe Fakultetin Filozofik në Universitetin e Tuluzës.

Në Francë janë arsimuar edhe disa presidentë, mbretër dhe mbretëresha të vendeve të tjera me origjinë shqiptare. Këto janë: Theodoros Pangalos (1878-1952), President (19 korrik 1926 -22 gusht 1926) dhe Kryeministër i Greqisë (26 qershor 1925 -19 korik 1926) me origjinë arvanitase. U diplomua në Paris. Para Luftës së Parë Botërore jetoi në Francë. Me fillimin e saj, u rikthye më 1914 nga Franca në Greqi.
Diomidh Qiriako (1811-1869), Kryeministër i Greqisë (18.3.1863-29.4.1863) me origjinë arvanitase. Lindi më 1811 në ishullin e Specas. U diplomua për drejtësi në Universitetin e Pizës dhe të Parisit. Aleksandro Diomidi (1875-1950), ministër i Ekonomisë (1913), i Drejtësisë (më 1918) dhe ministër i Jashtëm (më 1922) i Greqisë me origjjinë arvanitase.
Ismail Pasha (1830-1895), Mbreti i parë i Egjiptit (1863-1895) me origjinë shqiptare. U lind në Egjipt. U shkollua në Paris dhe Vienë.
Nazli Sabri (1894-1978), Mbretëreshë e Egjiptit (1919-1936) me gjak egjiptian-francez-shqiptar. U edukua në Paris, u martua me Fuad I, Mbret i Egjiptit me origjinë shqiptare.

Të fundit

Forcohet pasaporta e Kosovës, një tjetër shtet e njeh zyrtarisht

Armenia sot ka njohur zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, shkruan A2 CNN. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri...

Pas SHBA, Elon Musk ndërhyn në zgjedhjet gjermane, del hapur në mbështetje të AfD-së

Elon Musk njeriu më i pasur dhe më me ndikim në planet nuk resht së sfiduari me qëndrimin, zgjedhjet dhe mënyrën se si dëshiron...

Burgu i Spaçit/ Ekspozohen foto dhe dëshmi nga ish-të dënuar: Dhimbjen deri në…

Ish-të dënuarit e burgut të Spaçit përkujtohen me dëshmitë e atyre që sot janë gjallë duke rrëfyer torturat e viteve të komunizmit. Autoriteti i Dosjeve zhvilloi...

Fushata elektorale dhe aksioni opozitar/ Këlliçi: Dega 7 e PD ka ndezur motorët!

Drejtuesi Politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi u shpreh në një postim në Facebook se Dega 7 në kryeqytet ka “ndezur motorrët” prë...

Qeveria përcakton bonusin e pranverës për pensionistët/ Ja si ndahen kategoritë

Këshilli i Ministrave në një mbledhje të posaçme ditën e djeshme, miratoi Aktin Normativ, për disa ndryshime në Buxhetin e Shtetit për vitin 2024. Bonusi...

Lajme të tjera

Web TV