Nga Bashkim Trenova
Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturg dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëri e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al “Armiqtë e popullit”
Spahiu dhe Xhezo, dy penat e forta të «Zërit… » kundër burokracisë!
Xhevair Spahiu ishte jo vetëm një poet i talentuar, por edhe një gazetar i talentuar. Sikurse është shprehur në një intervistë të kohëve të fundit një mik dhe koleg i tij në “Zëri i popullit”: Xhevair Spahiu, siç thoshte Partia, u binte në kokë burokratëve me artikujt e tij flakë”. Për mua, Xhevairi si edhe Arshin Xhezo, një tjetër gazetar i “Zërit të popullit”, ishin dy penda të forta, që luanin rolin e prokurorëve në shtypin e Partisë së Punës. “Këmbët në një këpucë atyre, që shijnë mbi hallet e popullit”, ishte p.sh. titulli i një artikulli të bujshëm të shkruar nga Xhevair Spahiu. Në këtë artikull viheshin në rreth të kuq kuadro partiake dhe shtetërore. Në pamje të parë duket se artikujt “flakë” të Xhevairit dhe të Arshinit, godisnin si tërmet burokracinë e burokratët, por burokracia dhe burokratët ishin në Parti, ato ishin pjellë e saj. Vetë Partia ishte thellësisht e burokratizuar. Në Shqipëri “luftën” kundër burokratizmit e drejtonin vetë burokratët. Artikujt kundër tyre ishin fishekzjarre. Zjarri i ferrit e kishte vatrën tjetërkund, në Komitetin Qendror të Partisë. Asnjë artikull, që të trajtojë këtë subjekt, qoftë edhe indirekt, me nënkuptime, nuk është botuar nga askush.
Kuptohet se artikujt kritikë të Xhevairit bënin edhe mjaft të pakënaqur, të cilët ndoshta prisnin edhe rastin për t’u hakmarrë. Megjithëkëtë, ai nuk u godit as për punën e tij si gazetar. Në fund të fundit duhet thënë se në gazetarinë e kohës së diktaturës, për tema të tilla, lavdia dhe fundi i gazetarit vareshin krejtësisht nga fjala, nga gjykimi i diktatorit. Ishte ky, që përdorte edhe gazetën “Zëri i popullit” si armë për të ndërmarrë gjuetinë e vazhdueshme të shtrigave, për të patur nën kontroll dhe nën terror kuadrot e Partisë në të gjithë piramidën e saj si edhe vetë Partinë dhe shoqërinë shqiptare. Në këtë këndvështrim, gazetarët e “Zërit të popullit”, në një masë apo në një tjetër, ishin jehona e drejtpërdrejtë e frymës së diktatorit, e interesave të tij diktatoriale, e kombinimeve dhe intrigave klanore të tij, pavarësisht se edhe mund të mendonin sinqerisht se u shërbenin interesave të larta të vendit apo popullit. Kjo, sipas gjykimit tim, shpjegon edhe faktin se përse marionetat e diktaturës, dridheshin nga artikujt e gazetarëve të “Zërit të popullit”, por njëkohësisht ndjeheshin të pafuqishëm për t’u hakmarrë.
Shakaja e rëndomtë e Xhevahir Spahiut me rakinë që i kushtoi shtrenjtë!
Xhevairi do ta pësonte rëndë vetëm nga një shaka e rëndomtë në kushtet e demokracisë, por sakrilegj në kushtet e diktaturës ku nuk bëhej shaka as me shakanë. Në verën e vitit 1977, u bë një mbledhje e organizatës së Partisë së “Zërit të popullit”. Në të u tha se kur Xhavair Spahiu kishte qenë në Përmet, kishte patur shoqëri me Arziko Ismailin, ish sekretare e Komitetit të Partisë të Rrethit të Përmetit, e dënuar me 10 vjet burg për veprimtari armiqësore. Mbas arrestimit të Arziko Ismailit, në shtëpinë e saj, gjatë kontrollit policor, ishte gjendur një material, që bënte fjalë për një “simpozium për rakinë”. Në të propozoheshin për diskutim tema të tilla si, p.sh.:“Ç’kanë thënë klasikët e marksizëm-leninizmit për rakinë”, “Lufta kundër ideologjisë borgjeze, që nënvlerëson rolin e rakisë në revolucion”, “Rakia dhe e ardhmja e njerëzimit”, “Arkitektura e klubeve të rakisë”, etj., po në këtë stil. Arziko Ismaili, kur është pyetur në hetuesi apo në gjykatë, ka thënë se ky material ishte përgatitur nga Xhevair Spahiu, në zyrën e saj, kur ajo kishte qenë sekretare e Partisë. Kjo shaka apo ky humor i Xhevairit u gjend si një tallje me ideologjinë zyrtare marksiste-leniniste, me revolucionin, si konkluzion edhe me Partinë e Punës, për pasojë, edhe me diktatorin. Me siguri që Xhevairit, as që i kishin shkuar në mendje gjëra të tilla kur kishte marrë lapsin dhe letrën në zyrën e Arzikos. Po t’i kishte menduar, e shumta që do të bënte, do të mjaftoheshe me deklamimin e tyre dhe jo me hedhjen e tyre në letër, të cilën as e grisi në fund, por e len me dëshirë si provë, si dëshmi kundër vetes!
Në organizatën e Partisë së “Zërit të popullit”, me sa më kujtohet, pati mendime kritike, të forta, por edhe më të moderuara. Në përgjithësi në “Zëri i popullit” ishte krijuar si një lloj tradite, gazetarët mbroheshin në organizatë për aq sa kishte mundësi organizata të bënte këtë mbrojtje. Unë në atë kohë kam qenë anëtar i byrosë së organizatës së Partisë. Në byronë e Partisë ne na u servir i gatshëm nga lart, sikurse thuhej atëherë,vendimi për dënimin e Xhevair Spahiut. Diskutimi në organizatë do të ishte formal, vetëm për të thënë se respektohej demokracia në Parti dhe për t’ua lënë mbi shpinë kolegëve të Xhevairit, komunistëve të gazetës, vendimin,që ishte marrë gjetkë për të.
Katër masa ndëshkimore mori Xhevair Spahiu duke e paguar kështu mjaft shtrenjtë “gotën e rakisë” së Përmetit. Organizata “vendosi” përjashtimin e tij nga Partia, largimin nga “Zëri i popullit”, degdisjen në Pukë familjarisht, dërgimin në minierë për t’u edukuar në gjirin e klasës punëtore. Mbaj mend se më pas dënimi u lehtësua. Xhevairi, p.sh., u largua nga “Zëri i popullit”, por jo nga Tirana. Kush e ndihmoi edhe këtë herë? Ka mjaft spekulime për këtë. Vetë Xhevairi, me sa di, nuk ka folur kurrë për dënimin që i’u dha atij dhe për vitet që pasuan. Mua më duket se Xhevairi nuk është rast unik. Nuk është se e vërejmë vetëm në rastin e tij faktin e dënimit rëndë në organizatën e Partisë së institucionit dhe, më pas, lehtësimin e këtij dënimi nga vetë ata, që e detyruan organizatën të pozicionohej ashpër. Lojëra të tilla të ulëta bëheshin me qëllim që i dënuari t’i ishte mirënjohës udhëheqjes së Partisë dhe diktatorit për zemërgjerësinë e treguar, pra për t’i shërbyer si borxhli edhe më me besnikëri, por edhe për të mbajtur gjallë frymën e mosbesimit e të përçarjes midis njerëzve, miqve dhe kolegëve. Kështu diktatori dhe Partia e kishin më të lehtë për të sunduar e për të bërë ligjin.
Interesant është se pas gjithë këtyre, në vitin 1979, Xhevair Spahiu arrin të botojë një vëllim me poezi të titulluar “Zgjimi i thellësive”. Sot kushdo mund të botojë. Nuk ishte kështu në diktaturë. Atëherë kishte vetëm një Ndërmarrje Shtetërore Botimi. Gjithçka kontrollohej, autori dhe vepra. Në këtë kënd vështrimi, Xhevairi është ndoshta shkrimtari apo poeti i vetëm, që në kushtet e dënimit, arrin të botojë. “Zgjimi i thellësive” doli dhe jetoi vetëm dy apo tri ditë në dy apo tri librari. Shumë shpejt, gjithnjë me porosi nga lart, ai u tërhoq nga qarkullimi dhe u dërgua për tu bërë karton. Me sa kam dëgjuar, pas kësaj atij i’u hoq e drejta e botimit dhe u morën edhe masa të tjera ndëshkimore. Megjithëkëtë, shohim se në vitet në vazhdim, në vitin 1980, 1981, 1983, 1987, 1989, 1990, 1991, ai sërish boton.
Edhe pas përmbysjes së diktaturës Xhevairi vazhdon të krijojë, gjithnjë me të njëjtin stil, herë, herë i dëshpëruar, herë, herë revoltues, gjithnjë me “hallet e popullit”. Ai u zgjodh për disa vite Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Tani ai mban titullin Akademik dhe në shtypin shqiptar, sidomos në kohën kur po kalonte një sëmundje të rëndë, është cilësuar si “poet i madh” apo “shkrimtar i madh”.
Goditja dhe dënimi i redaktorit letrar të “Zërit…”, Niko Taninit!
Në “Zëri i popullit”, gjatë viteve janë goditur jo vetëm gazetarë, shefa sektorësh e zëvendës kryeredaktorë, por edhe kryeredaktorë , madje edhe punonjës të thjeshtë, që nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me gazetarinë si krijimtari. Rasti më tronditës për të gjithë ne, që punonim në këtë gazetë në ato vite, është patjetër ai i redaktorit letrar të saj, Niko Taninit. Në jetën time kisha parë mjaft kolegë e miq të përjashtuar nga Partia, të depërtuar në rajone të largëta të vendit, midis maleve ku as lindte dhe as perëndonte dielli, të burgosur në qeli për të vdekur aty. Nuk kisha parë t’i vihen prangat dikujt porsa kalon pragun e zyrës për të shkuar në shtëpi, për t’u prehur disi, për të pirë edhe një gotë ujë, për të përkëdhelur edhe një herë fëmijën e vetëm, ndoshta për herë të fundit. Diçka e ngjashme ndodhi me Niko Taninin.
Në një mbledhje rutinë të kritikës së javës, kryeredaktori ynë drejtoi gishtin tregues nga Niko, duke shtuar se “midis nesh kemi armiq”! Niko u zbe dhe dikush, Petrit Çani më duket, gazetar i vjetër i “Zërit të popullit”, i ofroi një gotë ujë. Të gjithë mbetëm pa zë. Askush nga ne nuk mund ta mendonte Niko Taninin “armik” të pushtetit, të rrezikshëm për pushtetin dhe revolucionin! Jam i bindur se as vetë kryeredaktori, Agim Popa, nuk u besonte fjalëve që thoshte. Ai nuk ishte nga ata, që zbulojnë dhe denoncojnë “armiq”. Agim Popa, si çdokush në postin e tij, ishte i detyruar të përcillte në kolektivin tonë atë, që i’a kishin servirur organet e diktaturës së proletariatit.
Agim Popa kishte qenë partizan. Një vëlla e kishte dëshmor. E gjithë familja ishte e lidhur me Lëvizjen Antifashiste. Ai, në vitin 1959, kishte shërbyer në Tiranë si përkthyes i diktatorit në takimet e tij me Hrushovin, udhëheqësin e Partisë Komuniste Sovjetike, si edhe më pas në Mbledhjen e Partive Komuniste të mbajtur në Kremlin. Po këtë shërbim ai e kishte kryer edhe për kryeministrin Mehmet Shehu në një Sesion të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai, pra, ishte njeri i besuar i regjimit dhe kishte patur gjithnjë poste të rëndësishme në sektorë ideologjikë e të marrëdhënieve me jashtë. Megjithëkëtë, edhe ai e kishte një hije, që e ndiqte gjithë jetën pas. Në Konferencën e Partisë së Tiranës, mbajtur në vitin 1956, në atmosferën e përgjithshme që u krijua aty, kritikave të shumta për kultin e individit dhe privilegjeve të udhëheqësve të lartë të Partisë së Punës, i’u shtua edhe një pyetje e Agim Popës. Ai kërkoi të dinte: “Cilat janë arsyet e dënimit të Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut?”, dy ish anëtarë të Byrosë Politike të Partisë së Punës të burgosur si “armiq dhe tradhtar”. Tuk Jakova ishte edhe ‘Hero i Popullit’.
Agimi kishte kërkuar arsye aty ku ajo nuk kishte ekzistuar kurrë. Ky ishte gabimi i tij, i shënuar në blloqet e Mihal Bishës, Drejtorit të Kuadrit në Komitetin Qendror. Nga kjo Konferencë dhe pasojat e saj, Agimi kishte mësuar kështu se arsyeja nuk duhej kërkuar atje ku nuk gjendej, se nuk duheshin bërë pyetje ndaj vendimeve, që merreshin lart, se ai, si çdo anëtar i Partisë së Punës, nuk ishte më tepër se, siç thuhej në atë kohë, “ushtar i Partisë”. Ushtarit i kërkohet vetëm të zbatojë verbërisht urdhrat e komandës dhe jo t’i diskutojë ato, të japë edhe jetën për zbatimin e tyre. Kjo gjë quhej ndryshe edhe si “disiplinë e Partisë”. Këtë rol luajti Agim Popa në kritikën rutinë të javës kur i’u drejtua Niko Taninit. Mua më erdhi shumë keq për Nikon, por po aq edhe për Agim Popën, për të cilin kisha dhe ruajta gjithnjë të njëjtin respekt. Niko u akuzua sepse dikund i paska thënë dikujt se në Shqipëri nuk ka demokraci. Se kujt dhe ku, ne as duhet ta dinim dhe as duhet të pyesnim. Ne duhet vetëm të gjykonim, të hidhnim Nikon tej si leckë e grisur, për një fakt anonim, të panjohur prej nesh, të padëgjuar dhe të pashpjeguar.
Niko Tanini po i afrohej pensionit. Ai kishte një jetë të tërë që punonte në “Zëri i popullit”, i kërrusur mbas shkrimeve të gazetarëve, që jo gjithnjë shkruanin korrekt shqip dhe që jo gjithnjë ishin dakord edhe me ndërhyrjet e tij. Portretin e Nikos e ka dhënë mjaft mirë Mehmet Elezi, gazetar dhe më pas edhe kryeredaktor i “Zërit të popullit”. Në një artikull botuar në vitin 2003 në shtypin shqiptar, pas vdekjes së Nikos, Mehmet Elezi shkruan: “Niko njihej si njeri tejet skrupuloz, i ndershëm, i drejtë, me një prirje disi spartane në jetë e me një dozë besimi deri në naivitet, si të gjithë idealistët. Kur vinte ndonjë profesor a akademik me emër në redaksi, lumturohej e i vetonin syzet. Më shumë se me këdo tjetër i pëlqente shoqërimi me profesorët gjuhëtarë dhe historianë. Ndoshta kjo prirje shprehte një dëshirë a ëndërr të kahershme për t’u marrë me shkencë. Kish qejf me u përfshi në debate dhe me i shfaqë njohuritë e veta”.
Niko ishte njeri i hapur, njeri i ndjeshëm. Ai vinte në zyrën time ndonjëherë. Ai kishte dëshirë të lexonte Buletinin e Lajmeve të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, atë pjesë të buletinit, që nuk botohej, por që na jepej vetëm neve të Sektorit të Jashtëm për informacion dhe për ta përdorur në komentet dhe shënimet tona politike. Asnjëherë nuk lëshoi ndonjë fjalë që të rëndonte dikënd. Asnjëherë ai nuk komentoi, si “armik” i fshehtë që ishte, qoftë edhe tërthorazi, lajmet që lexonte mbi zhvillimet në botë, që i lexonte në zyrën time. Nëse kishte diçka për të thënë nuk e fshihte, e thoshte hapur, përpara të gjithëve, por gjithnjë pa të keq, madje me humor. Ironia, gjithashtu, nuk i mungonte.
Në redaksinë e “Zërit të popullit” ishte bërë si njëlloj tradite që kur dikush largohej nga gazeta dhe emërohej në një detyrë tjetër, më me përgjegjësi, organizohej një takim me të gjithë punonjësit e gazetës. Në këto raste na ofrohej edhe nga një gotë konjak. Ne i uronim “punë të mbarë” dhe “suksese” kolegut tonë që largohej. Nuk mungonin edhe batutat dhe historitë gazmore. Në një takim të tillë, Niko Tanini, pasi kishte pirë disi, bëri portretet e disa gazetarëve. Me sa më kujtohet, dikush e pyeti se çmendim kishte ai për Pavllo Gjideden, gazetar i njohur i “Zërit të popullit”. Pasi u mendua paksa, Niko e skicoi me këto fjalë atë: “Pavlloja? Hëm, një shenjtor i dështuar”. Pastaj dikush e pyeti për Petrit Çanin. Niko hodhi vështrimin zhbirues andej nga Petriti dhe tha: “Petriti, ë? Daleni një çikë sa t’ia dalloj fytyrën”. Batuta të tilla lëshoi Niko atë ditë edhe për Mehmet Elezin, për Thimi Nikën, edhe ky gazetar në “Zëri i popullit”, për Shaban Hidrin, sekretar i Kolegjiumit, e ndonjë tjetër. Të gjithë ne qeshnim me fjalët e tij. Askush nuk fyhej.
Ndryshe, krejt ndryshe u largua Niko prej nesh. Në vend të zhurmës së humorit, një heshtje ankthi. Në vend të trokitjes së gëzuar të gotave të konjakut, kërcëllima e prangave, që i vunë në duar porsa zbriti shkallët e godinës së “Zërit të popullit”. Aty e pritën dy agjentë të Sigurimit të Shtetit, që e futën në një “Xhip”-s, pa i lënë kohë që të kthejë kokën nga shtëpia. Ai banonte në anën tjetër të bulevardit “Stalin”, përballë godinës së “Zërit të popullit”.
Niko u dënua, në mos gaboj, 10 vjet, në bazë të nenit famëkeq “për agjitacion e propagandë” kundër pushtetit popullor. Në sallën e Gjykatës, sikurse na u tha neve në redaksi, ai “ishte trimëruar” dhe kishte deklaruar: “Në Shqipëri nuk ka demokraci!” Nuk e di a është e vërtetë kjo apo u tha për ta rënduar atë, për të provuar atë që nuk u provua në kolektiv kur do të arrestohej, pra se Niko ishte “armik” dhe ne duhet të ishim të qetë në ndërgjegjen tonë. Ai u lirua nga burgu me fillimin e Lëvizjes Demokratike. Fisnik, asnjëherë nuk i zuri në gojë denoncuesit e tij, dëshmitarët e kurdisur, që e përplasën burgjeve, hetuesit, gardianët.
I plakur tashmë, ai kishte vetëm një peng. Ai donte të largohej nga Shqipëria për në Kanada ku jetonte vajza e tij e vetme, Xheni, të jetonte qoftë edhe disa ditë me atë që e la fëmijë dhe e gjeti të rritur, grua. Niko nxori edhe pasaportën për në Kanada, por ajo nuk i hyri kurrë në punë. Ai nuk kishte të paguante biletën e avionit. Priti nga qeveritë demokrate dhe socialiste, që alternoheshin, mos i jepnin njëlloj dëmshpërblimi për vitet e tij të burgut. Ato u kishin premtuar këtë gjë ish të burgosurve politikë të diktaturës, por vetëm premtuar. Niko nuk kërkonte shumë për dhjetë vite burg. Ai donte aq sa të paguante biletën e avionit. Ky do të ishte “shpërblimi” i vetëm për vitet e burgut. Nuk do ta donte atë nëse do të kishte mundësi tjetër financimi. Nga vajza nuk donte që t’i paguhej bileta. Ishte mjaft krenar dhe e dinte se në emigracion jeta nuk është rozë, sikurse besohet shpesh.
Niko nuk shkoi dot në Kanada, nuk e pa më vajzën e tij dhe nipin, që ishte po në atë moshë sa ishte edhe e bija Xheni, kur e burgosën. Ai kish dashur ta edukonte atë me atdhedashuri. Ishin takuar njëherë dhe i kishte recituar vargjet e poetit tonë të Rilindjes, Çajupit: “Ku na duket balta më e ëmbël se mjalta? Në Shqipëri”. Në këtë baltë u mbulua Niko Tanini. Ai kishte mjaft miq e dashamirës që e respektonin, por pas burgut jetoi i vetmuar dhe po kështu u largua nga kjo jetë, i vetmuar, ashtu si atë ditë kur i vunë prangat, por tani për të mos u rikthyer më. Pas burgut unë e takova vetëm një herë. Ai erdhi e më përshëndeti në redaksinë e gazetës “Rilindja Demokratike”, që në atë kohë e kishte selinë jo larg shtëpisë së tij. Nuk u takuam më dhe ndjej një peng. Jeta na rrëmben në vorbullën e saj të përditshme dhe harrojmë se nuk jemi të përjetshëm, se një takim mund të jetë i fundit edhe kur nuk e dëshiron këtë.
Pas Niko Taninit, “radha” për në bankën e të akuzuarave, për Pipi Mitrojorgjin!
Pas Nikos do të vihej në bankën e akuzës dhe të kritikave dërmuese Pipi Mitrojorgji, kryeredaktori i gazetës. Në historikun e saj, gazeta “Zëri i popullit” numëron disa kryeredaktorë, që janë deklaruar si “armiq” dhe “tradhtar”. Të tillë janë, p.sh., Fadil Paçrami, Dashnor Mamaqi dhe Todi Lubonja, të tre anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë, të tre të internuar dhe të burgosur nga diktatura pas Plenumit të IV të Komitetit Qendror të Partisë. A do t’i rezervonte Partia këtë fund tragjik edhe Pipi Mitrojorgjit?
Kur u dënua Todi Lubonja, u dërgua nga Komiteti Qendror i Partisë, në një takim me gazetarët e Radio-Televizionit, Pipi Mitrojorgji. Në atë kohë ai ishte drejtor i Drejtorisë së Shtypit në Komitetin Qendror të Partisë. Midis të tjerave, Pipi u tha atyre: “Të punoni me kujdes e vigjilencë që të zhdukni sa më shpejt gjurmët e punës armiqësore të Todi Lubonjës në Radio Televizionin Shqiptar”. Disa vite më pas, atij ju desht të përgjigjej vetë përpara gazetarëve të “Zërit të popullit”, për një tjetër “veprimtari armiqësore”, në të cilën ai, donte apo nuk donte, do të gjendej i përzier. Kështu është e gjithë Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë. Akuzuesit e sotëm, janë kthyer të nesërmen në të akuzuar nga të tjerë akuzues, të cilët, edhe ata nuk do t’i shpëtojnë dot fatit për t’u kthyer në të akuzuar.
Historia e kësaj Partie i ngjan një valleje fatale gjatë së cilës ata, që janë në krye tërheqin të tjerët drejt fundit, ndërsa ata, që janë më pas i shtyjnë të parët drejt të njëjtit fund. Tragjedia është se të gjithë kanë qenë shokë e miq, luftëtarë e heronj, trima të çartur dhe me nishane. Ironia është se disa e bëjnë këtë me zell sepse janë idealistë naivë, të tjerët, po me të njëjtin zell, e bëjnë sepse janë karrieristë, pa personalitet. Disa e bëjnë edhe nga frika. Këta të fundit janë të trembur, janë të ndërgjegjshëm se vallja e tyre është vallja e vdekjes, por nuk mund të largohen prej saj, shpresojnë që ajo të zgjasë sa më shumë, që ajo tu rezultojë si një ëndërr e çmendur. Sigurisht, në jetë dhe tek njeriu, ndarjet nuk mund të jenë kështu të prera si me thikë. Sidoqoftë, Pipi Mitrojorgjin, me aq sa e kam njohur, unë do ta rreshtoja midis idealistëve naivë. Memorie.al