Nga Leonard Karaj
Berisha është thuajse zyrtarisht kryetar partie, në pritje të formalitetit në zgjedhjet që do të zhvillohen më 22 maj. Megjithatë grupin parlamentar nuk e ka me vehte, përderisa nga 52 deputetë, 35 nuk morën pjesë në Kuvendin Kombëtar. Gjithashtu ka edhe një proces gjyqësor në zhvillim, nga ku Gjykata e Apelit do të vendosë se kush do të ketë vulën, selinë, logon dhe asetet e tjera të partisë. Si i shihni situatën brenda kampit të partisë më të madhe opozitare?
Po, është fakt: Berisha është de fakto kryetar i PD-së. Do duhet të presim 22 majin për të thënë edhe de jure, pasi vështirë, për të mos thënë totalisht e pamundur, që dikush tjetër, në kushtet aktuale, të mund ta rivalizojë për kreun e partisë. A është kjo zgjidhja më e mirë dhe a mund të konsiderohet ky rithemelim? Për mendimin tim, jo. Dhe këtë qasje nuk e kam shumë për shkak të bojkotit në Kuvendin Kombëtar nga një pjese të konsiderueshme të deputetëve aktualë të PD-së. Unë, dhe besoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve, të interesuar ose jo për të ardhmen e opozitës, e dinë fare mirë se Berisha është “mbreti” i PD-së. Dhe ta konkurosh mbretin në shtëpinë e tij, pra në oborrin mbretëror, thjesht bëhesh gaztor i mbretit. Ndaj në këtë pikë, vetëm për garë reale nuk mund të flitet. Dhe nëse nuk ka garë reale, për shkak të situatave dhe staturës së Berishës, atëherë si mund të flitet për Rithemelim?! Si mund të thuash që kjo parti po ndryshon dhe po ecën përpara, kur vëren se në krye të saj në pjesën më të madhe janë “xhaketat e vjetra”. Personalisht nuk kam asgjë me moshën dhe politika nuk njeh kufinj në këtë aspekt, por në një vend si Shqipëria me demokraci tejet të brishtë dhe pas 9 vitesh në opozitë, të cilat sipas të gjitha gjasave do të bëhen 12 vjet, unë prisja që në krye të kësaj force të dilnin emra të rinj, të cilët me idetë, qasjen ndaj qytetarit dhe mënyrën e të bërit politikë, do ta çonin PD-në në një standart tjetër. Dhe që të kuptohemi: kur them një elitë e re, nuk e kam fjalën për atë që u mundua të krijonte Lulzim Basha, me personazhe gati groteske, që ka lënë ende si “gozhda e Nastradinit” në atë parti. Ata mund të konsiderohen edhe më të vjetër në mendësi sesa tipa si Genc Pollo, Edmond Spaho, Tritan Shehu, Flamur Noka, etj, të cilët bashkë me Berishën, do duhej të ishin pensionuar prej kohësh. Unë prisja që, pas “Foltores”, e cila duhej të ishte “mea cupla” e Berishës për gabimet që ai pat bërë me mbështetjen pa asnjë kufi ndaj “djalit të tij politik”, Lulzim Bashës, ish-lideri historik, të tërhiqej duke i dhënë udhë një procesi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e kryetarit të ri dhe strukturave të reja të kësaj partie. Si duket, Berisha kërkon që më shumë sesa të vehtëve, tu tregojë ndërkombëtarëve, veçanërisht amerikanëve, forcën e tij mes demokratëve, gjë që mund të vlejë sadopak për atë personalisht, por jo ama për PD-në si forcë politike.
Sa i përket vendimit që mund të japë Gjykata e Apelit, për mendimin tim, ankimimi për në këtë gjykatë ka qenë një gabim i rëndë i bërë nga Enkellejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi. Pa rëndësi ka se cili do jetë vendimi, pro njërit apo tjetrit. Vetë ankimi ka shtuar edhe më tej agoninë e PD-së dhe e ka dëmtuar shumë herë më shumë nga çfarë mund të parashikohej. Ndonëse hipotetitke, unë besoj se ekziston edhe një lloj mekanizmi që mund të vihet në lojë nga amerikanët dhe Rama, që vendimi i Gjykatës së Apelit të mos dalë deri vitin tjetër. Atëherë lind pyetja: si do të rregjistrohen në zgjedhjet vendore kandidatët e Berishës, sërish nën siglën e “Shtëpisë së Lirisë”? Ky do ishte skenari më i frikshëm, por besojeni, nuk është i pamundur që të ndodhë. Dhe në këtë kontekst, llogarisni vetë se çfarë dëmi i kanë bërë Alibeaj-Bardhi, me dërgimin në Apel.
Berisha po ndjek rrugën e vjetër që dikur i solli sukses, nga dështimi i vitit 1997-2005 kur mori pushtetin. A jemi në të njëjtat rrethana që Berisha të rishkruajë historinë?
Nuk jemi aspak në të njëjta kushte. Madje as në ëndërrën më të bukur nuk mund ta çojmë PD-në dhe të imagjinojmë se do ndodhë e njëjta fitore në 2025-ën sikundër në 2005-ën. Nuk është e njëjta mazhorancë. Nuk ka asnjë përçarje reale sikundër në 2004-ën mes Metës dhe Nanos. Nuk është e njëjta opozitë. Nuk janë të njëjtët ndërkombëtarë. Nuk është i njëjti pozicion i Shqipërisë në raport me interesin ndërkombëtar (kujto që asokohe Shqipëria po ftohej që të bëhej pjesë e NATO-s për shkak të politikës gjeostrategjike në rajon). Dhe natyrisht, nuk janë të njëjtët shqiptarë, të njëjtët votues. Sot, pjesa më e madhe e votuesve të djathtë janë larguar nga vendi, sidomos pas zhgënjimit në zgjdhjet e 25 prillit 2021. Madje, me këtë organizim që ka sot Rama në PS dhe me tentakulat e shtrira kudo në botën e biznesit, sikur përditë të bëhen zgjedhje, përditë, PS-ja del fituese përballë opozitës. Ndaj, gjyjkoj se agonia e PD-së duhej dhe duhet të marrë fund sa më parë, me qëllim që ti jepet kohë lidershipit të ri që të organizohet mjaftueshëm sa të mund të lëkundë të paktën themelet e mazhorancën në zgjedhjet vendore të vitit tjetër.
Për një vit vendi do zhvillojë zgjedhjet lokale në të 61 bashkitë e vendit, nëse PD me Berishën në krye dështon, a mund të lindin pakënaqësi edhe nga grupimi që sot e mbështet atë dhe të kërkojnë largimin e tij?
Sigurisht që po. Madje është vënë në statut që në rast humbjeje të zgjedhjeve lokale kryetari i partisë futet në votbesim dhe duhet të marrë të paktën 70% të votave me qëllim të mund të vijojë të jetë në krye të partisë. Në këtë këndvështrim, e them me siguri se Berisha nuk mund të jetë e ardhmja as e afërt e PD-së. Gjithsesi, në kushtet ku ndodhej kjo parti, pas maskaradës së Lulzim Bashës, më mirë një fund me dhimbje, pra kjo lloj zgjidhje, sesa dhimbje pafund, pra ashtu sikundër e kishte privatizuar këtë forcë ish-kryetari i saj.
Pa elektorat mbështetës, por me mandatin e deputetit dhe mbështetjen e SHBA-ve janë kryetari e komanduar Enkelejd Alibeaj dhe përkrahësit e tij, që në një lloj mënyrë mund të quhen edhe “trashëgimtarët e Bashës”. A është ky grupim problem për ish-liderin Berisha?
Ky grupim e bëri atë që kishte në dorë të bënte: apelimin në gjykatë (edhe pse unë gjykoj se një padi njohje nuk mund të apelohet). Ndaj karriera e tyre politike, e kam fjalën të Alibeajt, Bardhit, Pampurit, dhe ndoshta edhe të Tabakut e disa “idhëtarëve” të tjerë të Lulzim Bashës, ka marrë fund. Dhe pikërisht se edhe këta të fundit e dinë se janë “të vdekur politikisht”, mundohen të bëjnë lojëra, duke përdorur gjoja mbështetjen amerikane. Besojeni: SHBA-të do të ulen në tavolionë (nëse do duan të ulen), me cilindo kryetar që do të ketë nesër PD-ja. Madje guxoj të them, se në kushte paksa të tjera, edhe me Berishën. Pasi po flasim për politikë dhe interesa dhe jo për zënka dhe inate personale. Kush nuk e beson këtë gjë, nuk kupton asgjë nga politika.