Fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashkitë e vendit që do të mbahen më 6 mars do të nisë më 19 shkurt.
Përfaqësuesi i PD në KQZ Indrit Sefa ka kërkuar që fushata të nisë më herët më 7 shkurt, por kërkesa e tij është rrëzuar nga komisioni Rregullator, i cili ka miratuar propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.
“Koha e lënë prej dy javësh, pra 13 duke konsideruar heshtjen zgjedhore, mendoj se është shumë e pakët për faktin e vetëm se ne kemi të gjithë mundësinë objektive për të realizuar një kohë më të gjatë të fushatës zgjedhore. Ne propozojmë datën 7 shkurt për të filluar fushatën. Një fushatë kaq e shkurtër zgjedhore s’do i vinte në ndihmë procesit. Data 7 shkurt do ishte më se e mjaftueshme për nisjen e fushatës zgjedhore dhe nuk shoh ndonjë pengesë në këtë pikë”, tha Indrit Sefa.