Nga Emili Bibolli
Të gjitha këto reagimet publike të të dyshuarve ose të ndaluarve pas urdhërave të arresteve të bujshme nga drejtësia shqiptare duken krejtësisht patetike.
Është bërë e zakontë në Shqipëri të shohësh reagime qesharake të politikanëve që përfundojnë të ndëshkuar nga drejtësia. Ata shprehen gjithmonë se e gjithë kjo është një padrejtësi ndaj tyre, se janë njerëz të përgjegjshëm, familjarë të mirë, që kanë punuar fort dhe me ndershmëri apo se kanë rënë pre e kurtheve të armiqve të tyre. Pothuajse të gjithë këta politikanë ndjekin të njëjtën linjë kur shprehen përpara opinionit publik, linjën e viktimizimit.
Viktimizimi përvec se nuk ka asnjë vlerë, nuk bind dot askënd. Nuk të detyron askush sot, e sidomos armiqtë të firmosësh një dokument, apo të shpërdorosh detyrën. Cdokush është përgjegjës për vendimet apo veprimet që ndërmerr në jetë dhe kostoja pas kësaj është individuale. Cdo veprim ka pasoja, ndaj duhet të jetë i mirëmenduar.
Rasti i deputetit Alqi Bllako është ilustrimi më i fundit i paragrafit të mësipërm. Deputeti në fjalë reagoi menjëherë pas urdhërarrestit që u lëshua ndaj tij. Në një hartim Facebook-u deputeti shprehej ndër rreshta se nuk i ka shkelur kurrë ligjet e këtij shteti, se është i pafajshëm dhe se të vërtetën e të drejtën do ua provojë miqve por padyshim edhe armiqve. SPAK foli dhe provoi se zoti Alqi Bllako e ka shkelur ligjin andaj nuk ka sesi të jetë i pafajshëm. Nuk mund të abuzosh me një pushtet të caktuar e më pas të shkruash hartime për të prekur zemrat e qytetarëve shqiptarë apo për t’u hedhur atyre hi syve.
Jeta të ofron gjithmonë dy rrugë: rrugën e së mirës e së drejtës dhe rrugën e së keqes e të pandershmërisë. Zgjedhjet janë individuale. Nuk të detyron askush të bësh korrupsion, të vjedhësh, të mashtrosh, të përfitosh, të abuzosh apo edhe të firmosësh shkresa zyrtare të cilat koston e kanë shumë të lartë.
Edhe në rast se të detyron dikush mbi ty, në dorë përsëri vetë e ke, të bindesh ose të kundërshtosh, por përsëri kostot respektive janë vetjake.
Asnjë politikan në Shqipëri nuk e ka guximin të bëjë “mea culpa”, të pranojë gabimet e veta dhe të kërkojë të paktën ndjesë për to. Nuk ka asnjë rast në historinë e politikës shqiptare që një politikan të ketë vepruar si më sipër, ata të gjithë kanë zgjedhur t’i bëjnë bisht të vërtetës. Prandaj është më dinjitoze në situata të tilla të përdorësh vetëm një instrument, heshtjen.