Nga Ylli Polovina
Bëjmë histori, por e shkruajmë keq
Historia e shqiptarëve, duke qenë edhe ca si ndryshe prej të tjerëve, është e mbushur plot me potere individësh të fortë, shumica manipulues të saj, gënjeshtarë të palodhur. Po ku gjen në të njëjtën kohë edhe akte fisnikërie dhe përgjegjësie të mahnitshme. Si edhe marrina po aq madhështore. Shumë e vështirë t’i ndash nga njëra tjetra të qenën me të paqenën, realen me të shpikurën. Në këtë po aq larmi sa edhe kaos, të duhet të dallosh e të veçosh atë që është vlerë kombëtare, por edhe mirë edukuese, frymëzuese po ashtu. Sepse me gjithë njollat që bien si zift përvëlues mbi të, historia jonë përbën krijimin tonë më të jashtëzakonshëm e tërheqës. Historia që kemi prodhuar është kryevepra jonë. Atje është fiksuar gjithë identiteti ynë dhe bota jashtë nesh, e cila përditë e më shumë po bëhet një “fshat i madh”. Ajo ka mjaft interes të na kontaktojë dhe për pasojë të na njohë, të na dojë dhe vlerësojë. Prandaj shkrimi i historisë së shqiptarëve nëpër libra apo pasqyrimi në median me pamje, kinematografi dhe televizion e deri në pikturë apo vepra skulpturore, duhet të jetë pika e parë e programit të një rilindjeje kombëtare të vitit dymijë. Mirëpo e trishtueshmja rezulton me faktin që edhe në këtë thesar të madh kombëtar vazhdon të shkaktohet një rrëmujë tipike. Duke shpëtuar nga regjimi ku prodhohej vetëm historiografi zyrtare, është kaluar në skajin tjetër, ku kjo, për njëmijë arsye e rrethana, nuk ja del të përballojë sistemimin e të vërtetave. Tani shkruhet shumë dhe secilit çfarë i pëlqen. Kur pothuaj askush nuk verifikon e përdor ndonjë kriter shkencor apo moral. Të pajisur me mjete financiare dhe me vullnetin karakteristik të të paditurve, duke e zbuluar urinë e shtypit për sensacione, shtrembërimi i historisë sonë tashmë nuk është aspak më i vogël se gjatë diktaturës së para nëntëdhjetës apo periudhës autoritare të Ahmet Zogut. Vala e madhe e deformuesve vjen sidomos prej disidencës gjoja. Kokë e këmbë false. Paturpësisht e manipuluar. Pseudodisidencë e të përkëdhelurve prej diktaturës së dikurshme, mashtrues të të gjitha kohërave, që po mbushin të tretën e një shekulli dhe nuk po pakësohen. Por veç fryhen e shtohen.
Dy motrat Alizoti, një brune dhe një bjonde
Një dekadë në parë pata një bisedë të rastësishme me dy motrat Alizoti, Nezihenë dhe Sevimin.
Menjëherë, që në fjalët e para, më lanë një mbresë ngulitëse. Në vetvete i thirra me emrat dashamirës “Brunia” dhe “Bjondia”. Me gjithë moshën e epërme (Nezihe kishte lindur në 3 nëntor 1942, kurse Sevimi, ndjesë pastë, në 11 gusht 1944), ato në fytyrë ndriçonin nga hijeshia. Ishin me një bukuri të dlirë aristokratike. Me gjithë persekutimin e rëndë politik që familja e tyre pati kaluar në tre breza, këto mbesa të Fejzi Alizotit të pushkatuar nga shteti bolshevik dhe bija të Riza Alizotit, të vrarë nga po ai nëpërmjet varjes me litar, kishin brenda vetes një vetëpërmbajtje. E cila u vinte nga mirësia njerëzore, por edhe prej diturisë. Pjesëtarë të familjes me shpenzimet e tyre i kanë botuar gjyshit Fejzi librin “Kujtimet e Jetës sime politike, 1891-1921”. Ato shënime patën shpëtuar, sepse shumica u botuan në gazetat “Demokratia” dhe “Besa” gjatë viteve tridhjetë. Ndërkohë nuk e gëzuan dot këtë fat kujtime të tjera të tij për vitet 1922-44, sepse të frikësuar nga dy vrasjet njëra pas tjetrës, ato u dogjën nga pjesëtarët e familjes. Gjatë shkëmbimit të mendimeve Nezihe, mjaft bashkëpunuese me arkivat, tha se po përgatisnin një libër të dytë të Fejziut dhe se ne të do të vendoseshin të gjitha fjalimet e tij në parlamentet e kohës, si deputet i disa legjislaturave që ishte. Siç patën bërë edhe tek Kujtimet, edhe në këtë botim nuk do të ndërhynin. Do t’i paraqisnin fjalimet e tij ashtu siç i kishte shqiptuar. Nuk do t’i hiqnin apo rrumbullakosnin asnjë fjalë. “Lexuesit le t’i gjykojnë vetë!”, shtuan Neziheja dhe Sevimi.
Sjellje e admirueshme. Maksimalisht paanësi. Korrektesë e madhe ndaj historisë.
“Enver-Tito”
Bashkimi Sovjetik dhe Stalini menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore projektuan ngritjen e tre federatave me shtetet që kishin çliruar me anë të Ushtrisë së Kuqe dhe për rrjedhojë po i mbanin nën kontroll. Njëra federatë ishte ajo mes Polonisë dhe Çekosllovakisë, e dyta lidhte territoret e Hungarisë dhe të Rumanisë. E treta do të bashkonte fillimisht Jugosllavinë me Bullgarinë dhe Shqipërinë. Ndërsa dy të parët ranë në përgjumje, i fundit pulsonte gjallëri. Sidomos ai i tretjes së të gjithë shqiptarëve brenda shtetit jugosllav. Partia Komuniste e këtij vendi, e kryesuar nga Tito, e kishte nisur një proces të tillë që gjatë luftës, me dy të dërguar të saj të posaçëm, këshilltarë supremë, Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën. I pari qe më i çliruar nga prirjet për t’i bërë keq pavarësisë së shqiptarëve, i dyti ndiqte një vijë të kundërt. Ai qe edhe njeri i shërbimeve të fshehta. Po ashtu edhe i veprimeve të dhunshme e shtypëse ndaj shtresave të pasura, gjithçkaje që nuk ishte komuniste e bolshevike. Qeveria e Shqipërisë së pas Luftës, që në fillim të vitit 1945, duhej të përballonte dy sfida të mëdha: brenda vendit të forconte autoritetin e vet e veçanërisht të rriste rezen e forcës së pushtetit. Kjo ishte njëkohësisht edhe ambicia personale e Enver Hoxhës, lufta për kultin e tij. Sfida e dytë, ajo me jashtë vendin, ndihmonte të parën: duhej realizuar njohja ndërkombëtare e kësaj qeverie. Ja pse një aleancë me shtetin jugosllav, më të afërtin gjatë viteve të luftës çlirimtare, ishte mjaft i domosdoshëm. I vetmi më i mundshëm jo vetëm mes fqinjëve. Edhe pse historishkrues të ndryshëm shprehin mendimin se Josip Bros Tito nuk e kish shumë pasion këtë bashkim dhe prirej më shumë nga ai me Bullgarinë, gjithsesi çështjen shqiptare dëshironte ta zgjidhte sa më shpejt.
Para se Enver Hoxhës në takimin e tij të parë me të në Beograd, 25 qershor 1946, t’ia deklaronte në variantin Kosova të bashkohej me një Shqipëri të pavarur, kishte lënë të kuptohej se qe efektiv edhe ai i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë brenda federatës jugosllave, si republikë e shtatë e saj. Madje dinaku i shquar Tito këtë të fundit dëshironte ta kryente sa më shpejt, pa u vonuar asnjë ditë, para se vendet perëndimore ose Rusia të ndërhynin dhe ta pengonin planin.
Një pjesë e madhe e elitës politike komuniste jugosllave e dëshironte këtë zgjidhje të çështjes shqiptare në Ballkan. Mbështetës së bashkimit me Jugosllavinë kishte shumë eksponentë edhe në Partinë Komuniste të Shqipërisë. Kjo tezë nuk përbënte pakicë ose, siç është sajuar më pas, qe vetëm kurs i Koçi Xoxes. Ja pse mori formë të kuptimshme dhe nuk ish aspak slogan i shpikur propagandistik çifti i parullave “Jugosllavi-Shqipëri” dhe “Enver-Tito”.
Qe e vërtetë dëshira e Enver Hoxhës për ta bashkuar vendin e vet me Jugosllavinë?
Sipas procesverbalit të një bisede të kryer në Moskë, në 27 maj 1946, midis Stalinit dhe Titos, kryekomunisti sovjetik e pyeti kolegun e tij jugosllav nëse qe vërtetë dëshira e Enver Hoxhës për ta bashkuar vendin e vet me Jugosllavinë. Tito ia pohoi. Nuk ka prova se tek kryekomunisti i sllavëve të jugut ndodhej i dëshiruari i dytë i nxitjes së projektit të humbjes së sovranitetit të Shqipërisë dhe se i pari qe patjetër Enver Hoxha. Gjithsesi në këtë kuadër analize paraqet rëndësi ajo që mendonte Stalini. Në bisedën e 27 majit ky e këshilloi Josip Brozin që në planin e realizimit të bashkimit të dy vendeve njerëzit e Beogradit të përdornin sa më shumë frymë miqësore ndaj atyre të Tiranës. Me pak fjalë Josip Visarionoviçi në parim qe dakord, por me këtë rast na duhet të saktësojmë: pak ditë para se takimi i mësipërm të kryhej, shefi i sektorit të Ballkanit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, Lavrenti Lavrishçev, kishte përgatitur një raport. Ai titullohej: “Mbi çështjen e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare”. Aty Lavrishçev mbronte pikëpamjen se sovjetikët duhej të qenë për një afrim të Jugosllavisë me Shqipërinë, por jo gjer në përfshirje territoriale të kësaj të fundit në Federatë. Kjo ishte në përputhje me çfarë patën rënë dakord britanikët dhe sovjetikët (sadopak edhe fuqitë e mëdha) që në ndarjen e zonave të ndikimit të pas Luftës Jugosllavia dhe Shqipëria të ndaheshin barabar, nga 50 për qind, mes Perëndimit kapitalist dhe Lindjes socialiste. Ndërkohë Lavrenti Lavrishev si edhe shefi i tij, Stalini, mendonin se aleati i tyre kyç në Ballkan dhe më tej, nuk mund t’i zgjidhte njëherësh çështjen e ndërlikuar të Triestes me Italinë dhe atë shqiptare, edhe pse kjo e fundit dukej më e lehtë.
Ndodhi në 20 shkurt 1945
Hapi i parë që Tito hodhi për ta afruar Shqipërinë si pjesë të nevojshme të territorit të Federatës së tij sllave, ndodhi në 20 shkurt 1945. Kur ende nuk pati përfunduar Lufta e Dytë Botërore. Më parë se të ndodhte kryengjarja e ndarjes të zonave të influencës, takimi i Jaltës. Në 20 shkurt u firmos një traktat mes dy vendeve. Prej palës shqiptare qenë Myslym Peza, Bedri Spahiu, Medar Shtylla dhe Omer Nishani, në atë jugosllave bashkë me Josip Bros Titon gjendej edhe Josip Smodlaka, politikan kroat shumë afër tij, në para luftë ambasador në Vatikan, Berlin dhe Madrid. (Në 1943 ai u bashkua me lëvizjen partizane. Qe i specializuar si këshillues për punët e jashtme. U bë ministër pa portofol në Qeverinë e Përkohshme të Jugosllavisë Federale Demokratike (1945-46). Ai ishte gjithashtu përfaqësues i Jugosllavisë në Këshillin Aleat për Italinë). Siç shihet edhe nga përbërja e delegacionit të qeverisë së Beogradit dhe sidomos prej njërës klauzolë të këtij traktati për të cilën historiografia komuniste ka heshtur, Jugosllavia merrte përsipër mbrojtjen e territorit të shtetit shqiptar në rast se ai sulmohej prej një fuqie të huaj. Duket si mirësi, por në thelb është një mundësi e rrezikshme për të shkaktuar e justifikuar pushtimin.
Si u përdor masakra e 4 shkurtit 1944 për të kryer Gjyqin Special në prill 1945
Teksti mbyllës i faqes së parë të “Bashkimit” të 4 shkurtit 1945, theksonte, i futur në kuadrat: “Sot ora 10 Meeting i Madh në Kinema Kosova. Flet Gjeneral Leutenant KOÇI XOXE”.
Dy faqet e brendshme të premtuara si shtesë për numrin special përmbanin shkrimin “Gjaku don gjak”, marrë, siç në krye e paraqet gazeta, prej “Bashkimi i Kombit”, Viti i II, Nr.20, datë 4-II-1944”. Në fund të kolonës së tretë të tij ka një “SHËNIM: NJË VIT SI SOT këlyshët e zaptonjësit nazifashist xhveshën shpatën dhe vendosën të çfarosnin lëvizjen e një populli që kërkonte të jepte jetën për liri. U derdhën si bisha të tërbuara mbi popullatën e kryeqytetit, vranë, therrnë, varnë e çnderuan…” Në krah të këtij shkrimi me dy pjesë të montuara, dje dhe sot, Lame Kodra (Sejfulla Malëshova) firmoste një tjetër artikull, i cili titullohej “4 shkurt 1944”.
Ai është krejt i përgjithshëm dhe propagandistik. Në të nuk ka gjithashtu asnjë të dhënë për çfarë realisht ndodhi në 4 shkurt. Xhaferr Devën e quan agjent të Gestapos, duke e nënkuptuar si shkaktarin numër një të masakrës. “Bashkimi” i 6 fruer, e martë, me germa shumë të mëdha në krye të faqes së parë boton titullin “Fjala e Gjeneral Leitenant Koçi Xoxe në meetingun e madh të kryeqytetit. I tërë Populli kujton 4 Shkurtin me Demostrata të mbëdha në të gjitha qytetet e Shqipërisë”. Nëntitulli kumton: “Populli kërkon me këmbëngulje dënimin e kriminelëve të luftës-Kërkon nga Aleatët dorëzimin e kriminelëve të arratisur në Itali”.
Regjimenti “Kosova”
Sipas Abaz Alizotit, nipit të Fejzi Alizotit, në afërsi të Hotel Dajtit në Tiranë, në bulevard, ndodhej një barakë me ngjyrë jeshile. Prej andej rreth mesditës së 3 shkurtit 1944 u dëgjuan disa krisma. Pas pak ranë të tjera. Banesa e Alizotëve ishte afër, në krahun tjetër, diçka më tutje nga vendi ku sot janë tre bustet e vëllezërve Frashëri. E tërë familja, përfshi edhe vetë Fejziun mbi shtatëdhjetë vjeçar, ndodheshin në shtëpi. Dritaret kryesore shihnin nga të dy krahët, sidomos në kahun e bulevardit, pikërisht andej ku ndodhej edhe kasollja e blertë. Prapa banesës Alizoti qe shtëpia e kryetarit të Partisë Fashiste, Tefik Mborjes. Përballë gjendej ajo e kolonelit Bilal Nivica. Kadri Cakrani, i cili banonte në Pallatet Moskate, vend që ishte skaj i Tiranës dhe prej aty niste fusha e hapët, po kalonte ato çaste në bulevard, hipur në një “Fiat”. Në krah kishte ndihmësin e vet, një të afërm, i cili qe veshur me tesha të Kadriut. Persona që ndodheshin tek kasollja jeshile, numri i të cilëve fillimisht për fëmijën e vogël Abaz nuk kuptohej dot, shtinë mbi makinë. Cakranin nuk e kapi asnjë plumb. Pas një farë kohe nga kasollja e blertë qëlluan sërish. Në shenjë këtë herë vunë të nipin e Xhafer Devës, një njëzetë vjeçar. E plagosën rëndë dhe i riu, këmbadoras, i përgjakur, mezi mbërriti tek dera e shtëpisë së Xhaferr Devës, e cila ishte aty ku sot pothuaj është shtëpia e dikurshme e Enver Hoxhës. Tek dera ra në komë, por jetë ndërroi në spital. Pas kësaj, siç në familjen Alizoti e morën vesh pak më vonë, Deva telefonoi kolonelin Bajazit Boletini, të birin e Isa Boletinit, dhe e urdhëroi që bashkë me mbi njëmijë të armatosurit që kishte, regjimentin “Kosova”, të bënte “piaca pulita”, pra siç i tha konkretisht: “Bëje tym për çfarë të të dalë përpara!” Ndërkohë me rrëmujë të madhe dhe rendur me një frymë, në qendër të Tiranës mbërritën një masë e madhe kosovarësh të regjimentit dhe iu drejtuan kasolles jeshile. Ata që ndodheshin fshehur atje dolën prej andej dhe tashmë u pa se qenë katër persona. Që të katër mbanin pardesy ngjyrë qumështi. Duke vrapuar për t’iu larguar furisë së ardhësve, ata u futën pas një pirgu gurësh që ndodheshin atje ku sot janë dy kullat. Ky vend gjendej në krahun tjetër të shtëpisë së Alizotëve dhe Abazi i vogël vrapoi tek dritaret e asaj ane. Prej këtej grumbulli i gurëve qe afër, pesëdhjetë metra e shumta, dhe pamja ishte si në pëllëmbë të dorës. Ata me pardesytë karakteristike shiheshin qartë. Që të katër qenë të rinj.
Ndërkaq kosovarët e shumtë po u afroheshin me shpejtësi. Nuk i mbanin pushkët krahaqafë, por rripat i patën hedhur mbi zverk dhe të dy krahët vendosur sipër armëve. Ata bënin ulërima të çuditshme, bërtitje të mëdha, vikama të vërteta. Në këtë moment doli nga banesa e tij me pistoletë në dorë koloneli Bilal Nivica, duket për të vënë qetësi, por konkretisht kur pa rrëmujën mbeti pa ditur çfarë të bënte. Në të njëjtën kohë ia behu një oficer shqiptar nga të ushtrisë qeveritare. Ai menjëherë shkoi tek dera e banesës së Alizotëve dhe trokiti. U tha të zotëve se do të dërgonte dy vetë për të vendosur në tarracën mbi garazhin e shtëpisë së tyre një mitraloz me dy këmbë. Prej andej sheshi përballë, drejtimi i Hotel Dajtit, shihej krejtësisht. Të dy ushtarakët e tjerë erdhën menjëherë dhe e instaluan armën e rëndë, por nuk qëlluan. Në këtë kohë shoferi i të atit të Abazit, prefektit Hasan Alizoti, i cili e kishte emrin Nasi, pati shkuar në furrë të merrte një tepsi me byrek, dhe me të në dorë, tashmë po kthehej. Oficeri shqiptar sapo e pa iu hodh mbi shpinë, e shtriu përtokë dhe i vuri revolverin në kokë. “Kush je, çfarë je!”, i klithte. Ky edhe pse i tha se shofer i kujt qe, u desh të dilte nga shtëpia vetë Hasani për ta bindur oficerin ta lëshonte. Këto momente në derën e shtëpisë Alizoti pati trokitur një vajzë e re dhe kishte kërkuar ndihmë të fshihej. Kishte me vete një trastë me bomba dore dhe ata e futën në bodrum.
Ndërkaq kosovarët patën mbërritur tek pirgu i gurëve dhe nisën vrasjen e katër atentatorëve të rinj. Nuk i qëlluan me plumba, por me kondakë, shkelma dhe grushta, duke ja hedhur secilin njëri-tjetrit që ta vazhdonin masakrimin. I godisnin dhe i shanin, deri sa më në fund të katër personat e veshur me pardesy ngjyrë qumështi dhanë shpirt. Pas kësaj përreth ra qetësi.
Alizotët i thanë vajzës që kishin fshehur në bodrum, se tashmë mund të largohej pa asnjë rrezik.
Iku duke i falënderuar të zotët e shtëpisë. Asnjëherë ajo vajzë, edhe pas çlirimit nga nazigjermanët, nuk u ndje. Ishte gjallë apo jo, sepse kohë lufte qe? Apo heshti sepse mbi familjen Alizoti ra e rëndë akuza për bashkëpunim me pushtuesit dhe tradhti kombëtare?
Por as Alizotët nuk e kërkuan për të lehtësuar sadopak gjendjen e tyre.