Rusia kërkon Kinën që t’i neutralizojë pasojat e përjashtimit nga SWIFT-i

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Almario Uka

Rusia ka qenë që nga viti 2014-të subjekt i sanksioneve të njëpasnjëshme nga Bashkimi Europian dhe SHBA-të si pasojë e veprimeve të saj agresive ushtarake ndaj fqinjëve. Veprimet e kësaj natyre të Rusisë janë parë nga kundërshtarët si një kërcënim për rendin botëror. Në 24 Shkurtin e këtij viti, po ditën që Rusia ndërhyri ushtarakisht në Ukrainë, SHBA-të i vendosën sanksione që përfshinin kontroll të eksporteve ruse, kufizime të drejtëpërdrejta ndaj objektivave politikë dhe ushtarak rusë, si dhe sanksione financiare ndaj dy bankave më të mëdha ruse: Sberbank dhe VTB Bank.

Në vazhdimësi, më 2 Mars, Bashkimi Europian hodhi në lojë kartën “Trump”: duke ndaluar me efekt të menjëhershëm aksesin  në rrjetin ndërkombëtar të pagesave SWIFT për shtatë bankat më të mëdha ruse, VTB Bank, Bank Otkritie, Novikombank, Promsvyazbank, Bank Rossiya, Sovcombank dhe VEB Bank.

Shoqëria për Telekomunikimin Financiar Ndërbankar Mbarëbotëror, e njohur si SWIFT, është organizata më e rëndësishme që vëzhgon sistemin mesazhues të pagesave ndërkombëtare. Ajo është përgjegjëse për shpërndarjen e mesazheve, sesi do të jepen dhe merren pagesat, nga më shumë se 11 mijë institucione financiare botërore. Ndalimi i përdorimit të kodeve SWIFT-it, do t’a ndalonte praktikisht Rusinë të kryente pagesa jashtë – ose do t’a shtynte atë të përdor rrjete të tjera komunikimi si E-mail apo Telegram.

Për më tepër, izolimi financiar do të mundësonte dështimin e arritjes së ambicieve ushtarake ruse. Sidoqoftë, Rusia nuk është aq e pa përgatitur për këtë situatë. Prej vitesh, në kuadër të politikës “de-dollarizuese”, Rusia ka rritur bashkëpunimin dhe përthithjen e ndihmës prej Kinës. Së pari, Rusia ka zhvilluar sistemin e saj të brendshëm konkurrues të sistemit SWIFT, të njohur si Sistemi për Transferimin e Meszheve Financiare (SPFS). Prej kohësh, po bëhet e mundur integrimi i sistemit rus me homologun kinez, të njohur si Sistemi i Pagesave Ndërbankare Ndërkombëtare (CIPS). Së dyti, Rusia ka autorizuar përdorimin e monedhës kombëtare kineze Renminbi (RMB), në gjuhën e përditshme yuani, për qëllimet e pagesave dhe të tregëtisë ndërkombëtare. Pa mbështetjen kineze mendohet që largimi nga sistemi SWIFT do t’a tkurrë GDP-në ruse me 5 përqind.

A do të mund Rusia të shmangë kollapsin ekonomik e financiarë me anë të ndihmës kineze?     

SPFS-ja u krijua menjëherë pas sanksioneve të vitit 2014-të, si një alternativë rajonale e SWIFT-it, ku banka qëndrore ruse numëron më shumë se 400 banka të nivelit të dytë me kapital të brendshëm. Në vetvete, ajo e ka të pamundur të zëvendësojë sistemin SWIFT, prandaj, që prej vitit 2015-të, Rusia po përpiqet të integrojë këtë sistem me CIPS-në kineze. E mbështetur nga Republika Popullore e Kinës, CIPS-ja u krijua në mbështetje të ndërkombëtarizimit të monedhës kombëtare Renminbi. Ky sistem, dukshëm më i madh se ai rus, proçesoi transaksione me vlerë rreth 12.68 trilion dollarë në 2021-shin. Në fund të vitit të kaluar, CIPS-ja numëronte 1280 institucione financiare në 103 vende të ndryshme të botës. Megjithatë, e përkthyer në përqindje në raport me volumin e transaksioneve financiare ndërkombëtare, kjo sasi përbën vetëm 3.2 përqind. Kinës do t’i duhet akoma më shumë punë për të bindur bankat rreth e përqark globit që t’i bashkohen CIPS-së.

Lexo edhe :  SPAK, sfida tjetër me lavanderinë politike të mëkateve

Po bashkpunimi midis këtyre dy sistemeve të pagesave ruse dhe kineze a do të ishte i mjaftueshëm për të zbutur impaktin e largimit të Rusisë nga përdorimi i SWIFT-it?  

Kina është partneri kryesorë tregtari i Rusisë në termat e eksporteve dhe të importeve. Përgjatë vitit 2021, shkëmbimi tregtarë midis tyre përllogaritej 146.9 miliardë dollarë. Kjo marrëdhënie tregtare është rritur me 50 përqind që nga koha e sanksiove të para të Perëndimit mbi Rusinë në vitin 2014-të. Kjo të bën të mendosh që rritja e sanksioneve financiare dhe ekonomike ndaj Rusisë, do të rrisë rrjedhimisht varësinë e Rusisë ndaj Republikë Popullore të Kinës. Shkëmbimi tregtar midis dy vendeve me bazë yuanin kinez përllogaritet rreth 28 përqind në gjysmën e parë të vitit 2021, krahasuar me vetëm 2 përqind në vitin 2013-të, duke theksuar ambiciet e Rusisë për “de-dollarizimin”. Që prej sanksioneve të vitit 2014-të, Rusia është përpjekur vazhdimisht të krijojë një rezervë të huaj e cila do t’a ndihmonte atë të thjeshtëzonte tregtinë nëdrkombëtare. Përderisa, Rusia e ka të pamundur aksesin në rezervat e saj të huaja të kyçura në Perëndim, ajo akoma mund të përdor rreth 77 miliardë dollarë ose 13.1 përqind të rezervave të saj, të cilat mbahen në yuan.

Për më tepër likuiditet, Rusia mund të përdor marrëveshjen e saj bilaterale me Republikën Popullore të Kinës (BSA) për shkëmimin e monedhave, që do t’ jepte palës përthithëse, Rusisë në këtë rast, të drejtën për të shkëmbyer monedha me homologen e saj, me norma të pandryshueshme interesi. Kjo marrëveshje, e firmosur në Tetor 2015- Mars 2016-të, do të ul riskun e tronditjes së monedhës vendase në kohë të paqëndrueshme financiare dhe do të lehtësojë vazhdimin e tregtisë ndërkombëtare.

Sidoqoftë, me vetëm një të tretën e tregtisë së saj botrore me Kinën dhe kufizimet në bashkëpunimin ndërmjet sistemeve të tyre të brendshme të pagesave ndërbankare, Rusia e ka të pamundur t’ja dalë pa SWIFT-in në tregtinë me pjesën tjetër të botës. Përdorimi i rezervave të saj të huaja apo zbatimi i marrëveshjes së jashtëzakonshme me Kinën do të marrin kohën e tyre.

Gjithsesi është me rëndësi të përmendet që sanksionet financiare të Bashkimit Europian ndaj shtatë bankave ruse, në mënyrë të qëllimshme dhe strategjike larguan bankën ruse të kompanisë Gazprom që trajton të gjitha pagesat e lidhura me energjinë, nga lista. Rusia është eksportuesi më i madh botëror i gazit të lëngshëm natyror, përafërsisht 25 përqind e të gjitha eksporteve kombëtare.

Në përfundim, gazi rus dhe tregtia me yuan mund të ndihmojnë në zbutjen e disa efekteve të menjëhershme të përjashtimit nga sistemi SWIFT. Megjithatë, këto nuk mund të jenë alternativë e përhershme, duke konsideruar faktin që RMB-ja ose ndryshe yuani kinez nuk është akoma një monedhë me përdorim të gjerë në tregtinë ndërkombëtare. Për më tepër, Kina nuk shpreh vullnet të plotë në integrimin e sistemit të saj të pagesave ndërbankare me atë rus, pasi mund të bëhet vetë subjekt i veprimeve ndëshkuese nga Perëndimi, duke shkaktuar debat të pakuptimtë.

 

Të fundit

Në 41 vjeç, ishte Isabella Rossellini shumë e vjetër për të qenë e bukur në 1994?

Lancôme njoftoi se ata po largonin modelen më të paguar në botë, megjithëse nuk e thanë kaq troç Genevieve Fox E...

Injoroni Musk, do të ndjeni shpejt përfitimet e politikave Laburiste në xhepin tuaj

Pavarësisht nga nxitësit e dënimit, perspektiva për ekonominë, NHS dhe shërbimet jetike është e mirë. Muajt ​​e ardhshëm duhet ta dëshmojnë këtë Polly Toynbee Shikoni lart,...

E ardhmja e Partisë Demokratike po rrokulliset poshtë Broadway

Nga Henry Grabar Një nga aktet më pak të njohura të Revolucionit Francez, në ditët para sulmit të Bastiljes, ishte një seri sulmesh mbi barrierat...

5 vite në Hagë/ Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat për pengim të drejtësisë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së dytë kundër tij, për pengim të drejtësisë në...

Akuzat për krim zgjedhor, Majko kërkon informacion nga SHISH

Ish-kryeministri Pandeli Majko reagoi një ditë pasi kreu i PD-së Sali Berisha e akuzoi se është kapur në një përgjim nga Shërbimi Informativ, ku...

Lajme të tjera

Web TV