Kisha e Manastirit të Shën Kollit (Mesopotam) është një monument i trashëgimisë kulturore në Mesopotam, rrethi i Delvinës. Ky monument është i llojit “Arkitekture”, i miratuar me numër “Nr.586. Datë . 17.03.1948 & Nr.4874. Datë.23.09.1971”.
Manastiri duhet të jetë ndërtuar në 1224. Absida e dyfishtë e bën unike në zhanrin e saj, dhe disa kërkues kanë hipotezuar që ky manastir të ketë qenë përdorur për mesha si katolike ashtu dhe ortodokse.
Manastiri i Mesopotamit është një manastir i fortifikuar, i vendosur në anën jugore të një kodre të ulët dhe të gjatë, që shtrihet nga veriu në jug, në mes të dy shtretërve të lumit Bistricë.
Përmendja më e vjetër e tij është në shek. XI. Kisha e Shën Kollit paraqet një zgjidhje unikale për arkitekturën bizantine. Ajo përbëhet nga një vëllim i vetëm, ku lidhen lirshëm naosi i mbuluar me katër kupola e një kolonë në mes dhe mjedisi i altarit me dy absida.
Muret e kishës përbëhen, në anën e jashtmem nga tri breza të dallueshëm qartë nga njëri tjetri. Brezi i poshtëm është i ndërtuar prej gurësh të mëdhenj gëlqerorë, të skuadruar pastër vetëm në faqen e jashtme. Brezi i sipërm paraqitet me teknikën e klausonazhit, me tulla të holla. Në murin verior dhe atë jugor korniza është horizontale, ndërsa në atë lindor dhe perëndimor ndjek frontonet e çative dyujëse.
Brezi i ndërmjetëm, pa ndonjë rregullsi në dukje, është i ndërtuar me tulla e me gur smërçi, që përbëjnë thembrën e qemerit të mbulesës së dikurshme të qemerit të portikut. Muri juglindor, ndryshe nga të tjerët, është rindërtuar pas rrëzimit të mjedisit të vjetër të altarit në vitin 1793.
Një tjetër rindërtim është ai i vitit 1845, në pjesën që i takon naosit, në një pjesë të murit verior. Në vitin 1793 është ndërtuar pilastri në qendër, pilastra në arkadë, pilastrat përforcuese në murin jugor, harqet mbajtës mbi to dhe tërësisht mjedisi i altarit.