Çrregullimi i Personalitetit të Shumëfishtë nuk është si në filma…

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Rudina Koromani

Çrregullimi Disociativ i Identitetit, i njohur si psikopatologjia e Personalitetit të shumëfishtë, është një gjendje shumë serioze e shëndetit mendor, ku dy ose më shumë personalitete të veçanta kontrollojnë sjelljen e një personi në periudha të ndryshme. Çdo identitet ka historinë e tij personale, tiparet, pëlqimet dhe mospëlqimet. Çrregullimi mund të çojë në boshllëqe të kujtesës dhe halucinacione.

Është një nga çrregullimet disociative që ndikojnë në aftësinë e një personi për t’u lidhur me realitetin. Çrregullime të tjera disociative përfshijnë: Çrregullim i Depersonalizimit ose i Derealizmit, i cili shkakton një ndjenjë shkëputjeje nga realiteti dhe Amnezia disociative që lidhet me probleme të kujtesës së informacionit për veten.

Megjithëse është shumë i njohur nga popullata për shkak të portretizimit të tij nëpër filma, çrregullimi është shumë i rrallë duke vlerësuar se prek nga 0.01 deri në 1% të popullsisë. Mund të ndodhë në çdo moshë. Gratë kanë më shumë gjasa se burrat të kenë këtë patologji.

Filmat që kanë profilizuar në disa personazhe këtë çrregullim të personalitetit të shumëfishtë kanë ndikuar negativisht në përhapjen e stereotipeve të pasakta që lidhen me patologjine dhe sëmundjet mendore.

Keqkuptimet për dhunën, sjelljen kriminale, identitetet ekstreme alternative dhe paaftësinë e lidhur me trajtimin janë portretizuar shpesh ku përbuzja shihet e zakonshme, e ku personazhet tallin personazhin/individin që ka çrregullimin.

Përdorimi i përsëritur i stereotipeve negative për individët me personalitete të shumëfishta në filma sugjeron që publiku mund të vazhdojë të ketë opinione negative për njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje e pazakontë mendore por njëkohësisht një nga psikopatologjitë më kontraversive e të diskutueshme.

Në aspektin klinik profili i këtij çrregullimi nuk është ai që keni parë nëpër filma, ata nuk janë aq të rrezikshëm sa prezantohen, e për këtë arsye nevoitet një prezantim më real i tij me qëllimin për të kuptuar më mirë prezantimin klinik e për të ulur stigmatizimet.

Prevalenca e Çrregullimit Disociativ të Identitetit është identifikuar në 4 për qind deri në 7,5 për qind të pacientëve në rezidencat psikiatrike, 2-6 për qind të pacientëve në ambiente ambulatore dhe 0,4 % dhe një të dhjetën për qind të individëve që nuk kanë lidhje me shërbimet e shëndetit mendor.

Në ato pak raste të studjuara, abuzimet ( seksuale, fizike)dhe neglizhimet gjatë fëmijërisë është gjetur si shkaktar kryesor ( 90% të rasteve) si dhe duke u zhvilluar si përgjigje ndaj një fatkeqësie natyrore ose ngjarjeve të tjera traumatike si lufta, si një mënyrë që dikush të distancohet ose të shkëputet nga trauma.

Një person me çrregullimin e personalitetit të shumfishtë ka dy ose më shumë identitete të dallueshme. Identiteti “thelbësor” është personaliteti i zakonshëm i personit.

“Ndryshimet” janë personalitetet alternative të personit. Është gjetur se disa njerëz kanë patur deri në 100 personalitete. Personalitetet priren të jenë shumë të ndryshme nga njëri-tjetri, me gjini, etni, interesa dhe mënyra të ndryshme të ndërveprimit me mjediset e tyre.

Simptoma të zakonshme të patologjisë përfshijnë: ankth, iluzione, depresion, çorientim,abuzim me drogëra e alkol, humbje kujtese, mendime vetvrasëse apo sjellje vetdëmtuese.

Gjendje të tjera klinike që bashkëndodhin shpesh tek njerëzit me çrregullim të personalitetit të shumëfishtë përfshijnë:
-çrregullimin e stresit post-traumatik,
-çrregullimet e personalitetit (veçanërisht ai Kufitar dhe Shmangës),
– depresionin,
– çrregullimet e përdorimit të substancave,
– çrregullimin e konversionit,
– çrregullimin e simptomave somatike,
– çrregullimet e të ngrënit,
– çrregullimin obsesiv-kompulsiv dhe
– çrregullimet e gjumit

Lexo edhe :  Përkushtim për të avancuar procesin transformues drejt përkatësisë evropiane

Vetëdëmtimi, krizat jo epileptike, rikthimet me amnezi për përmbajtjen e rikthimeve, çrregullimet e ankthit dhe vetëvrasja janë gjithashtu të zakonshme.

Diagnoza nuk duhet të bëhet nëse gjendja e personit kornizohet më mirë nga çrregullimi i përdorimit të substancave, krizave epileptike, problemeve të tjera të shëndetit mendor, lojërat imagjinare të fëmijëve apo në rastet e praktikave fetare.

Elementi kyç diagnostik për çrregullimin kërkon prezencën e minimalisht dy personaliteteve të dallueshme tek një individ.

Personaliteti i shumëfishtë është i diskutueshëm si në fushën e psikiatrisë ashtu edhe në sistemin ligjor ku është përdorur rrallë në gjykatë për të argumentuar çmendurinë kriminale.

Është e paqartë nëse ritmet e rritura të çrregullimit janë për shkak të njohjes më të mirë të saj apo i faktorëve sociokulturorë siç janë portretizimi nga mediat apo prej përdorimit të teknikave sygjestionuese të hipnozave nga terapistët.

Simptomat tipike që paraqiten në rajone të ndryshme të botës ndryshojnë në varësi të kulturës, si për shembull identitete të ndryshme që marrin formën e zotërimit të shpirtrave, hyjnive, fantazmave apo figurave mitike në kulturat ku gjendjet normative të posedimit janë të zakonshme.

Por në rastin e çrregullimit, personalitetet e shumëfishta dalin në mënyrë të pavullnetshme, shqetësuese, e pakontrollueshme dhe shpesh të përsëritura duke përfshirë konflikt ndërmjet individit dhe mjedisit rrethues familjar, shoqëror ose të punës; dhe duke u manifestuar në kohë dhe në vende që shkelin normat e kulturës ose të fesë.

Lidhur me trajtimin, disa medikamente mund të ndihmojnë me simptoma të caktuara si depresioni apo ankthi. Por trajtimi më efektiv është psikoterapia.

Një psikolog ose psikiatër, mund të ndihmojnë drejt një trajtimi të duhur përmes terapive individuale, në grup apo dhe familjare. Terapia fokusohet në identifikimin e traumës apo abuzimit të përjetuar, në menaxhimin e ndryshimeve të papritura të sjelljes dhe në bashkimin i identiteteve të veçanta në një identitet të vetëm.

Megjithatë çrregullimi i personaliteteve të shumëfishta, ndonëse është shëruar në disa raste, ka një prognozë jo të mirë. Shumica e njerëzve e mbartin çrregullimin për gjatë gjithë jetës së tyre. Por një kombinim i trajtimeve mund të ndihmojë në uljen e simptomave duke ndihmuar të mësohet më shumë kontroll mbi sjelljen e në mirëfunksionimin e individit.

Një mbështetje e mirë nga kujdesi shëndetësor dhe anëtarëve e miqve të familjes ndihmojnë në një menaxhim më të mirë të çrregullimit.

Debati mes studjuesve: Ngjarjet traumatike e detyrojnë mendjen të ndahet në identitete të shumta? Prodhohen artificialisht nga disa praktika psikoterapeutike apo nga vetë pacientët ?

?‍?Rasti i një gruaje të verbër që rifitoi shikimin.

Një grua e verbër gjermane 37-vjeçare ishte në gjendje të shihte, por vetëm kur personaliteti i saj kaloi te një djalë adoleshent. ‘B.T’ pësoi aksident në moshë të re, i cili i dëmtoi zonën e përpunimit pamor të trurit. Kjo do të thotë se sytë e saj funksiononin normalisht, por truri i saj nuk mund të përpunonte informacionin që merrte. Gjatë terapisë u zbuluan 10 personalitete të tjera te ajo.

“Individi në fakt mbart një ekzistencë të dyfishtë: një i krijuar për t’i shërbyer qëllimeve të tij dhe tjetri që i del kundër në çdo rast, pa vullnetin e tij.” Z. Frojd

Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike

Të fundit

Mbyllet faza e parë e Ligë së Kampioneve, renditja dhe verdiktet përfundimtare

Liga e Kampionëve, uli siparin e fazës së grupeve, mbrëmjen e sotme, ku u luajtën edhe 18 duelet e...

Disa truke psikologjike për të përballuar më mirë problemet e përditshme

Nëse shpenzoni shumë kohë në internet, atëherë ju e dini se ka truke për çdo gjë të mundshme. Madje, disa truqe mund t’ju ndihmojnë...

Kurti nuk tregon pse ndryshoi mendje për Marrëveshjen e Uashingtonit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar të komentojë deklaratën e tij për marrëveshjen e Uashingtonit, dhënë në gazetën spanjolle “El Mundo”, për të...

Përmbytjet nga reshjet e shiut, shpërthejnë ujërat e zeza në burgun e Durrësit

Të burgosurit në burgun e Durrësit, kanë ngritur alarmin pas përmbytjeve që janë shënuar në qytet, pasi kanë shpërthyer ujërat e zeza në katin...

Zbuloni 5 çajrat bimorë që mund të ndërveprojnë me ilaçet tuaja

Nëse dëshironi një pije të shijshme, pa sheqer të shtuar ose me më pak kafeinë se kafeja, çaji është një zgjedhje e shkëlqyer. Krahas shijes,...

Lajme të tjera

Web TV