Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur që të ardhurat që janë sekustruar nga oligarkët rus të shkojnë në Ukrainë. Sipas Prokurorit të Përgjitshëm Merrick Garland Biden ka mbështetur legjislacionin që këto pasuri t’i kalojnë Ukrainës.
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland tha të martën se administrata e Presidentit Biden mbështet legjislacionin që kërkon që disa prej të ardhurave të sekuestruara nga oligarkët rusë të shkojnë “direkt në Ukrainë”. “Kjo nuk është duke ndodhur tani”, tha zoti Garland para Komisionit të Senatit për Buxhetin, ndërsa ligjvënësit e pyetën atë në lidhje me pronat dhe pasuritë që Departamenti i Drejtësisë po konfiskonte nga bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin pas fillimit të sulmit rus në Ukrainë më 24 shkurt. Departamenti i Drejtësisë, i udhëhequr nga zoti Garland, krijoi një njësi të re, të quajtur “KleptoCapture”, për të ndihmuar në zbatimin e sanksioneve kundër zyrtarëve të qeverisë ruse dhe oligarkëve, duke vënë në shënjestër jahtet, avionët, pasuritë e paluajtshme dhe asetet e tjera të tyre. Shtetet e Bashkuara shpresonin se aleatët e Putinit mund t’i bënin presion atij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Disa figura kryesore ruse kanë shprehur kundërshtimet e tyre ndaj luftës, por sulmet ruse po vazhdojnë, të përqendruara tani në Ukrainën lindore pasi Moska nuk arriti të rrëzonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy ose të pushtonte Kievin. Departamenti i Drejtësisë tha në fillim të këtij muaji se sekuestrimi i tij i parë ishte një jaht luksoz prej 90 milionë dollarësh, 77 metra i gjatë, të cilin policia spanjolle e konfiskoi me kërkesë të Uashingtonit. Zoti Garland dënoi luftën e Rusisë në Ukrainë gjatë dëshmisë së tij në Senat, duke thënë se “mizoritë e tmerrshme” që po shihen në video dhe foto “janë gjëra që ata që janë rritur në shekullin e 20-të nuk prisnin t’i shihnin në shekullin e 21-të”.
Rusia ndaloi furnizimin me gaz
Kremlini ka hedhur poshtë akuzat për shantazh në masën e tij për të ndaluar furnizimin me gaz në Poloni dhe Bullgari, pasi ato refuzuan të paguanin në rubla. “Ky nuk është shantazh,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një konferencë të rregullt. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen kishte akuzuar Rusinë për përdorimin e gazit për të “shantazhuar” bllokun, pasi Gazprom tha se ndaloi furnizimet për të dy vendet të mërkurën. “Nevoja për kushtet që u dokumentuan në dekretin e Presidentit Putin, që do të thotë mënyra e re e pagesës, u shkaktua nga hapat e paprecedentë jomiqësorë në ekonomi dhe sektorin financiar të ndërmarra kundër nesh nga vendet jomiqësore”, tha Peskov. Sipas tij, Rusia u detyrua të kalonte në pagesa në rubla për furnizimin me gaz në Evropë për shkak të kufizimeve të reja. “Ne kishim një sasi të konsiderueshme të rezervave tona të bllokuara, ose të ‘vjedhura’, e thënë thjesht. E gjithë kjo kërkonte një kalim në një sistem të ri pagesash,” vazhdoi Peskov. Peskov shtoi se të gjitha kushtet e reja “u paraqitën paraprakisht në vëmendjen e blerësve”.
Reagon BE: Putini kërkon të na shantazhojë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të “shantazhojë” bllokun me gaz, pasi gjiganti i energjisë Gazprom ndaloi furnizimet në Poloni dhe Bullgari. “Njoftimi i Gazprom është një tjetër përpjekje e Rusisë për të na shantazhuar me gaz. Ne jemi të përgatitur për këtë skenar. Ne jemi duke hartuar përgjigjen tonë të koordinuar të BE-së”, shkroi von der Leyen në T ëitter. “Evropianët mund të besojnë se ne qëndrojmë të bashkuar dhe në solidaritet me shtetet anëtare të prekura”, shtoi më tej ajo. Në një deklaratë të veçantë, von der Leyen tha se një takim midis grupit të koordinimit të gazit të BE-së ishte duke u zhvilluar për të hartuar një përgjigje. Kujtojmë se Gazprom ndërpreu furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë pasi të dy vendet refuzuan të paguanin në rubla. Rusia kishte paralajmëruar vendet “jomiqësore” muajin e kaluar se do të duhet të paguajnë për gazin në monedhën ruse duke filluar nga 1 prilli, ose rrezikojnë të ndërpriten. Mosmarrëveshja e pagesave kërcënon furnizimet me gaz që kanë vazhduar të rrjedhin, edhe pse trupat ruse bombarduan qytetet kryesore në Ukrainë dhe Perëndimi vendosi sanksione gjymtuese ndaj ekonomisë ruse. BE-ja po planifikon të ulë konsumin e gazit natyror rus këtë vit, ndërsa përgatitet për një shkëputje të plotë me furnizuesin e saj të vetëm më të madh të energjisë. Por Evropa do të luftonte për të mbijetuar për një kohë të gjatë pa gazin rus dhe gjetja e burimeve alternative paraqet një sfidë të madhe logjistike.
Putin paralajmëron
“Kush ndërhyn në Ukrainë do të
marrë një përgjigje nga Moska”
Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se çdo vend që përpiqet të ndërhyjë në Ukrainë do të përballet me një përgjigje të shpejtë nga Rusia dhe tha se të gjitha vendimet se si do të reagojë Moska në atë situatë tashmë janë marrë. Duke iu drejtuar ligjvënësve në Shën Petersburg, Putin tha se Perëndimi donte ta ndante Rusinë dhe e akuzoi atë se e shtyu Ukrainën në konflikt me Rusinë. Reuters raporton se Putin tha se rubla, sistemi bankar, sektori i transportit dhe ekonomia ruse në tërësi i kanë rezistuar sanksioneve të vendosura kundër Moskës dhe ai premtoi një përgjigje ndaj përpjekjeve për të izoluar Rusinë.