CIA: Roli i Zbulimit grek në operacionet kundër Enver Hoxhës në vitin 1954! KGB i dinte planet e…

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

AURON TARE/ Nuk ka asnjë dyshim se kushdo që ka lexuar sadopak mbi operacionet sekrete anglo-amerikane kundër Enver Hoxhës do të përgjigjej se tradhtari i tyre ishte Kim Filbi. Një prej agjentëve më të famshëm të shekullit XX, i portretizuar në qindra libra dhe disa filma të Hollywood-it, Flibi është ende sot simboli i “Tradhtisë së madhe”.

Roli i tij në këto operacione është analizuar nga shumë analistë të fushës dhe në veçanti nga Lord Bethel, në librin e tij të njohur tashmë edhe nga publiku shqiptar. Megjithatë, në disa botime të ndryshme të studiuesve të huaj të historisë së Shërbimeve Sekrete, roli i Kim Filbit është vënë në pikëpyetje. Megjithëse opinione jo dominuese në këtë debat, këta studiues kanë mbështetur faktin se roli i Kim Filbit në këto operacione është i ekzagjeruar. Duhet theksuar se Kim Filbi për sovjetikët ishte një nga agjentët më të rëndësishëm në gjirin e shërbimeve perëndimore. Nga të gjithë oficerët e kohës, Filbi parashikohej si kreu i ardhshëm i MI6 britanik.

Ky parashikim, sigurisht që njihej nga sovjetikët dhe për çfarëdo arsye ata nuk dëshironin që aseti i tyre më i rëndësishëm të komprometohej. Gjithsesi, vetë Kim Filbi në librin e tij autobiografik “My silent war”(“Lufta ime e heshtur”) thekson se ishte ai që i tradhtoi operacionet anglo-amerikane kundër Shqipërisë, dëshmi kjo që duhet marrë me shumë rezerva. Duke pasur mundësinë e studimit të arkivave të deklasifikuara anglo- amerikane të këtyre operacioneve, mendoj se roli i Kim Filbit duhet rishikuar në optiken e fakteve të reja. Personalisht mendoj se ka disa arsye që roli i Filbit të jetë ekzagjeruar, por ajo më e rëndësishmja është se shërbimet e huaja kërkonin një shkak për të përligjur humbjen e tyre spektakolare ndaj një shërbimi gati të panjohur si Shërbimi shqiptar.

Dihet tashmë se Kim Filbi deri në vitin 1949 ishte në një pozicion shumë të rëndësishëm për të njohur mjaft mirë operacionet VALUABLE dhe BGFIEND. Si personi kyç i MI6 britanik që koordinonte punët me amerikanët, Filbi dinte mbi platformën e këtyre operacioneve. Por Filbi, në vitin 1951, si rezultat i dyshimeve nga ana e agjentëve të FBI, u dëbua nga amerikanët dhe për një periudhë të gjatë kohe u mbajt nën mbikëqyrje nga britanikët i mbyllur në apartamentin e tij në Londër. Për këtë arsye është e pamundur që Filbi të kishte dijeni mbi planet operacionale kundër Shqipërisë pas asaj date. Për sa u përket detajeve operative të misioneve, ato ishin ekskluzivisht në dorën e oficerëve të terrenit, të cilët drejtonin operacionet në kufirin me Greqinë. Për këtë arsye, Filbi nuk ka pasur asnjë mundësi informacioni edhe kur ishte në Uashington. I të njëjtit mendim është Mike Burke, ish-oficer i CIA-s i angazhuar në operacionet shqiptare në Athinë dhe Romë.

Burke, një personazh i njohur, në fundin e karrierës së tij interesante ka lënë dëshmi për këto operacione. Ai kundërshton kategorikisht idenë se Filbi kishte dijeni mbi detajet operacionale. Burke thotë se këto detaje kontrolloheshin nga zyra në terren dhe oficerët përgjegjës të grupit. Në protokollin e CIA-s ishte jo normale që Uashingtoni të njoftohej për çdo datë apo ndryshim date dhe sektori. Dëshmitari i vetëm i palës shqiptare që ka lënë kujtimet e tij me shkrim mbi këto operacione, oficeri Pilo Shanto, ndan të njëjtin këndvështrim mbi rolin e Filbit. Ai dëshmon se rezultati i Shërbimit shqiptar ka qenë bazuar në operacionet e ndërlikuara që ky shërbim kreu gjatë kësaj periudhe dhe jo si rezultat i Filbit. Dëshmia e tij sigurisht që duhet marrë në konsideratë. Atëherë lind pyetja: Kush i tradhtoi operacionet shqiptare?

Deri më sot askush nga historianët e kësaj fushe nuk ka mundur të sjellë argumente bindëse për të mbështetur këndvështrimin e tij në rolin e Kim Filbit. Në përgjithësi, historianët e shërbimeve perëndimore kanë mbështetur tezën e Filbit dhe në këtë mënyrë kanë mbyllur një sërë dosjesh të cilat mund të tregonin arsyet e vërteta të dështimit të operacioneve. Duke pasur një “kokë turku” për të fajësuar, këto operacione nuk janë gjykuar me vërtetësi dhe paanshmëri nga historia. Nga pala sovjetike sigurisht roli i Filbit nuk u kundërshtua kurrë. Përse sovjetikët ranë dakord me perëndimorët për të pasur Filbin si aktorin kryesor të këtyre dështimeve? A mos vallë sovjetikët në këtë mënyrë mbronin rrjete të tjera agjenturore, të cilat nuk dihen ende edhe sot? Kush vallë ishte në dijeni të detajeve operacionale të misioneve që dërgoheshin në Shqipëri? Përse Sigurimi shqiptar dinte orën dhe vendin e saktë të kalimit të një sërë grupesh të Zbulimit anglo-amerikan? Si është e mundur që detaje të tilla të diheshin me kaq siguri?

A kishte dijeni vallë Kim Filbi, tashmë i larguar nga Shërbimi Sekret britanik dhe i mbyllur në shtëpinë e tij në Londër se grupet shqiptare kalonin në sektorë të caktuar dhe në orë të caktuar? Me çfarë lajmëronte Filbi nga Londra për shefat e tij në Moskë dhe me çfarë shpejtësie operacionale ky informacion vinte në Tiranë për të pasur efektin e duhur? Nëse i analizojmë të gjitha këto pyetje në mënyrë të ftohtë, kuptohet qartë se Filbi e ka pasur të pamundur të jetë efektiv, aq më tepër pas dyshimeve të mëdha që binin mbi të. Për këtë arsye, e vërteta e dështimit të misioneve kundër Hoxhës duhet parë më thellë. Raporti që publikojmë për herë të parë sot është dëshmia më interesante për të hapur edhe një herë debatin se kush i tradhtoi operacionet sekrete kundër regjimit të Hoxhës.

Dokumenti në fjalë, i hartuar nga Zyra e CIA-s në Athinë, për herë të parë krijon mundësinë e një analize më të thellë mbi shkaqet e dështimeve anglo-amerikane. Ai vërteton me saktësi se në fakt detajet operacionale të grupeve të infiltruara në Shqipëri bëheshin në koordinim me Shërbimin Sekret grek. Oficerët e këtij shërbimi kishin dijeni mbi çdo grup, mbi çdo sektor ku do të operohej në terren dhe mbi çdo datë që realizoheshin infiltrimet. Për këtë arsye lind një pyetje mjaft logjike: A mundet që Shërbimi shqiptar të kishte penetruar në thellësi të Zbulimit grek? A mos vallë detajet e operacioneve furnizoheshin nga agjentët grekë simpatizantë të komunizmit? Një pyetje kjo që mund të sqarohet nga historianet grekë nëse shqyrtojmë me kujdes emrat e oficerëve të Shërbimit grek të përfshirë në këto operacione.

Dyshimi mbi një mundësi të tillë vjen edhe pas dëshmisë së gjeneralmajorit sovjetik Oleg Kalugin, ish-shef i Kundërzbulimit të KGB. Në një intervistë për autorin e këtij shkrimi, gjeneral Kalugin deklaroi se “KGB sovjetike e kishte penetruar Shërbimin Sekret grek në nivelet më të larta”. Nëse kjo dëshmi është e vërtetë, atëherë ka shumë mundësi që detajet e operacioneve shqiptare furnizoheshin nga sovjetikët nëpërmjet burimeve të tyre greke. Në këtë mënyrë, ata jo vetëm që luanin një rol të dorës së parë në shkatërrimin e grupeve shqiptare, por ruanin rrjetin e tyre në Shërbimin amerikan dhe britanik.

Lexo edhe :  7 Mars 1941/ Kapitullojnë trupat italiane në Greqi

****

DOKUMENTI TEPËR SEKRET Via AIR KAPOK SGAA 8259
Për: Shefin SE (Europa Juglindore) Në vëmendje (emri i fshirë) dhe (emri i fshirë) Nga: (emri i fshirë) Subjekti: OBOPUS/PARAM/KAPOK Trajtimi nga KYP i operacioneve të infiltrimit të KUBARK Referenca: SGAW-3440, 8 dhjetor 1953

1. Në përgjigje të kërkesës Suaj për trajtimin e përgjithshëm nga KYP (Shërbimi Sekret Grek- shën. i ynë) të operacioneve OBOPUS (emri i koduar i operacioneve të CIA-s, shën. i ynë), ju prezantojmë informacionin e mëposhtëm:
A. Skuadrat e PKP kontrollojnë të gjitha operacionet e infiltrimit të KYP në kufi. Prandaj, oficerëve të PKP u jepet informacioni mbi rrugët e dëshiruara të infiltrimit, si dhe datat e mundshme të këtyre infiltrimeve. Nuk jepet asnjë detaj mbi misionet OBOPUS, si dhe për zonat e operacionit.

B. Skuadrave të PKP u jepet një parullë e koduar për të njohur anëtarët e grupeve tona gjatë kalimit të kufirit apo të njerëzve që i shoqërojnë ata, apo të dërguar veçmas grupit. C. Personeli i PKP nuk është i informuar mbi emrat e vërtetë të grupeve. Po kështu, nuk i dinë emrat e vërtetë të oficerëve të KUBARK (emri i koduar i CIA-s ). Gjithsesi, ata e dinë nacionalitetin e vërtetë të oficerëve të KUBARK.

D. Seksioni i operacioneve të KYP njofton skuadrat e PKP mbi kohën e mbërritjes së grupeve të OBOPUS.
E. Mesazhi i KYP për PKP konsiston, besojmë ne, në datën e saktë të mbërritjes së avionit, numrin e saktë të anëtarëve të grupeve, si dhe emrin e koduar të agjencisë që i dërgon. Pas marrjes së këtij informacioni, skuadra e PKP merr masat përkatëse, si pastrimin e shtëpive të sigurta, lëvizjen e agjentëve të tjerë që mund të jenë strehuar atje etj. Komandanti i PKP, nëse lajmërohet me një mesazh special, bën një rigonicion të zonave të veçanta të sektorëve të kalimit të kufirit. PKP njofton për çdo operacion infiltrimi dhe kthimi të të gjitha operacioneve të OBOPUS.
F. Oficeri i operacioneve të OBOPUS diskuton me oficerin e seksionit të operacioneve të KYP planin e përgjithshëm për të gjithë sezonin.

Zakonisht këto probleme janë pjesë e diskutimit: Numri i mundshëm i misioneve Datat e mundshme të operacioneve Zonat e mundshme të operacioneve Udhërrëfyesit Rreziku i kufirit Mbajtja e grupeve në PKP Shtëpitë sekrete Marrëveshja financiare Tetë deri në dhjetë ditë përpara një misioni, oficeri i zyrës së OBOPUS së bashku me oficerin e operacionit lajmërojnë seksionin e operacioneve të KYP mbi datën ekzakte të misionit të grupit, si dhe sektorin e dëshiruar të kalimit të kufirit. Konsultohen hartat dhe kontrollohet kufiri. Ndodh që datat e infiltrimit ndryshohen për t’u përputhur me kërkesat e sigurimit të një zone kufitare, apo datat përkojnë me infiltrimet e agjentëve të KYP, apo VALUABLE (emri i koduar i operacioneve britanike-shën. i ynë) në ato data apo në ato zona.

Ne gjithmonë kemi vënë re se për arsye të mungesës së detajeve të inteligjencës në Athinë, apo për arsye të ndryshimeve të paparashikuara në kufi, hezitojnë të na furnizojnë me informacione specifike të zonave kufitare. Kjo është arsyeja kryesore që prezenca e oficerëve të KUBARK është e nevojshme për të drejtuar operacionin bashkë me skuadrat e PKP, apo edhe më tej.
D. Mbështetja e KYP për operacionet OBOPUS konsiston në skuadrat e Janinës dhe Kastorias. Kjo mbështetje është si më poshtë. Oficerët e PKP presin grupin dhe oficerin përkatës në fushën e aviacionit dhe i drejtojnë ata menjëherë në shtëpinë sekrete.

Një takim organizohet midis oficerit përgjegjës të OBOPUS dhe komandantit të PKP për të riparë situatën aktuale, përzgjedhjen e vendit të kalimit të kufirit dhe diskutim mbi të gjitha detajet e operacionit. Kryetari i grupit ftohet më vonë për të marrë pjesë në takim dhe ai bën planin e vet final mbi rrugën e infiltrimit, si dhe njofton komandantin e PKP mbi kërkesat e tij të transportit deri në kufi (mushka), si dhe për shoqërimin deri në kufi. Personeli i PKP përbëhet nga komandanti, ndihmësi, një skuadër ushtarësh, radio- operatori dhe përkthyesi. Të gjithë ata jetojnë në një ambient të ngushtë dhe pak a shumë primitiv. Prandaj, me mbërritjen e një radiogrami, gati të gjithë vijnë në fushën e avionëve për të marrë ekipin e KUBARK.

Personeli i lartpërmendur është parë nga oficerët e KUBARK duke lëvizur lirisht në qytetet e Janinës dhe Kastorias (Kostur). Më poshtë, lista e oficerëve kryesorë të përfshirë direkt në operacionet mbështetëse të OBOPUS. (emrat janë të plotë në listën e CIA-s – shën. i ynë) 1. Koloneli X shef i seksionit të operacioneve KYP. Kohët e fundit ai ka zëvendësuar kolonelin K. 2. Majori D. i përfshirë direkt në koordinimin e skuadrave të KYP dhe PKP 3. Majori M, ish-shefi i operacioneve kundër Shqipërisë 4. Kapiteni B 5. Kapiteni L Më poshtë, lista e oficerëve të PKP Janinë.

1. Major G.Th. 2. Kapiten G.S. 3. Kapiten i parë A.G. 4.
Përkthyesi D.D. Kastoria Kapiten A.B. I dytë në postin e komandantit togeri N.Z. sapo është zëvendësuar me një oficer, emrin e të cilit deri më tani nuk e dimë.
Takis- Përkthyes Shënim: 1. Për sa i përket ndihmës operacionale të KYP për OBOPUS dhe në referencë të tuajës SGAA-6103 (shtator 21.1953) paragrafi 4, sugjerimi i procedurës nga (emri i fshirë) u krye vetëm një herë gjatë operacionit “Shelgu”.

Majori D shoqëroi grupin deri në PKP në avionin tonë. Prezenca e tij në grup u pa me dyshim nga komandanti i PKP dhe mbështetja e tij rezultoi 0. 2. Oficeri jonë i OBOPUS (emri i fshirë) vazhdimisht vizitoi skuadrat e PKP, si dhe takoi të gjithë personelin e përfshirë. Ndoshta ai mund të japë informacion shtesë mbi mbështetjen e KYP dhe PKP. Ashtu siç ju kemi vënë në dijeni në këtë dokument, marrëdhëniet tona me KYP në operacionet e grupit janë të ndryshueshme. Ne mendojmë se praktikat aktuale mund të përmirësohen. Prandaj do ta kemi parasysh interesin Tuaj në këtë çështje dhe do t’ju njoftojmë mbi çdo ndryshim të mundshëm, në procedura dhe personel.

(Emri i fshirë) 3. Shkurt, 1954

Panorama.al

Të fundit

VIDEO / Belind Këlliçi i zgjat dorën, Berisha ‘e injoron’ dhe zgjedh Arian Starovën

Sali Berisha ka prezantuar një ditë më parë aleatët e koalicionit “Shqipëria Madhështore”. Gjatë hyrjes në sallë, Berisha iu ka...

Petro Koçi tërhiqet nga gara zgjedhore:S’do jem në listë për deputet, por do punoj për PS

Petro Koçi është tërhequr nga gara zgjedhore e 11 majit. Deputeti socialist, përmes një reagimi në rrjetet sociale, deklaroi se nuk do të jetë...

Pse njerëzit e pasur kanë filluar të mos vendosin më perde?

Në lagjet e pasura amerikane, është bërë gjithnjë e më e zakonshme të shohësh dritare të pambuluara, ku ambientet e brendshme bëhen të ekspozuara...

Ngjela për zgjedhjet e 11 majit: PS fitore të sigurt

Avokati Spartak Ngjela i ftuar në Report Tv thotë se Sali Berisha nuk ka asnjë shans të vijë në pushtet, ndërsa thekson se ai...

Prag “lufte” për listat në PD / Berisha heq Tabakun dhe fut Topallin

Në limitin e kohës, KQZ regjistroi koalicionin e PD-së me 25 parti të tjera, kryesisht me partinë e Ilir Metës, Shpëtim Idrizit, Fatmir Mediut dhe...

Lajme të tjera

Web TV