Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë rënë dakord për të ngritur komisionin për ndryshimet kushtetuese sa i takon reformës territoriale dhe zgjedhore. Të dyja forcat politike shprehën vullnetin se janë gati për tu ulur në tryezë.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, në një prononcim për mediat, tregoi se zgjatja e afateve të vetingut është një moment historik dhe që i shërben të gjithë shqiptarëve. “U miratua zgjatja e mandateve të afatit të vetingut. Këtu fitoi Shqipëria dhe çuarja përpara e reformës historike në drejtësi. Unë asnjëherë nuk i shmangem pyetjeve, edhe kur ato ngrihen në bazë të sajesave. Nuk është i vërtetë sajimi i radhës. Thirrja ime për ju është mos ia vini veshin Saliut sepse s’i hy në punë njeriu”, tha Balla. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së foli edhe për dy reformat që priten të diskutohen me opozitën, siç është ajo territoriale dhe zgjedhore. Për të parën, Balla tha se po propozohen 8 anëtarët, ndërsa për reformën zgjedhore theksoi se duhet diskutuar me Komisionin e Posaçëm. “PS do të ketë tetë anëtar në secilën prej komisioneve. Bashkëkryetar i komisionit do të jetë Gjiknuri nga PS. Sot (dje)kam diskutuar me anëtarët e grupit për përbërjen e komisionit territorial, për ngritjen e këtij komisioni. Ajo që dua të them është që të propozojmë qoftë bashkëkryetarin, qoftë kryetarin tjetër për të filluar punën. Mandati do të jetë 6 mujor dhe besoj se janë të mjaftueshme për të gjitha propozimet. Demokracia është sistemi ku duhet të biem dakord, nëse nuk biem dakord ju e dini zgjidhjen. Nuk dua të paragjykoj asnjë nga puna e këtij komisioni. Ka shumë çështje që duhet të diskutohen. Nuk ka pasur negociata për këto çështje. Është ndërgjegjësimi edhe i deputetëve dhe i grupit parlamentar të grupit më të madh të opozitës. Ne menduam t’i mbështesim”, tha Balla. Kur ai është pyetur për Reformën Zgjedhore nuk ka preferuar të flasë duke ja lënë topin në dorë Damian Gjiknurit. “E para nuk dua të flas tashmë fare për këtë çështje, sepse kjo i takon Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, të gjitha propozimet që kanë duhet t’i drejtohen Komisionit të Posaçëm. Natyrshëm e kam thënë dhe do kërkoj që komisioni i posaçëm të përmbledhë edhe ndryshime që kanë të bëjnë me ligjin për partitë politike. Të mos harrojmë që kemi pasur plot raste dhe një ndër rastet që kam bërë publike ka qenë një financim i dyshimtë që Basha dhe PD kanë marrë dhe kanë zhvilluar një proces lobingu. Në këtë çështje legjislacioni shqiptar duhet të jetë më i fortë. Pyetjes tuaj nuk do i përgjigjem sepse të gjitha çështjet do ia lejojmë Komisionit të Posaçëm”, tha kreu i grupit parlamentar.
Deputetja e PD: Kemi ngritur grupin e punës
Deputetja e PD, Dhurata Çupi, me anë të një deklarate, ka thënë se Reforma Territoriale është një nga prioritetet e PD. Ajo ka theksuar se qytetarët me ndarjen aktuale të territorit nuk përfitojnë shumë shërbime. Më tej në deklaratë thuhet se Partia Demokratike ka ngritur grupin e punës për hartimin dhe miratimin e reformës së re territoriale. ”Reforma teritoriale është një nga prioritet madhore të PD. Për ta çuar shërbimin pranë qytetarit, për ti dhënë atij mundësinë të zgjedhë përfaqesuesni e vet. Prandaj vendimi i parlamentit për nisjen e punës për Reformën Territoriale, është një hap i parë shumë i rendësishëm përpara. Ndaj ne kemi ngritur grupin e punës për të nisur konsultime me qtetarët dhe ekspertët në çdo cep të vendit. Më pak shërbime, më shumë të punësuar dhe shumë para të çuara dëm. Kjo është ajo që prodhoi reforma administrative e Edi Ramës në 2014-ën. Qëllimi i vërtetë i Edi Rames nuk ishte vetëqeverisja vendore, por, krijimi i zonave elektorale, ashtu siç i interesonte atij. Pasi për të, çdo vendim është përfitim monetar dhe kalkulim votash, dhe normalisht qytetarët janë të fundit”, tha deputetja e Partisë Demokratike. Sipas saj, shpenzimet për administratën e bashkive pas ndarjes administrative janë rritur mbi 23 %, dhe shërbimet publike në ish-komuna janë përkeqësuar. “Në pjesën më të madhe ka zero investime në këto vite, rrugë të shkatërruara, mungesë uji, mungesë investimesh në sektorin energjitik etj. Mungesa e investimeve bën që qytetarët e zonave të thella të udhëtojnë deri në 4 orë për të shkuar në zyrat e bashkisë. Territori i ndarjes së re të një pjese të madhe të bashkive është në zona të thella malore, ku në pjesën më të madhe të vitit qarkullimi është i kufizuar dhe shpesh i pamundur”, tha ajo. Çupi tha se edhe ata që kanë mundësi për investim humbin kohë duke u drejtuar drejt njësive administrative. “Në të tjera zona ku ka më shumë mundësi për investime, duhet të presin me ditë të tëra për një dokument në bashki duke shpenzuar kohë dhe para në udhetimet nga zona e tyre në drejtim të qendrës së qytetëve ku ndodhet njësia asministrative. Thirrja jonë është për të gjithë qytetarët dhe ekspertet që duan të japin kontributin e tyre në këtë proces shumë të rëndesishëm, të na bashkohen, janë të mirpritur, sepse të gjithë bashkë mund të krijojmë një reformë asministrative në shërbim të qytetarëve kudo ku ata banojnë”, tha Çupi.
Për ministrin “kurban”
Pas deklaratës që bëri dje kryedemorkati Lulzim Basha se Rama po bënte gati një tjetër ministër kurban, vjen një reagim nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ky i fundit u pyet dje nga gazetarët në lidhje me faktin se kush ishte emri i ministrit, ndërsa ai shmangu përgjigjen, duke thënë se për këto çështje ka të drejt të flasin institucionet e drejtësisë. “Është joetike që t’i përgjigjesh një pyetje të tillë, pasi duhet të kuptojmë se askush prej nesh nuk ka të drejtë që të flasë në emër të institucione të drejtësisë. Dhe ju nuk duhet të merreni me listë emrash që merren në hetim apo janë në gjykim. Ajo që unë përfitoj nga momenti, është se SAK ka detyrimin që t‘i përgjigjet Kuvendit të Shqipërisë prej disa vitesh, për disa kallëzime penale, që kam bërë edhe unë. Ka një kallëzim të Kuvendit në ngarkim të Berishë për privatizimin e OSSH. Prej disa vitesh dosja ka kaluar te Krimet e Renda, pasi për shkak të subjektit të përfshirë, kjo çështje duhet ë ishte në SPAK. Kam përsëritur thirrjen time dhe duhet të di se çfarë është bërë me atë kallëzim. Është rasti unik kur Kuvendi i Shqipërisë, Komisionet Hetimore kanë përfunduar me raport”, tha Balla, duke i cilësuar prangat e Bashës fabula. “Prangat e Bashës janë fabul që ai duhet të mbajë përgjegjësi për shumë pisëllëqe që ka bërë me Berishën. Komisioni Hetimor po zhvillon punën e vet dhe duhet të presim raportin përfundimtar dhe besoj që pasi komisioni të ketë hartuar atë raport ta lexojë me vëmendje. Kuvendi i Shqipërisë po ushtron mekanizmat kontrollues, edhe për çështjet e ngritura nga opozita.