“Ik i qetë, partizani im”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ylli Polovina

Libri me 232 faqe i Ylli Polovinës “Ik i qetë, partizani im” përbëhet nga tri pjesë që i bashkon tema e rezistencës shqiptare kundër pushtimit nazifashist, ilustruar me episode dhe analiza të drejtpërdrejta, mjaft të veçanta dhe origjinale, të pareflektuara më parë. Në tërësinë e librit 120 faqet e para kanë të përmbledhur një shumësi të madhe njerëzish dhe ngjarjesh, ku tërheqin vëmendjen “Komisari Memo” i botuar në italisht, “Partizani i përjetshëm Dritëro Agolli”, “Veterani shqiptar i Luftës Nacionalçlirimtare është edhe ndërkombëtar”, “Karta e veteranit për Enver Hoxhën”, “Agjenti britanik K/76”, “Festimet e 28 Nëntorit 1944”, “Pilotit amerikan Walter Green një ballist i vjedh unazën dhe xhaketën”, “Pushkatimi dy herë i plakut Fejzi Alizoti”. Në 80 faqet e dyta të librit “Ik i qetë, partizani im”, përshkruhet historia befasuese e përpjekjes për t’u prodhuar në Perëndim, prej franko-italianëve, e filmit mbi romanin e Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, sipas meje, libri më i mirë i deritanishëm në pasqyrimin e luftës kundër pushtimit nazifashist. Spikatin në këtë bllok kapitujt “Novafilm” kërkon ta ekranizojë romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “1978, radiograme pa pushim Paris-Tiranë”, “Shqetësimi i çuditshëm i Hysni Kapos”, “Gjobë kundër Kadaresë: 500.000 franga”, “Mishel Pikoli ngre dolli për Partinë e Punës dhe Enver Hoxhën”, “Pse nuk mund të jetë film franko-shqiptar”, “Si Tefta Cami e shpjegon çfarë ndodhi”.

Në 32 faqet e fundit të librit ka analiza të plota mbi jetën e trazuar të shqiptarëve në periudhën e antikomunizmit (1991 deri tani) dhe të enverkomunizmit (1945-1990). Disa nga titujt e kapitujve: “Të jetosh në antikomunizmin e ish-komunistëve”, “12 prill 1917, Bernë, përse ngutet Lenini”, “Realkomunizmi si kataklizëm social” dhe “Të jetoje në enverkomunizëm”.

Fragmente nga libri

Gjashtë avionë bombardues “Halifax” në qiellin e Tiranës

“28 nëntori gdhiu një ditë e bukur, me qiell pothuaj tërësisht të kaltër dhe me vetëm ndonjë re që hallakatej kot, pastaj, si të qe tollombace, ngecte nëpër shkëmbinjtë e majëmalit të Dajtit.

Tirana qe e gjallëruar si kurrë ndonjëherë.  Qytetarët dhe shumë të ardhur nga fshatrat përreth u grumbulluan në buzë të sheshit kryesor, tek Ministritë, por edhe në Bulevardin Musolini, siç quhej ende në kohën e pushtimit italian dhe gjerman, të cilit më pas pushteti i ri do t’ia këmbente emrin me “Dëshmorët e Kombit”.

Në orën 7.30 në Kishën Famullitare Katolike – Shëtitorja e Madhe, kur nisi riti i këndimit liturgjik “Te Deum”, qenë të pranishëm Gjeneral Major Mehmet Shehu si edhe Ing. Llazar Treska, kryetari i pushtetit vendor të kryeqytetit.  Më pas në qiell, të dërguar posaçërisht prej komandës aleate në Bari, fluturuan ultas dhe në mënyrë ceremoniale gjashtë aeroplanë bombardues “Halifax”. Ata shpërndanë fletushka me urime nga vendet e mëdha antifashiste, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përshëndetnin me këtë rast çlirimin e Tiranës si edhe festën e pavarësisë së Shqipërisë. Në vijim të këtij parakalimi ajror të gjashtë aeroplanët anglo-amerikanë në fushën e aviacionit hodhën pako me ushqime.

Me “Te Deum” të Selisë së Shenjtë dhe aeroplanë të demokracive perëndimore, saktësisht sipas programit të komisionit të lartë organizator, pati ardhur radha e pikës kulmore të festimeve, e vetë super ngjarjes: shfaqjes së qeverisë së re dhe të kryeministrit të saj. Kërshëria ndaj këtij personi, për të cilin njerëzit nuk dinin asgjë konkrete dhe më e pakta e tyre pati dëgjuar fjalënaja pa në thelb ndonjë informacion real, qe tepër tunduese. Kryeministri i ri nuk vinte nga emrat e familjeve të njohura, siç më parë Shqipëria, para dhe gjatë pushtimit, i kishte pasur kryetarët e vendit. Zakonisht shpjegimi më i shpeshtë për të rrëfyer origjinën e Enver Hoxhës, qenë fjalët e shkurtra “mësues liceu”.  Erdhi çasti, pra, i paraqitjes së këtij “profesori”, siç herë pas here thirreshin mësuesit e shkollave të mesme.  Largimi nga qielli i Tiranës i gjashtë aeroplanëve anglo-amerikanë, pa u vonuar shumë, u pasua nga 21 të shtëna gjëmimtare topash. Kjo donte të thoshte se Hoxha në krye të një njerëzve të vet, kishte hyrë në Tiranë dhe shumë shpejt do të dukej në sheshin pranë Ministrive dhe prej andej, duke ecur më këmbë mes banorëve të kryeqytetit, do të hipte majë një tribune festive të ngritur para hotel Dajtit. I nisur nga qyteti i Beratit më 27 nëntor, pasdite ai, bashkë me ministrat, qe strehuar në Elbasan, në hotelin “Moderno”. Prej ballkonit të tij Enver Hoxha u pati mbajtur një fjalim entuziast banorëve të qytetit. Atë natë anëtarët e qeverisë së PKSH-së e kaluan aty dhe në mëngjesin e 28 nëntorit morën, nëpër Qafën e Krrabës, rrugën për në Tiranë.

Një kryeartikull tipik i këtyre momenteve, “Pushteti dhe ne”, i cili qe botuar në Buletinin e Luftës Nacionalçlirimtare Nr. 6, mes të tjerash thoshte kështu: “Mijëra vjet zie muarën fund…Sot një epokë e re po çilet. Që sot historia e popullit ndahet më dysh: e kaluara shekullore e zezë dhe e ardhmja e shkëlqyeshme…” Kur hyri në shtëpitë e para të Tiranës ardhësit me Enver Hoxhën në krye u pritën nga Mehmet Shehu dhe Myslim Peza.  Duke u harmonizuar kujdesshëm me njëri-tjetrin ata i shpjeguan kryetarit të qeverisë dhe njëkohësisht kryekomandantit të ushtrisë, se si qe zhvilluar beteja e çlirimit të kryeqytetit. Një çast Mehmet Shehu tregoi me dorë edhe dy tanke italiane, që tashmë po drejtoheshin shkathtësisht prej partizanëve. Më pas, kur u rinisën, Myslim Peza kaloi në krahun e majtë të Hoxhës dhe Omer Nishanit, kurse gjeneral-major Shehu u vendos në rreshtin e dytë. Koçi Xoxe mbeti atje ku që në fillim pati qenë: në radhën e parë, në të djathtë të Enver Hoxhës. Kështu u formua përfundimisht rreshti më kryesor i grupit udhëheqës të pushtetit të ri, ai më simboliku. Qenë vetëm katër persona: Xoxe, Hoxha, Nishani dhe Peza.

Shefi i Shtabit të UNÇl, gjeneral Spiro Moisiu, ndodhej në radhë të dytë, ku nuk mungonte edhe Haxhi Lleshi, në qeverinë e re Ministër i Brendshëm. Në rreshtin e mëpasshëm, pra në katërshen e tretë, gjendeshin përfaqësuesit e misioneve ushtarake të vendeve aleate si edhe i dërguari jugosllav. Për shkak të uniformës së tij, një kapeleje dhe xhakete të meshintë piloti, me shenjë në sup flamurin amerikan, mes kësaj katërsheje spikaste një prej përfaqësuesve ushtarakë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptaro-amerikani Thomas Stefan.

Pasi zbritën në buzë të sheshit “Skënderbej” dhe në fillim të Bulevardit Musolini, pranë xhamisë me minare të këputur prej luftimeve dhe Kullës së Sahatit të goditur dukshëm nga predhat e mortajave, njerëzit e grumbulluar brohoritën menjëherë Enver Hoxhën. Shumica e tyre qenë të organizuar. Ky, shtatlartë dhe me uniformë mjaft elegante, me një rrip brezi “Brajën” dhe yll të kuq të madh mbi kapele, u drejtua për nga Hotel Dajti. Para se të ngjiteshin tek tribuna e stolisur me dafina dhe në fasadë një shqiponjë e madhe me germat VF-LP (“Vdekje fashizmit-Liri Popullit”!) grupit të qeveritarëve të rinj u dolën përpara disa nëna dëshmorësh. Pasi e përqafuan Hoxhën dhe pesë-gjashtë të tjerë e duke uruar “Të na rroni!” dhe “Të na rrojë Shqipëria e lirë!”, u tërhoqën për atje ku i kishin caktuar të ndiqnin ceremoninë: përballë tribunës. Aty pranë qenë edhe një grup grash e të rejash, të veshura me kostume kombëtare. Pasi u shpalos një flamur kuq e zi dhe Enver Hoxha me të tijtë e nderoi solemnisht, në tribunën me dafina u krye rreshtimi i plotë protokollar. Gjithçka u risistemua, me pamje të qartë në rresht të parë të disa civilëve dhe femrave, por që nuk e ndryshoi aspak treshen Xoxe, Hoxha, Nishani. Nga përfaqësuesit e misioneve ushtarake ndodheshin në pozicione mjaft të dukshme, të rëndësishme jo vetëm majori Ivanov dhe shqiptaro-amerikani Thomas Stefani, përfaqësuesi i Francës, koloneli Tesjé, por disa interpretues të kësaj ngjarjeje kanë hipur mbi tribunë edhe ata që do të vinin disa muaj më pas, shkurt-mars-prill 1945, kreu i misionit USA, Xhozef Xheikobs, britaniku Gjeneral Brigade Hudson apo edhe Harri Fultz.Një përshkrim të këtij momenti pesëdhjetë vite më pas, kur ndodhej në burg për motive politike, por që juridikisht u formulua si për shpenzime të tepruara nga buxheti i shtetit (kafe të pira në takime apo pritje zyrtare të ndryshme) në librin e saj “Jeta ime me Enverin”, pjesa e parë, Nexhmije Hoxha shkruan: “Para popullit që buçiste nga brohoritjet, u paraqitën Enver Hoxha, dr. Omer Nishani, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Baba Faja Martaneshi, Mehmet Shehu, Medar Shtylla e nuk mbaj mend kush tjetër”. Ndërsa jo pak interpretues të kësaj ngjarjeje ngulin këmbë se Nexhmija gjatë ceremonisë ndodhej në tribunë, në libër ajo pohon qetësisht të kundërtën, çfarë mund të jetë edhe e vërteta: “Unë dhe disa shokë e shoqe e ndoqëm ceremoninë nga ballkoni i hotel “Dajtit”.

Nexhmije Hoxha ka një kujtesë të shkëlqyer dhe të çudit përse, ndërkaq, nuk citon vendosjen e dukshme në tribunë të krerëve të misioneve ushtarake aleate. Ky qe njëri nga tiparet më kryesore të imazhit që PKSH donte t’i jepte festimeve të 28 nëntorit 1944. Doemos ajo nuk përmend as fluturimin e gjashtë avionëve anglo-amerikanë, gjë që e bën edhe Enver Hoxha bashkë me të gjithë historinë zyrtare gjysmë shekullore të para nëntëdhjetës. Kujtesa e saj brilante e braktis, gjithashtu, tek përshkruan momente tepër mbresëlënëse, ngulitëse në tru, edhe në një rast tjetër. Nexhmije Hoxha shkruan “…kishin ardhur në këtë festë edhe disa nga ata “të mundurit”, që bashkë me mbarimin e luftës kishin humbur pushtetin politik dhe ekonomik, por midis tyre kishte edhe nga ata që nuk e kishin realizuar ende këtë kthesë.

Më kujtohet që gjatë ceremonisë, kur në tribunë u ngjitën udhëheqësit e shtetit, ngjau një incident i vogël qesharak. Shohim që në anë të tribunës u ngjitën një…ish-ministër i Zogut, Ferit Vokopola, dhe një tregtar nga Tirana, Ali Bakiu. Unë i njihja të dy. Te tregtari blinim fletore e mjete të tjera shkollore. Po tek ai unë kisha blerë edhe violinën, që i kërkohej çdo nxënëseje që përgatitej të bëhej mësuese. Kurse ish-ministri, ishte babai i një shoqeje të klasës sime. Kur i panë ata, organizatorëve të ceremonisë u erdhi për të qeshur, por edhe u shqetësuan.

Tregtari tiranas, në fakt, ishte antifashist, dhe kishte ndihmuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare, dhe ndoshta për këtë arsye ai u lejua të qëndronte, kurse ish-ministrin e Zogut, pasi i folën me mirësjellje se nuk ishte vendi i tij aty, zbriti nga tribuna”.

Lexo edhe :  Sindroma Medea:Çfarë fshihet pas vetëflijimit të nënës bashkë me fëmijët e saj në Shkodër

Por Ali Bakiu në 28 nëntor 1944 nuk qe thjesht një antifashist, por vetë shefi i kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar të Tiranës.  Ai nuk hynte tek të mundurit, sepse luftoi. I takonte të qe njëri prej fitimtarëve.  Shkruan sërish zonja Hoxha: “Populli e vështronte me vëmendje të madhe udhëheqësin, Komandantin, për të cilin kish dëgjuar aq shumë gjatë luftës dhe e ndiqte fjalën e tij me entuziazëm të paparë”.

Në bulevard pas fjalimit të Enver Hoxhës u krye parakalimi i njësive partizane, shumica e të cilave të veshur me uniforma angleze.

Sipas gazetarit të Associated Press, Sid Feder

Raportimin e festimeve për opinionin publik brenda vendit, por edhe atë jashtë kufijve të tij, Radio-Tirana e kreu nëpërmjet të porsaemëruarve Fatmir Gjata dhe Mark Gurakuqi. Për Associated Press qe Sid Feder, gazetar me rezidencë në Romë. Sipas tij, “Duke folur nga tribuna në ballë të hotelit luksoz Sejti [Dajti], i cili ngjan disi me ato të Miami Beach, Hoxha iu drejtua një mase prej 30-40 mijë njerëzish në Bulevardin Musolini në kryeqytetin e parë në Europë të çliruar tërësisht nga partizanët e vet”. Po ashtu Feder raportoi se Hoxha “hyri në qytet duke ecur në këmbë gjatë gjithë gjatësisë së Bulevardit Musolini me stafin, oficerët Aleatë, përfshi edhe Kapitenin Thomas Stefan Laconian ose Laconjan, ndërsa turma hidhte lule dhe brohoriste”.

Sipas gazetarit të Associated Press, Enver Hoxha “hyri sot në kryeqytetin e çliruar me premtime sfiduese nga kryeministri i ri që Shqipëria është gati të luftojë për të mbrojtur kufijtë e saj jugorë me Greqinë”. Nuk harroi Feder të vinte në dukje se “Hoxha gjithashtu premtoi qeveri demokratike për Shqipërinë”. Vëzhguesit e 28 nëntorit 1944 kanë vënë në dukje se “Radio reporteri Morris Rozenberg i Degës së Luftës Psikologjike (PEB) të OSS-it llogariste që turma përballë Hotel Dajtit ishte me rreth 30 mijë njerëz.  Rozenbergu, në raportin e të njëjtës ditë për radio Barin, shkruan: “Hoxha tha se qeveria do të punojë për rindërtimin e menjëhershëm të vendit me reforma ekonomike, sociale dhe kulturore dhe populli do ta kontrollojë vendin në mënyrë demokratike. Lëvdoi aktet heroike të UNÇSH-së e cila tashmë po përzë gjermanët e fundit nga veri-perëndimi i vendit. I foli popullit për ndihmën e Aleatëve në çlirimin e Shqipërisë nga gjermanët dhe mburri në mënyrë të veçantë Ushtrinë e Kuqe dhe partizanët jugosllavë dhe tha se Shqipëria duhet të jetë aleate me Titon”.

Ndërkohë raportet jomediatike, pra ato të mbyllura, për kanalet zyrtare, vinin në dukje se “Hoxha bëri shumë lëvdata për Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë, pavarësisht se asnjë prej tyre nuk kishte kontribuar fare për fitoren e partizanëve, dhe mezi përmendi – pa le të falënderonte – Britaninë e Madhe ose Shtetet e Bashkuara që në të vërtetë kishin ndihmuar. Ishte një shenjë e qartë se të gjithë vëmendjen e kishte drejtuar për ta futur vendin në orbitën e Titos dhe Stalinit, larg perëndimit”.

Në hotel “Dajti” u dha një pritje e madhe.

Në librin e saj Nexhmije Hoxha e përshkruan hollësisht këtë ngjarje, deri në detaje. Pohon se në ceremoni ndodheshin “edhe gjithë misionet aleate në Shqipëri, anglezë, sovjetikë, amerikanë e jugosllavë”.

“Gjithë anëtarët e misioneve aleate ishin në qejf, veçanërisht anëtarët e misionit anglez që ishin në numër më të madh…

Bëheshin ca qesharakë, por edhe simpatikë, kur futeshin në mes të valltarëve labë e të tjerë dhe mundoheshin të hidhnin këmbët si ata.

…Në këndin ku ishim ulur ne, Enveri e dr. Nishani iu qepën njërit nga përfaqësuesit të misionit anglez për të provuar sa do t’i rezistonte rakisë shqiptare.

Për vete, ata të dy e kthyen gotën nja dy herë për festën e madhe, pastaj i thanë garsonit t’ua mbushte gotat me ujë. Kështu, ndërsa ata të dy pinin ujë, anglezi pinte raki deri sa erdhi në qejf e të dy palët qeshnin me gjithë zemër.

Mysafiri rezistoi sa rezistoi, por në një moment nuk arriti më as të largohej dhe nxori gjithë ç’i kish barkut atë natë”.

Gjithçka që u bë në atë 28 nëntor 1944, me të vërtetë qe një ballo. Me maska.

Të jetoje në enverkomunizëm

Enver Hoxha ishte një fatalitet tjetër, për mos t’i hyrë Jaltës dhe përse në tryezën e bisedimeve të tre më të fuqishmëve të botës u shpërfill dhe u harrua fati i Shqipërisë. Ishte fatale ato çaste edhe pesha e vogël gjeostrategjike e trojeve tona. Luftohej për të kontrolluar superstrategjiket hapësira të Jugosllavisë dhe Greqisë. Të vjen keq kur sheh se vazhdohet akoma të ushqehet lexuesi me botime procesverbalesh të mbledhjeve të grupit udhëheqës komunist të diktaturës.

Ato qenë të nevojshme një kohë, por jemi shumë vonë në analizën e jo në rrëfimin e asaj që ndodhi. Na mungon depërtimi i thellë jo vetëm brenda sistemit dhe mekanizmave të regjimit, por nuk ka asnjë hap të rëndësishëm edhe brenda fenomenit të quajtur Enver Hoxha.

Sharjet dhe mllefi i derdhur kundër tij, shumë i kuptueshëm dhe i pranueshëm për ata që persekutoi, po e largojnë vëmendjen nga analiza. Tek misteri dhe kllapia Enver Hoxha nuk hyhet me hokën Dulla. Hoxha mbetet një gjeni i së keqes. Është gjetur një pohim i Dushan Mugoshës, sipas të cilit të dërguarin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë në themelimin e PKSH-së Josif Broz Tito e ka porositur që kryetari i komunistëve shqiptarë jo vetëm të zgjidhej një nga ata që nuk drejtonin grupet e mëparshme, të ishte me idetë e Stalinit, por edhe të qe i pashëm. Ndër ata që morën pjesë në themelim Enver Hoxha ishte më i bukuri. Mund të bëjmë shaka apo ironi me këto që tani po shkruajmë, por dihet se sa peshë të cilësisë hipnotizuese të karizmës ka pamshmëria e një politikani. Dhe ne shqiptarët dukjen, pamjen, e kemi kult.

Që prej vitit 1912 ata që na kanë drejtuar më gjatë ka qenë burra të pashëm. Të pabukurit kanë humbur të gjithë apo kanë qeverisur fare pak, në kalim e sipër.  Disa mund ta kenë aq të shtuar inatin kundër Enver Hoxhës sa t’i thonë që ishte një pederast. Se ishte kurvar. Por i martuar ai i qëndroi besnik moralit të familjes. Se ishte hajdut. Personalisht nuk vodhi kurrë. A nuk e shtonin këto karizmën e tij dhe për pasojë rritnin shkallën e rrezikshmërisë publike?

Diktatori nuk ishte as belbacuk, as gafaxhi, as fytyrëzymtë, as i trashë. Qe orator i nivelit të lartë, mbase ja ka kaluar pak vetëm Fan Noli. Por edhe ky gojëtarinë e kishte për elitat, kurse kryekomunisti shqiptar mjaft joshëse për turmat.

Diktatori në realizimin e sistemit, i cili ishte mirëfilli një gafë, nuk gaboi kurrë. E çoi atë gjer në fund me një stil metodik shembullor, si të qe një harmoni. Enver Hoxhës nuk i dridhej zemra kurrë nëse bashkëluftëtarët e tij përfundonin të zhdukur e pa varr, por ndodhte që përlotej nga ndonjë këngë popullore. Zemërimi i tij ka qenë i tmerrshëm, por në të njëjtën kohë buzëqeshja dhe tundja përshëndetëse e dorës plot magji. Mund të kenë qejf ta quajnë të paditur, por ai kishte bibliotekën jo vetëm më modernen, por edhe më pluralisten në Shqipëri, madje lexonte e shkruante pa pushim. Për të Italia ishte “aeroplanmbartësja e imperializmit amerikan”, por kur shkonte për pushime në Vlorë apo në Pogradec një ditë para mbërritjes së tij antena të posaçme në pika të larta të relievit fillonin të transmetonin televizionin italian.  Kur ikte sigurisht antena mbyllej, por banorët e qytetit ndërkohë patën shijuar ca kohë nga “kapitalizmi i urryer”.

Eleganca e veshjeve të Enver Hoxhës, por jo luksi, e mbanin përherë ashtu siç kishte qenë në të ri: shqiptar që pati shijuar me shpirt jetën e Perëndimit. Mund të ripërsëritet se marksizmi i tij vinte nga zgëqet e Uraleve, por në të vërtetë pati ardhur nga zemra e kontinentit, nga vetë Franca.

Madje pothuaj e gjithë grupi që e mbështeti Enver Hoxhën vinin nga Perëndimi, jo nga lindja.

Hoxhës mund t’i thuhet po ashtu se nuk e donte Kosovën, kur me siguri e ka dashur. Ndërkohë sepse donte mbi të gjitha pushtetin e vet i solli çështjes kombëtare dhe vetë Kosovës dëme mjaft të mëdha. Enver Hoxhës mund t’i përplaset në fytyrë edhe akuza se nuk e donte as Shqipërinë, kur në të vërtetë mendonte se e donte. Veç nuk gjendet tjetër si ai në historinë tonë që i dobësoi burimet njerëzore dhe ekonomike të saj gjer në shkatërrim. Metoda e inateve, pra e thjeshtëzimit të Enver Hoxhës, mund të çlirojë përkohësisht nga dhimbja apo të lehtësojë dufe, veç nuk zgjidh asgjë. Është i njëjti stil si ai i komunistëve, të cilët për të poshtëruar kundërshtarët e tyre ballistë i bënin frikacakë. Patëm regjimin më të ashpër të ish-lindjes komuniste, por ndërkohë udhëheqësin më të përsosur për këtë mashtrim. Të imunizuar të sigurt ishin vetëm ata që nuk e donin atë sepse qenë kundërshtarë politikë të tij. Gjithë të tjerët qenë të rrezikuar të binin në narkozë.

“Shqipëria kështjellë”, “i vetmi fanar ndriçues i socializmit në botë”, në kushtet kur nuk kishe jetuar, parë apo lexuar për vende dhe sisteme të tjera politike dhe nuk të linin rreptësisht ta bëjë këtë, ka qenë gracka ku ramë. Gjithçka për të mbetur aty, të kapur kokë e këmbë në rrjetë, ishte përpunuar gjer në hollësi. Unë e kam lexuar Marksin që kur isha në vitet e para të gjimnazit. Dhe a e dini përse? Jo vetëm se në këtë laborator të frikshëm po shndërrohesha pak nga pak në një qenie eksperimentale të “njeriut të ri”, por edhe sepse botimet e Marksit dhe të Engelsit, të shtypurat në shqip në Gjermaninë Lindore, qenë më të bukurat, më luksozet.

Ato binin aromë dhe mua tërë jetën aromat e librave më kanë tunduar.

Të fundit

Zbulohet faktori i ri që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, ja për kë bëhet fjalë

Nëse do ta përfytyronit trupin tuaj si një makinë, zemra do të ishte motori. Zemra, një organ muskulor që ndahet...

Njohja e pensioneve me Italinë, nga e hëna drafti diskutohet në komisione parlamentare!

Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve të mbi 500 mijë shqiptarëve do të diskutohet nga e hëna në  komisionet parlamentare. Drafti parashikohet të prezantohet...

Puka dhe Tropoja bëhen bashkë dhe dhurojnë një mbrëmje të paharruar në “Gëzuar me ju”

Në programin “Gëzuar me ju” ishin të ftuar këngëtarët e njohur të muzikës popullore Perlat Sheqeri, me origjinë nga Puka, dhe Arif Dushaj, nga...

Thuajse të gjithë po e lexojnë gabim takimin e Ramës!

Nga Alban Daci Disa e quajnë takim elektoral me patronazhitë që ndoshta është edhe e vërtetë! Disa thonë se Rama e mbushi stadiumin me autobuzë nga...

Shkëmbimet tregtare / Ja ç’po ndodh me eksportet e vendit tonë në 5 vitet e fundit

Mallrat “Made In Albania” që shiten në Greqi janë dyfishur përgjatë 5 viteve të fundit. Të dhënat e Instat tregojnë se gjatë vitit 2023...

Lajme të tjera

Web TV