Ernesto Che Guevara/ Ekzekutimi i revolucionarit të përjetshëm

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Më 9 tetor 1967, një ditë pas kapjes nga forcat boliviane, revolucionari marksist Ernesto “Che” Guevara ekzekutohet për përpjekjet e tij për të nxitur një revolucion në Bolivi.

Ernesto Guevara, njihet si Komandanti Çe (Che(. Ishte revolucionar, shkrimtar dhe guerilas marksist argjentinas dhe hero i komunistëve të Amerikës Latine, si dhe një figurë e njohur e shekullit të 20-të. Nofkën “Çe” e mori nga bashkëluftëtarët komunistë kubanë në Meksikë, sepse përdorte shpesh, si çdo argjentinas, fjalën “Çe”, diçka e ngjashme si thirrja “Hej” e shqipes.

Nisja

Ernesto Guevara u lind më 14 qershor 1928 në Rozario të Argjentinës dhe u vra më 9 tetor të vitit 1967 në fshatin La Higera të Bolivisë. Që nga ajo ditë Çe Guevara kaloi në pavdekshmëri, u bë legjendë dhe simbol për miliona të rinj komunistë në botë. Fjala e tij më e preferuar ishte: Hasta La Victoria Siempre! (Deri në fitoren përgjithmonë!). Në moshën 12 vjeçare merr pjesë në shumë turne shahu. Gjatë adoleshencës u tërhoq pas poezisë duke shkruajtur shumë prej tyre. Ishte lexues i Xhek Londonit, Zhyl Verrnit, Sigmund Frojdit. Studioi në Kolegjin Navional Deán Funes dhe në vitin 1948 u regjistrua në Universitetin e Buenos Airesit për mjekësi.

Në Amerikën Latine

Në moshën 23 vjeçare vendosi të bëjë udhëtimin e tij të parë (rreth 4.500 km) për të vizituar kontinentin e Amerikës së Jugut bashkë me mikun e tij Alberto Granado. Në vitin 1953 u diplomua në mjekësi dhe vendosi të bëjë një udhëtim tjetër, këtë herë me një shok tjetër, Calica Ferrer. Fillon të interesohet për politikën dhe filloi t’u afrohet ideve marksiste. Pasi pa varfërinë masive të Amerikës Latine, i shtyrë edhe nga idetë marksiste nxori si përfundim se revolucioni ishte e vetmja mënyrë për të zgjidhur pabarazinë shoqërore dhe ekonomike të vendeve të Amerikës Latine. Udhëtimet e tij përgjatë Amerikës Latine e bindën se Amerika Jugore ishte një kontinent me kombe të ndryshme, por i njëjti grup etnik. Filloi të imagjinonte mundësinë e një Amerike Latine të bashkuar dhe pa kufij, e lidhur nga e njëjta kulturë.

Më 17 qershor 1954 në Guatemalë fillon agresioni kundër qeverisë së Arbenz-ës, organizuar nga CIA dhe nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së të cilët kishin stërvitur mercenarë për të mbrojtur kontinentin e Amerikës Latine nga “Rreziku Komunist”. Che Guevara përpiqet të organizojë rezistencën në qytet, por kjo tentativë nuk funksionon dhe kur trupat mercenare futen në kryeqytet, Guevara detyrohet të hyjë në ambasadën e Argjentinës, nga ku më pas largohet për në Meksikë, e cila e regjistron si “element komunist”.

Revolucioni Kuban

Guevara mbërrin në Meksikë. Njihet me një grup revolucionar Kubanë të larguar nga Kuba, që përfshinte edhe Raul Kastron. Pasi lirohet nga burgu, Fidel Kastro largohet nga Kuba për t’u vendosur në Meksico City. Atje i vëllai e prezanton me Guevarën. Pas këtij takimi Guevara hyn në Lëvizjen “26 korriku” që kishte si synim përmbysjen e diktatorit kuban Fulgencio Batista.

Fillimisht Guevara ishte vetëm mjeku i grupit. Më 25 nëntor të vitit 1956 anija Granma niset nga Tuxpan (Provincë e Meksikës) me synim mbërritjen në Kubë. Më 2 dhjetor zbarkojnë në La Playa de las Coloradas, ku u sulmuan nga forcat ushtarake të Batista-s. Më pas u vendosën në malet e Sierra Maesta për të filluar luftën guerilje kundër regjimit. Guevara u bë një udhëheqës i grupi, i respektuar nga shokët për trimërinë, por edhe për egërsinë e tij. Qe shkaktar i vrasjes së shumë dezertorëve dhe të tjerë që akuzoheshin si informatorë apo spiunë. Në ditët e fundit të dhjetorit 1958 drejtoi sulmin me kolonën e tij “Skuadra vetëvrasëse”, – një repart që zgjidhte misionet më të vështira të ushtrisë revolucionare, – në Santa Clara. Ishte një nga betejat më vendimtare të revolucionit. Më 28 dhjetor Guevara mbërrin në Santa Clara, ku vendos një komando provizore në Universitetin e qytetit. Më pas ndjek shinat e trenit për të gjetur një pikë strategjike. Ai e dinte se në këtë linjë do udhëtonte një kolonë e ushtrisë së Batista-s me një tren me 18 vagona; ku do ishin 406 ushtarë dhe oficerë me shumë armatime e municione. Në ora 3 e drekës, treni i ushtrisë udhëton pa e ditur se Komandanti kishte rrëzuar një pemë mbi shina. Treni rrëzohet dhe pastaj dëgjohet një shpërthim bombe dhe më pas mbulohet me zjarr dhe tym. Më 2 janar të vitit 1959 kolona e Çe Guevarës futet në kryeqytetin e Kubës, në Havana. Më pas zhvendoset në fortesën ushtarake “La Cabaña”. Pikërisht këtu organizon një sistem të ‘gjyqeve’ që zgjasnin vetëm disa orë, me veten e tij si gjyqtar i vetëm. Këto gjyqe përfundonin gjithmonë me pushkatimin e funksionarëve të nivelit të ulët të regjimit të Batistës.

Aktiviteti

Më 7 shkurt të 1959-s, qeveria e re i jep Guevarës titullin “Qytetar Kuban”. Më pas divorcohet nga Hilda Gadea, me të cilën në fakt ishin ndarë para se të nisej me anijen Granma. Martohet me Aleida March, një kubane që ishte pjesëtare në “Lëvizjen e 26 korrikut”, me të cilën lindi tre fëmijë. Che Guevara bëhet ministër i Industrisë. Gjatë punës si ministër i industrisë pati disa disfata dhe reformat e tij nuk dhanë asnjë rezultat për zhvillim dhe modernizim të ekonomisë kubane, kryesisht atë bujqësore.

Në librin e tij “Mbi gueriljen”, Guevara mbështet modelin Kuban të revolucionit, të filluar nga një grup i vogël guerilas, pa pasur nevojën e organizimeve të mëdha të cilat do të mbështetnin rebelimet e armatosura (kjo strategji do dështonte në Bolivi). Në teorinë e tij “Socializmi dhe njeriu në Kubë” mbështet nevojën e krijimit të “njeriut të ri” bashkë me shtetin socialist. Gjatë sulmit të Gjirit të Derrave (1961), Guevara nuk mori pjesë në luftime, sepse Kastro e kishte vendosur në një komandë më në perëndim të Kubës, në Pinar del Rio, nga ku Guevara zmbrapsi një tentativë pushtimi. Ishte një operacion diversiv, i krijuar për të tërhequr vëmendjen kubanëve nga vendi i vërtetë i sulmit, që ishte Gjiri i Derrave.

Guevara luajti një rol të rëndësishëm gjatë vendosjes në Kubë të raketave bërthamore sovjetike. Në dhjetor 1964 Guevara shkon në New York si shef i delegacionit kuban dhe mbajti një fjalim në Këshillin e OKB-së. Me këtë rast doli në një emision informativ (Face the Nation i stacionit televiziv CBS). Më 7 dhjetor shkoi në Paris, mbas tre muajsh shkoi në Republikën Popullore Kineze, Egjipt, Algjeri, Ghana, Guinea, Mali, Tanzania. Në mars të vitit 1960 viziton Shqipërinë.

Guevara pasi vuri re se ishte më i aftë për një rol si revolucionar, sesa për detyra ministrore, dhe me aprovimin e Fidel Kastros, vendosi që të largohet nga Kuba për në Kongo dhe Bolivi ku nga niveli i lartë i varfërisë mundësonte krijimin e revolucioneve.

Në Kongo

Gjatë një takimi që zgjati gjithë natën midis 14 dhe 15 marsit të 1965, Guevara dhe Kastro ranë dakort që ky “Che” të drejtonte operacionin e parë ushtarak në Afrikë. Më pas Guevara largohet për në Kongon belge. Guevara u mësonte taktikat guerilje forcave kongoleze. Plani i tij ishte që të shfrytëzonte zonën e çliruar në perëndim të liqenit Tanganika për stërvitjen e kongolezëve. Guevara ishte 37 vjeç dhe nuk kishte përvojë rreth ushtrisë formale, megjithëse kishte përvojën e fituar gjatë revolucionit kuban, mbi të gjitha nga fitorja e betejës së Santa Clara-s. Astma e tij nuk e kishte lejuar të bënte shërbimin ushtarak në Argjentinë. Mercenarë afrikanë dhe britanikë punuan me ushtrinë kongoleze për të penguar planet e Guevarës. Ata qenë në gjendje të ndiqnin komunikimet e reparteve të drejtuar nga Guevara. Paaftësia, dhe luftërat e ndryshme që bëheshin midis grupeve të kongolezëve me njëri-tjetrin ishin arsyet e dështimit të revolucionit. Mbas shtatë muajsh, i sëmurë, i munduar nga astma, Guevara detyrohet të largohet nga Kongo.

Ekzekutimi në Bolivi

Pasi rikthehet në Kubë, Guevara filloi planet për të sjellë revolucionin në Bolivi. Më 3 nëntor të 1966, niset për në Bolivi me një pasaportë Uruguajane me emër Mena González. Grupi i tij përbëhej nga 50 persona, 17 prej të cilëve ishin kubanezë, ishte i pajisur shumë mirë dhe si fillim patën disa suksese kundër forcave boliviane. Guevara në planin e tij për të nxitur revolucionin komunist në Bolivi bazohej në supozime që dolën më pas të gabuara. Mendonte se do të luftonte vetëm kundër ushtrisë vendase, të pastërvitur dhe jo të armatosur mirë. Përkundrazi sapo qeveria e SHBA-së mori vesh për praninë e tij në Bolivi, dërgoi punonjës të CIA-s për të ndihmuar dhe organizuar kundër-revolucionin. Ushtria boliviane u stërvit nga këshilltarë të forcave speciale të US Army, përfshirë edhe një batalion “Rangers” ekspertë për luftimet në xhungël. Menduan se partia komuniste e Bolivisë do ndihmonte Guevarën, por kjo nuk ndodhi. Guevara priste që të mbante kontakte me radio me Kubën por transmetuesi me valë të shkurtra që i dhanë, doli me defekt. Forcat boliviane lokalizuan vendndodhjen e Che-së pas ndihmës që dha një dezertor. Më 8 tetor Guevara u kap në La Higuera. U kap pasi u plagos në njërën këmbë dhe pasi arma e tij u dëmtua nga një plumb. Presidenti i Bolivisë, Rene Barrientos, sapo mori vesh për kapjen e Che Guevarës dha urdhër që të pushkatohet menjëherë. Ekzekutuesi ishte Mario Teran, një komandant skuadre, të cilit banda e Guevarës i kishte vrarë tre ushtarë të skuadrës së tij. Më 15 nëntor Kastro pranoi vdekjen e Che Guevarës dhe shpalli tre ditë zie kombëtare. Në vitin 1997 në Vallegrande u identifikuan eshtrat e kufomës së Che Guevares falë analizave të ADN-së dhe ato i rikthyen në Kubë. Më 17 nëntor të 1997 eshtrat u rivarrosën me të gjitha nderimet ushtarake në një mauzoleum të krijuar për të në Santa Clara.

Të fundit

Parashikimi apokaliptik i CEO-s: Brezat e rinj do trashëgojnë triliona dollarë, por…

CEO i JP Morgan, Jamie Dimon, shprehu optimizëm për të ardhmen e brezave të rinj, duke theksuar se ata...

Noizy e thotë hapur: Nuk shoh programet e partive, vetëm Rama ma mbush syrin

Reperi Noizy, i cili performoi këngën e zyrtare të fushatës së PS, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për kryeministrin Edi Rama, ndërsa theksoi...

FOTO/ Ironia e Berishës, vendos socialistët e arrestuar përreth Ramës: Yjet evropianë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ironizuar sloganin e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit. Në sloganin e PS, ku paraqiten 12 yje,...

Videot denigruese në TikTok/ Ndreu: Manipulim politik, më kanë nxjerrë duke u puthur me…

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar ashpër ndaj një fushate denigruese ndaj tij në rrjetin social TikTok, ku janë shpërndarë video...

Nga kapelja të atletet, simbolikat në veshjen e Ramës në çeljen e fushatës (FOTO)

Në një mënyrë krejt të veçantë, duke prezantuar traditat e 12 qarqeve nën shenjën e BE-së, PS hapi zyrtarisht fushatën me mijëra socialistë të mbledhur në...

Lajme të tjera

Web TV