Maqedoni e Veriut/ Opozita pa numra për mocionin e mosbesimit ndaj Zaevit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut për shkak të mungesës së kuorumit apo numrave, nuk po arrin të mbajë seancën për mocionin e mosbesimit të qeverisë. Rrjedhimisht, seanca është ndërprerë disa herë me kërkesë të opozitës, meqë i mungon një deputet, i cili, në një njoftim që ka bërë në Facebook, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në seancën për rrëzimin e qeverisë. VMRO-DPMNE, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si dhe Lëvizja Besa, besonin se kanë siguruar votat e 61 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Deputeti Kastriot Rexhepi ka thënë se vendimin për të mos marrë pjesë në seancë e ka marrë për të mos i penguar, sipas tij, sinjalet për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE. “Duke pasur parasysh momentin politik, pas shtyrjes të dorëheqjes nga kryeministri Zoran Zaev, për hir të procesit dhe sinjalet e forta nga partnerët strategjik, Shtetet e bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe shtetet e Bashkimit Evropian(BE) që më janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendosa që mos të marr pjesë në seancën parlamentare ku duhej të merrej vendim, me të cilin do të vihet në pikëpyetje ky pikësynim jetik kombëtar dhe shtetëror. Si politikan dhe deputet i përgjegjshëm, mora këtë vendim jo të lehtë duke i vënë interesin e popullit dhe shtetit në radhë të parë”, ka shkruar Rexhepi, deputet i Lëvizjes BESA. Dy deputetët e tjerë të kësaj partie janë për mocionin e mosbesimit të qeverisë.

 

 

Kasami: Dyshoj se deputeti Rexhepi është ndaluar

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në një prononcim për mediat ka hedhur dyshime mbi rrëmbimin e deputetit Katriot Rexhepi. “Nuk kam asnjë komunikim me deputetin. Kam dyshime të bazuara se deputeti mund të jetë i ndaluar përkundër vullnetit të tij. Ai pa vullnet e ka këtë qëndrim. Mbetem pas këtij qëndrimi gjithnjë derisa ai vetë nuk e pohon gojarisht. Nuk kemi informata se ku gjendet. Herën e fundit kemi komunikuar gjatë ditës së djeshme, dhe nuk kam pasur ndonjë sinjal që ai do të vepronte ndryshe”, ka thënë Kasami duke shtuar se në rast se do të konfirmohet ky qëndrim i Rexhepit, do të mblidhen organet e partisë dhe do të marrin vendim lidhur me përjashtimin ose jo të Rexhepit nga partia. Ai ka theksuar se partia e tij qëndron e palëkundur për rrëzimin e, siç është shprehur, regjimit, i cili, sipas tij me veprimet e fundit tregoi se është i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbetur në pushtet. Vendimi i deputetit të Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi, e ka bllokuar punën e Kuvendit, pasi mungon kuorumi prej 61 deputetëve për vazhdimin e seancës. Deputetët e partive në pushtet nuk marrin pjesë në seancë, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili për të mos i siguruar numrat opozitës, drejtimin e seancës ia ka kaluar nënkryetarit Fadil Zendeli, që është nga radhët e opozitës. Por, sikur Zendeli, ashtu deputetët e tjerë të opozitës kërkojnë që me seancën të udhëheqë kryetari i Kuvendit, pasi nënkryetari e udhëheq vetëm në situata të caktuara, kur mungon kryeparlamentari.

 

Opozita besonte se i kishte numrat

Para nisjes së seancës të gjitha partitë opozitare besonin se i kishin numrat e nevojshëm për mocionin e mosbesimit. “Të gjitha subjektet politike janë deklaruar për pozicionet e tyre dhe ne presim që konform nënshkrimeve dhe deklaratave që kjo qeveri të bie”, deklaroi Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët. Edhe deputeti i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, tha se beson se do të kalojë mocioni i votëbesimit. “Sot (e enjte) do të bie qeveria, e për formim të shumicës së re ka kohë”, u shpreh Apasiev. Një deputet i Partisë Alternativa që fillimisht kishte refuzuar të jetë pjesë e nënshkrimeve ku bën pjesë edhe “E Majta”, mbetet në qëndrimin se do të votojë mocionin e mosbesimit, por nuk do të jetë pjesë e ndonjë nisme për qeveri të re nëse aty do të ishte e “E Majta”. “Ne asnjëherë nuk do të jemi në një listë të përbashkët, në një tavolinë të përbashkët me njerëz, të cilët janë antishqiptarë, anti-NATO, anti-BE, anti-Kosovë dhe në asnjë rast nuk lejojmë që të jemi pjesë ndonjë shumice me ta. Ne nuk do të jemi pjesë as e listës për mandatin nëse aty qëndron “E Majta”, deklaroi deputeti i Alternativës, Skënder Rexhepi. Por, partitë e shumicës vlerësojnë të kundërtën se shumica është në anën e tyre dhe se e gjitha procedura do të jetë demokratike. “Sot do të ndodhë demokracia që është në përfitim për shoqërinë tonë dhe për të gjitha proceset që ndodhen para nesh. Unë do të votoj për mbështetjen e qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev”, ka deklaruar deputeti Goran Milevskim nga partia Liberal Demokrate që është pjesë e qeverisë.

Lexo edhe :  "Serbët të zbritur nga qielli, Kosovën e marrim". Ministri serb provokon hapur

 

Çfarë parasheh Kushtetuta për mocionin?

Sipas Kushtetutës, votëbesimi ndaj qeverisë duhet të përfundojë në të njëjtën ditë. Nëse opozita siguron 61 vota kundër kabinetit të kryeministrit (Zaevit), atëherë qeveria është e detyruar të japë dorëheqje brenda 24 orëve, pas çka fillon afati dhjetëditor për presidentin e shtetit (në këtë rast Stevo Pendarovski), që t’ua japë mandatin për formimin e qeverisë së re partive që do të konfirmojë se kanë të paktën 61 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër, nëse opozita nuk arrin të rrëzojë qeverinë, atëherë në 90 ditët e ardhshme nuk do të mund të paraqesë mocion të ri mosbesimi ndaj qeverisë, nëse së paku 61 deputetë nuk paraqesin iniciativë.

 

Partitë në pushtet besojnë në dështimin e mocionit

Partitë në pushtet, ndërkohë, besojnë se opozita nuk do të arrijë të votojë për rrëzimin e Qeverisë Zaev. “Partitë në pushtet nuk do të lejojnë kthimin pas të shtetit. Pas shumë vitesh regjim, shteti është ndërtuar mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë të LSDM-së, pasi organet e partisë vendosën shtyrjen e dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev. Partitë e koalicionit qeverisës, të mërkurën në mbrëmje kanë mbajtur një mbledhje konsultuese, detaje nga e cila nuk janë dhënë, por mediat lokale njoftojnë se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në këtë takim është shprehur optimist se “Qeveria nuk do të bie të enjten në votimin për mosbesimin në kuvend, pasi që shumica është me forcat progresive në kuvend”. Nisma e opozitës ka pasur rezultatin e saj të favorshëm në zgjedhjet lokale, por para së gjithash dorëheqjen e paralajmëruar të kryeministrit Zoran Zaev. Kreu i qeverisë natën e 31 dhjetorit tha se e merr përgjegjësinë për dështimin në zgjedhje dhe paraqiti dorëheqjen nga posti i kryeministrit, por edhe nga drejtimi i partisë.

 

Qeverisja e Zoran Zaevit

Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, në postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për herë të parë u zgjodh më 31 maj të vitit 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin mbajtur në vitin 2016. Gjatë këtij mandati, Zaevi mori përsipër vendime të rëndësishme, siç është ai me Greqinë për ndryshimin e emrit kushtetues në “Maqedoni e Veriut”, e cila deri para Marrëveshjes së Prespës së arritur më 17 qershor 2018, quhej “Republika e Maqedonisë”. Pavarësisht kritikave të shumta në opinion lidhur me këtë marrëveshje, si dhe negociatave më pas me Bullgarinë për Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, që po ashtu konsiderohet si e dëmshme për interesat kombëtare maqedonase, Zoran Zaev, fitoi edhe zgjedhjet e rregullta parlamentare, që u mbajtën në qershor të vitit 2020.

 

 

 

Të fundit

Elena Kocaqi: Zgjedhjet prishen nga dy partitë e mëdha për interesa personale

Studiuesja dhe historiania Elena Kocaqi drejtoi për herë të parë një parti politike në zgjedhje parlamentare, formacionin Aleanca Kombëtare...

“PD nuk duhet të sillet më si parti e madhe”, këshilla e Andi Bushatit për demokratët

ANDI BUSHATI - E tronditur nga disfata, e shushatur nga rezultati marramendës i Ramës dhe e pa përgatitur për atë çfarë do ti thotë...

Përfshihet nga flakët materniteti në Angli, evakuohen gratë shtatzëna

Momente paniku kanë përjetuar gratë shtatzëna pasi materniteti në Bristol të Anglisë u përfshi nga flakët. Evakuimi i grave shtatzëna dhe të porsalindurve u bë...

Cili shtet po sfidon Francën si superfuqi ushtarake? E kemi në Mesdhe…

Turqia po bën hapa të mëdhenj drejt modernizimit të ushtrisë së saj dhe po rrit ndjeshëm ndikimin ushtarak në rajonin e Mesdheut, duke sfiduar...

“Berisha ishte problemi në zgjedhjet e 11 majit”, Lesi kërkon dorëheqjen e kryedemokratit

Ish-deputeti, Nikollë Lesi, ishte i ftuar në Top Story në Top Channel, ku u diskutua se çfarë do të ndodhë me PS dhe me...

Lajme të tjera

Web TV