(Mohikanët e fundit të xhazit)
Tregim nga: Bujar Meholli
Qielli bojatiset me ngjyrë të kuqërremët në këto net vjeshte dhe pastaj yjet varen si fanarë mbi çatitë e qytetit. Rrugët gumëzhijnë. U shtriva në divan me “Pasditen e një fauni” në duar. Seç m’u kujtua mikja ime dhe kohët e dikurshme. Takimet tona, hidhërimet e gjata, mëritë e forta që zbuteshin pastaj, çastet e këndshme, bisedat e pafundme për socializmin, artin e politikën. Ka kaluar shumë kohë, sa ujë ka rrjedhur nën urë… Ku ta gjej guximin ta kërkoj, t’i shfaqem sërish e t’i rri pranë? Ku ta gjej forcën, t’i këndoj “Je t’aime, je t’aime, oh, mon amour, je vais, je vais et je viens, entre tes reins”?… Janë disa çaste të bekuara në të cilat membrana e vullnetit e mbulon palcën e trurit. Je në paqe me veten, ke arritur nirvanën! Shpirti është i çliruar nga dibykët. Sa të bukur janë zërat e fëmijëve kur luajnë “eja më gjej nëse mundesh”. Gratë vishen me fustane të modeleve të fundit, mbajnë këpucë me taka të larta dhe çorapë të holla prej najloni. Dhe sytë mashkullorë regëtijnë… Pasi kam punuar gjatë tërë ditën e ditës në tryezë, ndiej ngazëllim fëmijëror teksa nata thur pëlhurën e saj ngadalë, shtruar. Marr kapelën dhe dal në shesh. Futem në bar-restorantin “Përjetësia” dhe porosis biftek, kafe, ëmbëlsira të vogla dhe verë. Çlodhem, klasifikoj problemet, përsiatjet, pastaj shijoj në maksimum ushqimin dhe verën “Fortier-Picard” që ma hap e zgjeron mendjen. Jam në delir. Njeriu që përkujdeset për muzikën pranon sugjerimet e mia. Jimmy Rushing, Django Reinhardt, Anita O’Day, Ernestine Anderson… Mbrëmja duket e pafundme me tërë hiret e saj. A ndihem i plotësuar?
Afishet kanë lajmëruar për sonte orkestrën “Mohikanët e fundit të xhazit” në bar-restorant. I njihja djemtë e quartet-it. Njëri nga ta banonte në lagjen time. Nganjëherë llafoseshim për xhazin dhe magjinë e tij, por edhe shfaqnim pezmin pse ky zhanër sikur kishte ngecur në vakum. Ah, sa kujtime të bukura më sillte xhazi, sa nostalgji… Ishin të talentuar. Rregulluan instrumentet dhe nisën të luajnë pjesë të ndryshme nga Wynton Kelly, Hank Mobley e Bill Evansi. Tingujt nisën të hapërdahen nëpër sallën e restorantit ku qenë mbledhur jo më shumë se njëzet-tridhjetë vetë. – Epo, djem, ju po mbaheni! – thashë. Ju jeni vërtet mohikanët e fundit të xhazit!
Shpeshherë kam vrarë mendjen se ç’krijesë është njeriu? Pse është krijuar bota? Pse pikërisht në këtë formë? Dhe çka pritet nga njeriu gjatë jetës së tij? Jam stërmunduar duke u përsiatur rreth këtyre gjërave. Ah! Ç’biseda bënim dikur unë dhe ajo nën këta tinguj xhazi. Shihnim bashkë filmat e Chaplinit dhe premtonim se do t’i ngrysnim ditët tona me qeshje në buzë. Flisnim për forcën e pacak të filmave të tij. Thoshim po ashtu se xhazi është një zhanër që na përket neve, jo më kot në hapësirat tona ka aq pak njerëz që jepen pas këtyre tingujve, haha, qeshnim… Pra, xhazi ishte deliri jonë, muzika që na përkiste sall neve. Ajo më thoshte se Perëndia (e besonte atë por nuk ishte e dhënë pas feve) i krijoi njerëzit për t’u dashur në tokë, për t’ju gjendur pranë njëri-tjetrit e për t’i kaluar të gjitha bashkë, për ta bërë Tokën e Premtuar këtu! – Je utopiste, i thosha dhe qeshnim prapë. Oh, ajo qeshje… Po pse nuk mund të jetësohej kjo, atëherë? Pse e keqja nuk shuhet fare, por ngarend dhe futet thellë e më thellë dejve të njeriut? Pse Zoti i plotfuqishëm sheh mbi tokë krijesat e tij dhe vazhdon ta durojë të keqen mes tyre? A do të ketë një tjetër Bohdan Khmelnytsky, vallë? Po një tjetër Hitler, a thua do të ketë? Sa i ndërlikuar që është njeriu! O Perëndi! Në mes të kësaj që i themi jetë – diku është krijuar muzika impresioniste, shëlbesë, e Debussy-t, diku tjetër janë ndërmarrë pogrome për shfarosje. Të gjitha nga njerëzit! Si t’i biesh në të, kuptimit të kësaj bote? Tek e fundit një ditë kjo tokë poroze do të na gëlltis të gjithëve ashtu-kështu… Ajo i kishte inat emrat përkëdhelës. Nuk ia thosha. Mu për këtë dhe më tërhiqte aq shumë. Herë i shfaqeshin konturet e një gruaje mendjemprehtë që fliste me kompetencë për religjionin, filozofinë, artin, herë-herë shndërrohej në grua-fëmijë mbuluar nga tis shenjtërie, që o Zot mos më merr pa e parë dhe një herë… Ajo fliste aq bukur, rrjedhshëm, kishte zë radiofonik. Më thoshte se socializmi dhe demokracia kanë të përbashkët barazinë. Nganjëherë citonte Marksin. Demokracia, sipas saj, ishte rruga drejt socializmit i cili do të jetësohej atëherë kur të zhdukej përgjithmonë robëria e kufizimi dhe të shtrihej demokracia e vërtetë! – Por.. kur doja të flisja, m’i vendoste gishtat e bukur në buzën time, lehtë. Dhe vazhdonte. Unë e dëgjoja me afsh.
Ajo që më ndodhi sonte më ka zhytur në gjendje hipnotike. Kam mbetur shtirë në divan, s’mund të ngrihem e të bëj kah tryeza e punës. Më mpihen duart. Më duket sikur forcat okulte po më sulmojnë. Dibyku po e cyt qenien time. Si nuk e paskam harruar vallë? Më ngeci ushqimi në fyt kur pashë një siluetë që po bënte kah dera. Kishte ardhur për xhazin. Por, pse mu tani? Ku kishte qenë gjithë këtë kohë? Xhazi… Po ajo vajza tjetër që ishte me të? Oh, Perëndi! Hoqi kapelën dhe u shfaqën flokët e saj të shndritshëm, jo aq të gjatë siç i mbante dikur. E, ç’flokë që kishte! Pis të zinj, të trashë, vezullues si agimet e bekuara. Pse t’i ketë shkurtuar aq vallë? Si na humbën të gjitha kontaktet, iku kaq kohë dhe ja tani u shfaqëm bri njëri-tjetrit? Ç’janë këto ironi që jeta vazhdimisht i bën? Cilat forca ma morën atëherë kur kisha aq nevojë dhe cilat forca ma sollën prapë? Të jenë lojëra misterioze? Po kush i dirigjon? Pse nuk ndërhyn Zoti në këto punë vallë? Pse i rihap plagët pikërisht atëherë kur mendon se janë përtharë? Tastet e makinës së shkrimit sa s’kanë marrë zjarr. Gishtat hedhin fjalët kuturu. Zakonisht është koha kur dal shëtitje buzë lumit nën dritën e hënës, pastaj kthehem dhe i thur elozhe jetës, por ajo jo rrallë di të më bëj lojëra e më vendos në situata të vështira. Fundja, kujt nuk i ndodh kjo! Secili nga ne jemi çdoherë në vështirësi, vetëm mënyrat ndryshojnë. Ne njerëzit jemi krijesat më delikate të Perëndisë, gjithë jeta jonë varet në fije peri. Mund të jetosh tetëdhjetë vjeç dhe të vritesh pa një pa dy nga horrat e rrugëve për pak para. Apo të jesh tërë jetën njeri i ndershëm, besimtar, por në fund të ngecësh në labirintet e pafundme të Satanait, pa gjetur rrugëdalje dhe duke e humbur davanë. Ja, kështu mund të shfaqet para syve, krejt papritmas, dikush që e ke pritur gjatë e ke menduar për të… Janë gjithë këto gjëra që i pata harruar, apo më mirë të them patën qëndruar në heshtje, të strukura, diku në skutat e thella të shpirtit tim sa kohë që s’ishte ajo dhe ja tani… në një mbrëmje të bukur xhazi ku këndohet “Blue moon, now i’m no longer alone, without a dream in my heart, without a love of my own” shpirti im trandet pas kaq kohësh… Oh, jetë kaq dëshpërimisht e bukur! Më duket se dëgjova një zhurmë që më zgjoi nga kllapia psikadelike, m’u duk se ra zilja. Tastet shtypen, shkronjat derdhen njëra pas tjetrës. Koka ime-rrëmujë, trupi-telef. Tani një natë tjetër nis e thur pëlhurën e saj ngadalë, shtruar. Tabelat e mejhaneve llamburitin, instrumentet e orkestrave ngrohen siç mund të ngrohen shpirtrat e vuajtur…