Nga Roberto Saviano
Të shohësh sesi sillen klanet do të thotë të kuptosh luftën. Për dekada, ajo që i ka mbajtur të dy vendet së bashku është krimi i organizuar, me të ardhura miliarderësh. Përzierja me politikën dhe metodat e Putinit për të kontrolluar fuqinë e tepruar të shefave
Kur në vitin 2016 e pyeta Geri Kasparovin, një prej shahistëve më të mëdhenj të historisë, për rolin e mafias ruse, ai u përgjigj: “Është shumë i madh, për çështje thelbësore. Veprojnë gjithnjë me urdhër të Shefave”.
“E kush është Shefi?”, nxitova për ta pyetur. “Natyrisht, Vladimir Putin”, mu përgjigj Kasparov, i habitur që e vija në dyshim.
Më bën përshtypje se si ka mundësi që në debatin ndërkombëtar mungon një pyetje thelbësore; cili është roli i organizatave mafioze në këtë luftë? Askush nuk pyet se si ka mundësi që, në një territor që ka qenë gjithnjë nën kontrollin e karteleve kriminale, këta të fundit nuk përmenden dhe nuk konsiderohen nga reporterët e debateve politike.
Ajo që për dekada ka mbajtur të bashkuar Ukrainën dhe Rusinë është mafia. Dhe, kjo luftë, ka dorën mafioze pas maskave gjeopolitike të konfliktit me NATO-n dhe Europën.
Lufta duhet kuptuar nga mënyra se si po sillen klanet mafioze. Kështu ka ndodhur gjithmonë; në Afganistan, në luftërat e ish-Jugosllavisë, në Siri e në Kongo. Identifiko mafian, vëzhgo lëvizjet e tyre dhe kupton arsyet e vërteta.
“Mikas” dhe “Truri”
Pavarësisht kujtimit të Holodomoerit, holokaustit të tmerrshëm të kryer nga qeveria bolshevike ruse kundër ukrainasve në vitet 1932-1933, ku u vranë 7 milionë persona, kriminaliteti i organizuar rusë e ukrainas ka qenë gjithnjë “binjak”.
Organizata më e fuqishme mafioze ruse, “Solncevskaja bratva” ose Brigada e Diellit, është e drejtuar nga dy persona; rusi Sergej Michajlov, i quajtur “Mikas” dhe ukrainasi “Semyon Mogilevich, i quajtur “Truri”.
Për të kuptuar fuqinë e tyre ekonomike, po raportoj disa prej të dhënave që vijnë nga studime të ndryshme, të viteve 1996-2011, të hartuara nga Zyra e Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit.
Një miliardë dollarë në vit fitojnë nga eksportimi i heroinës nga Kina, 8 miliardë dollarë fitojnë nga ndërmjetësimi për shitjen e heroinës afgane; 620 milionë dollarë përfitojnë nga prerja e paligjshme e drurëve rusë që shërbejnë për industrinë e ndërtimit në Kinë.
Lista e cituar më lart është vetëm pjesa e dukshme e aktivitetit të tyre. Pjesa më e madhe e parave riciklohet, pastrohet dhe investohet në Europë, në Shtetet e Bashkuara dhe në Izrael.
Vetëm në vitin 2018, për shembull, kjo organizatë ka ricikluar plot 50 milionë euro vetëm në pasuritë e paluajtshme në Spanjë, një destinacion i preferuar për filialet e “Solncevskaja”, së bashku me Zvicrën, ku “Mikas” është pronar i një vile luksoze.
Megjithëse në “Wikipedia” ai është shënuar si bizmesnen, “Mikas” është konsideruar si bos i një prej organizatave kriminale më të fuqishme në botë dhe, prej vitit 1991-1994 ka qenë edhe bashkëpronar në “Parma Foods”, një kompani e përbashkët ruso-italiane.
Aleanca e gazit
Çfarë e ka lejuar krijimin e aleancës së madhe politike ruso-ukrainase në dekadat e fundit, duke e deleguar atë te mafia? Përgjigja është: Gazi.
Shoqëria e shitjes së gazit, “RusUkrEnergo”, me seli në Zvicër dhe që zotërohet në 50 përqind të aksioneve nga gjigandi i gazit rus, “Gazprom”, është krijuar në vitin 2004 nga ish-presidenti ukrainas, Leonid Kuçma dhe Vladimir Putin.
Shoqëria transportonte gaz nga Turkmenistatin drejt “Naftogaz”, shoqëria kombëtare e gazit dhe naftës në Ukrainë.
“Naftogaz-i” duhej të blente gazin nga shoqëria e ndërmjetësimit “RusUkrEnergo” dhe duhet ta shiste atë vetëm në Ukrainë.
“RusUkrEnergo”, e cila i shiste gaz ukrainasve, por edhe në disa vende të tjera të Europës Lindore, ia shiste “Naftogazi-t” me një çmim më të lartë se sa tregu, si edhe, në mënyrë informale, e detyronte që të shpërndante gaz falas për zonat filo-ruse të Krimesë dhe Donbasit.
Aleanca bazohej në tre piketa; tek Mogilevichi, që është bosi në krye të mafias ruse; tek Vladimir Putin; dhe tek Dmitro Firtash. Ky i fundit shërbente si pikë lidhjeje ndërmjet qeverisë ukrainase, “Gazpromit” dhe Viktor Janukoviçit, kryeministër i Ukrainës në vitet 2002-2007 dhe 2010-2014.
Në vitin 2009, zyrtarët e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) hetuan mbi përvetësimin e 6.3 miliardë metra kub gaz natyror, duke akuzuar “Naftogaz Ukrainy” se i kishte vjedhur ato.
Po, sepse aleanca mafioze nën pushtetin e “Solncevskaja” jo thjesht siguronte shpërndarjen e dividentit të RusUkrEnergo (rreth 1.753 miliardë dollarë në vitet 2005-2007), por edhe e vidhte gazin që kalonte tranzit nga Ukraina drejt vendeve të tjera, duke ia shpërndarë kompanive të tjera të gazit në gjysmën e botës.
Pra, fitohej si nga shitja legale e gazit, ashtu edhe nga sasia e vjedhur, dëm i cili më pas i faturohej ukrainasve për ta paguar.
Ndërmjetësi në arrati
Ukraina është trajtuar si një lloj kolonie që mund të fitohet shumë pa paguar taksa. Fondet më pas depozitoheshin në parajsa fiskale.
Ndërmjetësi i madh i gazit, Dimitri Firtash, është arratisur nga Ukraina dhe është strehuar në Austri, për t’i shpëtuar ekstradimit në SHBA, ku akuzohet për korrupsion në shifrën 500 milionë dollarë.
Firtash ishte i lidhur me Paul Manfort, drejtues i fushatës së Donald Trump, si edhe ka avokat Rudolf Xhulianin, përfaqësuesi ligjor i Trump-it që është dënuar në vitin 2021 për “shpërndarje të deklaratave false para gjykatës, legjislatorit dhe opinionit publik në përgjithësi (…) në lidhje me tentativën e dështuar të rizgjedhjes së Trump-it në vitin 2020”.
Vetë Firtashi e ka pranuar se aleanca ruso-ukrainë bazohej në një marrëveshje mafioze.
Kjo është kuptuar më së miri nga dokumentat e publikuar nga “Wikileaks”.
Gjatë një takimi privat me ambasadorin amerikan, William Taylor, në vitin 2008, Firtashi pranoi se Mogilevich (“Mikas”) ishte drejtuesi i vërtetë i shoqërisë së ndërmjetësimit “RusUkrEnergo”
Ukraina, – ka thënë ai në atë kohë- “është e qeverisur nga ligjet e rrugës”. Firtash i kishte deklaruar gjithashtu ambasadorit amerikan se ishte e pamundur t’i afroheshe çdo lloj zyrtari qeveritar ukrainas pa takuar njëkohësisht edhe ndonjë prej anëtarëve të krimit të organizuar”.
Të gjitha këto rrëfime, Firtash i bëri me qëllim që t’i tregonte administratës amerikane, për të cilën ai e dinte prej kohësh se po e hetonin, , se ai vepronte vetëm me “detyrim”.
Ai u shpreh gjithashtu se ishte “praktikë ballkanike” të vepronte gjithmonë në përputhje me mafian dhe se pa bosin Mogilevich asgjë nuk mund të lëvizte në fushën e gazit, edhe pse ai saktësoi disa herë se nuk kishte pasur kurrë marrëdhënie të drejtpërdrejta me të.
Pasi doli kabllogrami, Firtashi e mohoi që të ketë thënë diçka të tillë, me shumë mundësi i trembur se ndoshta në mënyrë të pavullnetshme i dha botës provën që kërkonte për “RusUkrEnergo”.
Maidan-i i paparashikueshëm
Çfarë e ndërpreu këtë skemë mafioze të gazit, që mbante Ukrainën brenda një kafazi?
E paparashikueshme, madje edhe për grupin mafioz “Solnecvskaja”, ishte revolucioni i Sheshit “Maidan”, në vitin 2014, kur Ukraina denoncoi vjedhjet e zgjedhjeve nga Janukoviç, duke e detyruar që të arratiset në Moskë.
Ndërprerja e menjëhershme dhe e papritur e Marrëveshjes Mafioze erdhi si rrjedhojë e dëshirës europiane të popullit të Ukrainës.
Politologu britanik, Taras Kuzion, një prej ekspertëve më të mëdhenj botërorë, thotë se “Ukraina, para revoltës së Maidanit në vitin 2014, ishte shndërruar në një shtet mafioz neo-sovjetik”.
Europa, nën presionin e gazit rus, e la vetëm Ukrainën në këtë sezon të ri të pavarësisë, por sidomos të çlirimit nga pushteti mafioz.
Madje, bankat europiane dhe zvicerane pranuar paratë e Organizacjas (term që përdoret për të përfshirë organizata të ndryshme ruse).
Austria pranoi Firtashin. Mbështetja europiane ndaj Ukrainës ishte më tepër në formë se sa reale. Në këtë dinamikë, NATO dhe SHBA panë mundësinë për të avancuar me politikën e tyre ndërkombëtare.
Kontrabanda në Detin e Zi
“Vory-t”, Kumbarët, po përfitojnë nga tensionet ndërmjet Ukrainës e Rusisë për të fuqizuar pushtetin e tyre.
Krimea është qendra e kontrabandës ndërmjet Europës dhe Rusisë. Trafiku i drogës e ka shndërruar prej vitesh këtë zonën në “Siçilinë Ukrainase”, duke e paralelizuar me pushtetin e “Cosa Nostra-s italiane).
Mark Galeoti, një prej studiuesve më të mëdhenj të mafias ruse, ka shkruar: “Krimeja është pushtimi i parë në histori nga ana e gangsterëve që punojnë për Shtetin”.
Ushtarët pa shenja dallueshe që qarkullojnë në qytet janë anëtarë të klanit mafioz “Solncevskaja” të drejtuar nga rusi Michajlov (Mikas) dhe ukrainasi Mogilevich “Truri”
Ish-prokurori i rajonit të Krimesë, Viktor Shemçuk, kujton: “Çdo nivel qeverisës në Krime është mafioz-uar. Në çdo rast, sesionet parlamentare të rajonit nisnin me një minutë heshtje, në respekt të ndonjë prej ‘vëllezërve’ të vrarë”.
Deti i Zi dhe Odesa janë zonat e mëdha ku realizohen trafiqe të ndryshme. Qarkullon benzinë kontrabandë, tonelata qymyri të gërmuar në mënyrë të paligjshme dhe që ngarkohet në anije, të cilat shpërndahen në shumë vende të botës. Kontrabandohet heroinë, por edhe flori.
Gjithçka mund të qarkullojë në Krime, mjafton që të pagohet “taksa” tek “Vory-t”, mafiozët. Gjithçka që futet në mënyrë të paligjshme në Europë kalon nga këto vende. Ato janë një vrimë e zezë për drogën, heroinën dhe lëndët e para.
Gazetarja ruse, Julia Polukhina e sintetizon kështu situatën: “Përfituesit e kësaj lufte janë politikanët, oligarkët dhe gangsterët. Qymyri, ari, benzina dhe duhani, këto janë ato për të cilat luftohet në Ukrainën Lindore”.
Pushtimi i Donbasit dhe Krimesë shërbyen, mbi të gjitha, për të mbrojtur “aferat”.
Fitili i luftës në Ukrainë ishin protestat në Donetks dhe Luganks, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse republika të anëtarëve të mafias, që qeverisin me prokurë nga Moska.
Drejtuesit e këtyre protestave, siç thotë studiuesi Galeoti, kanë të gjithë nga një “epitet”, të cilin e kanë që prej kohësh kur ishin pjesë e klanit mafioz: Motorola, Batman, Shooter.
Putin dhe “të droguarit”
Në 17 Prill 2015, Radio “Svoboda” intervistoi një vullnetar rus, i cili i kishte besuar propagandës së Putinit, me bindjen se po shkonte të luftonte kundër fashistëve ukrainas: “Kur mbërrin atje, e kupton se nuk bëhet fjalë për njësi ushtarake, por për banda të vërteta”.
Ish-gjenerali i Policisë së Ukrainës, Vladimir Ovchinsky komenton: “Tani po vërehet një lloj kombëtarizimi i mafias”.
Megjithatë, Putin akuzon autoritetet ukrainase si “banda të droguarish dhe neonazistësh”.
Ky përcaktim për “të droguarit”, natyrisht i referohet rolit të Ukrainës si vend tranziti për narko-trafikun, por nuk e përmend faktin se veprimtaria e paligjshme organizohet nga mafia ruse.
Por, a mund të ndodh që kartelet ukrainase po shkëputen nga lidhjet e tyre me grupet ruse? A është e ndarë mafia ukrainase, ashtu siç është ndarë edhe vetë vendi? A kanë vendosur këto grupe që të dalin të pavarur nga mafia e Krimesë apo për t’i shpëtuar varësisë nga “familjet” në Donetsk?
Këto janë çështje thelbësore, të cilat do të duhet të kalojnë disa kohë për t’u kuptuar.
Mark Galeotti, në librin “Vory-Super mafia e Rusisë”, shkruan: “Ukraina…është një vend, ku të gjithë organizata kriminale ruse kanë interesa, operacione, partnerë dhe persona kontakti dhe vendi ku kultura e Kumbarëve është akoma e pranishme”.
Banda e Solntsevos, një rajon në Moskë, ka lidhje të forta kriminalo-politike me “klanin e Donetskut”, i cili shërbeu edhe si bazë për ish-presidentin Viktor Janukoviç.
Pakti mes Shtetit dhe kriminelëve
Strukturat kriminale ukrainase janë të ngjashme me ato ruse, megjithëse ato veprojnë kryesisht mbi baza lokale.
Megjithatë, njëlloj si grupet ruse, edhe bandat ukrainase janë në simbiozë me politikanët thellësisht të korruptuar dhe kanë si synim kontrollin oligarkik të ekonomisë.
“Fluksi i drogës nëpërmjet Donbasit drejt Ukrainës e më tej në Europë nuk është ulur aspak, megjithëse plumbat po fluturojnë në dy anët e kufirit”, i tha Galeotit një zyrtar i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, ndërkohë që vendi ishte përfshirë nga përleshjet në vitin 2014.
Krimi i organizuar rus përbëhet nga disa nivele. Putini, që prej fundit të vitit 1999, ka hequr dorë nga politika e luftës kundër krimit, të cilën e kishte ndjekur në vitet e para të pushtetit të tij.
Në grupin e nivelit bazë të kriminalitetit, atij të rrugës, autoritetet ndjekin penalisht, ka gjyqe, arrestime. Nëse ka përdhunim, nëse ka vrasje që alarmojnë popullsinë apo shpërndarje droge, këto raste ndiqen penalisht. Nëse cënon paqen sociale, shkon sërish në burg.
Por në burg, organizatat qeverisin gjithçka. Ato vazhdojnë lidhjet me jashtë, ndërkohë që brenda qelive mbrojnë njëri-tjetrin, duke vrarë rivalët.
Ata që ngrihen në një nivel më të lartë të organizatave kriminale marrin një pozitë më të mirë, me një kusht; nuk duhet të krijojnë probleme për Shtetin apo për Kumbarët e tyre.
Nëse do të guxojnë t’i krijojnë probleme Shtetit apo do të krijojnë rivalitet brenda organizatës, këta individë do të konsideroheshin armiq dhe, me ndihmën e policisë e të gjykatave, ata do të dënoheshin.
Në fakt, nuk ka shenjë barazimi ndërmjet mafias ruse dhe Shtetit. Mafia është një prej shumë fijeve të pushtetit institucional rus.
Grupi “Solncevskaja” i Moskës, “Rrethi i Vëllezërve” (Bratksi Krug) i Shën Petërsburgut dhe “Tambov Gang”, janë trupat që dominojnë biznesin e Rusisë dhe satelitët e tyre në Gjeorgji, Kazakistan, Çeçeni, Hungari, Serbi, Bullgari e Çeki.
Ndëshkimi
Putin ka përdorur dhe është përdorur nga organizatat kriminale. “Vory-t” (Kumbarët) janë shumë të rëndësishëm për sabotimin e armiqve të tij apo ndikimin tek miqtë.
Jo vetëm në Donbas, por edhe në vende të tjera, lidhjet e grupeve kriminale kanë tentuar të ndikojnë zhvillimet politike. Kështu ndodhi me Grushtin e dështuar të Shtetit në vitin 2016 në Malin e Zi, kur aleatët e grupeve kriminale të Moskës krijuan trazira për të penguar aderimin e vendit ballkanik në NATO.
Putin i trembet super-pushtetit të “Organizacjas” dhe reagon kundër tyre vetëm kur i krijojnë probleme apo kur hetimet e gjykatave perëndimore zbulojnë lidhje, të cilat mund të vendosin në vështirësi pushtetin e tij apo, më keq, kur mbështesin drejtuesit opozitarë.
Për t’i mbajtur nën kontroll, Putin duhet të bëjë herë pas here “prerje kokash” dhe ndëshkime.
Përshembull, në vitin 2016, policia ruse ndërhyri në apartamentin e një prej zyrtarëve të saj më të lartë, kolonelit Dmitri Zakharcenko, i cili ishte edhe shef i departamentit kundër korrupsionit.
Aty u gjetën 123 milionë dollarë. Shuma ishte aq e madhe, sa hetuesit ndërprenë kërkimet, pasi duhet të gjenin një karrocë të madhe për të transportuar të gjitha paratë.
Në fakt, nuk ishin paratë e tij. Ai ishte ngarkuar që të mbante paratë e përbashkëta të një bande “Ujqërit e egër”, një emërtim që i është vendosur njerëzve të mafias brenda radhëve të policisë.
Mafia dhe politika
Putinit i duhet t’u kujtojë “Kumbarëve” se është ai që jep autorizimin për jetën e tyre. Por natyrisht, e ka shumë të qartë se do të jetë i humbur, nëse pushteti i tij do të varet prej tyre.
Për momentin, ky ekuilibër është ruajtur. Pasi grupet kriminale ruse dhe ‘Kumbarët” vijojnë të bëjnë biznes me burimet natyrore dhe koncensionet shtetërore. Kjo është “varësia” e mafias ruse nga pushteti politik.
Ata menaxhojnë gjëra të ndryshme dhe fitimet duhet t’i ndajnë me institucionet. Po ashtu, vetëm nëpërmjet Shtetit, organizatat kriminale mund të delegojnë pushtetin e tyre tek filialet e tyre më të ulta. Paprekshmëria garantohet nga Shteti.
Politologu Taras Kuzio, në librin “Ukraina-Demokratizimi, Korrupsioni dhe Perandoria e re Ruse” shkruan se roli i “Vory-t” (Kumbarëve) është ajo për të zgjidhur problemet, nëpërmjet parimit-“ma kërko dhe ta jap”
Marrëdhënia mes mafies dhe politikës është aq e ngushtë sa që edhe ngjarjet traumatike, si aneksimi i Krimesë në Rusi në vitin 2014 dhe përplasjet e mëvonshme në Donbass, ndodhin me mbështetjen aktive të “Vory-t” lokal.
Nëse do të mund ta pyesja Semyon Mogilevich-in se si do të përfundojë kjo luftë, sigurisht që do të kisha opinionin më të përditësuar, më të dobishëm, më të thellë që mund të merrnim, të cilin asnjë analist, madje as informacioni që inteligjenca amerikane rrodhi në gazeta nuk do të ishte në gjendje të jepte.
Vëzhgimi i dinamikës kriminale, në këtë rast, do të thotë të shikosh në thelbin e çështjeve.
Shikoni mafien, shikoni krimin; shikoni përmes mafies, shikoni fatin e ekonomisë së kohës tuaj.