Nga Sebi Alla
“Xhaxhi kam bërë një vrasje”-bëlbëzoi zëulët Floriani në dhomën e pritjes së denoncimeve në Komisariatin e Lezhës, lëshoi edhe armën mbi tavolinë dhe zgjati duart për t’ia shtrënguar prangat e shtetit. “Ka vrarë fqinjin, për gjakun e babait”-thonin policët, që më kot e kërkonin në kodrinat e fshatit Manati të Lezhës. Me gjysmë krenarie dhe brengë të plotë, 17-vjeçari Florian Përvathi mori gjakun e pafajshëm të Lekë Lekgjonajt, vëllait të vrasësit së babait, ndërsa vetë mbeti po viktimë e shoqërisë ku u rrit, e shtetit që e trajtoi si statistikë dhe e drejtësisë, që me dhënien e padrejtësisë shënoi dy viktima, pa asnjë faj, për besë pa asnjë faj.
Rruga e gjakut
Dhia zevzeke dhe një copëz rrugë u bënë shkaku pa arsye në konfliktin e gjatë mes Ndue Lekgjinajt dhe Gjon Përvathit. Ndërsa kishte pasur shpesh kërcënime mes tyre, në tetorin e vitit 2009 u zbarz arma. Dhia u transformua si barut i thatë gati për të marrë flakë, kur kapërceu gardhin dhe kulloti paksa në jonxhën e komshiut. Ndoshta bëri dëm dy mijë lekë të vjetra, aq sa kushtonte një plumb në vitin 2009, por edhe dhia nuk do i shpëtonte “gjakmarrjes”. Fqinji, Ndue Lekgjinaj, thonë se e preu shkurt, që në shenjë “burrërie” theri kafshën e fqinjit për të treguar se konflikti nuk mund të mbyllej, as në sytë e shtetit që tregohej si spektator i një drame që sapo kishte nisur provat. Përplasjet vijuan për të kulmuar me pritën që Ndue Lekgjinaj i bën Gjon Përvathit, ai qëlloi dy herë mbi të dhe në tentativë largimi aksidentoi rëndë edhe djalin 14-vjeçar të Përvathit. Floriani, si kuptim i fjalës “floriri ynë”, vetëm 5-vjaçar atëmot, u kthye në një filiz të copëtuar që mes ulërimash thirrte babanë e vrarë, qante për vëllanë e plagosur dhe rendi drejt shtëpisë për tu mbështetur në krahët e nënës. Drama nuk pati fund, sepse do mbyllej me një tjetër fund jete. Nëna piu helm po në sytë e Florianit dhe vajzës së mitur. Dy viktima në arkivol, burrë e grua, një nga plumbi e një nga helmi i plumbit.
Ky “vrasës” 5-vjeçar
Po, Floriani aty u bë “vrasës”. Pësë vjeç vendosi kororën e luleve në varrin e prindërve, gjashtë muaj qau edhe për vëllanë që iu plagos, por vetëm Zoti e deshi që ai të shpëtonte. Kohë e trishtë. Në Manati mori shtat një fëmijë pa nënë e baba, me dy gjyshër të vrarë në shpirt që rrisnin të miturit dhe prisnin ditët që të ndaheshin nga të gjallët. Edhe ata vdiqën. Jetimi Florian pati talent për pikturë, askush nuk i ofroi arsim, askush nuk e rriti me frymën e faljes, askush nuk i zgjati dorën e mbështetjes, përveç familjarëve dhe gjyshërve të sëmurë që kujdesin e lidhnin vetëm me ushqimin e përditshëm. Arti i Florianit ngatërrohej herë me jetën e bukur që e njihte vetëm virtualisht, e herë me një “burrë kanuni” të ngrysur, që kërkonte të merrte gjakun e prindërve. Cili pushtetar lokal shkoi në familjen Përvathi ku rriteshin katër jetimë? Kush OJF mbërriti në banesën e Përvathëve për të dhënë qoftë edhe një pako ushqim? Cili klerik me mend në kokë dhe i butë në shpirt kapërceu pragun dhe të lutej me mirësi dhe jepte ndihmë për foshnjat që ishin pa nënë e babë? Askush nuk bëri një hap. Të gjithë ishin të zënë në shkresurinat burokratike, në projektet abuzive me organozatat jo qeveritarë dhe kohën e lirë i shohim do syresh nëpër studio që nuk japin, por shesin mend…
Drejtësia “mbushi” armën
Vrasësi i babait të Florianit nuk është në burg, nuk dihet se ku jeton jashtë vendit në një jetë të re dhe pa breje ndërgjegje. Me veten falenderon “drejtësinë” që e la të bridhte lirshëm, paçka se vrau me paramendim, plagosi një të mitur dhe mbante armë pa leje. Vetëm shtatë vite burg e dënuan, prej të cilave bëri as gjashtë vite dhe fitoi lirinë që ia dhuroi një gjyqtare që sot pret drejtësinë e vettingut. Ajo gjyqtare që “fali” plot vite burg vrasësit të Përvathëve se ka mendjen në atë dosje të shkuar. Mbase as emrin nuk ia kujton autorit dhe viktimës, e aq më pak t’i shkojë në mendje që me vendimin e saj bëri sot një tjetër viktimë që vështirë ta ndash nëse i duhet vendosur epiteti si vrasës. Floriani u bë dyfish viktimë. Një herë nga fqinji e një herë nga drejtësia. Po ky djalosh në kulmin e adoleshencës bëri një viktimë tërësisht pa faj. Nëse vrasësi i babit do ishte në burg përjetë, a do vriste Floriani? Këtë përgjigje nuk kemi për ta mësuar kurrë. Me një armë fort me shenjë qëlloi disa herë mbi 65-vjeçarin Lekë Lekgjonaj, vëllain e vrasësit të të atit. Ai nuk kishte faj, madje thonë se edhe në konfliktin e vitit 2009 nuk ka ngjizur konfliktin. Po vrasim edhe në rrjetet sociale. Disa i thonë “të lumtë që more gjakun e babait”, të tjerë e quajnë “fajtor se vrave një të pafajshëm”. U vëtëndezëm si shoqëri që shtijmë me shkrime dhe komente, duke mbajtur gjallë frymën e gjakmarrjes. Askush nuk protestoi para gjykatës së Lezhës që me vendimin e saj shkroi dy viktima, Florianin dhe Lekën.