Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë dje në Shkodër nga ku ka paralajëmruar protesta si një revolucion të pandalshëm. Berisha tha se: “flakën e revolucionit ta çojmë në çdo vatër shqiptare, s’ndalemi deri në fitore”
Ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi nisjen e protestave, apo siç e quajti ai vetë “revolucion”, në të gjithë Shqipërinë. Nga Shkodra, ku zhvilloi takimin e parë pas protestës së 8 janarit, Berisha tha prerë se protestat nuk do të ndalen deri në marrjen e selisë së Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Berisha “shënjestroi” dhe ndërkombëtarët, teksa deklaroi se të gjithë ata që mbështesin Lulzim Bashën dhe Edi Ramën do të dështojnë, ndërsa shtoi ashpër se nuk ka mëdyshje që ai dhe mbështetësit e tij do ta marrin PD-në. “Kjo betejë e jona është absolutisht për liri dhe vetëm për liri. Ne votojmë, Rama i numëron me bandat, paratë e patronazhistët e tij. Ai në mënyrë të tmerrshme këtë model e transplantoi në krahun tonë. Në qoftë se socialistët nga 2009 deri sot nuk kanë votuar asnjëherë në partinë e tyre, cili është votimi në PD e Lul Bravës? Votimi më i turpshëm në histori ishte ai në anti-Kuvendin e tij. Vota e shumëzuar me 3-4 fishin, u shfaq si vota e 5 mijë demokratëve. A ka përdhosje e dhunim më të madh se ky për votën e lirë? Të paktën ai tjetri haptas deklaron se nuk ka lidhje më me votën, se s’ka lidhje me lirinë, kurse ky në mënyrën më të shëmtuar kërkon të mashtrojë, të servirë 1800 për 5400. Beteja jonë pra është për votën e lirë, sepse nëse ne nuk votojmë të lirë, e dimë që kemi diktaturë dhe kurrë demokraci. Ndaj, ju ftoj të ngrihemi me pasionin tonë për lirinë, me dashurinë tonë për Shqipërinë e kombin, në këtë revolucion për të përmbysur narkoshtetin, për të ecur të sigurt në një shoqëri të lirë, në një Shqipëri që ecet drejt BE-së”, tha Berisha. Ai tha se ky revulucion do të jetë i pandalshëm. “Përsëri, thirrja ime është se ky është një revolucion i pandalshëm. Demokratët më 8 janar kërkonin të nxirrnin nga shtëpia e tyre banditët që kishin pushtuar shtëpinë. Protestat tona nuk do të ndalen deri në fitoren tonë. Ata që mbështesin Edi Ramën e Lul Bashën për të marrë peng pluralizmin, do të dështojnë. E ardhmja është e jona. Është e vërtetë që Basha është i Ramës, por e vërteta është se nuk ka lidhje me demokratët dhe selinë absolutisht që ne do ta çlirojmë nga bandat e turpshme. Mos të keni mëdyshje. Kurrë ne nuk japim pluralizmin, kurrë ne nuk japim demokracinë, kurrë ne nuk japim PD-në, kurrë ne nuk shkelmojmë interesat e Shqipërisë. Ju ftoj nga kjo ditë, flakën, dritën e këtij revolucioni ta çojmë te çdo votër shqiptare, të rikthejmë fitoren plebishitare të vitit 1992”, u shpreh ish-kryeministri Berisha. Ish- lideri i demokratëve dha mesazhe të forta nga Shkodra, prej ku ka nisur këtë të diel turin e takimeve, për atë që vetë ai e quan, rithemelim të Partisë Demokratike. “U drejtohem të gjithë atyre demokratëve, që akoma në mënyrën më të pabesueshme dëshmojnë mbështetjen më të vogël për Lulzim Bravën, hiqni dorë prej tij. Hiqni dorë, se ai është turpi i dheut, turpi i historisë. U them deputetëve të Shkodrës, bashkohuni me qytetin tuaj. Ndahuni nga Lulzim Basha, se atë e pret vrima e miut nga ky revolucion që nuk ka të ndalur. Askush nuk ka të drejtë të luajë me pluralizmin politik në Shqipëri. Ata që mbështesin Bashën për kryetar opozite, ata tallen me përçmim ndaj shqiptarëve. Shqiptarët që mbështesin Bashën, tallen me lirinë, me vlerat e pluralizmit, me pluralizmin politik në Shqipëri”, tha Berisha.