Në Partinë Demokratike pritet zhvillimi i dy Kuvendeve, një i Berishës më 11 dhjetor dhe tjetri i Bashës më 18 dhjetor. Kush mendoni se do të konfirmohet dhe a e shpëton PD-në nga përçarja?
Kuvendi i 11 dhjetorit është i ai i vërteti dhe sigurisht, legjitim. Pikë së pari për herë të parë në gjithë historinë e pluralizmit në Shqipëri (por edhe më tej nëse dëshironi), anëtarësia arrin që të ushtrojë të drejtën e vet që të thërrasë një Kuvend për çështje madhore, gati ekzistenciale të forcës politike që përfaqëson. Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një Kuvend të jetë mbledhur nga anëtarësia, e cila thuajse gjithmonë është përdoruar nga elita partiake në mënyrën më vulgare të mundshme. Ndaj edhe 11 dhjetori vlen pikërisht për këtë fakt: se delegati, anëtari i thjeshtë ka kuptuar më në fund rëndësinë që ai ka në një forcë politike, madje edhe përkundrejt lidershipit të partisë.
Së dyti, nga ana juridike, kuvendi (duke hequr veçmas inisiatorin e tij, z.Berisha, të cilin e bëj po aq fajtor për rrënimin e PD-së sakundër Bashën), është legjitim për faktin se legjislativi, pra organi më i lartë i një force politike, i cili është pikërisht Kuvendi, për herë të parë merr pozicionin që i takon, pra mbi Kryetarin e Partisë dhe mbi kryesinë e saj, ashtu sikundër është në fakt. Nuk ndodh kurrë që Ekzekutivi të zgjedhë apo shkarkojë legjislativin, teksa ky i fundit ka forcën e ligjit si për të vendosur se cili të jetë kryetari dhe kur ta shkarkojë këtë të fundit, për shkak të cënimit të besueshmërisë dhe dështimeve të njëpasnjëshme të tij.
Së treti, arsyeja për të cilin është thirrë nga anëtarësia qëndron mbi parimet bazë të funksionimit të demokracisë: e drejta e anëtarit për vendimarrje. Kur një kryetar partie i lejon vehtes që pa pyetur askënd, largon, pezullon, apo shkarkon nga partia liderin historik, atëherë çfarë do ta pengonte këtë kryetar që ta ndërrrmerrte të njëjtin vendim ndaj çdo anëtari tjetër, kudoqoftë ai(!?) Shikoni pak shkarkimin totalisht vulgar të Kryetarit të degës së PD-së Fier, z. Luan Baçi nga ana e Bashës, vetëm dhe vetëm se mori pjesë në Foltoren e z. Berisha. Pikërisht për të vënë një barrierë të madhe mbi këtë precedent kaq të rrezikshëm, Kuvendi i 11 dhjetorit është pak të thuash i drejtë dhe legjitim. Më pas gjithë skizma e Basha & CO se gjoja nuk është ndjekur procedura (kur realisht nuk ka asnjë procedurë, asnjë rregull, as në statut dhe as në rregullore sesi procedohet kur Kuvendi thirret nga anëtarësia), nuk është veçse një artificë për të shpëtuar nga kaosi ku ka përfunduar aktualisht lidershipi i PD-së. Duhet thënë qartë dhe pastër se delegatët e PD-së nuk janë aspak njerëz anonimë, sikundër pretendohej deri para pak ditësh nga lidershipi. Dihet fare mirë se delegatë janë deputetët, kryetarët e degëve, kryetarët e grupseksioneve, sekretarët, kryetarët e forumeve të ndryshme, pra të gjithë njerëz që janë të njohur më së miri nga partia për shkak të funksionit që ata kanë. Pikërisht për këtë arsye, është fare e lehtë për ti verifikuar si mandat-mbajtës të delegatit apo jo. Do mjaftonte që “kuriozët” ose më mirë, ata që nuk besojnë tek 4200 firmat e sjella në zyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka (zyrtarisht, zyrtari më i lartë në PD), të shkonin dhe ti verifikonin. Fakti që nuk kanë dashur që ta bëjnë këtë gjë, duke lëshuar klithma përpëlitëse tregon për miopinë në të cilën ndodhet pjesa më e madhe e drejtuesve të kësaj partie. Personalisht besoj se Kuvendi i 11 dhjetorit do të jetë brenda kornizës ligjore, çka do të sfumojë më pas atë të thirrur nga Basha një javë më pas, që i ngjan as më shumë dhe as më pak sesa një anti-kuvendi, me sahalëpirësa që kanë humbur edhe lidhjen organike me bazën e partisë. Nëse Basha kërkon vërtet legjitimitet në PD, ai nuk duhet asesi që “të fshihet pas gishtit” dhe të mbrohet pas votimit të 13 qershorit. Unë nuk e kuptoj se për çfarë i duhet një kryetari vula kur ka një pjesë të mirë të bazës kundër(!?). Për çfarë të duhet të jesh kryetar kur teorikisht (praktikisht as që bëhet fjalë), ke zero shanse që ta çosh forcën tënde politike në pushtet, të paktën në 10 vitet e ardhshme(!?). Kush është ai demokrat që pret derisa “të rritet” Basha? Pikërisht për të gjitha këto arsye, Basha ka vetëm 1 rrugë, të cilën do duhej ta kishte marrë prej kohësh, por që me një lloj miopie, arrogance, apo frike vendosi që të mos ta bënte: Foltoren e tij. Pas vendimit të 9 shtatorit, dhe duke qenë se e mori në vetë të parë pa pyetur askënd ishte detyra dhe detyrimi i vetë Bashës që të dilte në bazë dh të takonte demokratët. Ishte detyrimi i tij që tu tregonte se përse e mori një vendim të tillë. Kjo do të shuante goxha urrejtjen e anëtarësisë ndaj tij, e cila për fat të keq ka ardhur duke u shtuar. Në këto kushte Basha duhet të shkojë vetë ai në Kuvendin e 11 dhjetorit dhe të kërkojë votbesimin e anëtarësisë. Përderisa në gjithë këto vite atë e kanë quajtur “kukulla e Berishës”; perderisa vetë ai po thotë gjatë kësaj kohe se shumë vendime të rëndësishme i ka marrë për shkak të Berishës; përderisa u bë kryetar për herë të tretë pikërisht për shkak të mbështetjes së Berishës, gjë e cila po thuhet qartazi nga shumë anëtarë se e kanë votuar vetëm se e mbështeste ky i fundit; për të hequr barrën morale si “berishisti tipik” në PD për shkak të mënyrës (por jo arritjeve) sesi ka drejtuar partinë gjatë këtyre viteve; për të shuar të gjitha këto alibi dhe për të mos rrezikuar çarjen fatale të PD-së, Basha duhet të kërkojë votbesimin në Kuvendin e 11 dhjetorit. Madje unë jam edhe për Kuvendin e 18 dhjetorit, por vetëm nëse Basha do të kërkojë zyrtarisht votbesimin duke e futur këtë gjë në rendin e ditës së diskutimeve. Atëherë besoj se shumë demokratë do të shkojnë edhe nmë 18 dhjetor. Kjo është e vetmja zgjidhje, përndryshe PD-ja do të çahet në dy parti dhe Bashës “ti rrojë vula”, se Kryeministër nuk bëhet as në ëndrrat e tija më të bukura.
Mbështetësit e Bashës prisnin nga SHBA një përkrahje më të madhe, duke shpresuar edhe të bënin publike një pjesë të “dosjes Berisha”, për të cilën ata e shpallën “non grata”. Përse nuk ka ndodhur deri më tani dhe a mendoni se mund të ketë surpriza nga Uashingtoni pak ditë para 11 dhjetorit?
Personalisht edhe unë kam pritur që ambasada amerikane, për hir të transparencës dhe të ardhmes së PD-së, të publikonte fakte konkrete mbi të cilin u mor edhe “non grata” ndaj z.Berisha. Mesa duket, vendimi i DASH, më shumë sesa mbi fakte është marrë mbi lobiome dhe opinione. Më shumë sesa për korrupsion të rëndë, kur dihet se me të njëjtin verb do duhej të shpallej “non grata” Rama & CO, është politik. Unë besoj se Amerika nuk është Zoti dhe e pagabueshme. Politika amerikane ka gabuar në shumë e shumë raste të tjera në botë, ndaj duke njohur politikanët e 3 dekadave të fundit në Shqipëri, nuk besoj se z.Berisha është/ ishte shembulli për tu marrë me qëllim që të trembeshin të tjerët. Sigurisht që qeverisja e Berishës ka pasur probleme të mëdha me korrupsionin, por krahasuar me atë që po përjeton aktualisht Shqipëria nën regjimin e Ramës, duket si një pikë uji në oqean. Ndaj edhe vendimin e SHBA e kam parë që në krye të herës me shumë skepticizëm.
Krahas përçarjes së partisë më të madhe opozitare, duket e sigurt edhe përçarja e “bllokut opozitar”, ku LSI ka nisur sulmet ndaj Bashës, por futja në lojë e Berishës mund të ndryshojë edhe qasje tjetër. Nëse Berisha arrin të marrë “vulën” e PD-së, a pritet që LSI me rikthimin e Metës ti bashkohet frontit opozitar duke pasur dyshen Berisha-Meta në drejtim?
Çarja e frontit opozitar tregoi edhe njëherë sesa e brishtë ishte koalicioni PD-LSI dhe sa e pa sinqertë ishte kauza opozitare e firmosur nga Basha dhe Kryemadhi. Duhet ta pranojmë: Basha nuk e ka dashur asnjëherë LSI-në, as në 2017 ku e luftoi qartazi dhe as në 2021 kur e anashkaoi si të mos e kishte krah të djathtë. Arsyet qëndrojnë ndoshta në faktin se Basha e sheh më të thjeshtë të bëjë koalicion me Ramën si në 2017-ën (kjo edhe për shkak të ndikimit të Sorrosit si tek Basha dhe te Rama natyrisht), sesa me LSI-në. Sakaq, tjetër gjë pres në rast se PD-në e merr Berisha apo dikush tjetër që natyrisht nuk është Basha. Me shumë gjasa, Meta nesër (nga korriku 2022) do të ishte përkrah PD-së. Në të kundërt, me çarjen e PD-së rrezikojmë të kemi një parti të madhe, PS-në dhe disa parti të vogla, të cilat do të ndajnë pak a shumë përqindje të vogla (10, 15, 20 %), të pamjaftueshme asnjëherë për të ardhur në pushtet.
Deri më tani Rama ka mbajtur qëllimisht një “qëndrim neutral”, duke mos komentuar zhvillimet në PD. Është komod teksa sheh përçarjen, apo po pret zhvillimet për të ndërmarrë nisma? Nëse Berisha nis të forcohet në PD, a mund të kemi një bllok Rama-Basha, kundër Berisha-Meta?
Nëse Berisha merr PD-në, atëherë Basha “zhduket nga qarkullimi”, ndaj nuk pres që të kemi një bllok Rama-Basha. Sakaq, kryeministri për mendimin tim po shijon në maksimum kaosin në PD-së dhe besoj fort se as në ëndërrat më të bukura, nuk do ta kishte menduar kaq komod mandatin e tretë. Sigurisht, një ndihmë të madhe në këtë rast i ka dhënë fodullëku i LSI-së, miopia dhe lidershipi i dobët i Bashës para 25 prillit, si dhe mbështetja indirekte, e ambasadores së SHBA-së, e cila jo vetëm që legjitimoi mega-korrupsionin e “Rilindjes”; jo vetëm që pagëzoi me dorën e vet hajdutërinë e Ramës në rastin e Kodit Zgjedhor, por nuk nguroi edhe ta uronte këtë të fundit për zgjedhjet, akoma pa mbaruar numërimi i votave.