Nga Leonard Karaj
Javën e kaluar janë shpërndarë nëpërmjet rrjeteve sociale tri lista, dy ku janë afishuar pagat e muajve janar dhe prill të të punësuarve në sektorin shtetëror dhe privat dhe një listë tjetër me targat dhe emrat e subjekteve që e posedonin, duke thyer çdo limit privatësie. A ka kosto qeveria për këtë skandal?
Kosto?! Aq i rëndë është ky skandal sa nuk e ekzagjeroj aspak nëse them se në çdo vend tjetër të Europës, jo vetëm që kryeministri dhe qeveria do ishin dorëhequr menjëherë, por gjithë shteti do ishte shkundur nga themelet. Unë do ta mirëkuptoja deri diku, por asesi ta shfajësoja shtetin, në rast se një gjë e tillë do kishte ardhur nga një “hakers”, si në rastin për shembull të “ëikileaks”. Por edhe në atë rast përgjegjës është qeveria, pasi ne si qytetarë i kemi dhënë mundësinë që të jetë “gardiani i kasafortës tonë”. Të vetmet gjëra thelbësisht private që ka njeriu janë numri indentifikues (i vetmi nga lindja në vdekje), përfitimi financiar dhe bindjet e tija. Tani, çfarë të presësh më shumë nga një qeveri e tillë, e cila harxhon miliona euro gjoja për dixhitalizimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe në fund, si pa gjënë më të keqe këto të dhëna i ke lehtazi në publik.
Sakaq, duhet ta pranojmë se ne jemi realisht popull barbar, pasi skandali i privatësisë tregoi qartazi sesa të pa interesuar jemi për privaten dhe me një mungesë të madhe kulture ndaj vehtes. Në vend që qytetarët të ngriheshin në protesta mbarë popullore, jo thjesht për të rrëzuar këtë “palo-qeveri”, këtë shtet langaraq, të gjithë u morën me rrogat e njëri-tjetrit duke shijuar hipokrizinë që ka mbërthyer këtë vend. Në këtë kuptim shqiptarët e meritojnë realisht “të zhvishen lakuriq” nga ata që i drejtojnë, pasi nuk nuk e di se çfarë tjetër mund ti bëjë shteti një qytetari, kur i nxjerr në shesh gjithçka: emër, mbiemër, atësi, ditëlindje, rrogë, bindje politike dhe numër karte identiteti. Përtej këtyre një njeriu nuk u mbetet asgjë, asgjë fare, të cilën mund ta konsiderojë private. Dhe kur kjo vjen, pikërisht nga ai që duhet të të mbrojë, pra shteti, atëherë kjo nuk është thjesht të vësh duart në kokë, por “ta heqësh kokën fare”.
Përtej kësaj, ky skandal nxorri në pah (dhe jo se nuk e dinim) sesa informalitet dhe pastrim të ardhurash bëhen me ligj në Shqipëri. Si mund të besosh se një drejtues mediash mund të paguhet deri në 25 milionë lekë të rinj në muaj rrogë (200 mijë euro rrogë në muaj)?! Dhe nga ana tjetër, si mund të besosh se ka kaq shumë shqiptarë, kryesisht në sektorin privat, që paguhen (deklarojnë) vetëm 30 mijë lekë të rinj në muaj?! Në cilin vend të Europës do të kishte kaq diferencë të madhe mes rrogës më të lartë dhe asaj më të ulët të deklaruar në sistemin tatimor? Askërrkundi. Në këtë kontekst, nuk duhet të jesh gjeni për të kuptuar se kemi të bëjmë sa me pastrim të pastër parash, po aq edhe me një informalitet të frikshëm.
Kryeministri ka pranuar skandalin e publikimit të të dhënave personale, por kjo gjë sipas tij nuk ç’bëhet më. A ka reguar mjaftueshëm Rama për këtë ngjarje?
Kryeministri dhe qeveria që ai drejton do duhej të ishin dorëhequr që ditën kur ky skandal u bë publik. Unë nuk e kuptoj, por çfarë ngjarje tjetër e rëndë, për më tepër kur jo vetëm që nuk ka justifikim, por edhe ku përgjegjësia është 100% e saja, duhet ti ndodhë një qeverie dhe një kryeministri që të japë dorëheqjen?! Unë nuk besoj se ka skandal më të madh sesa kur dalin në shesh të dhënat personale të më shumë se 637 mijë shqiptarëve. Ndaj ashtu si në rastin e patronazhistëve të Partisë Socialiste, ngjarje e cila u kalua sikur nuk kishte ndodhur asgjë (madje edhe me qesëndi dhe mburrje deri hipokrizi), edhe këtë herë, Rama bëri sikur iu dhimbs Shqipëria, teksa lëshoi një “mea culpa” që as militaniti më i thekur nuk besoj se e besoi.
Në gjykimin tuaj kush janë të interesuar të publikohen të dhënat e qytetarëve, ku tashmë nuk ka asnjë konfidecialitet me kartat e identitetit, adresën e banimit, pagën që marrin, automjetin që përdorin dhe numrin e telefonit të qytetarëve?
Të interesuar mund të jenë grupet kriminale që merren me fallsifikim dokumentash. Nuk është çudi që tanimë kartat e identifikimit dhe pasaportat e shqiptarëve të klonohen pa pikë problemi në tregun e zi dhe të përdoren nga shtetas të vende të tjera, kryesisht afrikano-aziatike. Të interesuar mund të jenë shërbime sekrete të vendeve të tjera, pak ose aspak miqësore me Shqipërinë. Të interesuar për një skandal të tillë mund të jenë cilido shtetas shqiptar, i papërgjegjshëm totalisht, i cili ka pasur luksin të kenë në dorë privatësinë e qytetarëve të këtij vendi dhe e ka shpërdoruar në mënyrën më të frikshme të mundshme. Me aq sa po kuptohet, i sigurt është fakti se nuk kemi të bëjmë me një sulm piratësh kompjuterikë, por me personel të papërgjegjshëm, të rekrutuar aty nga këta “rilindas” që në 8 vite qeverisje kanë krijuar hendekun më të madh social që ka pasur ndonjëherë ky vend që pas Luftës së Dytë Botërore.
Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, a qëndron kjo kërkesë? Përse Shqipëria është kaq e pasigurt në ruajtjen e të dhënave personale, pavarësisht investimeve që janë kryer në sistemin dixhital?
Kërkesa e opozitës për dorëheqjen e Ramës është gjëja më minimale që duhej të kërkonte. Por përtej kësaj detyra e opozitës duhej të ishte udhëheqja e qytetarëve në protesta masive kundër një skandali të tillë, gjë që në fakt asqë e konsideroi si një mundësi. Ndërsa sa i përket sigurisë në të dhënat personale, ky skandal tregoi se edhe pse harxhojmë 80 milionë euro në vit për mbrojtje kompjuterike, jemi më e pakta në rangun e vendeve afrikane të botës së tretë dhe më e shumta të vjedhur ditën për diell.
Si do e komentoni vitin 2021, me të paktën dy zhvillmet e mëdha: zgjedhjet e 25 prillit dhe situata në PD?
Viti 2021 do duhet të fshihet nga kalendari për opozitën, veçanërisht Partinë Demokratike dhe të galvanizohet në maksimum nga PS-ja e Ramës. Çka prodhoi 25 prilli me mandatin e tretë të “Rilindjes” tregoi qartazi edhe besueshmërinë e paktë që kanë shqiptarët tek lidershipi i Lulzim Bashës. Është e trishtueshme kur mendon se edhe pse jemi qeverisur nga një kastë politike ndër më të korruptuarat në botë dhe sërish qytetarët votuan për vijueshmërinë dhe jo për ndryshimin. Në këtë kontekst, problemi nuk qëndron tek ai (Rama), që i fitoi ato zgjedhje, por më së shumti tek ai (Basha), që i humbi ato. Kështu që sa më parë të ndodhë qartësimi i opozitës në raport me aksionin e saj në vitet në vijim, aq më shpejt do të vijë edhe rrëzimi i një ndër regjimeve më kurruptive qe kemi pasur në këto 30 vjet demokraci.