Ish-lideri demokrat Sali Berisha së bashku me deputetin Flamur Noka janë thirrur në prokurori, ndërsa pritet që të sqarojë situatën në institucionin e akuzës Lulzim Basha dhe Gazmend Bardhi.
Ish-lideri i Partisë Demokratike për herë të parë do të shkelë Prokurorinë. Në gati 31 vite politikë, ish-kryeministri, ish Presidenti dhe ish kreu i Partisë Demokratike nuk është thirrur asnjëherë në Prokurori qoftë edhe për shpifje, si shumë deputetë, apo ministra që kanë shkuar për deponim. Të gjitha të kqijat Berishës po i ndodhin në fund. Pas përjashtimit të përhershëm nga Partia Demokratike, Berisha sot do të shkojë në Prokurori për protestën e organizuar më 8 Janar 2021, ku ai dhe mbështetësit e tij kërkuan të hynin me dhunë për të marrë karrigen e kryetarit Lulzim Basha. Së bashku me Sali Berishën në Prokuori sot është thirrur për të dhënë versionin e tij edhe deputeti që e mbështet Flamur Noka.
Basha dhe Berisha
I pari që do të merret në pyetje nga organi i akuzës është ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha. Ky i fundit do të merret në pyetje sot në orën 10.00 të paradites. Mësohet se në pyetje do të merret edhe deputeti Flamur Noka. Ndërkohë, një ditë më vonë, prokuroria do të thërrasë për të marrë në pyetje liderin e PD-së, Lulzim Basha, bashkë me sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi, në orën 11:00. Një ditë më parë Berisha konfirmoi se ishte i gatshëm që të shkonte në prokurori.
Lirohen protetstuesit
Ditën e djeshme janë liruar 34 të arrestuarit e protestës së dhunshme të 8 Janarit në selinë e PD. Gjykata e Tiranës dha masat ndaj tyre në seanca të ndryshme, ku mbështetësit e Bashës dhe Berishës i mësuan të ndara. Në total për të dyja palët, ndaj 20 protestuesve u dha masa “Detyrim Parqitje”, ndërsa 14 të tjerë pa masë sigurie. Nga 11 mbështetës që konsisderohen pranë kreut të PD, Lulzim Basha për 5 prej tyre u vendos masa detyrim paraqitje dhe për 6 prej tyre nuk është vendosur masë. Për pesë shtetas nga Gjakova të cilët nuk pranohen nga asnjëra palë që të jenë pjesë e tyre është vendosur vetëm për njërin prej tyre masa e detyrim paraqitje, ndërsa katër të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë. Këta persona nuk pranohen se janë pjesë e asnjërit prej kampeve. Ndërsa nga 23 persona të tjerë për të cilët për 18 persona Albana Vokshi pretendoi se janë pjesë e protestuesve, gjykata ka vendosur masën e detyrimit për paraqitje për 14 prej tyre, ndërkohë për 4 të tjerë do të vijojë hetimi pa asnjë masë sigurie. Në krye të herës prokuroria kërkoi masën e arrestit në shtëpi për 5 prej personave të arrestuar, ndërkohë që kërkoi masën e detyrim për paraqitje për pjesën tjetër të personave të arrestuar.
Avokati i Bashës: Në selinë e PD s’u gjet asnjë send i kundraligjshëm
Indrit Sefa, avokati i mbështetësve të Kryetarit të PD-së Lulzim Basha deklaroi sot para gjykatës së Tiranës, se për 11 personat e ndaluar më 8 janar, si përkrahës të selisë blu, prokuroria pranoi se nuk kishte prova. Ai tha për mediat se anëtarët dhe drejtuesit demokratë ishin në një sulm të egër nga protestues që me mjete të dhunshme kërkonin të hynin në seli. Mes të tjerash ai tha se në selinë e PD-së nuk u gjet asnjë send i kundraligjshëm, ndërsa shtoi se të vetmet prova materiale që u morën janë fikëset e zjarrit. “Prokuroria në kërkesën drejtuar gjykatës, flet qartë. Këta persona kanë qenë pjesë e protestës. Shikoni veprën penale për të cilën hetohen, s’kanë lidhje me ata që janë brenda. Këta persona nuk kanë hyrë në brendësi të PD. 11 personat që kanë qenë të ndaluar dhe jo arrestuar, që kanë qenë pjesë e protestës, janë paraqitur vërtetimet që të tregojnë funksionet e tyre në PD. Për çdo person të mbrojtur nga ana jonë ka procedura përkatëse. Personi që ka bërë kallëzimin në komisariat është i mirëpritur të nxjerrë emra. Prokuroria nuk ngriti një pretendim të tillë. Prokuroria pranoi që për 11 të ndaluarit nuk kishte provë. Aty u tha se ka një raport policor se kanë gjuajtur me ujë. Qëndrimi i PD është; anëtarët dhe drejtuesit e PD ishin në një sulm të egër nga protestues që me mjete të dhunshme kërkonin të hynin në seli”, tha ai.
PD publikon video nga 8 janari “Asnjë kriminel i thirrur nga Berisha s’ia doli që të shkatërrojë selinë”
Partia Demokratike ka publikuar një tjetër video nga protesta e 8 janarit, e cila u thirr nga ish-kryeministri Sali Berisha. Përmes një reagimi për mediat, PD thekson se kriminelët që Berisha thirri në protestë, nuk ia dolën të shkatërronin selinë blu. Sipas selisë blu, demokratët zgjodhën me vendosmëri të jenë në shërbim të shqiptarëve, jo të një personi që nuk e lidh më asgjë me Partinë Demokratike. “Asnjë kriminel i thirrur nga Sali Berisha për të shkatërruar Partinë Demokratike nuk ia doli dhe nuk do t’ia dalë. Partia Demokratike nuk u kthye në bunker për hallin personal të Sali Berishës sepse demokratët refuzuan dhunën, refuzuan gjuhën e urrejtjes. Demokratët zgjodhën me vendosmëri të jenë në shërbim të shqiptarëve, jo të një personi që nuk e lidh më asgjë me Partinë Demokratike”, thuhet në video, ndërsa ka publikuar një video ku shihet se si jep indikacionet e tij ish-kryeministri Berisha që protestuesit të shpërndahen në pozicione.
Çlirim Gjata: Në selinë e PD ka pasur grup paramilitar të armatosur
Juristi Çlirim Gjata në një deklaratë për mediat akuzon publikisht Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë se nuk ka marrë masa dhe kontrolle për një grup paramilitar të armatosur, që ndodhej brenda selisë së PD-së ditën e protestës së 8 janarit. Ai tha jashtë gjykatës, pasi u dha masa e sigurisë për protestuesit e arrestuar, Gjata tha se 18 të arrestuarit dolën para gjyqit pa fakte. “Policia nuk ka bërë asgjë për informacionet e sakta që ka pasur. Në ambientet e PD ka pasur grup paramilitar të armatosur. Ishin të gatshëm që të përdornin armët dhe dhunë kundër protestuesve. Prokuroria dhe policia nuk heton me pamje. Por ndjek penalisht individualisht. Sa i takon 18 protestuesve dolën para gjyqit pa fakte. Kishte raste kur vetë prokurori u shpreh se këtë e ka ndaluar policia, por për të s’ka provë. Këta persona nuk janë kapur në oborrin e PD. Prokuroria dhe policia, megjithëse kanë pasur se në 6 dhe 7 kanë pasur regjistrime të denoncimeve se; në seli ka njerëz të armatosur, s’kanë bërë kontrolle. problemi është se policia nuk ka bërë asgjë për grupin paramilitar të armatosur që ka qenë brenda në PD. Asnjë nuk është ndaluar nga policia, pasi ka pasur marrëveshje mes Bashës dhe policisë që ata të rrinë aty dhe mos t’ju hyjë asnjë gjemb në këmbë”, tha Gjata.