Ballkani përballë “Open Ballkan” – Sfidat e një inisiative të vështirë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Adrian Civici

Problematika, qëndrimet dhe ecuria e mëtejshme e nismës “Ballkani i hapur” është një nga pyetjet kryesore të lancuar nga Kryeministri Rama në kuadër të Këshillimit Kombëtar – le të dëgjojmë njëri-tjetrin, proces nga i cili pritet një përgjigje e reagim nga opinioni publik shqiptar.

Pyetja është shtruar në formën e mëposhtëme : “Aktualisht egzistojnë shumë bariera lidhur me lëvizjen e njerëzve, mallrave,shërbimeve dhe kapitalit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Krijimi i Ballkanit të hapur do të rrëzonte barrierat e lëvizjes së lirë sipas modelit europian duke i sjellë Shqipërisë dhe shqiptarëve avantazhe të reja ekonomike e sociale  si dhe do të promovonte më tej paqen në rajon… A është kjo një nismë e dobishme apo e padobishme për Shqipërinë dhe paqen në rajon?”

Në lidhje me këtë cështje gazeta Fjala zhvilloi një intervistë me Z.Adrian Civici, ekspert i ekonomisë dhe politikave të zhvillimit ekonomiko-social.

  1. Z.Civici – Cfarë përfitimesh ekonomike pritet të ketë Shqipëria, qytetarët e saj nga nisma e Open Balkans, (OB) ose përndryshe nisma e krijimit të një tregu të vetëm pa kufinj në Ballkanin Perëndimor?

Nisma Open Balkans, e konceptuar si një nismë për krijimin e një tregu të hapur në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku bëjnë pjesë gjashtë vende – Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina -, servirur fillimisht si një “mminishengen ballkanik”, në thelb të saj duket se ka bashkëpunimin ekonomik e tregëtar sa më të hapur dhe pa pengesa ligjore, burokratike apo proceduriale ndërmjet vendeve të ballkanit perëndimor.

Megjithëse akoma nuk ka një dokument të plotë të nënshkruar për gjithë përmasat dhe synimet e nismës Open Ballkan në formën e një dokumenti strategjik, mendoj se në thelb e saj, kjo e vlefshme dhe për Shqipërinë, janë përfitimet ekonomike reciproke që sjell vecanërisht hapja e tregjeve.

Duke besuar se do shkohet gjithnjë e më shumë drejt një qarkullimi të lirë të mallrave, kapitaleve dhe njerëzve për të punuar apo për tu punësuar lirisht për periudha më afat-gjata në vendet që kanë aderuar në këtë nismë, ekonomia shqiptare pritet të përfitojë avantazhet që vijnë nga tregëtia e lirë, investimet nga qarkullimi i lirë i kapitaleve dhe punësimin në të dy kahet e tij, punësimin e shqiptarëve jashtë në rajon dhe afrimin e punëtorëve nga rajoni në Shqipëri.

Natyrisht që në nisma të tilla, duke ju referuar dhe shëmbujve të tjerë relativisht të ngjashëm, duhet të jemi të kujdesshëm edhe për konkurencën e shtuar që vjen nga jashtë, vështirësitë që mund të hasin biznese apo grupe biznesesh e shërbimesh në Shqipëri, etj.

Problemi i përballimit të kësaj konkurrence që do të jetë në rritje në muajt e vitet në vazhdim, duhet të jetë pjesë e politikave tona ekonomike, financiare e sociale, që ecin paralel apo në komplementaritet me ecurinë e nismës Open Ballkan. Kjo është një pikë mjaft e ndjeshme për biznesin shqiptar të të gjithë kategorive që preken apo ndikohen nga dinamika e ecurisë së kësaj inisiative.

  1. Z.Civici – A janë këto përfitime nga Open Ballkan përtej atyre të nismave të tjera rajonale si.psh CEFTA, e e nënshkruar 15 vite me parë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor? Pra, e kam fjalën se si Open Ballkan kontribon në integrimin ekonomik të rajonit, lehtesimin e tregëtisë, krijimin e një hapësire të unifikuar ekonomike që mund të jetë tërheqëse për investime të huaja direkte apo për mobilitetin e profesioneve?

Në një këndvështrim të gjerë, nisma Open Ballkan duket si një vazhdim dhe zgjerim më domethënës i nismave të tjera rajonale si p.sh. CEFTA e nënshkruar në vitin 2006 nga  Republika e Shqipërisë, Bosnja dhe Hercegovina, Republika e Bullgarisë, Republika e Kroacisë, Republika e Maqedonisë, Republika e Moldavisë, Republika e Malit të Zi, Rumania, Republika e Serbisë dhe Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë në emër të Kosovës.

Cfarë synonte CEFTA? Të konsolidojë në një marrëveshje të vetme nivelin ekzistues të liberalizimit të tregtisë të arritur nëpërmjet rrjetit të marrëveshjeve bilaterale të tregtisë së lirë tashmë të lidhura ndërmjet palëve; Përmirësojë më tej kushtet për nxitjen e investimeve, duke përfshirë investimet e huaja direkte; Zgjerojë tregtinë e mallrave, shërbimeve dhe të forcoje investimet me anë të rregullave të drejta, të qarta, të qëndrueshme dhe të parashikueshme; Eliminojë barrierat dhe deformimet e tregtisë dhe të lehtësojë lëvizjen e mallrave në transit dhe lëvizjen ndërkufitare të mallrave dhe shërbimeve ndërmjet territoreve të palëve; Sigurojë kushte të drejta të konkurrencës që ndikojnë në tregtinë dhe investimet e huaja dhe hapë gradualisht tregjet e prokurimit publik të palëve; Sigurojë mbrojtjen e përshtatshme të të drejtave të pronësisë intelektuale në përputhje me standardet ndërkombëtare; etj.

Pra, në rastin e Open Ballkan duket se kemi të bëjmë me një rrigjallërim dhe rikonceptim më bashkëkohor të CEFTA-s, me një element shtesë që është lëvizja e lirë e njerëzve dhe punësimet reciproke të tyre në vendet aderuese,  por, në këtë rast, pa Bullgarinë, Kroacinë, Rumaninë që tashmë janë vende anëtare të BE-së.

  1. A ka apo nuk ka Open Ballkan premisa të jetë një nismë e suksesshme nga pikëpamja ekonomike? Nga bërja e mundur e lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit kur gjysma e vendeve të rajonit, ose më saktë tre prej tyre – Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina – nuk i është bashkuar kësaj nisme?

Situata ekonomike në vendet e Ballkanit perëndimor, por vecanërisht ajo politike dhe ndikimet gjeopolitike në rritje nuk duket në favor e në mbështetje të nismës së Open Ballkan. Axhenda dhe synimet ekonomike të nismës së Open Ballkan po ndërthuren dhe në një masë të madhe dhe po frenohen nga axhendat politike kombëtare, rajonale e ndërkombëtare, nga marrëdhëniet problematike me sens të fortë nacionalist që egzistojnë me shumicë në Ballkanin Perëndimor, nga procese politike e diplomatike që akoma nuk janë zgjidhur, nga mungesa e një mendimi të unifikuar nga grupimet politike, grupet e interesit dhe ato sociale e intelektuale mbi dobinë apo dëmet e një nisme të tillë.

Deri tani duket se Kosova dhe Bosnje Hercegovina vazhdojnë të jenë në pozicione refraktare kundrejt pjesëmarrjes në këtë nismë, ndërkohë që Mali i Zi ka dhënë disa sinjale vlerësuese për nismën por pa u angazhuar konkretisht apo në mënyrë të hapur për tu bërë pjesë e saj, të paktën në një të ardhme afatshkurtër.

Në këtë këndvështrim, mendoj se kjo nismë ka akoma një rrugë të gjatë “përballje politike e gjeopolitike për të zgjidhur përpara se të fillojë të japë fryte e synuara vecanërisht në fushën ekonomike për të gjitha vendet e rajonit. Është plotësisht e vërtetë që, e ngushtuar apo e cunguar në vetëm tre vende nga gjashtë të tilla që ka Ballkani perëndimor, e gjykuar apo dhe e paragjykuar shumë politikisht dhe gjeopolitikisht, ecuria dhe rezultatet e saj nuk pritet të vijnë së shpejti.

  1. Nga pikëpamja praktike, si mendoni që do të funksionojë tregu i lirë Shqipëri-Serbi dhe anasjelltas kur rruga/kufiri kalon nga Kosova që nuk i është pjesë e Open Ballkan?

Deri tani, nisma Open Ballkan është e cunguar për faktin se marrin pjesë vetën tre vende, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërkohë duket se edhe mali i Zi ka dhënë disa sinjale se mund ti bashkohet së shpejti kësaj nisme, por kjo mund të ndodhë mbas qartësimit të situatës së nxehtë politike aktuale.

Lexo edhe :  S’mund t’i besosh Shqipërinë dikujt që s’i beson askujt

Ndërkohë, Kosova dhe Bosna Hercegovina duken shumë larg bashkimit me nismën Open Ballkan, aq më tepër që arsyet e refuzimit apo mospranimit të tyre për tu bërë pjesë e nismës lidhen me probleme më të thella e të vështira të marrëdhënieve ndërshtetërore, politike e gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor. Kosova duket se ka kusht të panegociushëm njohjen e Kosovës nga Serbia dhe uljen në tavolinën e Open Ballkan në kushte të barabarta me Serbinë, ndërkohë Bosnje Hercegovina është në një situatë mjaft të komplikuar e të vështirë politike, qeverisje, institucionale dhe etnike.

Nuk mendoj se mund të shkaktojë probleme tregu i lirë Shqiperi-Serbi dhe anasjelltas kur rruga/kufiri kalon nga Kosova që nuk është pjesë e Open Ballkan, sepse mallrat apo produktet shqiptare apo serbe në kufijtë reciprokë do trajtohen sipas klauzolave të marrëveshjes pavarësisht tranzitit të tyre në Kosovë, Mal të Zi apo Bosnje Hercegovinë.

  1. Cfarë pozicioni mendoni se mund të ketë Shqipëria në aspektin ekonomik, përballë Serbisë, që tradicionaisht është vlerësuar si motorri i ekonomisë ne Ballkanin Perëndimor, ose si vendi me strukturën më të fuqishme ekonomike në rajonin tonë?

Krijimi i tregjeve të lira – mallra, kapitale, njerëz – që është dhe synimi kryesor i Open Ballkan krijojnë premisa e mundësi për përfitim ekonomik e financiar apo punësim reciprokisht ndërmjet vendeve, por në vetvehte ato mbartin dhe rreziqe e kërcënime për disa vende nga ato pjesëmarrëse, sic është dhe rasti i Shqipërisë.

Natyrisht që mund të gjendemi përballë një konkurence të shtuar nga mallrat serbe, sepse kemi të bëjmë me një ekonomi më të madhe, më të strukturuar dhe me produktivitet më të lartë se ajo shqiptare. Ky rrezik natyrisht që mund të jetë prezent, dhe besoj këtu është dhe ndjeshmëria më e lartë e bizneseve dhe konsumatorëve shqiptarë.

Në shumicën e rasteve kur kjo nismë kundërshtohet, duke marrë në konsideratë dhe  arsyet apo luftën politike të brendshme e të jashtëme në vendet apo me vendet e tjera, argumentet më të ndjeshme dhe më të forta kundës saj, janë pikërisht argumentet me natyrë ekonomike, e thënë ndryshe, frika ndaj pasojave ekonomike e tregëtare negative që mund të pësojë Shqipëria në këtë rast.

Ky është një problem që duhet menaxhuar me shumë kujdes në bashkëpunim të ngushtë me grupet e interesit dhe organizatat e biznesit dhe konsumatorëve në Shqipëri. Këtij rreziku potencial duhet ti përgjigjemi me politika ekonomike e financiare strukturore për të rritur produktivitetin e ekonomisë dhe cilësinë dhe strukturën e prodhimeve tona, zbatimin e masave që garantojnë një konkurrencë sa më transparente, mbështetjen më të mirë të aktiviteteve të prodhimit vendas, shtimin e kapaciteteve dhe performancën e kapitalit njerëzor në Shqipëri, etj.

Një nga Marrëveshjet e para të nënshkruara është për kushtet e qasjes së lirë në tregun punës. Marrëveshjet e tjera kanë të bëjnë me skemat e përbashkëta për identifikimin elektronik të qytetarëve në pikat kufitare, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, Marrëveshje e bashkëpunimit në fushën e veterinarisë, ushqimit, sigurisë ushqimore dhe fushën fidosanitare në Ballkanin Perëndimor, për njohjen e ndërsjellë dhe për operatorët ekonomikë, krijimin e një Këshilli Ndërministror për lehtësimin e tregtisë me vendeve, etj.

6.A përshtatet Open Ballkan me planet e BE për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE? E kam fjalën për Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE për Ballkanin Perëndimor si edhe Tranzicionin e gjelbër dhe dixhital të Europës?    

Deri tani, nisma e Open Ballkan duket se synon më shumë tregëtinë e lirë, si dhe qarkullimin pa pengesa burokratike e institucionale të kapitaleve dhe njerëzve. Akoma nuk ka inisiativa të mirëfillta e të mëdha që do të synonin krijimin e zonave të mëdha ekonomike rajonale që mund të përputheshin më mirë me planin ekonomik dhe atë të investimeve të BE-së, aq më pak në fushën e tranzicionit të gjelbërt apo atë dixhital të Europës.

Sidomos në lidhje me investimet e mëdha ndërshtetërore e rajonale, Ballkani Perëndimor ka nevojë të paraqitet si një zonë e madhe ekonomike apo si një hapësirë ekonomike e përbashkët.

Duke qënë vende të vogla, investimet e mëdha të shumëdëshiruara në Ballkanin Perëndimor ndeshen me pengesa dhe mungesë eficence në aplikimin e tyre. Nëse është fjala strikt për investimet e BE në Ballkanin Perëndimor, mendoj se, nisma Open Ballkan nuk mund të jetë pengesë, por komplementare me nisma apo inisiativa të tjera të përafërta.

  1. A është realiste nisma Open Ballkan po të kemi parasysh potencialin e kufizuar ekonomik të cdo bashkëpunimi ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor, kur nuk ka një perspektivë anëtarësimi në BE në një kohë të përcaktuar që do të nxiste bashkëpunimin rajonal të shkonte përpara?

Natyrisht që axhenda e integrimit europian është dhe mbetet prioritare për këtë grup vendesh. Pa dyshim që e ardhmja e rajonit tonë është në BE. Nuk besoj se nisma Open Ballkan mund të bëhet pengesë në kuadrin e rrugëtimit drejt anëtarësimit në BE të këtyre vendeve, aq më tepër që ky anëtarësim nuk duket se do të jetë i shpejtë dhe integral për këto vende. Integrimi real dhe jo demagogjik e thjesht për retorikë politike i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të shihet, ndoshta edhe si një paradhomë apo hap përpara drejt integrimit europian.

  1. Nisma OB është përkrahur nga politikani gjerman Christian Schmidt, përfaqësues i lartë i BE për Bosnje Hercegovinën si edhe nga SHBA. A është kjo përkrahje një tregues i bindjes se Ballkani Perëndimor do të ketë përfitime ekonomike nga Open Ballkan dhe një nxitje që tre vendet që mungojnë ti bashkohen?

Deri tani, sinjalet dhe vlerësimet për nismën Open Ballkan nga ana e disa përfaqësuesve të lartë të BE-së apo të vendeve të vecanta anëtare të saj, si dhe nga SHBA, kanë qënë pozitive e mbështetëse.

Mendoj se nga ana e BE dhe SHBA ky proces shihet si një sinjal i dëshiruar që vendet e Ballkanit Perëndimor, deri tani të përfshira në mjaft grindje e probleme me natyrë ekonomike, politike, nacionale e gjeopolitike, po japin për të bashkëpunuar ndërmjet tyre, për të qënë më shumë të kuptuar e mirëkuptuar me njëri tjetrin, etj. Komisioneri për Zgjerim dhe fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi deklaroi se mbështet nismën e “Ballkanit të Hapur”, duke theksuar se kjo do të ndihmojë edhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve që ka ofruar BE-ja.

Natyrisht, përfaqësues të lartë të BE apo SHBA kanë shprehur dhe qëndrimin se nëse nuk do jetë gjithëpërfshirëse për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, kjo nismë nuk pritet të ketë realizimin e objektivave themelore të saj. Aq më tepër, duke patur sytë dhe axhendën kryesore të tyre drejt Europës, këto vende mund të bëjnë një hap përpara më të shpejtë drejt integrimit europian dhe të përfitojnë më shumë nga BE dhe SHBA.

 

Të fundit

Vijon zjarri në malin e Dukatit, punohet për të shmangur përhapjen e flakëve

Vijon të jetë aktiv prej disa ditësh zjarri në malin e Dukatit në Vlorë. Puna për shuarjen e flakëve...

Fiasko nuk nisi kur Britania zbuloi emrat e afganëve, por kur pushtuam vendin e tyre

Simon Jenkins* Cilat janë gjasat për një hetim publik mbi super-ndalimin informativ të lidhur me Afganistanin? Me shumë gjasa do të ishte një hetim i...

Pak minuta në SPAK, Berisha “shpërthen” ndaj Gjokës: Ta quajmë mashtruesen Irena Dumani

Ka zgjatur shumë pak minuta, “vizita” e kryedemokratit Sali Berisha në Prokurorinë e Posaçme. Për gazetarët, ai lexoi shënimin që sipas tij i la...

Revolta në PD? Dashnor Sula: Dështakët mblidhen në dreka peshku

Demokrati Dashnor Sula ka komentuar deklaratën e bërë nga kryebashkiaku i Kavajës. Fisnik Qosja, i cili bëri thirrje se ‘PD ka nevojë për ndryshim’. Përmes...

Si i mbolli flokët Salianji? Flet zv/drejtori i Burgjeve: Nuk ka kufizim

Zv/drejtori i Burgjeve, Feim Sufaj, në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, shpjegoi se si Ervin Salianji mbolli flokët...

Lajme të tjera

Web TV