Pandemia/ Rakacolli: Situata delikate, nuk po mendojmë masa shtesë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, duke e vlerësuar si delikate situatën e krijuar nga varianti Delta, thotë se shifrat vijojnë të mbeten poshtë niveleve që diktojnë nevojën e marrjes së masave shtrënguese.

Rritja e ndjeshme e rasteve ditore të infektimeve me koronavirus ka shtuar frikën për një valë të katërt të pandemisë me ardhjen e vjeshtës dhe rikthim të masave shtesë kufizuese. Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, duke e vlerësuar si delikate situatën e krijuar nga varianti Delta, thotë se shifrat vijojnë të mbeten poshtë niveleve që diktojnë nevojën e marrjes së masave shtrënguese. Lidhur me ecurinë e vaksinimit kundër Covid-19 gjatë muajit të hapur, Rakacolli ka këtë vlerësim: “Vumë re që ka një lloj hezitimi, në një kohë që ishim përgatitur që të kishim numër të madh vaksinimesh në ditë”. Për zv/ministren, qytetarët nga Afganistani që pritet të vijnë së shpejti në vend, në aspektin epidemiologjik do të trajtohen njësoj si shqiptarët, duke mos lënë mënjanë as vaksinimin kundër Covid-19. Teksa njofton se Komiteti i Ekspertëve po shqyrton mundësinë për të vaksinuar fëmijët nën 18 vjeç, Rakacolli thotë se në rast sugjerimi nga grupi i specialistëve, vendimi do të miratohet nga Ministriae Shëndetësisë. Pas një periudhe në rënie, kurba e rasteve të infektimeve në vend ka nisur t’i rikthehet ngjitjes muajin e fundit, ku të rinjtë përbëjnë edhe pjesën më të konsiderueshme të rasteve të reja.

Manastirliu

Nisur nga rritja e rasteve aktive me covid19, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu përmes një postimi në facebook, ka kërkuar nga qytetarët përgjegjësi për mbrojtjen e shëndetit për veten dhe të tjerët, duke u vaksinuar sa më parë ndaj Covid19 si dhe duke respektuar masat anti-COVID. Duke ftuar qytetarët për të shfrytëzuar ditët e muajit të hapur të vaksinimit masiv, Manastirliu shkruan se mund të vaksinohen edhe gjatë fundjavës në qendrat e vaksinimit në të gjithë vendin. “Rritja e rasteve të infektimeve ditore, të shtrimeve në spital dhe kalimi i mbi 5 mijë rasteve aktive me Covid19 në vend, kërkon nga secili prej nesh përgjegjësi për mbrojtjen e shëndetit për veten dhe të tjerët, duke u vaksinuar sa më parë ndaj #Covid19 si dhe duke respektuar protokollet e shëndetit publik të cilat përcaktojnë qartë masat që duhen zbatuar në çdo mjedis dhe aktivitet”, shkruan ministrja.

Shqipëri, 658 raste të reja me Covid, niveli më i lartë prej 21 marsit

Në Shqipëri, rastet e reja me Covid 19 shënuan një kërcim të shtunën, me 658 të infektuar, niveli më i lartë që prej 21 marsit. Të dhënat e ministrisë së Shëndetësisë dëshmojnë një përhapje të gjerë thuajse në të gjithë vendin, në të paktën 43 nga 63 bashki: 217 raste në Tiranë, 98 në Shkodër, 51 në Vlorë, 38 në Durrës, nga 20 raste në Kavajë, Sarandë, 18 në Lezhë, 17 në Vau i Dejës, nga 16 raste në Krujë, Lushnje, Elbasan, nga 15 raste në Kamëz, Fier, 12 në Gjirokastër, 9 në Malësi e Madhe, nga 7 raste në Mat, Pogradec, Kuçovë, nga 5 raste në Kurbin, Berat, nga 4 raste në Dibër, Roskovec, Tepelenë, Poliçan, nga 3 raste në Kukës, Konispol, Memaliaj, Korçë, nga 2 raste në Tropojë, Rrogozhinë, Divjakë, Mallakastër, Cerrik, Peqin, nga 1 rast në Mirditë, Patos, Selenicë, Himarë, Delvinë, Skrapar, Belsh, Gramsh, Librazhd. Autoritetet kanë shpjeguar se shtimi i rasteve është pasojë e qarkullimit të dendur të variantit Delta. Në total, deri tani, përgjatë muajit gusht numri i të infektuarve rishtazi ka kapur kuotën e 5667 rasteve, një shifër gati e barabartë me të prekurit e regjistruar përgjatë gjithë muajit prill, ose thuajse sa trefishi i muajve maj-qershor-korrik të marrë së bashku. Numri i viktimave mbetet i ulët dhe është i ngjashëm me atë të mesit të muajit maj, por ajo që vihet re është fakti se pas një periudhe të gjatë pa jetë të humbura, prej 9 ditësh me radhë po rregjistrohen të vdekur. Në total deri më tani janë rregjistruar 20 viktima gjatë gushtit. Në 24 orët e fundit, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë ndërruar jetë 2 persona: një qytetar 64 vjeç nga Tirana dhe një qytetar 84 vjeç nga Durrësi. Në rritje progresive ka ardhur dhe numri i pacientëve të cilët kërkojnë trajtim të specializuar në spital. Të dhënat e dotës së shtunë flasin për 73 të shtruar, kuota më e lartë që prej 19 majit. Autoritetet nuk kanë dhënë ende asnjë sinjal se synojnë të ndërhyjnë për të shtrënguar masat kufizuese, ndërkohë që ato që janë në fuqi haptazi shpërfillen, jo vetëm nga qytetarët por dhe nga institucionet e ngarkuara për respektimin e tyre. Thirrjet e tyre janë përqëndruar më së shumti në kryerjen e vaksinimit. Gushti është muai i hapur për vaksinimin e të gjithë atyre që janë mbi 18 vjeç. Të dhënat zyrtare për vaksinimin i përkasin datës 18 gusht. Në total llogariten 1.340.339 doza të vaksinës ndaj COVID19. Shifrat e përpunuara nga Zëri i Amerikës dëshmojnë se 35.4 përqind e popullisë mbi 18 vjeç rezulton të ketë marrë të paktën një dozë, prej të cilëve, 25.9 përqind, ose mbi 575 mijë persona i kanë marrë të dyja dozat.

Lexo edhe :  “Do marrim më shumë mandate sesa kemi”, Rama: Ore ja hoqën gjë “non gratën” bufit?

Kosovë: 11 të vdekur nga pasojat e koronavirusit në 24 orët e fundit

Në Kosovë autoritetet thanë se 11 veta kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga pasojat e COVID-19. Sipas ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë konfirmuar 1 mijë e 682 raste të të prekurve nga koronavirusi. Aktualisht 776 persona janë duke u trajtuar nëpër spitale nga të cilët 32 janë në gjendje të rëndë. Infektimet janë shtrirë gjithandej Kosovës dhe shifrat e ditëve të fundit e bëjnë gushtin një nga periudhat më të rënda që nga shpërthimi i pandemisë. Që nga 1 gushti deri më sot janë konfirmuar rreth 20 mijë raste të reja. Autoritetet thonë se pjesa më e madhe janë të prekur nga varianti ngjitës Delta i koronavirusit dhe po bëjnë thirrje për vaksinim në masë. Që nga marsi i vitit 2020 kur në Kosovë janë konfirmuar 125 mijë të prekur nga COVID-19, nga pasojat e të cilit kanë humbur jetën 2 mijë e 315 veta. Nga 20 gushti, qeveria vendosi masa të reja kufizuese përfshirë ndalimin e dasmave e ahengjet dhe shkurtimin e orarit të punës së kafeneve e restoranteve.

Të fundit

Laerti rrëfen historinë e tij të dashurisë në ‘BBV4’, nuk është Valbona

Mbrëmjen e djeshme, Vëllai i Madh i surprizoi katër finalistët e “Big Brother VIP 4”. Në shtëpinë më të famshme...

Skandal tjetër pas qumështit, në Shqipëri është shitur sheqer palmë i kontaminuar

Pas skandaleve të një pas njëshme që tregojnë pasigurinë e ushqimit në vendin tonë, një tjetër produkt që konsumojmë çdo ditë rezulton një risk...

Çudia e fushatës/ Imitoi Presidentin Trump, Berisha shfaqet me kapele blu me nr.1

Kreu demokrat, Sali Berisha, u shfaq me një kapele blu të errët, ku të stampuar kishte numrin 1, që përkon me numrin që koalicioni...

Bursa “zgjon” edhe Shqipërinë/ Pas 6 muajve “ngrirje”, ulet çmimi i naftës

Pas 6 muajsh në heshtje kompanitë e karburanteve kanë ulur lehtë çmimin e naftës me pakicë. Nga 175 lekë litri prej tetorit të 2024-ës...

Fevziu: Zjarr në fushata, por 11 maji pa jehonë!

Moderatori Blendi Fevziu gjykoi fushatat zgjedhore ndër vite në vend, duke veçuar ato më të zjarrtën. Fevziu në një intervistë me gazetarin Drini Zeqo...

Lajme të tjera

Web TV