Vrasja e Avni Rustemit, shumë dyshime për dorë të Jugosllavëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ylli Polovina

98 vjet më parë, në orën 16.30 të 20 prillit 1924, e diel, në një rrugë të Tiranës iu bë atentat Avni Rustemit. Nuk ndërroi jetë menjëherë, por kur mbërriti mesnata e 21 prillit në atmosferën e ankthshme të atyre që rrinin në afri të Spitalit ku qe shtruar, u parandie kob. Gjendja shëndetësore e të plagosurit rëndë u përkeqësua. Pati kapërcyer ora dhjetë e 22 prillit kur Avni Rustemi u mbërthye nga një temperaturë e lartë. Kishte nisur një hemorragji pulmonare. Tashmë qe pa shpëtim. Në mesditë erdhi në prag të komës. Para Spitalit dhe në hollin në hyrje të tij tashmë ishin grumbulluar me qindra kolegë, veprimtarë të organizatës “Bashkimit”, të drejtuar prej tij, parlamentarë dhe politikanë, banorë të thjeshtë të Tiranës.

Avni Rustemi dha shpirt në orën 14.30. Qe e martë.

Ishte redaksia e gazetës “Politika” në Vlorë, e cila e para ia nisi telegramin ngushëllues familjes Rustemi në vendlindje, në Libohovë: “Të pikëlluar për humbjen e më të madhit idealist të kombit tonë, ju çojmë ngushëllimet dhe bashkohemi në helmin tuaj, që është zia e fatkeqësia e të gjithë nevet”.

 

Apo kanë dorë edhe grekët?

Në legatën britanike kishin filluar të mbanin shënim se, përveç luftës së brendshme politike për ta dominuar vendin, analiza konfirmonte që për interesa madhore gjeostrategjike, të dëshiruar për një gjendje paqëndrueshmërie politike dhe të rendit publik në Shqipëri, qenë të interesuar veçanërisht jugosllavët.

Në 23 prill nga Uashingtoni konsulli Kostë Çekrezi i dërgonte ministrit të Jashtëm Iljaz Vrioni dy faqe letër me makinë shkrimi. E vinte në dijeni se për ta kthjelluar opinionin publik amerikan e po ashtu përgënjeshtruar lajmet false, pati botuar artikuj në disa gazeta të ndryshme, posaçërisht në revistën e universitetit ku jepte mësim. Ai qe i bindur se në të gjithë fushatën e pasqyrimit të deformuar të gjendjes në Shqipëri prej shtypit amerikan kishin dorë grekët.

Në fund të raportimit të tij dyfaqesh me makinë daktilografimi Çekrezi, me shkrim të bërë me penë, thoshte “P.S. Çuditërisht, shtypi amerikan s’ka botuar asgjë, asnjë fjalë mbi atentatin kundra Avni Rustemit, ndonëse kanë shkuar pesë ditë q’ahere”.

Në 25 prill ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Iljaz Vrioni u dërgoi këtë kabllogram legatave në Gjenevë, Paris, Romë, Athinë, Londër: “Këtu mbyllur kam nderin t’ju dërgoj kopjen e një letre marë prej Legatës s’onë në Beligrad në të cilën përshkruhen të gjitha intrigat e qeverisë jugosllave me të cilat përpiqet të na fusë në  ngatërresa të brendshme dhe të largojë caktimin e pjesës së fundit të vijës kufinore që kësisoj të sigurojë një solucion në favor të saj.

Ju lutem që me rastin e parë t’inspironi nga argumentat që përmban letra në fjalë për të nxjerrë në shesh qëllimet e fshehta të qeverisë jugosllave dhe kësisoj të provoni sinqeritetin e qeverisë shqiptare…”.

Bashkë me firmën e tij në fund të tekstit të letrës së mbyllur për çdo shef legate ministri shkruante edhe fjalët “Pranoni të falat e mija”.

 

Raportime nga Beogradi: “Dora e bardhë” dhe “Dora e zezë”

Një muaj e gjysmë më parë, në 8 mars 1924, drejtuesi i Legatës Shqiptare në kryeqytetin jugosllav, me gradë diplomatike dhe rang zyrtar Ministër, Ali Riza Kolonja, i nisi Tiranës informacionin e tij të plotë mujor. Mes shumë faqeve qenë edhe këto radhë, të cilat po ja përcjellim lexuesit siç ndodhen të shkruara në formën origjinale: “Princ Gjorgji, i vëllai i Mbretit, rron jetë fare private dhe i pafjalosur me Mbretin. Kërkon të botojë ca memuarë, por asnjë shtëpi botuese nuk ja pranon se thonë që janë kundër mbretit dhe Pashiçit. Kohët e fundit i kanë atribuar dhe relacione me Partinë Komuniste, të pajtuara mjaft me karakterin e tij revolucionar dhe të rrëmbyer. Gazeta e këtushme “Republika” ndalohet dëndur sepse akuzohet se është kundër mbretërisë, një redaktor i saj ndodhet në burg, një tjetër gjyqi e nxori të pafajshëm. Mbreti ka me vete grupin e oficerave të quajtur “Dora e bardhë”, të cilët thonë se kanë aq shumë ndikim sa bëjnë politikë e shtetit, kurse kundër janë grupi i oficerëve “Dora e zezë”.

Më pas Kolonja raporton: “Krijimi pas lufte i shtetit kroato.serbo.slloven ishte i papritur dhe nuk qenë të përgatitur, kishin jetuar më vete dhe me zhvillime të ndryshme, serbët i ka përkrahur gjithnjë Rusia cariste. Pashiçi me qeveritë e tij e ka qeverisur pothuaj njëzetë vite parreshtur dhe arriti pas shumë mundesh ta madhojë Serbinë e vjetër”.

Ali Riza Kolonja po ashtu e vë në dijeni Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se “Ministria e Punëve të Jashtme Jugosllave botoi një komunikatë “Me që misioni politik i Legatës ruse në Belgrad pushoj, z. Stradman gjer tashti Ministrë i Rusisë në Belgrad, ngarkohet me përkujdesjen e interesave të emigrantëve rusë në Jugosllavi, si delegat për refugjatë”.

Kjo duhet të jetë përçapje e parë e qeverisë jugosllave për njohjen e qeverisë sovjetike”.

Më tej: “Qeveri e Belgradit, në lidhje me demarshet e saj të mëparshme, bëri përsëri tashti përçapje të reja pranë Konferencës së Ambasadorëve për të dhënë pa vonim një vendim mbi pikat e kontestuara të kufirit shqipëtaro-jugosllav në Vermosh dhe Sh. Naum, që kur të arijë më 1 maj komisioni kufinor në Shqipëri të mos presë më kot, po të fillojë nga puna tue zbatuar në vent vendimin relatif të Konferencës. Në rrethet politike serbe bëri një përshtypje të mirë shumë refuzimi i agrementit prej qeverisë shqiptare për personin e z. Karajofovit si përfaqësues i Bullgarisë në Tiranë, i cili këtu është i njollojtë si një agjent shumë aktif i komitetit maqedonas. Çdo lëvizje e ndonjë bullgari në Shqipëri komentohet liksht këtu, dhe quhet si qëllim agitacie në formim të çetave shqiptare në bashkim me bullgarët kontra tokës serbe”.

Pasi e informon ministrinë e vet se për këtë çështje të fundit me anë bisedimesh në Beograd ai e ka qetësuar qeverinë jugosllave, Ali Riza Kolonja ngul këmbë që edhe qeveria shqiptare në Tiranë të punojë me bisedime edhe me shefin e legatës jugosllave që edhe ai ta qetësojë për louajalitetin shqiptar qeverinë e Belgradit.

Vijon diplomati Kolonja: “U shkruaj edhe këtu me një gazetë për oportunitetin e mbylljes së kufirit në liqen të Ohrit dhe ndalim eksportimi drithi në drejtim të Pogradecit, porse këto vende qenkeshin sheshuar gjoja çeta bullgare të rregulluara. Botimet në gazetën e këtushme “Politika” të letrave të korespodentit të saj z. Mill Jeliç, kur ishte në Tiranë, janë gjetur shumë të pëlqyera nga tërë populli këtu, se ato çkoqin mjaft mirë jeta e sotme politike dhe sociale në Shqipëri. Shqiptarët të ndodhur këtu për punë prej krahinës së Gorës-Lumë, lihen të punojnë dhe autoritetet e këtushme u kanë dhënë leje banimi të gjatë në Jugosllavi. Pasaportat dhe certifikatat e dhëna nga legata jonë deri tani nuk janë refuzuar nga policia serbe dhe çdo demarsh i kësaj legate në favor të shtetasve shqipëtarë është pritur mjaft mirë gjer tashti. Formimi i qeverisë së re shqiptare posa nuk ju komunikua kësaj Legate drejt prej asaj Ministerie, duhet me hollësi të na vijë, duke deklarur se dhe kabineti i Ahmet Zogut ashtu dhe ky i tanishëm ka për program forcimin e relacioneve të sinqerta me Jugosllavinë”.

 

Një shkresë e fshehtë e Beogradit: aktivizoni dhe paguani spiunët

 

Më 25 mars 1924 Seksioni I-rë i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë ia doli të sigurojë fshehtas një shkresë të shpërndarë prej konsullatës të Mbretërisë Serbe, Kroate dhe Sllovene në Shkodër. Në të mes të tjerash thuhej: “Misioneve diplomatike dhe Konsullatave të Mbretërisë S.H.S. përjashta…Instruksioni nr2….jini të lutur t’i paraqitni Ministrisë së Punëve të Jashtme informacionet e përmbledhura në vendet ku jeni akredituar si vijon:

  1. Gjithë informata e kësaj Zyre. Dy herë në javë t’i paraqiten Atasheut ushtarak, e ku nuk ka, punonjësit më të madh diplomatik.
  2. Në mos keni kredi në Nr2, shpenzoni nga të hollat e mbledhura prej taksës së vizave dhe çdo muaj na lajmëroni shumën.
  3. Kqyrni mirë punët ushtarake e veçanërisht në ato provinca që janë në kufi të mbretnisë S.H.S.
  4. Mund t’i paguani shuma më të larta spiunëve ushtarakë. 5. Lajmëroni në atë çast lëvizjet e ushtrive.
  5. Për të bërë kursime të kredisë së fshehtë përdorni si konfident emigrantë që mund të marrin lajme.
  6. Kqyrni mirë organizatat e emigrantëve, në është çështje me ngutësi na lajmëroni telegrafisht…
  7. Kqyrni mirë organizatën bullgaro-maqedono-shqiptare dhe mundohuni me çdo mënyrë për vepra aktive. Për këtë gjë mund të përdorni nga dy konfidentë për secilin grup.
  8. Në këtë çështje punoni sa të mundni me qëllim që të provokoni likujdimin e kësaj organizate.
Lexo edhe :  8 dhjetor: Dialogu me të kaluarën na frymëzon, por e ardhmja lë pikëpyetje

 

Pse u intereson situata e kaosit në Shqipëri

Në 2 prill, në raportin mujor, Ali Riza Kolonja e informonte ministrin e tij në Tiranë, Iljaz Vrioni, se Nikolla Pashiç kishte ngritur kabinetin e ri, ku ministër i Jashtëm qe Ninçiç. Më pas: “Eksitimi gjoja i Komitetit Kosovar në Shqipëri vazhdon të jetë kokëçarje për serbët, se punon për të kallur në katundet kufinare të Serbisë urrejtje kontra këtij shteti, tue u folur të qëndrojnë me shpresa se Shqipëria është me u zgjeruar gjer në Shkup… Shtypi i këtushëm i inspiruar ka botuar që Komiteti Kosovar ka dashur të hedhë njerëz nga ana e Dibrës në tokën serbe dhe që për këtë është çuar në Peshkopë dhe një kapedan Ramo për të bërë propagandë në favor të Komitetit. Mbas ca lajmeve dhe të tjerë, dhe Hasan be Prishtina, paska udhëtuar gjer në Vjenë ku qënka bashkuar me Radiçin e kroatëve, për një marrëveshje të politikës kroate me atë të kosovarëve”.

Në vazhdim të raportimit të plotë mujor Ali Riza Kolonja i shkruan ministrit të vet në Tiranë se “Për sa i përkiste marrëdhënieve të “Mbretërisë SKS me Shqipërinë “qeveria jugosllave mori me kënaqësi njoftim për ekspulsionin e dy gazetarëve bullgarë nga Shqipëria” se ajo “shpreson që edhe anketa e qeverisë shqiptare në Korçë për konstatimin e ndeshjes atje në atë qark të komitave bullgarë do japë rezultate favorablë dhe do të vërtetojë të dhënat e qeverisë jugosllave”.

Në vijim raportimi me shkrim i Ali Riza Kolonjës thotë se “Mbledhjet e Asamblesë shqiptare po vëzhgohen së këtejmi dhe munt të thuhet që nga vazhdimi i punërave të Asamblesë gjer më sot, këtu kanë përshtypjen që ajo ka për më të voglin qëllim dhe kokëçarje të kryemin e një konstitucioni të shtetit dhe që me të tepërtën kohë është më u marë me çështje personale dhe embicie, të paçdukura edhe në karakterin e kombit shqiptar; e që nuk ka me arrirë të mbushë dot detyrën që i është ngarkuar, e kështu nuk është me i përgjigjur as fare shpresave që ka mvarur populli shqiptar në asamblistët e tanishme, as shpenzimet të mbëdha të tyre. Këto të meta e atribuojnë këtu, në mungimi i kapaciteteve të shqiptarit për të kryer vetë një organizim  dhe për sëpari me parti të organizuara me principe, nevojë fondamentale për krijimin dhe konsolidimin e një shteti mbas formës së shteteve tjera të Ballkanit dhe të Evropës, ku ndodhet edhe Shqipëria”.

Pastaj shefi i Legatës së Shqipërisë në Beograd tërheq vëmendjen e ministrit të vet në Tiranë, Iljaz Vrionit, se “S’është çudi dhe, që kjo gjendje e sotme precaire e Shqipërisë të gjykohet tepër e pëlqyeshme pa dhe të favorizohet e të yshqehet prej shteteve fqinjë me mënyra jo lehtë të kuptueshme. Kurse dihet që vetëm me vazhdimin e situatës së tillë e të kaosit në Shqipëri munt të ekzistonë shpresat për apetitet agresive të tyre”.

 

Për destabilizim të Shqipërisë do të ketë 6 vrasje

Në mëngjesin e 26 prillit nga Legata Italiane u nis për në Ministrinë e Jashtme në Romë ky kabllogram: “Ceremonia e transportimit të arkivolit të Avni Rustemit do të bëhet të hënën e ardhshme, më 28 të këtij muaji. Në orën 10-11 kortezhi funebër do të niset me arkivolin nga Spitali i Shtetit dhe do të qëndrojë përpara Xhamisë së Vjetër, ku do të mbahen fjalime”.

Më pas, ndërsa përshkruante protokollin e varrimit, raporti i shifruar e Legatës Italiane për qendrën e vet saktësonte se në të do të përfshiheshin një repart ushtarësh, banda ushtarake, kurorat, arkivoli që do të mbahej vetëm nga 18 persona të caktuar që më parë për këtë shërbim.

Në vijim do të qenë anëtarët e shoqërisë Bashkimi, zonjat, Regjenca, anëtarët e Asamblesë Kushtetuese, fetarët, nëpunësit, oficerët dhe populli. Paragrafi i fundit i kabllogramit vinte në dukje: “Pas fjalimeve, kortezhi funebër do të vazhdojë përsëri rrugën “28 Nëntori”, pastaj rrugën e Re deri në pikën ku arrihet tek rruga e Parlamentit. Do të ndjekë këtë udhë dhe pastaj do të ndalet në rezidencën e kësaj Legate, në pikën ku bashkohet me rrugën e Kavajës, vend në të cilin do të jenë gati automobilët që do të nisen për në Durrës. Edhe në Durrës rregulli i varrimit do të jetë i njëjtë”.

Në orët e pasdites Ministrinë e Jashtme Italiane e mbërriti nga Tirana edhe një kabllogram i dytë.

Ishte vetë kryediplomati italian që informonte: “Nga një burim i informuar mirë, na sigurojnë se në shtëpi të Servet Bej Libohovës është organizuar komploti kundër Avni Rustemit, i cili duhet të jetë vrarë me pëlqimin e ish-kryeministrit (Zogut)”.

Telegrami i shkurtër në mbylljen e tij të shpejtë përmbante edhe një fjali tjetër. Ajo qe futur në kllapa, sikur qëllimisht ngjarja të bëhej edhe më e mistershme: (Vrasja e Avniut është fillimi i programit të caktuar për 6 vrasje). Që turbullira publike të mos shkonte gjer në përplasje civile kryeministri Shefqet Verlaci shkoi në shtëpinë e Ahmet Zogut. Iu lut që të përpiqej për të shmangur shkaqet e egërsimit të opozitës dhe se “Në dobi të atdheut do ta evitojmë vëllavrasjen”.

Sapo u kthye në zyrë, ku bashkëpunëtorët dhe ministrat po e pritnin me ankth për rezultatin e bisedës, ky i vuri në dijeni për planin e tij. Qeveria kishte nevojë për mbështetje ushtarake, por gjithnjë në ruajtje të rendit publik. Dy njësitë vullnetare që diheshin se qenë të Ahmet Zogut, do t’i shpërndante, të paktën përkohësisht. Prania e tyre e provokonte opozitën. Për ndihmë do të merrte trupa ushtarake të Ceno Kryeziut, kunatit të Zogut. Për aq sa mundej ky mund të bënte të tretin, ndërmjetësin, edhe pse jo asnjanësin. Problem qe se ky, duke qenë bashkëkombës nga Gjakova e Kosovës, nuk ishte qytetar shqiptar.

 

Mbante nënshtetësinë jugosllave.

Ndryshe nga Ahmeti që pëlqente Italinë, Kryeziu me emrin Ceno qe i përkushtuar pas Beogradit.

Në 28 prill që në mëngjes legata italiane i dërgoi Romës kabllogramin e mëposhtëm urgjent: “Solemniteti i madh që do t’i jepet ceremonisë, e bën atë gjithashtu politikisht shumë me kuptim, për deri sa ajo do të jetë një lloj mbledhjeje e të gjitha forcave demokratike nacionaliste të vendit, të cilat janë në opozitë me fuqinë arrogante të bejlerëve dhe veçanërisht të Ahmet Bej Zogut. Ky konsiderohet si urdhërues i krimit”.

Fjalia që e mbyllte kabllogramin, nënvizonte prerë: “Në përgjithësi gjendja e brendshme është shumë e errët dhe e paqëndrueshme”.

Të fundit

Pas pengjeve izraelite, vazhdon lirimi i të burgosurve palestinezë

Tri pengjet izraelite të mbajtur nga Hamasi në Gaza pas marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar me Izraelin tashmë janë...

Harry dhe Meghan dhe dështimi i podcastit!/ Këngëtaret që refuzuan të shfaqeshin në të

Sipërmarrja e dështuar e podkastit të Princit Harry dhe Meghan Markle u pengua pjesërisht nga të famshëm si Taylor Swift dhe Beyonce që refuzuan...

KQZ apel qytetarëve: Nëse kërkesa për regjistrim ju është refuzuar, mund të riaplikoni

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndau sot disa prej pyetjeve më të shpeshta që bëjnë qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë dhe që duan të regjistrohen...

Kristian Prenga hedh në tapet amerikanin Torres pas 2 raundeve, kampion në peshat e rënda

Philadelphia, SHBA - Boksieri shqiptar Kristian Prenga është fituesi i titullit "World Heavyweight Title" për peshat e rënda. Mirditori nuk e pati të vështirë kundër amerikanit Juan...

Trump nxiton për shpëtimin e TikTok/ Rrjeti rikthehet në funksion në SHBA

‘TikTok-u’ njoftoi të dielën se po rikthehej në funksion pasi Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha se do të rikthente qasjen në këtë aplikacion...

Lajme të tjera

Web TV