Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dje krizë energjetike dhe rritje të çmimit brenda 6 muajve të parë të vitit 2022.
Ai tha se shumë vende të botës janë përfshirë nga kriza dhe vendi ynë nuk bën përjashtim, pasi është i kushtëzuar edhe nga tregu botëror. Sipas kreut të qeverisë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar.
“Nga lufta vijmë, në luftë shkojmë”. Me këto fjalë kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një tjetër krizë të jashtëzakonshme, atë të energjisë elektrike, krahas pandemisë dhe tërmetit që kaluam. Në një mesazh drejtuar qytetarëve kreu i qeverisë shqiptare paralajmëroi për rritje të mundshme të energjisë elektrike nisur edhe nga rritja e saj në vendet fqinje, rajon dhe botë. Ai garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbrojtur shtresat në nevojë, konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla. “Vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë. Kjo është kriza e jashtëzakonshme energjetike, e cila vetëm sapo ka nisur, të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës, duke nisur nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Europian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia. Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit, po afron bashkë me dimrin dhe me rritjen e natyrshme të nevojës edhe për ngrohje”, tha Rama. Sipas tij rritja e kërkesës konsumatore, pas hapjes së ekonomisë, ka rritur eksponencialisht edhe kërkesën e industrive prodhuese për energji, duke vënë në vështirësi shumë serioze edhe vetë kolosët ekonomikë të planetit. Rama tha se për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar. “Ritmet e larta të rimëkëmbjes nga pandemia dhe nevoja e tejrritur për energji, e kanë rritur çmimin e gazit me rreth 250%, atë të karbonit me rreth 80%, ndërkohë që çmimi i naftës ka kërcyer lart, nga rreth 60$ për fuçi në Gusht të 2021, tek rreth 80$ në momentin që flasim dhe sipas projeksioneve të sotme, çmimi mund të arrijë në $100 për fuçi deri në fund të vitit. Për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar”, tha Rama.
Ndryshimet klimaterike
Kreu i qeverisë theksoi se kjo krizë lidhet kryesisht me ndryshimet klimatike dhe përpjekjet për t’i frenuar ato, si edhe me një kombinim faktorësh të tjerë. “Një seri eventesh të motit ekstrem, me tipare të pazakonta sezonale, kanë impaktuar si kërkesën, ashtu edhe ofertën për gaz. Dimri jashtëzakonisht i ftohtë i fillim-vitit në hemisferën veriore, Azi, apo edhe ngricat e jashtëzakonshme në SHBA, ndikuan në reduktimin drastik të eksporteve të gazit të lëngshëm gjatë muajit shkurt. Pranvera e ftohtë dhe përmbytjet në Europë, automatikisht rritën kërkesën për gaz për ngrohje. Po njësoj valët e të nxehtit ekstrem gjatë verës në Kinë, Europë dhe SHBA, rritën kërkesën për gazin për ftohje. Prodhimi i energjisë nga burimet alternative është zvogëluar. Impiantet e prodhimit të energjisë së erës në Europë kanë prodhuar shumë më pak energji se nivelet mesatare. Rrjedhimisht, mungesa e prodhimit të energjisë alternative, ka ndikuar në rritjen e kërkesës dhe çmimeve të gazit dhe të qymyrit. Në Gjermani, mbyllja e tre reaktorëve të tjerë bërthamorë, si pjesë e programit të stopimit të prodhimit të energjisë nukleare, ka reflektuar në rritje të kërkesës për energji edhe nga burimet natyrore të parinovueshme”, tha Rama. Ai theksoi se rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë, në Europë dhe në Azi, ka rritur kërkesën për energji nga konsumatorët familjarë, fabrikat dhe sipërmarrjet në përgjithësi, duke justifikuar në këtë mënyrë edhe rritjen e çmimit të energjisë që pritet të ndodhë brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm. “Pavarësisht rritjes së kërkesës dhe çmimeve bazë në tregje me 250%, Rusia nuk e ka shtuar furnizimin drejt Bashkimit Europian, duke u kufizuar vetëm në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale afatgjata. Së fundi, vetë politika për adresimin e ndryshimeve klimatike, ka ndikuar indirekt në rritjen e çmimeve. Në Britani, 15 milionë familje pritet të afektohen negativisht nga rritja e cmimit të energjisë. Në Itali, qeveria ka njoftuar qytetarët për një rritje prej 40% të faturave të tyre gjatë muajve të ardhshëm. Po kështu në Bullgari, çmimet shënojnë një rritje prej 72% nga fillimi vitit, duke e cuar çmimin mesatar të energjisë në 133 Euro/Mëh. E gjithë kjo panoramë e situatës energjetike, me vetëm disa prej shembujve larg e afër nesh, vlen për të krijuar një ide të përgjithshme të kësaj krize, ku duam s’duam, edhe Shqipëria si të gjitha vendet e tjera, është e përfshirë dhe e detyruar që të përballet pa u shmangur dot me këtë furtunë globale. Ekspertët mendojnë se pavarësisht implikimeve të mundshme sistemike, që kriza e jashtëzakonshme energjitike mund të ketë mbi të gjitha vendet, beteja kulmore do të zhvillohet dhe do të vendoset, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm”, tha Rama.
Mbrojtja e shtretsave në nevojë
Përgjegjësia e qeverisë shqiptare, tha Rama, është të mbrojë sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël. “Tanimë besoj se të gjithë ju, të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, i keni provat, se ne as nuk rrëzohemi as nuk dorëzohemi përballë sfidave të rënda të kësaj natyre. Kini besim të plotë, siç kam edhe unë besim të palëkundur, se siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, do t’ia dalim edhe kësaj sfide të madhe me energjinë dhe jini të sigurtë, se siç nuk na vunë përfund rrënojat e pafundme të tërmetit, e siç nuk na gjeti të papërgatitur sulmi i Armikut të Padukshëm, ashtu nuk na gjen të papërgatitur, e as as nuk na ve dot përfund as kjo krizë e jashtëzakonshme. Fatkeqësisht dhe pavarësisht prej dëshirës apo vullnetit tonë, këto vitet e fundit u bënë si ajo fjala, “nga lufta vijmë në luftë shkojmë”, por siç dolëm më të fortë nga tërmeti, e siç po dalim më të fortë edhe nga pandemia, çka e tregojnë kopshtet, shkollat, shtëpitë, lagjet e reja në rindërtim, siç e tregojnë edhe shifrat e ritmeve të rimëkëmbjes ekonomike, pas mbylljes dramatike të ekonomisë, kështu do të dalim edhe nga kjo fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tregtare që nuk i kemi ne në dorë. Asnjë frikë, asnjë pasiguri, vetëm vendosmëri, durim e besim, se më e mira do të bëhet dhe Shqipëria do të vazhdojë të synojë majën që i kemi vënë vetes qëllim, në rrugëtimin sfidues të kësaj dekade të re ku sapo kemi hyrë”, tha Rama.
Opozita/ Basha rendit 7 propozimet për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shigjetuar kryeministrin Edi Rama se kjo krizë nuk ndalet me propagandë dhe fjalime, ndërsa ka shpalosur 7 propozimet nga ulja e TVSH-së te ristrukturimi i buxhetit, kur PD-ja të vijë në pushtet.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama që paralajmëronte një krizë energjetike ndërkombëtare që do të kishte pasoja edhe në përditshmërinë shqiptare. Sipas kryetari të Partisë Demokratike qeveria po përgatit rritjen e çmimit të energjisë elektrike. “Edi Rama po përgatit rritjen e mëtejshme të çmimeve të energjisë, ndërsa tashmë të gjitha çmimet janë rritur ndjeshëm duke pamundësuar për qindra mijëra shqiptarë të përballojnë nevojat bazë”, tha shefi i opozitës. Sipas tij, bota po përballet tani me rritjen e energjisë elektrike, ndërsa Shqipëria sipas tij ka tetë vite. “Vërtet bota po përballet tani, por shqiptarët kanë 8 vite që përballen me çmimet më të larta në rajon e ndër më të lartat në Europë, të energjisë dhe karburanteve”, tha Lulzim Basha. Për kreun demokrat, qeveritë e vendeve në krizë u vinë në ndihmë qytetarëve, ndërkohë që në Shqipëri sipas tij ata janë braktisur. “Qytetarët janë braktisur gjatë pandemisë, kur babëzia e kësaj pakice të korruptuar dha ndihmën më të ulët ekonomike në Europë, duke shkaktuar rritjen më të madhe të jetëve të humbura në kontinent, varfëri dhe papunësi”, tha kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Sipas shefit të opozitës, prioritet kanë tashmë vendime si heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti; Ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet; Subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët dhe më shumë para për shtresat në nevojë; Mirëmenaxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHË dhe KES;, Ristrukturim të buxhetit për t’u përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime. Këto janë premtime që kur Partia Demokratike të vij në pushtet do ti zbatojë për interes të qytetarëve shqiptarë.
Prioritetet e Partisë Demokratike kur të vijnë në pushtet
1- Heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti;
2- ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ashtu siç kemi kërkuar prej javës së parë në kuvendin e Shqipërisë;
3- Faturimi me çmime dhe sasinë reale të konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve;
4- Subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët;
5- Mirëmenanxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHË dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve.
6- Ristrukturim të buxhetit për tu përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime.
7 – Më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve.
Petrit Vasili: Nuk është krizë e re energjitike, por plaçkitje e qytetarëve
Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama tha se një krizë energjetike sapo ka filluar, duke ndikuar në rritjen e çmimit të karburanteve. Vasili thotë se nuk kemi të bëjmë me një krizë të re energjitike, por plaçkitje të re të qytetarëve. “Arka e shtetit e boshatisur dhe plaçkitur nga milionat e grabitura për zgjedhjet, koncesionet, borxhet ndaj kompanive arbitrazhet e humbura dhe borxhi publik real prej gati 100%, kërkon tani që të mbushet nga Rama”, shprehet Vasili. “Nuk është krizë e re energjitike, por plackitje e re e qytetarëve! Dje vetem 24 orë më parë në Abu Dabi Edi Rama s’foli as një fjalë për krizë energjitike, që po flet sot (dje) pas 24 oreve bile tha : “që do të bëhemi eksportues neto të energjisë”. Rama në 15 prill 2021 deklaronte: “Ne sdo harxhojmë asnjë lek më për të blerë energji, por do të shesim energji. Kjo nuk është një ëndërr e parë në gjumë”. Kemi degjuar vetëm për “suksese të papara” në energjitikë bile edhe drejtuesit e saj, që nga ministra e drejtore KESH-i kanë hipur në majë të partisë së rilindjes për meritat e mëdha në energjitike”, shkruan Vasili. Ai nënvizon se Rama po flet papritmas për “krizë apokaliptike” energjitike. “Po na thotë edhe që do ta përballojë Krizën Energjitike siç perballoi Pandemine. Kjo do të thotë na mori lumi më keq seç na ka marrë. Duke parë deklaratat e mëparshme dhe “sukseset bubulluese” në energjitikën e Edi Rames kjo krizë duket qartë që është një stisje për një grabitje të re të xhepave të qytetarëve e për të mbushur arkën e baderdisur të shtetit nga rilindja”, tha Vasili.
Bushati: Megafon i lajmeve të këqija, jo kryeministër
“Megafon i lajmeve të këqija, jo kryeministër” e ka cilësuar deputeti i PD Helidon Bushati kreun e qeverisë Rama, pasi ky i fundit tha se sapo ka filluar kriza energjitike që ndikon në rritjen e çmimit të karburanteve. “Ajo çfarë mund të kishte bërë me kohë qeveria për të përballuar rritjen e çmimeve, është ngritja e pagave dhe pensioneve. Shtimi i ndihmës ekonomike. Dhe stimulimi i biznesit dhe sipërmarrjes. Asnjë nga këto nuk ka ndodhur. Ndaj jemi të fundit në rajon për të ardhurat, dhe të parët për çmimet më të larta”, shkruan Helidon Bushati. Sipas tij për shqiptarët po vjen dimër i vështirë. “Për shqiptarët një tjetër dimër i vështirë po vjen, dhe ndërkohë në krye është i njëjti demagog që mendon se do ja hedhë edhe kësaj radhe me propaganda”, shton deputeti i PD. Ai thotë se çmimet nuk njohin kufij. “U nis me rritjen e çmimit të bukës dhe mallrave të shportës. Asnje masë, asnjë politikë lehtësuese! Ne javën e fundit, kemi rritje të frikshme të çmimit të naftës dhe benzinës, ndërsa çmimi i gazit u dyfishua! Nuk tha asnjë fjalë pse ndodh kjo! Vetëm propagandë, mashtrim dhe megallomani! Jetesa për shqiptarët është bërë e pa përballueshme!”, nënvizoi Bushati.