Nga Sebi Alla
Unë nuk u bëra gjë, përkundrazi i votova për të qeverisur, por ata po më mbajnë peng në gjoja lirinë time, që ka një rrugë shumë të shkurtër: “flas dhe nuk dëgjohem, votoj dhe nuk vendos”. Demokrat në bindje, apo demokrat me të vetmen bindje që duhet ndëshkuar pushteti, vështirë se do e kuptoj. Fakti është se jam votues i PD-së, një nga ato 640 mijë njerëz që më 25 prill shkuan që në mëngjes në votime me idenë se “sot është dita ime” për të zgjedhur të nesërmen. Ajo ditë nuk erdhi, jo për fajin e demokratëve, por të atyre që e drejtojnë, që kurrë nuk më lanë mundësi për të kuptuar nëse jam një i djathtë konservator, nëse më pëlqen programi, apo besimi se “këta janë më mirë se ata”. Unë u bëra nder, ata po më mbajnë peng. Bam Berisha dhe bam Basha. Duhet të jem o me njërin, ose me tjetrin. Nëse jam me njërin më vërsulet tjetri, nëse nuk jam me të dy, jam po aq i keq duke më sharë se qenke i Ramës. PD-ja sot nuk është më. Unë rrej veten se ajo do të jetë, se vend pa opozitë nuk mund të ketë. Flamurin e opozitarizmit e ka Berisha dhe Basha. E kanë vendosur në një hu që na godet pandalur. Kur lodhet Berisha së rrahuri demokratët e merr Basha. Një minutë pushim nga dhuna e tyre mendore nuk po gjejmë. Fundja pengjet gjithnjë rrihen e mbahen nën trysni dhe rrallë vriten. Pengu u duhet për të arritur një qëllim që për ta është jo shpërblimi se jam i vorfën e nuk kanë ç’më marrin, por vota ime u duhet, sepse për ta është supershpërblimi për t’u dhënë pushtetin.
Më mbajnë peng në prag
Nuk jam brenda selisë me Bashën. Nuk jam as jashtë saj me Berishën. Qëndroj në mes dhe rri e qaj veten se përse jam kaq i pazoti. Shumë demokratë të tjerë më militantë së unë, më në bindje se unë, u vranë në shpirt. Luajtën me ta dhe u shembën iluzionin se kishim forcën e madhe me votë. Berisha dikur të jepte hu nëse nuk votoje Bashën kryetar, sot të jep hu se përse mbështet Bashën si kryetar. Edhe Basha bën të njëjtën gjë, hurin po aq madhosh sa Berisha e ka. Unë peng i tyre, shteti rri e më sheh dhe ma bën me sy, hajde ketej nga krahu tjetër se këtu nuk të japin hu, por të fusin në burgun e mendjes, duke qenë peng i propagandës së pushtetit. Sërish rrimë në mes. Turma nga jashtë e Berishës dhe ajo nga brenda e Bashës përplasen me njëri-tjetrin. Drurin e hanë ata që nuk i duan të dy, pasi vetë bëjnë gostinë e pushtetit të opozitarizmit, që njërit ja jep vula dhe tjetrit iluzioni se ka mbështetjen poshtë. Dikur hanin në një çanak, po sot çanakun ja gjuajnë shoshoqit dhe si për dreq ai bie në kokën e të asnjanësve demokratë, që vetën nuk e lidhin me individin. Rri peng, ankohu, bërtit dhe nuk të dëgjojnë. Mjek në botë që ta gjejë kurën kundër dhimbjes së shpirtit nuk gjen. Vaksinë anti-histerizëm militantesk nuk ka, thonë që as nuk po punohet për ta shpikur dhe shpërndarë. Edhe nëse e prodhojnë “jashtë vendit”, s’ka për të mbërritur në Shqipëri. Prodhuesit e demokracisë na duan si vend kavje ku pengjet politike janë dashuruar me pengmarrësin dhe jemi gati të ndryshojnë historinë. Nuk do quhet “Sindromi i Stokholmit”, por sindromi i “Lulit, Saliut, Edit”.
Ndërkombëtarët më fshinë plagën
Kur më rrahin rëndë e gjej një shpëtim. Ndërkombëtarët bëjnë thirrje për qetësi. Ka ndonjëherë një lloj pauze. Uroj t’u thyhet huri që kanë në duar këtyre tanëve, e sërish vij në vete dhe them se ai hu është pagëzuar nga faktori ndërkombëtar. E kanë gjetur të fortë, shumë të fortë. Ndërkombëtarët e ndalin dhunën kur ajo ushtrohet furishëm. Nuk duan që të vdesim, por nga pengmarrja nuk do na shpëtojnë. Vetë ata janë të bindur se duke mbajtur peng qytetarët e mirë, votuesit e thjesht dhe duke i rrahur përditë e nga pak, pa u marrë shpirtin, të paktën ka stabilokraci. Demokracia e këtyre ndërkombëtarëve vdes rrugës së udhëtimit Uashington-Tiranë, Bruksel-Tiranë, apo Berlin-Tiranë. “Burrë shteti” – m’i thanë Berishës, kur gjaku i katër viktimave pa faj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk ishte tharë ende. “Non grata” e damkosin sot. Unë pengu nuk di kë të besoj. Erdhi sërish ora për të ngrënë dru. Thonë se Basha po fuqizohet. Sëish rri në prag, qajmë veten ne 640 mijë demokratët që duhet të jemi o me njërin o me tjetrin, sepse rrugë të mesme nuk ka. Ata “pengjet” e kampit tjetër thonë se janë mirë. Ushqim disi të bollshëm u japin, i nxjerrin edhe “shëtitje” për t’u dhënë imazhin e rremë se janë të lirë, më pas i fusin edhe ata në burgun e mendjes.