Nga Eduart Gjokutaj
Diskutimi mbi modelin se si të shfrytëzohet potenciali ekonomik i burimeve natyrore për të financuar zhvillimin ekonomik dhe për të rritur standardet e jetesës është një çështje që ka qenë në premtimet e gjithë qeverive. Por, realisht kjo politikë nuk ka patur efekte që mund të konsiderohen me ndikim të prekshëm, si për ekonominë, por po ashtu edhe për mirëqenien e qytetarëve të zonave mineral mbajtëse dhe zonave ku përpunohen këto minerale. Faktet për këtë konstatim munden të gjenden me lehtësi nëse arrihet të shikohen online statistikat fiscal;e të qeverisë, si dhe analiza të ndryshme nga ekspertë dhe jo ekspertë. Politika fiskale për taksimin e sektorit minerar meritonte një vëmendje të dedikuar menjëherë pas përfundimit të bllokimit nga pandemia e Covid-19. Por, ende edhe për vitin 2022 është edhe më urgjente, pas mungesës së hapësirës fiskale për të nxitur rimëkëmbjen. Në të njëjtën kohë, ka shqetësime në rritje se konkurrenca tatimore në tregun ndërkombëtar dhe optimizimi agresiv i taksave nga shumëkombëshet rezulton në të ardhura më të ulëta për vende në zhvillim si Shqipëria. Politika e sotme do të duhet të fokusohet veçanërisht në kontributin e sektorit minerar në të ardhurat tatimore, duke dialoguer me gjithë elementët ndikuesë në optimizimin e taksave. Qasja aktuale e politikave fiskale ndaj sektorit mund të dëmtojnë përpjekjet shumë të nevojshme për mobilizimin e të ardhurave. Taksimi duhet të shndërrohet në një shqetësim mbarëkombëtar, i cili duhet edhe të çojë në ndryshime të rëndësishme vizionare për sektorin, jo vetëm për të rivendosur ekuilibrat fiskalë në të drejtën për taksa sipas të ardhurave të gjeneruara, por edhe duke përfshirë një lëvizje drejt një norme taksimi për ndikimet afatgjata që ky sektor ka mbi mjedisin dhe klimën.
Përdorimi i politikës së dëmshme që fokusohet më së shumti te pjesa e transaksioneve me kapitalin ndërkombëtar duke anashkaluar ndikimet e mëdha që i janë shkaktuar buxhetit, ambjentit, dhe kapitalit njerëzor (fokusimi te vlera e investimeve të huaja direkte hyrëse), ka arritur të përfitojë më shumë se sa ka kontribuar duke e kthyer në boomerang të ardhmen e sektorit minerar. Problemet e prejardhura fiskale në dëm të buxhetit, të cilat shpesh janë kanalizuar përmes juridiksioneve me taksa të larta ka lënë vendin tonë të cënueshëm ndaj fitimeve të cilat nuk janë mbartur dhe investuar në mjaft raste, por janë riatdhesuar jashtë Shqipërisë duke përfituar nga politika të mostaksimit të të ardhurave që transferohen jashtë vendit. Fitimet që transferohen jashtë vendit do të thotë më pak të ardhura brenda tij dhe natyrshëm më pak konsum dhe riinvestime të shtuara në ekonomi. Politika fiskale e qeverisë ka bërë ndryshimet e nevojshme përfshirë forcimin dhe thjeshtimin e rregulloreve të çmimit të transferimit që zbatohen për transaksionet brenda kompanive në sektorin minerar, dhe futjen e rregullave efektive për të kufizuar zbritjet e interesit. Por, të gjitha këto nuk kanë ndikuar në zhvendosjen e fitimit jashtë vendit, pa përfshirë këtu edhe kapacitetet e mangëta administrative dhe që nuk munden të rikuperohen dot as nga qasjet e reja për investimet teknologjike në administrimin fiskal. Por ka edhe një pjesë tjetër të përgjigjes të pathënë ende, pse të ardhurat nga burimet natyrore kanë zhgënjyer shumë qytetarë dhe punonjës të sektorit minerar. Konkurrenca për investime në burimet natyrore ka nxitur edhe politikën fiskale të rritë elementët stimuluesë në funksion të konkurrencës tatimore, veçanërisht në formën e uljes së normës së tatimit të fitimit, përjashtimeve dhe lehtësirave tatimore. Rezultati është që në të gjitha këto raste të humburit kanë qenë ekonomia dhe burimet natyrore, bashkë me prishjen e ekuilibrave të ekosistemeve dhe tregut të punës. Kjo situatë, që ka patur një efekt të madh në të ardhurat fiskale deri më sot duket se nuk do të merret në konsideratë edhe për të paktën vitin që vjen (2022), megjithë paraqitjet e një tregu alarmant dhe aspak i nevojshëm të stimulohet përderisa evazioni dhe informaliteti fiskal dhe ai i punës janë ende aksionerët më të mëdhenj, madje edhe se vetë qeveria. Lufta ndaj informalitetit, si dhe mënyrat dhe format që mund të aplikohen në rastet e pamundësisë së efekteve të masave të derisotme, duhet të angazhojë ekspertët dhe organizatat për të kërkuar dhe lobuar pranë qeverisë që të adresohen drejt zgjidhjeve më radikale. Pse të mos aplikohet që këto zona mineralmbajtëse të mund të kthehen në zona të lira ekonomike, për të përfituar ligjërisht ato përjashtime sipas statusit ligjor, që realisht ato sot i gëzojnë si informalë?
©Copyright Fjala.al
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Fjala, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Fjala dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.