Të intensifikohet puna ideopolitike e Partisë me të gjithë punonjësit e qytetit e të fshatit për përdorimin me nikoqirllëk të drithërave të bukës
Në vitet -70, Shqipëria kishte probleme me sigurimin e bukës në vend dhe kjo bënte që Byroja Politike apo Komiteti Qëndror ta merrnin shpesh herë në shqyrtim këtë çështje duke e futur edhe në labirinthet politikë e të propagandës. Letra e mëposhtme, që botohet sipas origjinalit flet se si duhej shtuar kujdesi për prodhimin, ruajtjen, administrimin dhe përdorimin e mirë, me ekonomi, pa firo e me disiplinë të rreptë të drithërave të bukës.
Letër e KQ të PPSH drejtuar Komiteteve të Partise të rretheve “mbi organizimin e kontrollit punëtor e fshatar për problemin e drithërave të bukës”
13 janar 1977
Viti i parë i pesëvjeçarit të gjashtë u mbyll në përgjithësi me sukses. Plani i prodhimit të drithërave u realizua si asnjëherë, duke siguruar për herë të parë bukën në vend. Kjo ishte një fitore e madhe historike, për popullin dhe për Partinë tonë, që u arrit me punën vetëmohuese të fshatarësisë kooperativiste, të punonjësve të tjerë të bujqësisë dhe të të gjithë punonjësve të vendit. Ky fillim i mbarë duhet konsoliduar dhe duhet shpënë më përpara, nga viti në vit, sepse, sikurse na mëson Partia, lufta për bukën është luftë për socializëm, se sigurimi i bukës në vend përbën një detyrë me rëndësi të madhe ekonomike, politike dhe strategjike.
Duke e parë kështu çështjen e drithërave të bukës, si dhe duke marrë parasysh se prodhimi i tyre, nga viti në vit, do të vijë duke u shtuar me ritme të larta, është e nevojshme që organizatat-bazë të Partisë, organet shtetërore dhe ekonomike dhe të gjithë punonjësit të shtojnë kujdesin dhe punën e tyre për prodhimin, ruajtjen, administrimin dhe përdorimin e mirë, me ekonomi, pa firo e me disiplinë të rreptë të drithërave të bukës, që nga prodhimi, vjelja, transportimi, depozitimi, përpunimi dhe deri në konsumimin e tyre. Për të parë këtë punë, Komiteti Qendror i Partisë porosit që të organizohet menjëherë kontrolli punëtor e fshatar në të gjithë rrethin, i drejtuar nga komiteti i Partisë. Ky kontroll do të ketë si objekt punën që bëhet nga organizatat e Partisë dhe nga organet shtetërore e ekonomike në të gjitha proceset e punës, që nga prodhimi i drithërave e deri në konsumimin e tyre, duke e parë në brigadë, në kooperativë e në ndërmarrje bujqësore dhe deri në ndërmarrjet që prodhojnë e tregtojnë bukën. Me këtë rast, të intensifikohet puna ideopolitike e Partisë me të gjithë punonjësit e qytetit e të fshatit për përdorimin me nikoqirllëk të drithërave të bukës:
1.-Grupi i kontrollit punëtor e fshatar të verifikojë në çdo kooperativë e në çdo ndërmarrje bujqësore sasitë e drithit, të raportuar si prodhim e dorëzim në organet e grumbullimit, të përdorur për bukë e zahire për anëtarët, të përdorur për blegtori dhe t’i ballafaqojë këto të dhëna me sasitë që janë evidentuar e janë raportuar. Ai, gjithashtu, të kontrollojë gjendjen e të marrë masa në vend kur vëren çrregullime në vendosjen e drithit në koçekë e depo, në ruajtjen e tij nga dëmtimet që vijnë prej agjentëve atmosferikë, në mbrojtjen e tij nga kafshët, nga shpendët dhe nga ndonjë element keqbërës.
2.-Në kooperativat dhe në ndërmarrjet bujqësore të bëhet bilanci i drithit dhe të krahasohet me planin e aprovuar të vitit të kaluar. Në ato ekonomi që kanë gjendje drithi dhe nuk kanë plotësuar akoma planin e dorëzimit të tij, të merren masa që ai të dorëzohet sa më parë. Në ato ekonomi, që kanë plotësuar dorëzimet ndaj shtetit, pasi të jenë veçuar nevojat për bukë të anëtarëve, fara dhe sasia e planifikuar për ushqimin e blegtorisë dhe kanë gjendje drithi mbi këto sasi, vetë kryesitë e kooperativave bujqësore të vendosin mbi mënyrën e përdorimit të tyre: ta dorëzojnë në shtet, apo ta mbajnë në formën e rezervës për vete.
3.-Të kontrollohet sasia e drithit që do të përdoret për bukë e zahire, në mënyrë që ajo të mbahet e të përdoret sipas normave orientuese të caktuara.
4.-Të kontrollohen, gjithashtu, gjendja dhe sasia e drithit që do të përdoret për ushqimin e iblegtorisë. Nuk duhet të lejohet që të përdoren për blegtorinë sasi më të mëdha se ato të parashikuara në plan, nën pretekstin se u tejkalua plani prodhimit të drithit.
5.-Të mbahet parasysh që rezervat e krijuara në drithëra buke nuk duhet lejuar të përdoren pa rregull e pa ekonomi. Ato duhet të jenë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të organeve ekonomiko-shtetërore dhe mund të përdoren vetëm në raste të veçanta të justifikuara dhe kurdoherë në marrëveshje dhe me pëlqimin e komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit.
6.-Kontrolli në ekonomitë bujqësore të shtrihet edhe në përdorimin konkretisht të drithit në kohën e tanishme: në administrimin gjatë bluarjes, gatimit e pjekjes, shitjes dhe përdorimit. Këtu, një vëmendje e veçantë t’i kushtohet rrezes së bukës dhe, kudo që ajo është nën nivelin minimal të caktuar, të merren masa e të gjenden rrugë për të përmirësuar gjendjen, duke organizuar ballafaqime dhe shkëmbim të eksperiencës pozitive. Kontrolli mund të shtrihet, gjithashtu, edhe në përdorimin e drithit për ushqimin e blegtorisë, si për sasinë, ashtu edhe ,për gatimin që të rritet sa më shumë efektiviteti i tij.
7.-Grupi i kontrollit punëtor e fshatar do të kontrollojë administrimin e drithit edhe në ndërmarrjet e grumbullimit dhe të tregtimit, në depo, në fabrikat e miellit, në furra, gjatë transportit, në dyqanet e shitjes etj. Në procesin e prodhimit të miellit e të bukës të shikohet, përveç administrimit të mirë të drithit, edhe cilësia e prodhimit të miellrave dhe të bukës, si-. dornos të asaj të misrit, rritja e rrezes, mënjanimi i firove etj.
Për të kryer sa më mirë këtë detyrë të rëndësishme, grupi i kontrollit punëtor e fshatar të aktivizojë edhe kuadro e specialistë të fushave të ndryshme dhe të organizojë konsulta me punonjës, kooperativistë dhe me gra.
Grupi i kontrollit punëtor e fshatar, mbasi të zgjidhet me kujdes, të udhëzohet mirë, të përgatitet dhe të njihet me orientimet dhe me vendimet e Partisë e të Qeverisë, me vendimet e organeve të Partisë e të pushtetit në rreth, të njihet paraprakisht me gjendjen dhe me problemet që janë vërejtur në ekonomi e në sektorë të ndryshëm.
Gjatë gjithë kohës që do të ushtrohet kontrolli, grupi i kontrollit punëtor e fshatar të ndihmohet nga afër prej komitetit të Partisë të rrethit, të dëgjohen informacione dhe në përfundim të përgatitet një raport përmbledhës për gjendjen dhe për masat që duhen marrë në të ardhmen, raport i cili mund të analizohet në byronë ose në sekretariatin e komitetit të Partisë të rrethit. Rëndësi të veçantë ka që gjatë procesit të kontrollit të merren masa në vend për ndreqjen e të metave dhe të mos zvarriten.
Ju vëmë në dijeni se nga Kryeministria janë porositur organet përkatëse qendrore që të ushtrojnë në rrugën e tyre një kontroll për miradministrimin, përdorimin dhe ekonomizimin e drithërave të bukës. Prandaj do të ishte e arsyeshme që grupet e kontrollit punëtor e fshatar ta kenë parasysh.
Mbi rezultatet që do të arrihen, në mënyrë të përmbledhur, të njoftohet Komiteti Qendror i Partisë, jo më vonë se 15 shkurt 1977, duke na ngritur probleme, vërejtje e propozime.
Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH
Prokop Murra