Inceneratorët/ Hetimi parlamentar drejt fundit, a do i vlejë SPAK-ut?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Komisioni Hetimor Parlamentar, i ngritur për inceneratorët është drejt fundit, ku ka mbetur për të dëshmuar vetëm kreu i qeverisë. Në ditët e fundit dëshmitarët, por edhe anëtarët e komisionit, më shumë se në çështje konkrete kanë ofruar “spektakël politik” nga të dy kahet. Paralelisht SPAK është në hetim penal, ndërsa gjetjet e komisionit duket se më shumë po venë nën trysni institucionin e SPAK.

Parlamenti i Shqipërisë votoi ngritjen e komisionit hetimor për inceneratorët, komision i cili është drejt fundit, pasi në datë 25 shkurt do të dilet me një raport përfundimtar. I fundit, por nga më të rëndësishmit që do të dëshmojë para komisionit dhe kryetares Jorida Tabaku është Kryeministri Edi Rama, i cili në deklaratën e tij tha se “mezi po pret”. Edhe pse nga komisioni dolën shumë skandale nga ata që ju dorëuan të vërtetës, nuk dihet nëse do të vlejnë për të ndihmuar edhe Strukturën e Posaçme të Antikorrupsionit (SPAK). Vetëm dy ditë më parë Jorida Tabaku shkoi në takim me Arben Krajën e SPAK për ti thënë se ka gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe për ti vënë në dispoziocion të gjitha dokumentet që komisioni ka siguruar. Tabaku ka inkurajuar Krajën se do të ketë mbështetjen e pakursyer të Partisë Demokratike. Vajtja e saj në SPAK u kthye në një mollë sherri që mori kohë nga komsioni, pasi Ermonela Felaj e PS-së e ka akuzuar se ka shkelur ligjin, duke mos vënë në dijeni komisionin dhe duke mos u mandatuar për këtë takim. Për këtë Tabaku ka edhe një kallzim në SPAK.

Komisioni

Ditën e djeshme në komisionin hetimor janë thirrur Sekretari i Përgjithshëm Engjëll Agaçi si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, në cilësinë e Ministrit të Energjitikës dhe Infrastrukturës si dhe Erion Veliaj në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjell Agaçi ka dhënë dy përgjigje të shkurtra edhe pse pyetjet ishin specifike dhe të shumta. Ai deklaroi në Komisionin Hetimor se procedurat e ndjekura për financimin e inceneratorit të Elbasanit janë konform parashikimeve ligjore. Sipas tij, fondet për këtë projekt ishin parashikuar që në vitin 2015. “Vendimmarrja kalon në dy faza për financimin e kontratave dhe çdo lloj financimi nga buxheti i shtetit.

Është gjithë procedura që zhvillohet në Ministrinë e Financave në raport me dokumentacionin Autoritetin Kontraktor dhe në rastin në fjalë ky financim për ndërtimin e impiantit të menaxhimit të mbetjeve në Elbasan ishte parashikuar që në nëntor në PBA 2015-2017”, tha Agaçi. I pyetur nga kryetarja e komisionit Jorida Tabaku nëse kishte marrë porosi nga eprori për të proceduar më shpejt me këtë akt Agaçi e mohon një gjë të tillë. “Nuk kam pasur asnjë porosi të tillë, por ajo që mua më intereson ta dëshmoj përballë jush dhe kjo ka rëndësi fondamentale.

Është aluduar në media me lloj-lloj shpifjesh të këtyre 17 vendimeve të dhëna nga Këshilli i Ministrave”, tha Agaçi. Sekretari i Përgjithshëm në Kryeministri ka deklaruar ne komision se nuk ka njohje me Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe Stela Gugalljan. Shpjegimi i Agaçit ka të bëjë me një projekt vendim për përcaktimin e procedurës me negociim për dhënien e koncesionit për inceneratorin e Elbasanit. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave tha se nuk është miratuar kurrë një vendim që ka pasur për objekt përcaktimin e autoritetit kontraktues dhe autorizimin e procedurave përkatëse”, tha ai. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri në Komisionin Hetimor pranoi se njihet me Klodian Zoton, por mohoi që njohja e tij të ketë favorizuar aksionerin. Gjiknuri mohoi kategorikisht të ketë udhëtuar me ndonjërin prej aksionerëve të inceneratorëve. “Zonjën Gugallja nuk e njoh, zotin Mërtiri e njoh si fytyrë, zotin Zoto e kam takuar disa herë në cilësinë e ministrit kur kam vizituar impiantin e Elbasanit në 2017 dhe disa herë në zyrë në lidhje me një investim për një fabrike qelqi dhe më ka qëlluar të punoj në 2011 në Ministrinë e Mbrojtjes kur isha Sekretar i Përgjithshëm dhe ai ishte koordinator në zyrën e kabinetit të ministrit. Po jeta më ka bërë që të njoh dhe Bashën që 16 vjeç jo vetëm te “Sami Frashëri”, por edhe në Holandë dhe kjo nuk na bën që të kemi konflikt interesi.

Nuk kam kryer asnjë udhëtim privat me asnjë person në fjalë (Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton). Kam bërë vizita zyrtare për datat e deklaruara nga z. Bardhi. Ajo që keni nxjerrë në Facebook ka një listë aty me emra me disa të dhëna qe s’ka as datë, asgjë unë s’e marr të mirëqenë. Jam në Gjykatën e Tiranës duke ndjekur padinë për shpifje ndaj z. Bardhi”, tha Gjiknuri. Po ashtu ai ka justifikuar njohjet edhe për shkak të vendeve të ka punuar prej 28 vitesh. “Por dua të shpjegoj, këto janë njohje që nuk kanë të bëjnë me lidhje shoqërore, as me lidhje të afërta. Janë njohje rethanore dhe unë kam filluar punë që në vitin 1994 në administratën shqiptare. Kam 28 vjet punë, duke qenë dhe avokat privat dhe konsulent, dhe sipërmarrës në një kohë. Kam qenë edhe anëtar kryesisë së dhomës së tregtisë, 2006-2009 dhe jeta më ka bërë që të njoh shumë biznesmenë”, tha Gjiknuri. Komisioni Hetimor për Inceneratorët u përfshi nga debate dhe replika mes kryetares, Jorida Tabaku dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Partia Demokratike pretendon se Veliaj në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen vendore ka dhënë miratimin për projektin e inceneratorit të Tiranës, në një kohë kur kjo kompetencë i takonte Këshillit Bashkiak të Tiranës. Por Veliaj e kundërshtoi se ka gënjyer në mënyrë të përsëritur. Ndërkohë biseda mes tyre u kthye në replika për të drejtën e fjalës. “Po ju betoheni që nuk do gënjeni se ju kam dëgjuar në mënyrë sistematike. Ju po më ndërprisni përgjigjen, pyetja ishte retorike”, është shprehur Veliaj, ndërsa Tabaku i ka kërkuar që të fokusohet tek pyetjet e saj. Erion Veliaj është pyetur në Komision për njohjet me tre personat, që PD i akuzuan për aferën e inceneratorëve, Klodian Zoto, Mirel Mërtriri dhe Stela Gugallja. Në përgjigje të tij, Erion Veliaj me nota ironie ka deklaruar se ata i ka parë në foto me zyrtarë të PD në Zimbabve. Velaj thotë se me të tre këta persona nuk ka bërë asnjë udhëtim dhe madje asnjë diskutim në lidhje kontratën koncesionare për Inceneratoret. Ndërkohë që kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku i ka kujtuar Veliajt se është nën betim dhe se dëshmia e rremë është vepër penale.

Lexo edhe :  Asambleja socialiste e Tiranës/ Veliaj: Do jemi në mbështetje të Ramës dhe PS në Athinë

Rama dëshmon sot për inceneratorët

Në një komunikim që pati në Durrës me qytetarët, Rama tha se mezi po pret të dali para komisionin për të thënë atë çfarë di. Më herët Rama ka hequr gjithë përgjegjësitë nga vetja, duke nënvizuar se: “Nuk jam i shqetësuar se do të dalin ministra, ish-ministra apo kushdo qoftë, sepse për këtë e kemi bërë reformën”.

Kryeministri Edi Rama do të marrë sot pjesë si dëshmitar në Komisionin Hetimor të ngritur për Inceneratorët. Prezencën e tij në komision e ka konfirmuar vet Rama, ku theksoi se mezi pret të dëshmojë para Jorida Tabakut. Në një bashkëbisedim me disa qytetarë për Këshillimin Kombëtar, Rama deklaroi se ky komision krijoi mundësinë për të parë se e vërteta lidhur me inceneratorët është krejt ndryshe. “Kur vjen puna në Kuvend është e pamundur. Aq më tepër që tani është komplikuar situate, është bërë një gjë që askush nuk e imagjinonte. Disa kohë më parë, dhe gara është bërë shumë më e egër, por jo në kuptimin e argumenteve. Bëhen debate kush je ti e klush jam unë, kush ka vjedhur më shumë. Përtej kësaj problematike që po ndodh në atë komision, u krijua një mundësi për të parë që e vërteta është diçka krejt tjetër. Mezi po pres që të shkojë nesër, mos e humbni nesër”, deklaroi kryeministri. Edi Rama është lënë i fundit për tu pyetur nga dëshmitarët në cilësinë e Kryeministrit të vendit. Por më herët ai e ka hequr përgjegjësinë nga vetja duke jua lënë topin në derë të gjithëve atyre që janë përfshirë dhe kanë firmosur për ngritjen e inceneratorëve. Ai është shprehur se nuk është aspak i shqetësuar nëse pas kontratave të inceneratorëve rezultojnë ministra apo ish-ministra të tij, duke kërkuar ndëshkim maksimal për këdo që ka shkelur ligjin. “Për këtë është bërë Reforma”, tha kreu i qeverisë në  një intervistë për “Zërin e Amerikës”, teksa shtoi se ai që ka punuar pas shpinës së qeverisë, do duhet të marrë dënimin e merituar. Ai tha se tashmë gjithçka është në dorën e SPAK që të nxjerrë të vërtetën deri në fund  dhe të zbulojë edhe përgjegjësit. “Unë nuk futem te ata që mendoj kështu. Besoj se janë gjëra të ndara. Një proces që është kurorëzuar me vepra që janë në shërbim të vendit, komuniteteve, shëndetit dhe mjedisit. Paralelisht me të veprime të dyshuara individësh të caktuar që mbeten në suazën e përgjegjësisë individuale. Jemi në kushtet komode ku Prokuroria Speciale po heton. I takon atyre të evidentojnë faktet lidhur në hetim dhe prova. Nuk shoh shqetësim për të vërtetën. Përderisa kjo po hetohet e vërteta do të dalë deri në fund. Unë jam i vendimit që këto janë gjëra të rëndësishme për shëndetin dhe mjedisin. Do i verifikojë prokuroria. Është rast fatlum që gjithçka thuhet futet në filtrin e një organi të specializuar. Nuk jam i shqetësuar se do të dalin ministra, ish-ministra apo kushdo qoftë, sepse për këtë e kemi bërë reformën. Kur e kemi thënë që reforma bëhet për një drejtësi të drejt dhe nga ana tjetër përgjegjësia për rolin e cfarëdolloqoftë në jetën publike është përgjegjësi individuale e besoj. Nëse ka njerëz që kanë ngjyer dorën në një proces që është bërë për t’i shërbyer vendit dhe për një Shqipëri më të pastër, sigurisht ata duhet të marrin ndëshkimin e merituar, sepse e kanë bërë pas shpinës së një force qeverisëse që është këtu për shqiptarët e jo për veten e vet”, tha Rama në intervistën për “Zërin e Amerikës” gjatë visitës që pati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Veliaj publikon komunikimet e telefonit, Tabaku: E turpshme kanë marrë kamerat e Kuvendit

Debati mes Erion Veliajt dhe Jorida Tabakut në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, ka degraduar disa herë dhe ka dalë jashtë çështjeve që ky komision heton. Kreu i Bashkisë së Tiranës publikoi disa foto, të cilat sipas tij shfaqin anëtarët e Komisionit Hetimor, ndërsa marrin pyetje nga jashtë që sipas tij bëhet për të mos e lejuar atë të flasë. Kryetarja e Komisionit, Tabaku e cilësoi të turpshëm këtë veprim dhe kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të kryetares së Kuvendit dhe Gardës pasi janë marrë pamje nga kamerat e sigurisë që ndodhen në sallën ku zhvillohet mbledhja. Mediat kanë arritur të fotografojnë një bisedë të anëtares së Autoritetit të Medias Audiovizive, Desada Metaj me kryetaren e komisionit Jorida Tabaku, që rrëfehet shumë qartë se si Tabaku merr udhëzime prej saj se çfarë pyetjesh duhet t’i drejtojë kryebashkiakut Erion Veliaj. Në fotot e publikuara shfaqen edhe biseda të Desada Metajt me dy gazetarë, Andi Tela dhe Andi Bushati, nga të cilët merr udhëzime se çfarë duhet t’i thotë Tabakut, që kjo e fundit të marrë në pyetje më pas Veliajn. Dy ditë më parë Berisha deklaroi se Desada Metaj ishte zgjedhur në AMA si përfaqësuese e Lulzim Bashës, si njeri i afërt më të që i drejtoi edhe fushatën. Ndërkohë që vetë Desada Metaj e mohoi diçka të tillë. Ndërkohë që sot jo vetëm që merr pjesë në mbledhjen e Komisionit Hetimor por edhe drejton punimet, duke udhëzuar kryetaren e Komisionit, Jorida Tabaku. Skema në fjalë duket se është orkestruar nga Desada Metaj, e cila ka hyrë në mbledhjen e komisionit hetimor në cilësinë e anëtares së AMA, gjoja për të ndjekur seancën për të parë cilësinë e transmetimit të medias. Por në fakt, Metaj, deri para disa muajsh ka qenë zëdhënëse e PD dhe Lulzim Bashës, ka qenë prezente në komision për arsye politike me qëllim për të ndihmuar Tabakun në komunikimin mes gazetarëve Andi Tela dhe Andi Bushati. Madje, për të hyrë në komision, Metaj ka gënjyer edhe Taulant Ballën, të cilit i është justifikuar, siç shihet në një nga mesazhet, se është aty si përfaqëssuese e AMAs.

Përfaqësuesit e ambasadës angleze marrin pjesë në komisionin për inceneratorët

Ambasada angleze në Tiranë ka shprehur interesin që përfaqësues të saj të jenë të pranishëm këtë të martë në komisionin hetimor për inceneratorët. Diplomatë të ambasadës angleze kanë kërkuar të jenë të pranishëm në seancën dëgjimore për ish-ministrin Damian Gjiknurin dhe sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrit Engjëll Agaçin. Përfaqësuesit e selisë diplomatike ishin të pranishëm edhe në dëshminë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që u përplas me kryetaren Jorida Tabaku. Në mes të repikave, Tabaku iu drejtua Veliajt me fjalët: “Kemi përfaqësues të ambasadave të huaja këtu që kanë interes shmuë të lartë për dëshmitë e personave në këtë komison, ti respektojmë”.

 

Të fundit

Apple pranë marrëveshjes me OpenAl, ChatGPT do të integrohet në Iphone

Sipas Mark Gurman të Bloomberg, Apple është afër finalizimit të marrëveshjes me OpenAl që do të shtoë ChatGPT-në në...

Takimi me emigrantët në Athinë/ Pse nuk u takua me zyrtarët grek? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur për emisionin “Opinion”, lidhuer me takimin e shqiptarët që jetojnë në Greqi, i cili solli reagime të politikës dhe...

Si janë raportet midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për një emision televiziv ndër të tjera foli edhe për raportet e qeverisë shqiptare me atë...

Ekspertja: Vizita në Athinë, më e suksesshmja për Ramën. Ishte në nivelin më të lartë

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Enida Bozheku e cilëson vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë si më të suksesshmen në këto vite që është...

“Do të të laj…”, me kë e ka Xhensila Myrtezaj?

Prej disa kohësh po përflitet një ndarje mes aktorit të humorit Bes Kallaku dhe këngëtares Xhensila Myrtezaj. Kjo u aludua vazhdimisht në media por...

Lajme të tjera

Web TV