Një shqiptare ende në Afganistan/ Ka nisur operacioni për të shpëtuar Anën e mbetur në Kabul

Top Channel ka mësuar se në Shqipëri do të strehohen të paktën 2 mijë afganë, ata janë bashkëpunëtorë të ushtrive të NATOS dhe po largohen prej andej bashkë me familjet e tyre.

Burime të besueshme i thanë Top Channel se po punohet ethshëm për të siguruar edhe strehimin e tyre në Durrës por edhe në Tiranë.

Burimet të besueshme i thanë Top Channel se janë duke u parë hotelet në Durrës nëse kanë vende të lira. Një pjesë e madhe janë plot me pushues. Ndërsa në Tiranë është duke u kontrolluar kapaciteti i konvikteve të universiteteve dhe shkollave të mesme. Një pjesë e madhe e afganëve do të qëndrojnë përkohësisht në godinat e qytetit studenti, ose në konviktet e tjera në kryeqytet.

Gjithashtu bëhet me dije se në Afganistan ka mbetur një vajzë shqiptare e quajtur Ana, e cila punonte në një organizatë ndërkombëtare. Vajza nga Shqipëria ka mbetur e bllokuar në Kabul në pamundësi për të lëvizur.

Ka nisur një operacion në bashkëpunim edhe me forcat amerikane që ndodhen ende në aeroportin e Kabulit për ta përcjellë vajzën drejt Shqipërisë.

Ndërkohë që, në aeroportin e Kabulit avionët janë duke u mbushur me afganë që po largohen me shpejtësi pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit.

Shqipëria dhe Kosova ju përgjigjën menjëherë thirrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar afganët që rrezikojnë jetën në Afganistan.

Sekretari i shtetit Blinken tha sot se rrugët dhe aeroportet duhet të qëndrojnë të hapura për ata që po ikin nga Afganistani. Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhacka bëri një koment pas deklaratës së Blinken duke thënë se Shqipëria është e gatshme të presë disa qindra persona jeta e të cilëve kërcënohet.

Lexo edhe :  Kush janë 5 deputetët që nuk u betuan sot në Parlament?

“Ne qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, të gatshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre”, shkruan Xhacka. Por afganët do vendosen edhe në Kosovë dhe qeveria e Kosovës dhe presidentja Osmani dhanë menjëherë miratimin pas kërkesës amerikane./Top Channel