Liqeni i vargjeve Lasgushiane të Poradecit të thellë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 Nga Leonard Veizi

Ai rremonte fort në vargjet e tij. Po aq sa peshkatari që kish dalë me varkë mes dallgësh në liqen. Lirik i thellë. Krejt i dashuruar me gjithçka të bukur mbi këtë tokë. Liqenin, qiellin, bregun, valëzat e ujët në krua. Quhej Llazar dhe ishte nga Pogradeci. E padyshim liqeni i madh që shtrihej gjerësisht përballë tij duhet të ketë luajtur një rol epik, për të mos thënë të jashtëzakonshëm, në muzën e përhershme e të pashtershme.

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir

Po përhapet dal-nga-dalë një pluhúrë si një hije.

Ato nuk ishin thjesht vargje lirike. Ato ishin Lasgushiane. Sepse askush tjetër veç tij nuk do mund të thurrte vargje me një ritëm të tillë, me kode e një kriptogrami, fort të mundimshme për t’u deshifruar.

 

Se s’dashuronja-as un’ as ti,

Po dashuronte dashurija:

Një dashuri – një fshehtësi

M’e fshehur sesa fshehtësija.

 

Për dashurinë dhe liqenin do të shkruante vargje në pafundësi, nëse do të kishte mundësi e jetë të përtejme. Kurrë s’kishte për t’u lodhur. Dhe asnjëherë nuk do t’i tretej frymëzimi. Sepse ai ishte i dashuruar me liqenin dhe qytetin e tij të vogël e madhështor. Por dhe nga e bukura femërore padyshim që ndihej i frymëzuar në çdo çast. Ndaj ishte ai që shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shpirtin e çdo lexuesi.

 

Syri-i bukur që t’u mvrenjt –

Syri yt që më lëndon

Do më lerë-a von a shpejt,

Do më lerë-a shpejt a von.

 

Ai ishte një poet vetmitar, ndoshta bohem, që në shëtitjen e përhershme buzë liqenit kishte një mik besnik, një qen i vogël e leshator që quhej Cuci. Krejt i përveçëm për atë që e frymëzonte dhe e transmetonte, ai do të dilte mëngjeseve herët a mbrëmjeve vonë buzë liqenit, duke marrë mbi vete dhe mërmëritjen e njerëzve, në sytë e të cilëve trupi i tij i vogël ishte si një vigan: Është Lasgushi.

 

Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadal.

Ti po vjen që prej së largu duke shkitur mbi lëndina.

Nënë thëmbërzat e tua përgëzohet trëndelina,

Shtrihet luleja mitare e zembakut që t’u fal.

 

Në një lojë fjalësh estetike, filozofia e vargjeve të tij duket se e ka burimin nga gjithçka e bukur e jetësore, dhe për më tepër fort ndjesore.

 

Mi zall te pyllit vjeshtarak

Dremit liqeri pa kufi,

Ai ndaj fundesh u perflak

Posi me zjarr e me flori.

 

Dhe pse emri i tij i vërtetë është Llazar Gusho ai u njoh për së shumti si Lasgush Poradeci. Sepse ky ishte dhe pseudonimi i tij letrar i krijuar nga një bashkim gërmash që gjithsesi kishin të bënin me identitetin e tij.

Lexo edhe :  Faji i të pafajshmes, Eva!

 

Shpirti im që sot u mbyll

dhe gëzimin m’a përzuri.

nëpër mal e nëpër pyll

zu dëbora prej qëkuri.

 

Lasgushi shkroi vargje aq sa duhet shkruar, jo më shumë se 100 poezi. Një pjesë e tyre u kthyen në hite, dhe qarkullojnë gojë më gojë si në një legjendë, nga ata që s’e patën lexuar kurrë atë. Por që vargjet ia njihnin. Sepse kjo është magjia e poetit, ai të thurë vargje dhe të tjerët t’ia ngrejnë në monument.

 

Se të desha vetë,

Dhe t’u nqasa vetë,

Dhe të putha vetë.

 

Thonë se ishte adhurues i fjalëve arkaike, shprehjeve filozofike popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore. Por në fakt një gjë e tillë është krejt e dukshme në të gjithë krijimtarinë e tij.

 

Yjtë-e ndezur si fingjill,

Që vërtiten palë-palë,

Prej mosgjëje zunë fill

Plot me jetë-e mall të valë.

 

Zunë fill me dashuri

Që kur bota zu të ngjizet,

Pa sikush për shok të tij

Përvëlohet edhe ndizet.

 

Në jetëshkrimin e tij thuhet se u lind më 27 dhjetor të vitit 1899 në Pogradec. Studioi në Manastir në Athinë e Bukuresht. Por së fundi regjistrohet pranë Universitetit të Gracit “Karol Francik” në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike.

Në Tiranë punoi si përkthyes pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” deri kur doli në pension më 1974, ku solli në shqip disa nga kryeveprat e letërsisë botërore.

Megjithëse ndodhej në Tiranë, kur u nda nga jeta më 12 nëntorin e vitit 1987, trupi i tij prehet në vendin e tij të lindjes, në Pogradec.

Dy vite më vonë, më 1989 vepra e plotë e Lasgush Poradecit pa dritën e botimit.

 

Me zjarr ju flas…, me zjarr.

Në gjirin tim kam hapur varr…

Që t’i jap shpresë-edhe t’j-a marr…

 

Un’ ik liqerit zemërak

Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,

Po zemra ime kullon gjak.

 

Tanimë, me emrin e tij janë të lidhura vende të cilat e mbajnë në kujtesë si të konservuar e të paoksiduar emrin e vargjet e tij.

Lasgushi sot është “Nderi i Kombit”.  Pogradecit i dha titullin “Qytetar nderi” bashkë me një shtatore bronzi që lartohet në lulishten kryesore të qytetit. Pallati i Kulturës në Pogradec mban emrin tij. Dhe po ashtu një shkollë 9-vjeçare në kryeqytet. Por dhe rruga te Diga, te Liqeni artificial i Tiranës, mban emrin: Lasgush Poradeci.

Të fundit

Tom Doshi: Do të bashkëpunojmë me PS, nuk do të risjellim në pushtet Berishën!

Tom Doshi ka deklaruar se e Partisë Social Demokrate pret që në Korçë të marrë 1 mandat në zgjedhjet...

Rama: Brenda kësaj dekade Shqipëria do jetë e pavarur për furnizimin me energji

Kryeministri Edi Rama në Fier u ndal tek arritjet kyçe në prodhimin dhe diversifikimin e burimeve të energjisë. Rama tregoi dhe planet për të...

Rritja e kredisë nuk ndalet, 17% më shumë për tremujorin e parë të vitit

Kreditimi i ekonomisë u rrit përsëri në muajin mars dhe ndodhet në nivelet më të larta historike për tremujorin e parë të vitit. Sipas...

Tragjedi në familjen e influencueses: Humb jetën vajza e saj 12-muajshe

Influencuesja, Lizzie Kieffer, ka ndarë me ndjekësit e saj një dhimbje të papërshkrueshme: vajza e saj e vogël, Lilian “Lily” Louise, ndërroi jetë në...

Pse rriten ndjeshëm eksportet bujqësore?

Fatos Çoçoli Sipas INSTAT, eksportet bujqësore për periudhën janar-mars 2025, në krahasim me janar-mars 2024, u shtuan me 26 përqind në vlerë dhe me 11...

Lajme të tjera

Web TV